VARGJE KU MBRETËRON QËNDRESA DHE ATDHEDASHURIA

0
926

Libri “Gjuha e truallit tonë” – Fadil H. Curri dhe Zymer Mehani, botoi KL” Zahir Pajaziti”, Besianë 2016

Milazim F. KADRIU

Thellë në kodrat e malet
Të vendit e të parëve të mi
Në trojet e Arbërit: Shqipëri
Kosovë Lindore, Iliridë, e Çamëri
Ulqin, Plavë e Guci
Janë gurët e vendit të vëllezërve të mi!

Janë këto vargjet e librit “Gjuha e truallit tonë” të bashkautorëve Fadil H. Curri dhe Zymer Mehani,që e botoi KL “Zahir Pajaziti”në prag të fëstës së Flamurit. Ky libër me 80 poezi është paksa më i veçantë ngase jo shpesh hasim që një përmbledhje poetike të ketë dy autorë.

Poezitë e këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku e kanë hedhur farën dhe grumbulluar nektarin e krijimit të tyre poetik, duke mos e harruar që ti këndojnë vendit, personaliteteve të ndryshme, atdhedashurisë, të afërmeve, gjuhës, shkollës, mësuesit etj.

Vargjet e bashkautorëve, pra, janë të lehta për lexuesit, të ngrohta me filozofi e shumë të sinqerta.
Këto poezi të sinqerta dhe reale, autorët i kanë mbajtur prej kohësh në prehrin e tyre, duke i mëkuar dhe ledhatuar me ndjenjat më të larta njerëzore.

Marr në përgjithësi temat e poezive të dy autorëve në fjalë na sjellin vuajtjet, heroizmin, qëndresën, patriotizmin po edhe dashurin duke ëndërruar që e ardhmja të jetë e ndritshme.

Bashkautorët, me një gjuhë të thjeshtë, si pikësynim kanë objektivin deri te depërtimi në botën shpirtërore të lexuesve, nëpërmjet ndjenjës shpirtërore të shprehur në poezitë e librit të sapo botuar.

Në poezitë e tyre Curri e Mehani japin mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.

Sakrifica për liri, lufta për të fituar atë, për shumë trima, martirë, e heronj kurrë nuk ka pasur hezitim. Madje, shumica e tyre as që e kanë matur jetën e tyre me ndonjë çmim për ta fituar lirinë dhe ata janë flijuar, janë përflakur, janë përjetësuar dhe jetojnë ende në vargjet, këngët dhe krijimet tjera artistike. Atyre u kanë kënduar edhe autorët e kësaj përmbledhje me poezi.
Poezitë e këtij libri korrespondojnë në harmoni të plotë njëra me tjetrën,që për esencë ka idealin dhe domethënien me një fuqi shprehëse dhe gjuhë të fortë poetike.

Poetët Curri e Mehani në poezitë e tyre ngrenë lartë veprën e dëshmorëve të rënë për liri dhe luftëtarëve tjerë që luftuan për lirinë që ne sot e gëzojmë. Me dashuri i këndojnë edhe Flamurit kombëtar i cili u priu luftëtarëve të lirisë në të gjitha betejat për liri. Ndërkaq Shqiponja është edhe mbetet simboli i fuqisë e trimërisë, duke çarë rrebeshet e luftës me të në krye. Disa nga poezitë e tyre autorët ua kushtojnë figurave kombëtare,dëshmorëve të lirisë dhe UÇK-së që lindën për të çrrënjosur barbarinë shekullore nga këto troje,ku zëri i atdheut për liri ka thirr që nga Skënderbeu e deri tash.

Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Fadil Currit dhe Zymer Mehanës shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike duke e vlerësuar vargun si ”magji” në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.

Lirizmi dhe romantizmi që përcjellin në çdo hap krijimet e tyre janë vetëm fragmente të një pasurie të pa eksploruar të cilën autorët tashmë po e nxjerrin në sipërfaqe.

Autorët e këtij libri poezinë e ndjejnë brenda tyre dhe jetojnë me të në çdo moment edhe në gëzime, hidhërime, shqetësime dhe një ditë këto që ndjejn brenda i qitën në dritë që edhe të tjerët të ndjejnë poezinë e tyre. Ndjesinë që kanë Curri e Mehani në poezi mund ta përfitojnë lexuesit posa ti lexojnë këto poezi.

Curri dhe Mahani në poezitë e këtij libri kanë thënë gjithë atë që i preokupon, i madhëron, atë që e shohin dhe e përjetojnë bukur. Poezitë e këtij vëllimi lidhen fuqishëm me trupin, artin e jetës dhe kohën nëpër të cilën shtegtuam dhe po kalojmë edhe tani.
Shpresojmë se libri do të mirëpritet nga lexuesit,andaj librit I urojmë rrugëtim të mbarë,ndërsa autorëve suksese të reja.