PARIA KRIJOI SISTEMIN E KRIMINELËVE, JA SI SIGURIMI MBANTE NËN KONTROLL SHTETIN PAS ’90
BletaShqiptare.com, 9 dhjetor 2016
Ndonëse nuk keni qenë pjesёmarrёs nё Lёvizjen Studentore, ju keni bёrё njё studim tё detajuar mbi kёtё Lëvizje, ideologjinë qё e përshkoi dhe frymën qё i dhanë asaj drejtuesit e vet, tё cilin e keni paraqitur nё njё konferencë shkencore vitin qё shkoi. Çfarë mendoni se pёrfaqёson 8 Dhjetori dhe a u realizuan objektivat e studentëve?
Unё, nё atë kohё kam qenë gjimnazist dhe Lëvizjen Studentore Shqiptare (LSSH) e kam ndjekur me kёrshёri e ngazëllim, i mahnitur me kurajën e studentëve, sepse nuk ka qenё e lehtë të sfidohej ajo makineri shtetërore, e cila kishte njё forcë shumë të madhe edhe nё atë kohё. LSSH solli njё ndryshim epokal nё historinë e Shqipёrisё sepse, si pasojë e saj, jo vetёm ra sistemi komunist por nё shumë drejtime sistemi politik i sotëm ka dalë prej kontureve të saj, edhe pse drejtuesit realë të saj nuk janë mё nё politikën shqiptare. Dhe e vërteta historike ende nuk ёshtё thёnё si dhe sa duhet. Nё studimin qё ju përmendni, kam evidentuar se ka tri rryma të historiografisë së LSSH:
(1) rryma Hajdariste, e cila e cilëson Azem Hajdarin si “tribunin e demokracisë”, “princin e mendjeve të lira” etj, e cila nё kohё të ndryshme ka patur variante të ndryshme të mbështetura nga Sali Berisha dhe grupi i tropojanёve brenda studentëve. Versionet e dhëna nga ky grup përveçse kanё ndryshuar me kohё, reflektojnë ekzigjencat politike të Sali Berishës dhe PD-së së drejtuar nga ai për t’u legjitimuar nё sytë e shqiptarëve dhe shpesh herё bien ndesh me realitetin. Për shembull, po të lexohen kujtimet e disa pedagogëve dhe intervistat qё kanё dhёnё gjatë viteve, të cilat gjenden nё Arkivin e Bibliotekës Kombëtare, mund të konstatohet fare lehtë se nё kohё të ndryshme kanё dhёnё versione të ndryshme, kanё harruar dhe rikujtuar detaje, por edhe kanё mungesë dijenie për aspekte kyçe të zhvillimit të ngjarjeve. Kjo e ul besueshmёrinё e tyre si drejtues të situatave nё gjykimin final;
(2) rryma e Katovicёs, ose e disa funksionarëve të lartë të shtetit komunist qё pretendojnë se LSSH ishte pjellë e strukturave të kohës, të cilat e kontrolluan dhe e drejtuan për të mbërritur nё objektivin e ndryshimit formal të sistemit, por jo atij real të pushtetit. Përsiatjet e tyre reflektojnë njё realitet të pamohueshëm të kohës, atë qё shteti komunist ishte i fortë, kishte struktura të sigurisë qё kontrollonin shumëçka dhe disa segmente brenda parisë komuniste kishin vendosur qё duhej ndryshuar formalisht sistemi, por duke mbajtur tёrёsisht nё kontroll shtetin dhe strukturat e tij. Megjithëse ka shumë të vërteta nё kёto rrëfime, ajo qё injorohet me qёllim nga ky grup ёshtё se për shkak të LSSH-së, rrjedha e ngjarjeve ndryshoi nё mënyrë qё këta dhe tё tjerё nuk i kishin parashikuar duke krijuar situata qё nuk përkonin me idetë e tyre. Me pak fjalë, shteti komunist nuk e kontrolloi dot rrjedhën e LSSH-së dhe për kёtё merita ёshtё e studentëve; dhe
