Mendime mbi librin “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, të Fatbardha Saraçi (Mulleti)
(Botuar dt. 25.11.2016, Durrësi Bulevard)
Vepra “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, është shkruar me shumë dashuri, pasion dhe kulturë politike. Autorja, zonja Fatbardha Mulleti, është vetë një nga gratë që komunizmi i goditi. Kjo vepër është një kontribut i madh në historiografinë shqiptare, dhe në letërsinë shqiptare.
Kemi në dorë një enciklopedi të vuajtjeve të grave gjatë Komunizmit shqiptar, në periudhën 1944-1990, por njëkohësisht edhe të qëndresës dhe moralit të tyre.
Është një material voluminoz, pothuaj 600 faqe në format të madh. Janë lidhur në një vëllim tre libra, “Libri i Parë”, “i Dytë” dhe “i Tretë”, gjë që bie në sy që nga “Përmbajta e Lëndës”.
Ka një pafundësi për të diskutuar mbi veprën që kemi në dorë—unë po ndaloj vetëm në gjashtë çështje.
E para
Autorja ka trajtuar të gjitha gratë e goditura rëndë nga komunizmi, pa i përzgjedhur mbi bazë të anësive politike të tyre, apo të mjedisit politik që i kanë përkitur. Në veprën që kemi në dorë, shkruhet për gra që lidhen me Ballin Kombëtar, me Legalitetin, me Fashizmin, me të tjera e të tjera qëndrime politike, deri dhe me Komunizmin, ku grave “komuniste” të goditura nga komunizmi, në këtë vepër u janë dedikuar kryesisht faqet 548 deri 570.
Me këtë paanësi politike, autorja mban qëndrim të mirëfilltë antikomunist, nuk bie në grackën e “antikomunistëve komunistë” që i dëgjojmë rëndom mes nesh, të cilët i kundërvihen komunizmit me metoda komuniste, me “luftë klasash antikomuniste”. Sipas këtyre “antikomunistëve komunistë”, sot duhej të hiqej nga puna një mësuese, njësoj si znj. Fatbardha vaktit, nëse xhaxhai i saj do të kishte qenë në kohën e komunizmit prefekt, apo sekretar i parë i Partisë Komuniste, apo dhe më poshtë se kaq! Kurse për Autoren, i keqi është komunizmi, është diktatura që të dënon egërsisht, që përndjek gra që nuk kanë kryer asnjë faj.
Ky qëndrim human i autores, duhet të bëhet mësim për të gjithë, duhet të bëhet princip i të menduarit e i të vepruarit të çdo shqiptari: padrejtësia, shkelja e ligjit, dënimi i pamerituar mbeten negativë, qoftë kur ato bëhen në dëm të ballistes, qoftë kur bëhen në dëm të komunistes: është njësoj, një veprimtari kriminale.
E dyta
Autorja ka akuzuar jo vetëm fajtorët kryesorë të asaj që ngjau në Shqipëri gjatë komunizmit (Enverin, funksionarët e Partisë Komuniste, Sigurimi etj.), fajtorë këta që tashmë të gjithë në kor po i akuzojnë. Autorja ka akuzuar edhe disa fajtorë të tjerë, shpesh jo më pak fajtorë, por që hipokrizia shqiptare postkomuniste, nuk ka guxuar t’i prekë, t’i demaskojë publikisht direkt e qartë. Ku e kam fjalën, po jua them duke cituar autoren, në veprën që kemi në dorë:
Në faqen 312, ajo shkruan:
“Shkrimtarët tanë u treguan mbështetësit kryesorë të ideologjisë komuniste. Librat, romanet, dramat, poezitë përshkoheshin nga filli i kuq, për shtresën e të deklasuarve nuk shkruanin për t’i mbrojtur, po na përdornin për personazhe negativë të veprave të tyre.
Gjithmonë personazhi që gabonte duhej të ishte nga kjo shtresë, ai bëhej kriminel, hajdut … d.m.th. me termin të padenjë me jetue midis njerëzve, ndaj duhej dënimi kolektiv, denoncimi, mandej gjendeshin “dëshmitarët”, gënjeshtarët, që sajonin të pavërteta, shkonte denoncimi në zyrat e sigurimit të shtetit, përpunoheshin, vazhdonte inkuizicioni mesjetar i kuq.
