Shkruan Prof. Zymer Mehani
U lind në Shkodër më 17 maj 1953, ku kreu edhe shkollën tetëvjeçare, të mesmen industriale dhe në vitin 1976 mbaroi studimet e larta në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në fakultetin gjuhë shqipe-letërsi. Punoi ca kohë mësues në fshatra.
Punon në Radio-Shkodra, gazetar në emisionet artistike, gjithashtu ka dhënë leksionet e letërsisë për fëmijë si pedagog i jashtëm në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Dita e parë e dëborës (skica e tregime, 1976) Hyni në çadrën time, (vjersha, 1978) Kush i hengri manaferrat (përralla, 1986) Ndihmojeni Arushin e vogël (përrallë me figura për fëmijët e kopshteve, 1986) Kush e zgjoi këngën e zogut? (vjersha, 1987) Kush t’i solli yjet, hënën? (vjersha, 1989) Përralla e babit tim (përralla,, 1994) Historitë e arushit, ketrushit dhe xixëllonjës së vogël ( përralla në vargje, 1995) Djali i vogël sa një kokërr arre (përralla sipas motiveve popullore, 1996) Historia e kallzës së vogël flokartë (novelë-përrallë, 1996) Loti i pyllit (përralla, 1997) Shshshsh.., se zogjtë po bëjnë gjumë, (vjersha, 2008) Dredhia e gjinkallës, (përralla, 2000) Maço, Maçoku mbeti gojëhapurt, (përralla, 2001) Historia e tre pëllumbave, (tregime, 2002) Porosia e Diellit, (vjersha, 2003) Gabimi i Diellit, (përralla, 2004) Historia e zogut Verdho, (përrallë në vargje, 2006) Çuditë e rrezes lodërtare (Vjersha, 2007 Si u bë fole kapelja e gjyshit (vjersha, 2008) Historia e Gjëmbit dhe e Gjëmbaçit, (përralla, 2008) Plaku,zogu dhe bastuni, (poemë, 2010) Katër pyetje Erës… Poezi, 2010 Në letërsinë e sotme për fëmijë e të rinj, krijimtaria letrare e shkrimtarit Xhahid Bushatit zë një vend të rëndësishëm, sepse u përgjigjet kërkesave dhe psikologjisë së fëmijëve. Ai ka lëvruar me sukses disa gjini letrare për fëmijë, duke botuar shumë libra në prozë e poezi për të vegjlit.
Në fillim ai është shfaqur si prozator në vitin 1976 me librin e parë “Dita e parë e dëborës” (skica e tregime). Më tej do të prezantohet edhe si poet me vëllimet poetike “Kush e zgjoi këngën e zogut” dhe “Kush t’i solli yjet, hënën?”.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe gjininë shumë të pëlqyeshme të këtij krijuesi, përrallën, të cilën e ka trajtuar jo vetëm në prozë, por edhe në poezi. Është një autor që ka punuar shumë vite mësues dhe si rrjedhojë i ka njohur më nga afër fëmijët, botën, ëndrrat, dëshirat e tyre. Kjo i ka dhënë dorë shkrimtarit të trajtojë tema të ndryshme, të prekshme për ta, t’iu përgjigjet disa kërkesave të tyre.
Krijimtaria e Xhahid Bushatit për të vegjlit, e frymëzuar nga motive dhe subjekte interesante, i japin asaj origjinalitetin dhe freskinë e nevojshme. Përmendim këtu vëllimin e parë të tij me poezi “Hyni në çadrën time”. Në të trajtohen tema të
larmishme: për kafshët, për punën, për prindërit, për luftën.
Janë poezi që lidhen me lodrat e fëmijëve dhe që të ngacmojnë fantazinë. Për shembull, te vjersha që i jep titullin librit, vlerësohet ndjenja e solidaritetit dhe e ndihmës për shoku-shokun.
Këtë veçori artistike e shikon jo vetëm në vargje apo krijime të veçanta, por në tërë krijimtarinë e këtij poeti.
Në disa poezi, shkrimtari trajton me kujdes dhe temën për kafshët e pyllit, për të cilat fëmija ka kërshëri të madhe. E veçanta e këtij autori është se me pak vargje, përcjell dhe moralin:
Një ari, një ari,
do të laget nëpër shi.
Por ka pylli miq të mirë,
shihni ketrin sa vrapon.
-Ju u lagët, xhaxhi Ari!
-Dhe me çadër e mbulon.
Apo në vjershat e tjera si “Shshsht, se zogjtë po bëjnë gjumë!”:
Hënëverdhëza la shtëpinë,
tani pyll:- Natën e mirë!
Vetë nëna rri këndon:
– Fli, o bir, ti, fli, o bir!
