JETË NË UDHËKRYQ nga Xhemal Gora

0
1298

Vjollca Tiku PaskuVjollca Tiku Pasku, Poete dhe prozatore

Ndjej një kënaqësi të jashtezakonshme per botimin e romanit JETË NË UDHËKRYQ të shkrimtarit Xhemal Gora. Kisha fatin ta lexoja që në dorëshkrim këtë roman. Fakti që ka personazhe dhe histori nga vendlindja ime më bëri edhe mua pjesë të tij.Leximi i romanit te dhuron nje sodisfaksion te madh, te dhuron kohë te kthjellta dashurie, apo stuhi vuajtjesh e brengash. ..Ne fund te fundit ky ka qenë realiteti shqiptar në kohën e monizmit. Për më tepër ju ftoj të më ndiqni në PARATHËNIEN e këtij romani të mrekullueshëm.

PARATHËNIE
Autori Xhemal Gora, në këtë roman, paraqet lotët e zambakëve të bardhë në stuhitë e diktaturës së kuqe, ku sistemi monist ishte përlyer me gjak e dridhërima vuajtjesh. Fetuset komuniste u rritën dhe e mbanin vendin në diktat. Varfëria ishte e pranishme kudo. Sëmundjet e mushkërive ishin shpesh sëmundjet e naftëtarëve të nxjerrjes së naftës. Shumë njerëz vdisnin pa mbushur moshën e pensionit…Heshtje, frikë, pëshpëritje nën zë për sistemin, kishin krijuar atmosferën e një vendi të tmerrshëm, me mostra të frikshme. Një pjesë e njerëzve humbën jetën, të tjerëve iu gjymtua shpirti, apo më keq akoma, u shkatërruan mendërisht.

Ngjarjet e romanit mbështeten në realitetin shqiptar, kur moshat e njoma thurnin ëndrrat më të bukura për t’u formuar në tabanin e ashpër të realitetit. Romani “Jetë në udhëkryq” i autorit Xhemal Gora, na pasqyron periudha të ndryshme të sistemit të kaluar, me një galeri të tërë personazhezh realë, si Sherua me Dilaverin, Drita me Andrean, Besniku me Alfonsin, Isai me Martën, Blerina …etj. Secili ndryshon nga tjetri nga temperamenti, bota shpirtërore dhe dëshirat në jetë. Ata vijnë në rrjedhën e ngjarjeve me intensitet të ngjeshur në mardhënie me njëri – tjetrin, por të gjithë të varur, kontrolluar e dirigjuar në çdo moment të jetës së tyre nga diktatura, e cila përdorte të gjitha mënyrat me egërsi, deri në zhdukje fizike, për të siguruar jetëgjatësinë e pushtetit kriminal.

Së pari ky roman ka vlera të veçanta njohëse, duke na dhënë tablo reale të jetës së naftëtarëve në qytetin e Kuçovës, që në vitet e pasçlirimit, përfaqesuar nga familja e Dilaverit, por dhe tablo nga jeta nen pushtuesit italianë, si është greva e punëtorëve, dhënë nëpërmjet kujtimeve… Udha e personazheve është e gjatë, ajo vazhdon në periudha të ndryshme të sistemit komunist, vazhdon në vitet e demokracisë e deri në ditët tona. Bota shpirtërore e personazheve është dhënë me kaq imtësi, saqë lexuesi, jo vetëm i zbulon në faqet e romanit, por ndihet si pjesëmarrës në këto ngjarje. Ato jepen plot ndjenja, ëndërra, mendime, pasione…

Shpes ato shfaqen si një vullkan nënujor ku loti e dhimbja, del në sipërfaqe bashkë me protestën e ndrydhur, që në çdo shenjë shfaqjeje, dërrmohet pa mëshirë. Këtë roman mund ta quaja edhe “ Muze” të jetëve të humbura. Një nga personazhet kryesorë është Drita me prejardhje nga një familje punëtorësh në Kuçovë. Në shkollën e mesme, Teknikumin e naftës, njihet me një nxënës të vitit të tretë, Andrean. Të dy plot jetë dhe shpresa për të ardhmen ndjejnë regëtimat e para të dashurisë. Ai trëndafil gjatë dy vitesh u rrit në zemrat e tyre dhe një natë pasioni kaloi deri në skain e fundit të vajzërisë. Ata me njëri – tjetrin lidhën ëndërra për të ardhmen. Papritur Andrea zhduket dhe deklarohet i vrarë në tentativë për të kaluar kufirin.