Çdo e keqe dhe imorale i mvishej të deklasuarve.”
E treta
Autorja ka guxuar të shkruaj hapur e konkretisht se si ka pasur forcën të mos përkulet e të bëhet hafije e Sigurimit. Këtë lloj deklarate konkrete e publike, pakë kush e kanë bërë, disa sepse kanë pasur frikë se pas këtij lloj deklarimi do të ngrihet ndonjë sigurims e t’i thotë të kundërtën: ti ke qenë spiune! Ja deklarata e znj. Fatbardha:
Po citoj nga faqja 390, pasi autorja përshkruan presionin që i kishin bërë me ditë të tëra, që të bëhej agjente e Sigurimit:
“Në fund më detyruan, kuptohet Kryetari i DPB të Lezhës të lëshoja një deklaratë që m’a diktoi ai:
“Unë e nënshkruara Fatbardha Mulleti nuk pranoj të bashkëpunoj me sigurimin e shtetit Shqiptar, në rast se i tregoi ndonjë njeriu më kap nenin 55, që është neni i agjitacion e propagandës”.
E katërta
Znj. Fatbardha ka shkruar me dashuri për shumë njerëz që ka hasur, por pa e fetishizuar shqiptarin. Unë mendoj se për këtë lloj komunizmi që toleruam, kemi faj dhe ne si popull, jo vetëm ata pakë vetë që ishin kryesorët.
Po citoj nga faqja 413, pasi autoren e kishin hequr nga arsimi:
“Ecja rrugëve të Shkodrës, njerëzit s’ndalonin të më takonin, më përshëndesnin nga larg ose bënin sikur s’më shihnin… Ecja e ecja, drejt dhe nuk shihja njeri, ecja pa kthyer kokën anash …”
Po citoj nga faqja 413, kur Fatbardha shkon të ndahet me shkollën:
“Asnjë koleg s’pati forcë të përshëndetet me mua, ishte frika që njerëzit e kishin të futur deri në palcë”
Po citoj nga faqja 420, kur tashmë znj. Fatbardha kishte gjetur shokun e jetës:
“Formova familje, por më mohuan njerëz të rrethit familjar të burrit, rrethi i artistëve që s’na vinin për vizitë …, as komshinjtë …”
Po citoj nga faqja 427, kur tashmë komunizmi u rrëzuar, dhe znj. Fatbardha ishte si pjesë e pushtetit të ri në Shqipëri:
“Po më takojnë aq shumë njerëz sa s’më kishin ndaluar me vite…, domethënë i iku frika, i thanë asaj një jo-të madhe … Këtë dëshiroj qytetarëve të mij, t’i thonë frikës –Jo…, të mos tërhiqen asnjëherë kur kërkojnë të vërtetën, lirinë e fjalës…, lirinë, që fitohet hap pas hapi, ajo nuk dhurohet por fitohet…”
E pesta
Nuk arrij të kuptoj, sesi znj. Fatbardha, bëhet kaq e sjellshme dhe tolerante me disa persona të ulët deri në kriminelë, të cilëve u bën favor të madh që nuk e meritojnë, duke mos u shkruar emrin në libër, duke e mbuluar kështu identitetin e tyre. Do të ishte një kontribut edhe për të ardhmen, që emrat e tyre të jepeshin të plotë, që ata lloj maskarenjsh të maten, sepse së paku do t’u bëhet publike poshtërsia që kanë bërë. Mbase znj. Fatbardha këtu, sot, do të na japë ndonjë shpjegim për motivet që e kanë shtyrë në mbajtjen anonim të këtyre personave.
