Puntorie Muça – Ziba – poetja dhe shkrimtarja që diti të bëjë emër!

0
2457

Besoj se çdo gazetar ndjen kenaqesi, kur bashkepunon me pena brilante, si kjo e poetes Puntori Muça-Ziba.

Rastesia me beri te njifem me krijimet e poetes, nji kerkes e saj ne faqen time fb, u be shkase i nji njohje miqesore. Pasi lexova me shume vemendje disa krijime te poetes Puntori Muça, ju drejtova fare modestisht qe te kishim nji bashkepunim ne fushen e botimeve ne faqen e gazetes “Fjala e Lire”, zonja ne fjale u tregua po aqe modeste, dhe me shume kenaqesi e pranoj bashkepunimin, ajo kishte lexuar here pase here gazeten “Fjala e Lire”, ishte mahnitur me numrin e shumtë te atyre qe botojnë ne kete gazetë.

Por me siguri lexuesi do te di se kush eshte znj. Puntori Muça-Ziba, te ciles i uroj suksese per arritjet e deri tanishme, te cilat nuk janë te pakta. Ja kush eshte poetja Puntori M. Ziba, më poshtë.

/Gjin Musa, gazetar

Puntorie Muça – Ziba u lind në Strugë në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Shkup. Punon si mësuese letërsie në Shkup.

Deri më tani ka botuar:

Poezi për të rritur:
“Rruga e mjellmës” poezi për të rritur – 1987
“Sodisin yjet” poezi për të rritur – 1990
“Kuku” poezi për të rritur – 1977
“Rapsodi udhëtarësh” poezi për të rritur – 1995
“Suita e lënduar” poezi për të rritur – 2002
“Suita ime” në gjuhën Maqedone” Mojata svita” poezi për të rritur – 2000
“Vega”-poezi për të rritur – 2006
„Edhe qielli mbetet i kaltër“ – 2011
„Lulesyri“ – poezi anglisht-shqip-maqedonisht – 2013

Poezi për fëmijë:
“Yllkat bisedojnë me meteorë” poezi për fëmijë – 1994
“Xixëllonjat luajnë valle natën”poezi për fëmijë – 2007

Pjesë dramatike për fëmijë:
“Aventurat e princit Ujkan” – 1999

Tregime për të rritur:
“Shtatë vjet pritje” – 1974
“Te logu i cucës” – 1998
“Mjedra e egër në malin e thatë” – 2003

Pjesë dramatike për të rritur:
“Motrat me shirit të kuq” – e inskenuar në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë1993 – 1994.
“Dorotea” e botuar – 1998 në revistën “Stili”
“Udha e ikjes” – fitoi çmimin e tretë në konkursin “Buzuku” , Prishtinë. Botuar -2007
“Nuk martohem kësaj vere”-1999
“Zonja me celular” – Monodramë – e botuar në revistën « Jehona » ??
“Ahengu i grave të qytetëruara” – e botuar në revistën “Jehona”?
“Djajtë e netëve të fundit” – e botuar në revistën „Jehona“
“Harta sekrete” – komedi

Romane:
“Vjeshtë totemesh”-2007
“Emma Jazzi”-2009
“Unë, dhuna dhe Emma Jazzi”-2009
„Gjurmë dhe ishuj“-roman, 2012
“Ndërgjegjja e pleshtit”-roman,2016

– Disa poezi të autores, u përkthyen në anglisht, rumunisht, frengjisht, gjermanisht dhe në gjuhën arabe dhe u futën nëpër disa antologji të botuara në Londër, Bruksel, Bukuresht, Damask etj.

– Mirënjohje – Çmimi i tretë në takimet e Poeteshave në Kosovë – Vushtrri 1995
– Mirënjohje për pjesëmarrje si dhe Çmimi i dytë në Takimet e Poeteshave Shqiptare në Kosovë – Vushtrri 2008
– Fondacioni „Nermin Vlora Falacki“ – Mirënjohje nga Kuvendi i tretë i Grave të Shquara të Kombit Shkup, 2004
– Çmimi: „Hija e penës“ për gjurmë në letërsi, nga Shoqata e artistëve „Pushkin“ Tetovë, 2008
– Mirënjohje dhe çmim për poezi në Festivalin e poezisë të Vllehëve në Maqedoni „Konstantin Belimaçe“ – Shkup, 2001
– Çmimi i tretë në konkursin „Buzuku“ për dramë për të rritur. Prishtinë, 2007
– Mirënjohje Diplomë Nga Klubi i Shkrimtarëve në Botë „Drita“.