Drita bie në humnerën e dëshpërimit. Imazhi i natës së trëndafilit, ju kthye në një boomerang, por megjithatë mbeti në retinën e syve dhe zemrën e saj të dërrmuar, i paharruar. Ajo, në atë dëshpërim, humbet kujtesën për disa kohë. Kjo e detyron të largohet nga shkolla, por gjen sadopak ngushëllim kur ndjen se pret një fëmijë nga Andrea. Shpirti i saj humbi ëngjëllin e dashurisë, por i la brënda qënies një hënëz të vogël Autori duke qënë njohës i mirë i traditave, na jep me hollësi përbuzjen e përgjithshme për shtatzaninë anonime. Rrethi familjar e detyron ta lërë fëmijën në jetimoren e Shkodrës, kundër dëshirës së saj. Ai ëngjëll i vogël i mbeti gur në zemër dhe ndërgjegje, duke ia helmuar çdo moment të jetës. Ajo vazhdon të jetojë dhe për inerci martohet me Besnikun, duke vuajtur dashurinë e humbur. Shartimi i sistemit i gjeti fëmijët e saj të rritur.

Ndërrimi i sistemeve solli në pushtet monstëra. Në roman janë dhënë realisht e me kujdes edhe grupe shoqërore, si Stela, Miranda, Monda, që dallohen për shthurje morale. Po kështu Besniku, shefi i degës, Alfonsi i biri, kanë degjeneruar e merren me drogë, tregëti armësh dhe prostitucion. Në grupin tjetër të kundërt janë Drita, Isai, Marta, Artani, Astriti, që janë plot jetë me ëndërra, por që u shkatërrohen nga sistemi. Besniku rritur në një familje komunistësh me pozitë në sistëmin e kaluar, bëhet kryetar bashkie. Në jetën e tij kishte vetën tre synime; pushtet, para dhe femra. Etja për pasuri pushtoi shumë njerëz, midis tyre burrin e Dritës dhe djalin e madh të saj Alfonsin.

Lakmia lindi mashtrimin, egërsinë, tradhëtinë, shpërfytyrimin e njeriut, degjenerimin e shoqërisë deri në atë pikë, sa ballafaqohet vëllai që ka kthyer motrën në prostitutë dhe ka shitur mbesën, (natyrisht pa i njohur). Besniku, nuk lë t’i shpëtojë nga duart asgjë, për të kënaqur epshet seksuale. Pas sekratares i vjen radha kunatës të së shoqes. Ajo si një kukull porcelani, e kurdisur për të kënaqur egoizmin e saj, bën çdo gjë. Vëndin e punës dhe luksin i mbante duke plotësuar të gjitha dëshirat intime të shef Besnikut . Ata arrijnë deri atje sa ta fusin Dritën në çmendinë…

Të dhimbshme janë tablotë e udhëtimit nga Shkodëra në Kuçovë, të Blerinës me fëmijën në duar, për të gjetur nënën e saj Dritën. Rrëqethës është gjyqi i Alfonsit, ku balafaqohet me motrën, të cilën pa e njohur e kishte rekrutuar me forcë, kthyer në prostitutë dhe trafikuar në Itali. Po kështu, tronditës është shpërthimi i akuzave të Dritës në koridoret e çmendisë, kundër regjimit dhe të shoqit, që e mban në spital duke i dhënë ilaçe, jo për ta shëruar, por për ta trullosur e mbajtur atje. Një linjë tjetër në roman është ajo e Isait me Martën, studentë në Universitetin e Tiranës në degën e letërsisë. Isai jepet një karakter i formuar, i dhënë pas librave, diturisë. Shtëpia e tij e varfër, ishte galleria më e pasur e mendimit.