Veç dy gjethe bisedojnë,
Fësh, fësh, fësh po bëjnë zhurmë,
i dëgjon dhe u thotë Hëna:
– Shshsht, se zogjtë po bëjnë gjumë!
Apo në vjershën tjetër “Në liqen rri pa orar”:
Dielli ecte dalëngadalë,
ish i lodhur, gjumë i vinte,
me një rosë fort u çudit
nga liqeni pse nuk ikte.
– Kaloi ora, – foli Dielli,-
Shko moj rosë, shko në shtëpi,
nuk harroj, prapë do të zgjoj
të vish nesër përsëri…
– Mak- mak- mak, – u përgjigj rosa,-
Diell, o diell rrezear,
Nga mëngjësi gjer në mbrëmje
Në liqen rri pa orar…
Gjithashtu autori përdor me shkathtësi lloje të ndryshme vargjesh.
Jo vetëm 8-rrokëshin si në vjershat e mësipërme, po edhe 6- rrokëshin. Ja vjersha Era lotët ia pushon, e ndërtuar me këtë
masë:
Ylli, ende fle,
Hënën, e zu gjumi…
Reja nis e qan,
sepse ngjyrën humbi…
– Mos qaj!- i tha era
(vu-vu, buçet fort).
Lotët ia ndalon
Edhe e bën zog…
Janë vargje lodruese, argëtuese dhe me rimë të zgjedhur. Po me këtë masë ndërtohet vjersha “O yll”:
– O yll! – i tha zogu.
Pse nuk vjen në pyll?
Ndrit edhe shëtit,
Pyllin e bën dritë!
– Zog, do vij në pyll,
Por nuk mund të fle,
Çerdhen lart në qiell
S’e ndërroj me asgjë…
Apo vjersha tjetër “O zog”!
– O zog! – i tha ylli.
Fli xhan, mos më prit,
Qiellit udhëtoj,
Natës i fal dritë!
Kur ti zgjohesh, zog,
Unë atëherë fle,
Por ti fluturo,
Më gjen te një re.
Kësisoj, vargjet e këtij poeti dallohen për stilin e veçantë, për shprehjet me gjuhë të bukur letrare, tërë ngjyrime poetike e fjalor të pasur, të cilat kanë bërë që këto krijime te jenë mjaft tërheqëse, emocionale dhe mbresëlënëse te lexuesit e vegjël.
Veçoritë artistike të poezisë së Xhahid Bushatit shpërfaqen natyrshëm edhe në disa përralla në vargje. Kështu, në një vjershë, autori krijon një bisedë që zhvillohet nëpërmjet voglushit me hënën, me yjet, me diellin, apo trajton miqësinë e fëmijës me zogun:
1. – Hënëz, a po vjen?
– Qielli vetëm s’rri.
Vogëlushi i mirë
Syçkat mbyll dhe fli!
2. – Diell, o rrezear,
Lart në qiell ku rri,
Lodërza ke vallë,
Me shokë luan ti?
3. Eri shkon në shkollë
Plot gaz e dëshirë,
Pas e ndjek një zog
Si një mik mirë.
Në këto vjersha duket sikur autori po lodron me fëmijët. Në raste të tjera, ai kallëzon shtruar, në vetë të tretë:
Kur pylli e udhët
Janë në errësirë,
Nga shtëpia del
Xixëllonjë e mirë…
Si yll i ngjan natës,
si një ëndërr ngjan,
bredh në hapësira,
në shpirt dritën mban…
(Ku e mban dritën xixëllonja?)
Po kështu dhe kur fëmijët gëzojnë kur bie bora e parë. Ja si e shpreh autori gëzimin e tyre Bie, bie borë e parë/ flokë-flokë dalngadalë/Zbardhon pemë, zbardhon çati/ rrugë, oborre dhe shtëpi. Pa përtuar përmbi mure/ bën vargmale pa mbarim/ në kuzhinë portokalli/ i gëzuar krahët shtrin.
Studiuesi Xhevat Syla ka theksuar se shkrimtari Xhahid Bushati është një rrëfimtar i mrekullueshëm i përrallave, duke e ndierë të gjallë në shpirt çdo gjë me krijimin e tij.
Por në përgjithësi përrallat e tij kanë vlera edukative dhe njohëse. Ato u hapin horizont lexuesve të vegjël, duke i çuar jashtë në natyrë, në mes të kafshëve, shpendëve e insekteve, që janë qëniet më të dashura për ta189.
Si në përralla, ashtu dhe në poezi poeti kujdeset për vargun që ai të mos jetë i thatë, po të ketë veshje artistike, të jetë i shkurtër, të ketë rimë, ritëm e muzikalitet. Në vargjet e tij përgjithësisht përdor gjashtërrokshin, edhe ndonjë varg tjetër më të shkurtër. Këto janë vargje që pëlqehen nga lexuesi i vogël, janë vargje lodruese, që mësohen lehtë përmendsh.
