DISA FJALË PËR KRIJIMTARINË E POETIT, ESAD MEKULI

1
2510

Mesazhi: Me rastin e 100-vjetorit të lindjes

Përgatiti prof. Zymer Mehani

Kur e kujtojmë Esad Mekulin, ne e kujtojmë Poetin, kryeredaktorin e revistës letare “Jeta e re” dhe përkthyesin.
Vepra poetike e Esad Mekulit paraqet një mozaik të bukur motivesh e temash të trajtuara me mjeshtëri artistike. Si krijues poeti është identifikuar me fatin e populit: -unë biri yt besnik dhe-poeti.

Në përmbledhjen poetike “Për ty”, si edhe në vëllimet e tjera poetike, disa nga temat e motivet e poezisë sociale, përshkruese, patriotike, refleksive dhe të dashurisë, paraqesin botën emocionale, idetë themelore dhe mendimet e gjykimet që lidhen me të kaluarën e Kosovës, me aktualitetin dhe me ardhmërinë e saj.

Kështu, ajo ishte bërë zëdhënëse e kërkesave të kohës dhe me identitetit etnokulturor.
Përmbledhja “PËR TY” e Esad Mekulit u bë shumë shpejt libër kult. Autori e ndan librin në tri cikle sipas kriterit kronologjik:
 Cikli i parë “Në hijen e robnis” (1933-1940)
 Cikli i dytë “Flamujt e shpaluem” (1941-1944) dhe
 Cikli i tretë “Jeta e re” (1945-1953)

Vetë titujt e këtyre kapitujve poetikë tregojnë që emërtimet lidhen me një ide të zhvilluar në tri kohë për lirinë e popullit të tij. Dhe natyrisht në ballë të këtyre kapitujve del poezia e veçantë “Popullit tim”.

Esad Mekuli në shënimin në fund të librit drejtuar lexuesve, jep shpjegime për përbërjen e librit dhe për historinë e shkrimit të tij poetik. Mekuli jo vetëm ndiqte modelin e poetit të angazhuar, po mbi të gjitha e shihte veten ideolog të lirisë e të barazisë së popullit. Kjo lidhje e artit me politikën i ka sjellë atij probleme të mëdha.

Këto ndeshje kanë lënë gjurmë në poezinë e tij, e cila shkon nga rebelimi në përshtatje, nga kryengritja në himnizim, nëpërmjet hoveve e tërheqjeve , ashtu si u zhvillua jeta në Kosovë, herë si iluzion i lirisë, herë si vetëdije për robërinë e mashtimit. Të gjitha këto lëkundje tragjike nuk duken askund më qartë se në poezinë e Esad Mekulit.


Loading…


Uni poetik i Esad Mekulit ndahet në tri une, në varësi nga koha e shkrimeve. Uni ekspresiv, më i forti, ku poeti njëjtësohet me aktin poetik, shfaqet te vjershat e para ( te poezia “Unë”). Uni i shpallur haptas, ku poeti shfaqet si ideologu i lirisë ( te poezia “Popullit tim” ), dhe uni gjykues, shfaqet me ambicien për të gjykuar kohët e brezit që ëndërron dhe synon përjetësinë ( te poezia “Gjykimi”).

Veprimtaria e Esad Mekulit kalon nëpër tri periudha që janë:
– Periudha e krijimeve letrare të shkruara para Luftës së Dytë Botërore; – Periudha e krijimeve letrare të shkruara gjatë Luftës së Dytë Botërore; – Periudha e krijimeve të shkruara pas mbarimit të Luftës së Dytë Botëror.

Poezitë më të thella të këtij autori janë ato të shkruara para Luftës së Dytë që përmblidhen nën titullin e përbashkët “Nën hijen e robins”. Këto vjersha me një fuqi të madhe shprehëse e me emocion të veçantë, japin trazime personale dhe shfaqje të gjendjeve shoqërore të shprehura me një gjuhë mjaft sintetike.

Ato janë shumë të ngjajshme me poezitë e Migjenit (që janë shkruar përafërsisht në të njëjtën kohë). Këtu provohet thënia se rrethanat e ngjajshme shoqërore e shpirtërore i bëjnë të ngjajshëm poetët shqiptarë të një brezi, dhe kur nuk e njohin njëri-tjetrin.

Esad Mekulin nuk e ka munduar numri i veprave, siç ndodh sot, kur ka raste që një autor të botojë 3-4 vepra brenda vitit, por e ka tërhequr fjala e bukur dhe e angazhuar. Edhe po të kishte shkruar vetëm veprën “Për ty” ai do të mbetej poet i dashur që mund të lexohet në çdo kohë. Poezive të bukura nuk u kalon koha kurrë.

Poezinë e tij e karakterizon bukuria e shprehjes, stili i rrjedhshëm i të shkruarit me një harmoni të veçantë të të gjitha elementeve poetike, guximi për t’u rrokur për tema të nxehta e të ndjeshme, me të cilat vështirë që kanë guxuar të merren politikanët dhe institucionet e kohës.

Poeti Esad Mekuli ka treguar vetëdije të lartë krijuese dhe kritike. Në artikullin “Mbi krijimtarinë letrare” Esadi pohon:
“…rolin e mirëfilltë të letërsisë e kërkonim në ‘thelbin e saj: në fuqinë e brendshme të bukurisë që ajo bartte asokohe dhe ka bartur e nënkuptuar gjithmonë e përjetë… E kërkonim, pra, në aftësinë e saj mobilizuese dhe nxitëse, estetike dhe etike… Ai shkruante edhe për misionin e poetëve dhe funksionin e letërsisë:
“Në art ka vetëm një estetikë-Ajo personale:/E artistit,/E poetit.”
Poezia për të ishte pasurim i jetës shpirtërore, dashuri e përjetshme:

“Asnjëherë nuk jam penduar për atë që kam bërë…Më vjen keq pse nuk shkrova edhe më shumë. Pse petku artistik i fjalës sime, gjuha dhe trajtat nuk janë edhe më të kulluara, më të pasura…

Po të isha i ri e të filloja sot, sërish do ta kisha ndjekur po këtë rrugë; sërish do ta ushqenin shpirtin tim po këto ideale estetike dhe sociale, thellësisht njerëzore”.

Poeti Esad Mekuli sendërtoi një opus poetik origjinal, me vlerë të lartë ideoartistike, që ndikoi fuqishëm në zhvillimin e letërsisë sonë. Ai ishte i adhuruar nga lexuesit dhe krijuesit letrarë. Poetët e kanë quajtur pishtar i lirisë, bacë i dashur, prush i trollit, asht ndër eshtra të regjur, shkëmb përballë stuhisë, kullë e lartë, lumë i thellë i fjalës, njeri i urtë, fjalë e burrërisë…

Poezia e bardit të letërsisë shqipe, Esad Mekuli është trashëgimi e çmuar artistike, që komunikon edhe me lexuesit e shekullit të ri.

Komentet janë mbyllur.