(3) rryma kombёtariste e pёrfaqёsuar nё shkrimet dhe librat e disa ish-studentëve kryesisht konviktorë, ku shquhet grupi i shkodranëve dhe Prof. Dr. Shenasi Rama, Arben Lika, Arben Broci, Vullnet Spahiu por edhe Edvin Shvarc, Arben Sulo, e disa të tjerë. Ky grupim pohon se studentët kërkonin jo thjesht rrëzimin e sistemit por ndërtimin e njё shtet-kombi të shqiptarëve, me ideologji të qartë, me strukturat e duhura dhe duke eliminuar kësisoj atë qё ishte rreziku mё i madh për kohën, vëllavrasjen dhe gjakderdhjen ndёrshqiptare. Ata e konsiderojnë Lëvizje nё hapёsirё disa mujore jo thjesht demonstrata tё Dhjetorit, dhe janë i vetmi grupim qё përcakton me qartësi tё pazakontë për atë periudhë objektivat qё kanё patur, ideologjinë mbi të cilën mbështeteshin drejtuesit e Lëvizjes, por edhe qartёsojnё pse manipulohet edhe sot opinioni publik nёpёrmjet hagjiografisё zyrtare. Nga pikëpamja e qartёsisё dhe koherencës, rrëfimet dhe analizat e kёtij grupi dhe sidomos Shenasi Ramёs japin njё tablo shumë të qartë dhe të detajuar të momenteve kyçe tё Lëvizjes dhe meritojnë vëmendjen e duhur.
A mendoni se janё arritur objektivat e studentëve të Dhjetorit, 26 vjet pas rënies së komunizmit?
Siç e kemi thёnё qё prej shumë vitesh edhe nё mediet shqiptare bashkë me kolegët e Forumit Rrethi i Ferrit dhe portalit Bletashqiptare.com, Dr. Valbona Gjoni Karanxha dhe Prof. Dr. Shenasi Rama, LSSH-ja ka meritën e padiskutueshme qё ia doli të ndryshojë sistemin politik nё Shqipёri. Mirëpo objektivat e saj u mënjanuan; drejtuesit e saj u detyruan të largohen nga politika dhe shumë edhe nga Shqipëria; Universiteti u mbyll dhe mijëra studentë u dëbuan nga Shqipëria. Me mënjanimin e saj, u humbën disa faktorë kyç, qё mund të kishin qenë baza e sistemit tё ardhshëm demokratik, si për shembull u shkatërrua industria, u ndoqën nga shteti specialistët, intelektualët duke i shtyrë drejt mërgimit dhe duke eliminuar kësisoj dijen institucionale.
Por mё e keqja, u vendos njё sistem klanor, ku besnikëria ndaj udhёheqёsit të tufës u bë mё e rёndёsishme se besnikëria ndaj shtetit. Kjo shkaktoi rrënimin e shtetit, krijimin e njё parie hajnash dhe kriminelësh, të ndarë nё klane qё veprojnë dhe mendojnë si organizata mafioze, të cilët sundojnë shqiptarët me grusht të hekurt nën petkun formal të demokracisë. Sistemi politik qё kemi sot nuk reflekton objektivin e njё shtet-kombi demokratik “si e gjithë Evropa”, nuk i ka mbyllur hesapet me të kaluarën dhe kërkon t’i mbajë njerëzit peng të saj, por ёshtё njё oligarki kleptokratike, me njё klasë politike të korruptuar e antikombëtare, të shitur tek armiqtë e kombit dhe qё punojnë me shumë porta, për mё shumë se njё padron të huaj. Shqiptarët sot po zvogëlohen nё numër-vetёm 74% sot vetёidentifikohen si shqiptarë nё shtetin shqiptar, dhe shteti shqiptar po shndërrohet nё shtet të pakicave.
Kemi njё shtet pothuaj të rrënuar, me struktura të infiltruara nga shumëkush si hane me dyer hapur, pa ushtri serioze, pa industri, pa ekonomi reale. Shqipëria sot ёshtё njё vend i mbytur nё llum material, moral dhe drogë, ku profesioni mё i mirё ёshtё prostitucioni qoftë femëror dhe mashkullor, dhe trafiku i drogës. Shqipëria sot ёshtё njё vend ku njerëzit ndihen ndoshta edhe mё tё tulatur e frikësuar se gjatë regjimit komunist, tё pashpresë për të ardhmen, ku mbi 300 000 familje aplikojnë për të ikur nga skëterra nё njё kontinent tjetër, ku vdekjet nga sëmundjet serioze janë dhjetëfishuar, por askush nuk pipëtin për ushqimet e skaduara qё hanë shqiptarët, ajrin përtej limiteve qё thithin dhe ku qeveritë e tё gjitha ngjyrave bёjnё garë, kush do marrё i pari plehrat e gjithë botës, ku për të fituar bukën e gojës shqiptari duhet të shesë nderin.