Dhe:
Shumë çmime tjera në konkurset letrare për poezi dhe tregime në edicionin e botimeve të „Flakës së vëllazërimit“ në Shkup.
– Mirënjohje: „Libri më i sukseshëm mes dy takimesh“, nga Takimet e Pedagogëve krijues maqedonas dhe shqiptarë, në Republikën e Maqedonisë. Shkup,1996

ËNDRRA E MJEGULLUAR

(Ushëtima që s’shuhet)

Një zë fërfëllon nga larg
si shtëllungë furtunash mbi ball më ther
gremisem unë mbi pirg prej dheu,
ëndërron ti
si kipci im tetëmbëdhjetë vjeçar.
Mbaj vesh dhe sfilitem:
është zëri mortjes
apo unë gjëmoj…
Njomja jehonë
mbytet e ngjallet
mes sysh të qullur
si dallga e egërsuar e Drinit të Zi…
Përgjëroj koloritin e kësaj vjeshte
pa shenja jete, kalavesh gresë,
si një keqardhje që s’ka rrugë as kthim…
Kjo histori s’ka bërë vaki
nuk u rinjohëm
nuk u trazuam,
një shpresë e vagullt
mbi lëkurë plepash
në hereoglifet e emrit tim
rri…
O, i mjeri ti e mjera unë
ti në atë kodër, unë në një pirg,
ti shtrirë në shtrat me eshtrat e lodhur,
unë në dritare përsëdys pamjet
zgurdulloj sytë.
Një jetë e tërë rrodhi në ankth
një kupë me yje na përgjëroi,
çfarë fytyre kanë dashuritë e humbura
në këtë vjeshtë të florinjtë
me imazh të ndryrë.

Inkognito

( letargji në ajër )

Ti më le sedër fyer
unë prisja të të shikoj
në ëndërr.
Prit e prit kipcin e ditëve rinore
e ëndrra mbytej në thellësi gurrash
mbushur breg më breg me ujë hëne.
Mushti i lotëve i tharmëtuar
bënte hije mbi bebëza,
unë fusja grushtin në gropëzën e syrit
hiqja perden dhe shikoja diellin
kur bëhej thërmijëza-thërmijëza
në prag muzgu,
sapo kalëronte kipci i trimit të Jutbinës
brenda fijesh të fildishta livadhesh
deri në ag kur vesa vesonte
pastaj avullohej qiejve
nga dielli që diellonte.
U ngujova sedër fyer
prit e prit jutbinasin…
Ah, doja të tërbohem nga bukuria.
Një ditë kur dielli nuk dielloi
e hëna mbeti pashkull
ç’u bëra gur oi,oi
ç’u bëra gur
e ngeca në majë stine
me shpresë të vagëlluar.

Përtejdielli

(Vdes nga dëshira të jetoj e prirur për hollësira)

Hiqmani diellin nga sytë
kur më zdrit në lule të ballit
se më qorron si rrufeja, si smira, si urrejtja
e nuk më lë rehat ta shoh atë që feks pas tij
atë që gjithmonshëm mbetet e fshehtë
edhe kur unë zgjas rrugët e shikimit
zgjas qafën si çafkëlore
derisa më harkohen arrëzat.
Ah sa dua ta di
çka ka përtejdielli
më të hijshme
se vaji në të dalë nga ngrohtësia e embrionit
se hapat e para të kalamanëve
se dashuria që vjen hijshëm
se vdekja që vjen hijshëm.
Vdes nga dëshira të jetoj e prirur për hollësira,
me dorën time u vrafsha
e mbetsha gjallë
që të vëzhgoj lirshëm
si i pshurrin qentë flokët e barit
sapo nxjerrin krye mbi dheun e shkrifët
si pështyjnë përbindshat…
Sa mirë është të jetosh
edhe kur të rrjepin dhunshëm
kur të avullosh djersë ankthi
djersë frike
djersë dashurie
djersë vdekjeje
e zhuritur nga zelli
për t‘u futur në embrion nëne
ku qetësisht vijnë mendimet e befta
e ikin përtejdielli…