Po citoj nga faqja 387, kur një sigurims sillet si kafshë me autoren:
“[…] pas gardhit të stallës na del njeriu që ishte punonjës i Degës së Punëve të Brendshme Lezhë, S.G. […] Filloi ai të më shante […] Nxënësit më rrethuan, u shtrënguan rreth meje […] më erdhi turp nga nxënësit e mi, ato po dëgjonin fyerje, ai përmendi biografinë time … Nxori revolen, e drejtoi nga unë…”
Përse nuk i shkruhet i plotë emri këtij pisi, S.G., që thyente edhe vetë ligjet e komunizmit?!
Në faqe 396, kur e pushojnë nga puna
“Më thirrën në komitetin Ekzekutiv të Lezhës. […] nënkryetari […] më tha:
-E kuptoni vetë, e dini vetë, nuk keni vend më në arsim…/ Asnjë shpjegim… Fytyra e tij ishte si një copë akulli, nuk i lëvizte asnjë muskul, ishte shkëmbi i granitit socialist, ishte njeriu i ri komunist. […],“
Përse nuk i shkruhet i plotë emri?
Në faqe 404, kur autoritetet e vendit ku kishte shkollën, po përpiqeshin ta fusnin në burg znj. Fatbardha:
“Më erdhi keq, ajo mësuesja e fillores Xh.S., të cilën e kisha mësuar në klasën e parë, […] e kisha ndjekur kur vazhdoi shkollën e mesme […] i qëndrova përherë pranë, tani ishim kolege, ishte sekretare e rinisë, ajo ishte treguar e ashpër me nxënësit dhe në veçanti u kishte folur shumë keq për mua…[…] (mbas ca vitesh e kam parë të jetë mësuese në qytetin e Shkodrës).”
Përse nuk i shkruhet i plotë emri kësaj Xh. S.?
Në faqen 423, kur mjekët nuk çajnë kokën të bëjnë detyrën ndaj pacientes znj. Fatbardha, se helbete ishte e deklasuar:
“…mjeku A.B. e parashikoi lindjen pas tre ditësh…!!”
kur në fakt Fatbardha lindi pas pak orësh.
Në faqen 424, po në atë vend:
“Mjeku N.K. më vizitoi në orën 8, ai tha që fëmija është i lodhur”
kur pacientja duhej futur urgjentisht në operacion
Përse nuk u shkruhen të plotë emrat? …
E gjashta dhe e fundit
Do të propozoja, që të nxirret një fond nga qeveria, dhe i gjithë materiali i veprës që kemi sot në dorë, të ribotohet në katër libra të veçantë, libri i parë të jetë “Mozaik nga jeta ime” (materiali i shkruar në faqet 381 deri në faqen 441, pra rreth 60 faqe) dhe tri librat e tjerë sipas Përmbajtjes së veprës që kemi sot në dorë. Ribotimi në katër libra të veçantë, do ta bënte materialin më lehtë të lexueshëm, më doracak, edhe si libër udhëtimi.
Do të ishte shumë me vlerë, nëse në fund të veprës do të vihej një indeks i emrave të personave dhe të vendeve që përmenden në të. Kjo gjë do ta bënte librin të përdorej edhe tamam si një enciklopedi, si një vepër për t’iu rikthyer shpesh, edhe në vende të veçanta të saj.
Në ribotim të librit, do të duhej të bëhej edhe një korrektim profesional drejtshkrimor. Ka shumë gabime drejtshkrimore: autorja ka përzier gegërishten, shkodranishten dhe gjuhën standard ekzistuese. Fatkeqësisht korrektuesi gjuhësor i librave le shumë për të dëshiruar në punën e tij.
Duke përfunduar, i uroj autores punë të mbarë në përpunimin e veprës ekzistues, si dhe në shkrimin e librave të tjerë: Shqipëria ka nevojë për ta. Kam besim se Autorja do ta përballojë edhe për shumë vjet punën intelektuale, tashmë në një situatë të rehatshme, në ambientin e Shqipërisë së lirë—është ajo grua që dikur pati kaluar lumin e Drinit në acarin e Dimrit, e dimrit të natyrës dhe të komunizmit.
Bashkim Kopliku
Durrës, 18.11.2016
Bashkim Kopliku
Mobile: +355(0)672858090
Phone: +355(0)52 223663
E-mail: <[email protected]>