Student i shkëlqyer, arrestohet. Një kulm tjetër është pamja dhe transformimi i Isait, në një të çmendur, me metodat çnjerëzore, si përdorimi i elektoshokut në kokë, nga agjentët e sigurimit. Ëndërrat dhe dashuria për Martën, humbën bashkë me vetdijen e tij. Marta i mbaroi studimet, por përfundon në burg e dënuar më dhjetë vjet. Një nga figurat më të urryera ështe hetuesi në burg, që e përdhunon. Autori pothuajse nuk ja përmënd emrin, pasi hetuesit ishin kthyer në monstra, në gjithpërfshirës të veprave të ulta. Ekuilibri njerëzor ishte përherë i tronditur. I gjithë ky koleksion personazhesh, është njohur, pasqyruar me mjeshtëri artistike dhe vërtetësi. Vlen të theksohet, se edhe galeria e personazheve të dorës së dytë, të cilët zënë vënd më pak në roman, si oficerët e sigurimit; Xhetua në Tiranë dhe homologu i tij (që i dogji gjithë librat në shtëpinë e Isait në Fier), Shaqua, ish drejtori i burgut jepen me ngjyrime emocionuese. Një nga kulmet mbetet hetuesi përdhunues, si dhe punonjësi i degës së punëvë të brendëshmë në Kukës dhe në Kuçovë të cilët janë përfaqësues të atij sistemi.

Ata shfaqen me të gjithë forcën shkatërruese të shtetit, e frika e tyre ndihet nga populli si një hije, si një makth në çdo moment të jetës. Mjaft e realizuar jepet dhe Stela, (e dashura e Besnikut, me dy shoqet e saj), si aspekte të korrupsionit dhe degjenerimit. Ndryshe janë përfaqësuesit e popullit, si Xha Gjini,( malësori që i shkon dhe takon Martën në burg), Sabaheti, (mësuesja e Blerinës në jetimoren e Shkodrës), Brahimi, (punëtor nafte, mik i Dilaverit), hetues Artani, Astriti, si dhe Nuria, Lola, Lumturia (studente) të cilët shfaqen si meteorë. Janë krejt të ndryshëm nga karakteret, me ngjyrime të theksuara, sa të mbesin të skalitur në mend. Në roman gërshetohet natyra me zërat tingëllues të rinjve sa të duket sikur jeton në “qytetin Studenti”, jetën nëpër konvikte, në sallën e studimit, në mbrëmjet me net yj e xixëllonja, në mjediset e lulishteve dhe pyllit të vogël pas godinave, ku studentët, të dashuruar takohen mbrëmjeve.

Po kështu në stinën e vjeshtës, kur shiu në bie me furi, gjëmimet dhe vetëtimat shfaqin blicet e gjetheve të verdha që kullojnë degëulur, në vajtim, sikur ndjejnë keqardhje për personazhet në gjëndje të keqe shpirtërore. Fati i jetës së Dritës, ka sy lotësh, por dhe shumë personazheve të tjerë, nuk kanë fat më të mirë. Tablotë e jetës ndryshojnë me hapjen e Shqipërisë me botën… megjithëse falangat e diktaturës mbetën në pushtet, dhe me shumë mënyra nga më të ndryshmet, vazhdojnë ta mbajnë popullin nën kthetrat e një korrupsioni të paparë, në një varfëri dhe mjerim ekstrem. Blerina, pas shumë vuajtjesh zë vendin e saj në jetë dhe fati i shumë personazheve merr kthesë, por kjo me një çmim shumë të lartë, duke ikur nga vendlindja në një moshë që e shikojnë me keqardhje lumturinë e tyre të humbur. Mrekullia e këtij romani qëndron në ngjyrimet që merr vazhdimisht jeta, deri në ditët tona. Një simfoni e re luhet në Amerikë…por këtë po ja lë lexuesit që ta zbulojë! Autorit i urojmë suksese të mëtëjshme në krijimtari.