E pra, kjo nuk ёshtё Shqipëria qё donin studentët e LSSH-sё, apo Shqipëria qё duan shqiptarët, ky ёshtё rrethi i ferrit, vendi i llumit dhe plehrave, qё ka ndërtuar Paria e Tiranës. Megjithëse sot shumëkush mendon se jemi mirё, se kemi të hamë, se vishemi mё mirё dhe kemi lirinë të ikim, nё shumë drejtime shqiptarët janë sot edhe mё keq se ishin para 90-s. Për kёtё fajtore me dije të plotë ёshtё Paria e Tiranës dhe drejtuesit e shtetit shqiptar gjatë këtyre viteve, nga Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Lulzim Basha e Edi Rama, por dhe të gjithë ata qё i ndjekin nga pas. Objektivi i vetёm qё këta kanё ёshtё pasurimi sa mё i shpejtë me anë të kontrollit të shtetit. Mirëpo njё shtet i kapur ёshtё njё shtet i dobët, me atribute të pakësuara, i cili nuk u garanton shqiptarëve sigurinë, mirëqenien materiale, identitetin dhe nderin. Ndaj edhe kjo pari pёrbёn nё gjykimin tim njё rrezik jetik për të ardhmen e shqiptarëve.
Cila ёshtё rrugëdalja nga kjo situatë?
Nё librin tim, “Paria e Rrethit të Ferrit” (Onufri 2015) por edhe nё portalin Bleta Shqiptare, bashkë me kolegët kemi shpalosur me kohё njё platformë të qartë e të detajuar mbi zgjidhjet dhe aktorët e duhur, për shqiptarët nё kёto kohё të vështira. Zgjidhja e vetme për shqiptarët është ndërtimi i shtetkombit, për një fillim të ri me mendësi të re dhe njerëz të rinj. Klasa e re politike duhet të punojë për ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shtetit komb, të rikthejë besimin e shqiptarëve tek shteti si instrument mbrojtjeje individuale dhe kombëtare dhe jo mjet grabitjeje për parinë, të bazohet nё vlerat dhe parimet e kombit shqiptar dhe të garantojë interesat tona si popull. Organizimi i ri shoqëror duhet t’i përmbahet këtyre parimeve:
1) të mbështetet pa diskutim dhe pa dallim tek ideologjia e shtetit komb;
2) të adoptojë sistemin demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të shtetit, duke vendosur shtrëngesa të forta e të pakapërcyeshme për abuzuesit e pushtetit në të gjitha nivelet;
3) të përqafojë dhe promovojë një politikë të jashtme të mbështetur dhe nё funksion të interesave kombëtare;
4) të ndërtojë një sistem drejtësie të pakorruptueshëm, i cili të luftojë pa kompromis krimin deri nё nivelet mё të larta shtetërore;
5) të ndërtojë një administratë shtetërore moderne me rregulla drastike të mbështetur në ligj, të rikthejë ndjenjën e shërbimit publik dhe sakrificës për shtetin dhe publiken;
6) të krijojë një ekonomi tregu, e cila mbështet dhe favorizon prodhimin vendas në mënyrë strategjike brenda mundësive tona reale, dhe kushteve tona specifike;
7) të krijojë pritshmërinë e luftës pa asnjë kompromis ndaj krimit dhe të keqes në çdo nivel të shtetit e shoqërisë, edhe brenda llojit;
8) të kultivojë një klimë shoqërore dhe vlera reale të një bashkësie të shëndetshme kombëtare, e cila i kundërvihet pa asnjë luhatje të keqes dhe kriminales;
9) të kultivojë e ushqejë një shoqëri civile efektive, e cila të shërbejë si shtrëngesë kyçe kundër keqpërdorimit të pushtetit dhe instalimit të së keqes në shoqëri;
10) të ndërtojë dhe promovojë struktura komunitare dhe shtetërore në mbrojtje të shtresave më të dobëta të shoqërisë për të garantuar mbarëvajtjen e shoqërisë, liritë individuale dhe balancën shoqërore.