Baladë dimërore

Dimri po vjen
dhe dimëron aromë e barit
dhe zbardhëllen
pemë më pemë
dimërojnë shpirtrat
dimërojnë eshtrat,
figurat e mërdhira
prej njerëzish
ecin si të kurdisur
mes kuisjesh
të ca qenve të uritur.
Zemrat brenda dimrit
regëtijnë
ngujohen
pa ndjenjë
pa shpresë
mes bardhësisë
së flokëve prej bari të bardhë
të të moshuarve
që pyesin fjollat e shpeshta
se nga ju iku një barrë me vite…
Figurat e mbërdhira
ecin si të kurdisura
me buzëqeshje të çmendurish
me shtrëngime buzësh
të mavijosura
nga barra e derteve.
(përsëri dimër)
Kur dimrat tjerë do të vijnë
erërat do fryejnë
borën do pjalmojnë
mbi skurrjela zogjësh
të lënë në udhë,
mbi varret e fshatit

Kur i putha sytë e një qyteti

(Përpak s’e harrova zanafillën)

I rash tej e ndanë Atlantikut
kaprëceva sinorin
dola nga barku i bishës gojë ashpër,
m’u përlot njëra faqe
e ç’mu pupurriq lëkura e mëndafshtë,
shikimi u mbërthye
në nurin pa harqe gotike
tej mureve të fildishta.
Me qerpik preka qelqet
kokrra-kokrra kristalesh,
njëri sy mu tha nga hijeshia…

(lektisur)

Ç’mu duk korb vetja
mua të zezës,
sikur mijëra gishtërinjë ma nduknin lëkurën
e ç’mu dëshirue me i harrue hallexhinjtë e praptuar
te urat argshe ballkanike,
pa nur hëne.
Lektisa për gjakun tim
që më ndiqte si hije, hap – pas hapi
udhëve qelqore
ku kërkoja lëmoshë ndjenje.
( ngjyresat lëkurore)
Fshika buzët
eh, ç’mu bë dysh kurmi e shpirti,
tejendan njerëz që ecnin furishëm
e nuk msyshonin ngjyresat lëkurore.
(gra të kamura)
Tufa grash të veshura me gabardine e tantella fije-fije,
nazemëdhaja me shikime të përhumbura.
Ato s’donin të vdisnin
për kokë të atyre që përgojonin dashurinë.
( ajka e gjellës)
Kipci im pranë sofrës gjigante,
grrumbull me ushqime magjike
servuar në pjata të mëdha,
në ca gota plumbi e silikati
mbush me qumësht shpendësh..
Gjerba aromë gjellësh
mbeta e stërfryer me barkun lodër,
mu gërvisht mukoza e lukthit
e u thanë shqisat e të shijuarit.
Ca jarg rrëshqitën mbi fustanin leskra-leskra,
e ç’ mu tha njëra dorë.

(rrahaderë)

Mora lebetinë,
me këmbë të drunjta nisa të kalamendem
bulevardeve pa fund,
dëshirohesha të humbem mes turmës
ku endeshin soj e sorollop racash,
nga tërë rruzulli.
Ndjeva ngrohtësi
përcolla fjalët triumfuese tek hallexhinjtë e mi:
si ia putha sytë këtij vendi
si mu tha fshika në buzë
përse u bë ky qytet,
si u bë nanë për të gjithë
si pinin ujë rruzulli
bijtë e diellit dhe të hënës
dhe
në mugëtirë
përpak s’e harrova zanafillën…
E ç’mu dëshirue me fërshëllye unë buzë fshikura
e të dukem si e marrë përmes rrugësh,
sa t’i kthejnë sytë, nga sytë e mi
e të më flet njëherë me gojë
ky soj e sorollop
që nuk më shikon vëngërr.
(Çapat e mia morën dalldinë)
Në vlugun e ecejakeve të turmës
puthja qytetin nazemadh
e më ngecën qerpikët në ajër
tek spiralja e një furtune.

(në shtrat)

Në një shtrat me pupla
me shkëlqim mbuluar
nën hije eukaliptiku
regëtinte zemra
frushkullonin retë
dhe rrëzonin ëndrrat,
s’rehatoheshin qiejtë
për një rrisk puhize
tej Atlantikut.

Njujork, 17 qershor 2016