Le të ndalemi tek disa nga të veçantat ose karakteristikat e përrallave që autori e parapëlqen.
Poeti synon që në krijimete tij të përcjelli informacion në mënyrë të kujdessshëm, duke iu përgjigjur moshës. Ky është një element mjaft i rëndësishëm në përrallat e autorit duke i bërë të pëlqyeshme si me fabulën tërheqëse ashtu dhe me gjuhën lodruese e fëminore. Kështu për shembull ngjet në përmbledhjen me përralla “Përrallat e babit tim” (1994), që u drejtohet lexuesve të moshës së ulët shkollore, voglushëve 6-9 vjeç, krijime këto që janë shumë të rëndësishme dhe të përshtatshme për këtë moshë. Element tjetër mjaft i rëndësishëm në përrallat e autorit është skalitja e personazheve, të botës njerëzore por edhe nga ajo shtazore, e kafshëve dhe e shpendëve.
Kështu ndodh për shembull, te përralla Guri i çmuar, Pepushi dhe verdhushi, Këmbëngulja e zogut të vogël etj.
Sikundër në vjershat, edhe në përralla, veçori është konçiziteti. Në pak vargje autori mundohet të japë gjithçka, pra nuk zgjatet shumë, nuk e lodh fëmijën. Cilësi tjetër është mbështetja në gjuhën e gjallë të vogëlushëve.
Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe librin me përralla (në prozë) Maço Maçoku mbeti gojëhapur, botuar në vitin 2001. Janë gjithsej nëntë përralla. Që na befasojnë me aftësinë dhe zotësinë profesionale të autorit në kultivimin e kësaj gjinie sa të lashtë, aq dhe të pranishme në krijimet e shkrimtarëve për fëmijë.
Ngjarjet e këtyre përrallave janë marrë nga jeta e kafshëve dhe e shpendëve me personazhe të shumta, botë kjo e dashur për fëmijët. Autori të magjeps me bëmat dhe aventurat e çuditshme të personazheve të tij simpatikë, me skenat intriguese që improvizon me to, me dialogët dhe të folurën e tyre karakteristike. Fëmijët mrekullohen me rrëfimin, fabulën, emrat e personazheve, që bëhen kaq të dashura për ta. Ata lumturohen kur dëgjojnë në këto përralla të flasin kafshët nën tinguj onomatopeikë: Ki-ri-ki – në e lafshëkuqit Gjel Kokoshi dhe ko-ko-ko – në e Cikaleshës pulë trimoshe; kri-kri – në e ketrushit; ia-ia-ai –në e kërriçit Qamo; ciu-ciu- në e dallëndyshes sqepverdhë Semi; mjau-mjau – në e Maço Maçokut që luajnë e argëtohen pa fund.
Intersant është figura e Maçokut te Maço Maçoku mbeti gojëhapur:
“Shikonte i habitur zogjtë që tashmë ishin rritur dhe fluturonin lart në qiellin e kaltër. Zbriti nga pema dhe hyri përsëri në shtëpi. Kësaj here i lodhur, i mërzitur e i uritur më shumë se kurrë. Në sytë e tij të blertë, edhe ajo shpresë dinake e shumëpritur nuk jetonte më, ishte shuar përgjithnjë”. Pra, përralla flet për një ngjarje të caktuar, ashtu si do të mund të ketë ndodhur por vlerësimin, në janë veprime të mira apo të këqija, e rrjedhimisht edhe mësimet që dalin nga ato, mbetet ta nxjerrë vetë lexuesi.
Nëpër rreshtat e librit vërejmë që autori ka individualizuar me mjeshtëri dhe vërtetësi çdo personazh, duke i veshur artistikisht me epitete, metafora e figura të tjera letrare: Gojën e kishte si lule, kurse shtatin lis të njomë. Pastaj krahasimin: zemra i rrihte si këngë bilbili e si këngë dallëndysheje, apo me metaforat- kodrina syblertë, yjet syzjarrtë etj. Në këtë mënyrë, ai ia ka arritur të krijojë më së miri portretin e tyre fizik dhe atë moral. Ndaj përrallat e Xhahid Bushatit lexohen dhe dëgjohen me ëndje. Ato i bën të tilla gjuha e pastër, e qartë dhe me figuracion të pasur e të zgjedhur.
Struktura dhe forma artistike e krijimeve të Xhahidit, si në poezi, ashtu edhe në prozë, i shëmbëllejnë një arkitekture letrare karakteristike për stilin dhe individualitetin artistik të autorit, ku elementët e tyre gërshetohen e shkrihen më së miri me përmbajtjen, tamam si instrumentet muzikore të një orkestre të akorduar mirë, duke na dhënë një “sinfoni” me mjaft muzikalitet.