PERKUJTIMORE PER DR. NUREDIN MALAJ

0
2789

Dr. Kol. Luan Nikollari, 1 dhjetor 2015

Marre rast nga homazhi qe beme dje me familjaret e Dr. Nuredinit, miku im me i dashur.
Me 1 dhjetor 2011 u nda nga jeta një nga koleget tanë me te dashur, Doktor Nuredin Selim Malaj.

Dr. Nuredini është lindur ne katundin T’plá te rrethit Tropojë, me 3 janar te vitit 1940, ne një familje patriotesh dhe luftëtarësh te Malësisë se Gjakovës. Arsimimin unik e kreu ne vendin e lindjes, Tropojë, ndërsa atë te mesëm e te larte për mjekësi, ne qytetin e Tiranes.

Është titulluar oficer ne vitin 1959. Për rreth 45 vjet ai shërbeu ne radhët e Forcave te Armatosura ne sektorin e mjekësisë duke kryer detyra nga me te ndryshmet, fillimisht si nd/mjek ne nëndetëse ne bazën detare ne Pasha Liman-Vlore, me pas shef shëndetësie ne Brigadën e Kembsorise Tropojë, shef shëndetësie ne Korpusin e Pukës, komandant i Shkollës se Lire Mjekësore ne Tirane, instruktor e pedagog ne shkollat ushtarake, instruktor ne drejtorinë e Shëndetesise ne Ministrinë e Mbrojtjes, shef shëndetësie ne divizionin e Tiranes dhe shef shërbimi i Përgatitjes dhe Gatishmërisë Shëndetësore ne Spitalin Ushtarak, deri sa doli ne pension me 2001.
Dr. Nuredini bën pjese ne plejadën e shkëlqyer te mjekeve ushtarake te pas viteve ’50, duke lënë një emër dhe kontribut te madh dhe te paharruar ne shërbimin shendetesor dhe Spitalin Ushtarak.

Gjate gjithë periudhës se punës se tij, ai u shqua për ndershmëri dhe korrektësi shembullore, për një pasion dhe vizion te jashtëzakonshme para dhe pas viteve 1990, duke kontribuar ne modernizimin dhe standartizmin e mjekësisë fushore, si një nga me te vështirat dhe te domosdoshme ne mjekësinë ushtarake dhe sigurimin shëndetësor te trupave.

Dr. Nuredini do te kujtohet me respekt ne memorien e brezave te kuadrove te ushtrisë dhe te mjekësisë ushtarake, si një organizator dhe mjeshtër i vërtetë i hapjes te spitaleve fushore ne te gjitha njësite ushtarake te Forcave te Armatosura.

Me një këmbëngulje dhe profesionalizëm te larte, shume shpejt ai do te aftësohej edhe ne mjekësinë klinike e ne kirurgji duke asistuar, kontribuar dhe realizuar mjaft ndërhyrje me mjeket dhe kirurget e spitalit civil te rrethit te Tropojës.

Dr. Nuredini do te mbahet mend gjatë për humanizmin e larte dhe vlerat morale, duke i qëndruar besnik betimit te mjekut dhe, duke mos u kursyer natën e ditën, ne ndihme te ushtarakeve por edhe te njerëzve ne nevoje, bashkëpatriotë te tij qe vinin nga larg, dhe gjenin tek Dr Nuredini një dere, shtëpi dhe spital gjithmonë te hapur. Gjithashtu ai do te kujtohet me respekt edhe per kontributin e shquar qe dha gjate viteve 1998-2000 ne ndihme te luftëtareve te UÇK për mënyrën e dhënies te ndihmës mjekësore ne fushën e luftës, transportimin dhe mjekimin e tyre ne Spitalin tone Ushtarak dhe furnizimin me barna e materiale shëndetësore.

Për kontributin e tij te gjate ne mjekësinë ushtarake, Dr. Nuredini është vlerësuar me shume urdhra, medalje e dekorata qe i bëjnë nder personit dhe familjes se tij.