Për ta arritur këtë, nevojiten disa hapa kyç. Pikësëpari nevojitet rishkrimi i Kushtetutës në bazë të parimeve të shtjelluara më sipër. Më tej, nevojitet reformimi i sistemit politik duke krijuar strukturat institucionale të duhura për të mundësuar ndryshimin real të klasës politike. Sistemi i ri politik duhet të përfshijë të gjitha burimet shqiptare, duke inkurajuar dhe nxitur brezin e ri të edukuar jashtë vendit, që e ka tanimë eksperiencën e sistemeve të konsoliduara. Në këtë këndvështrim duhet të vendoset një sistem zgjedhor proporcional kombëtar dhe një administratë zgjedhore, e cila respekton vendimet e popullit dhe nuk vendoset në shërbim të palëve konkurruese.
Së treti, duhet krijuar një strukturë e veçantë për dënimin e krimeve të kryera nga individë në poste pushteti. Nuk mund të ketë drejtësi shoqërore pa u evidentuar krimet, që janë kryer nga pushtetet në vite ndaj shqiptarëve. Së katërti, duhet reformuar rrënjësisht sistemi i drejtësisë në mënyrë që shteti të japë drejtësi për të gjithë qytetarët dhe ta vendosë veten përkundër interesave kriminale, e jo të jetë palë me to. Funksionarët e drejtësisë nuk mund të kenë opsionin e fshehjes pas imuniteteve dhe pavarësisë së gjyqësorit për të mbushur xhepat e tyre. Reforma nё drejtësi ёshtё kyçe për mbarëvajtjen e shtetit.
Së pesti, duhet të ndërmerret modernizimi dhe forcimi i forcave ushtarake shqiptare, të cilat përbëjnë një nga kolonat kryesore të shtetit. Ndonëse anëtare e NATO-s, Shqipëria nuk i ka sot kapacitetet për të mbrojtur territorin e vet kundrejt agresionit të mundshëm. Modernizimi, stërvitja dhe pajisja e forcave të sigurisë, qoftë në aspektin ushtarak apo civil përbën një nga atributet kryesore të një shteti të konsoliduar. Së gjashti, të studiohen burimet kombëtare dhe të krijohet një strategji ekonomike afatgjatë, e cila të nxisë prodhimin vendas, punësimin dhe të garantojë mirëqenien e qytetarëve brenda mundësive tona. Në këtë pikëvështrim, është e nevojshme të rikthehet mendësia e nevojës së punimit të tokës, sepse Shqipëria nuk i ka kushtet dhe burimet për të qenë një fuqi industriale parësore, e cila e garanton punësimin e shumicës së popullsisë në kontekstin urban.
Së shtati, interesat e shqiptarëve në tokat shqiptare dhe në mërgim të konsiderohen në qendër të agjendës shtetërore, duke krijuar strategji afatmesme dhe afatgjata për përfshirjen e tyre me konsensus të plotë politik dhe duke evituar propagandën sa për sy e faqe nё media. Së teti, të reformohet rrënjësisht sistemi arsimor për të pasqyruar dhe nxitur mendësinë e re, kryekëput të ndryshme nga etosi i parisë. Sistemi i ri arsimor duhet të reflektojë jo vetëm historinë kombëtare, por edhe të mbrojë brezat e rinj me dashurinë për kombin dhe njohuritë e duhura për t’i shërbyer shtetit shqiptar. Së nënti, të reformohet thellësisht sistemi shëndetësor për të garantuar shërbimet minimale për të gjithë popullatën dhe për të garantuar një mjedis të ndershëm konkurrence midis sipërmarrjes shëndetësore private dhe publike. Së dhjeti, të krijohet një strategji për ripopullimin e zonave malore e të thella, të cilat lëngojnë nga zbrazja e njerëzve, një fenomen që paria e ka nxitur dhe justifikuar djallëzisht me lirinë e lëvizjes.
Intervistoi: Eneida Jaçaj e SOT