SHENASI RAMA: SHQIPTARËT JANË TË PËRÇARË DHE PA VIZIONIN E UDHËHEQJEN E DUHUR

0
809
Shenasi Rama

BletaShqiptare.com, 28 nëntor 2016

Bashkëbisedim me Prof. Shenasi Rama mbi Përrallat e Tranzicionit

INTERVISTE EKSKLUZIVE E PROF. SH. A. RAMA PER “GAZETA E RE”

GeR: Profesor Rama shqiptarët në Luginë të Preshevës, në Maqedoni e në Mal të Zi ende vazhdojnë me sfida e probleme nga më të ndryshmet. Faji për këto sfida zakonisht drejtohet nga Beogradi, Shkupi e Podgorica zyrtare. A keni një mendim se ku mund të jetë faji, tek politika shqiptarët në këto anë, tek qendrat zyrtare të përmendura apo tek Kosova e Shqipëria?

Rama: Nuk ka vetëm një faktor përgjegjës për gjendjen e shqiptarëve, si pakica kombëtare në shtetet fqinjë, dhe këtu unë do të shtoja edhe Greqinë ku jetojnë shumë shqiptarë etnikë. Nga një anë të gjithë shtetet ku shqiptarët janë pakicë kombëtare luftojnë me të gjithë mënyrat që të eliminojnë politikisht faktorin shqiptar. Edhe në Maqedoni ku duhej të kishim statusin e kombësisë shtet-formuese nuk e kemi. Teknikat që përdoren janë shumë të ndryshme por njëlloj efikase: emigrimi i detyruar apo i kthyer në preferencë, diskriminimi kulturor e kombëtar, përndjekja sistematike e shqiptarëve, shitblerja e politikanëve që mund të bëjnë organizimin e duhur politik të shqiptarëve, kolonizimi, shkombëtarizimi, deformimi i historisë, e me radhë.

Së dyti, politikanët shqiptarë të Kosovë e në Shqipëri e kanë mendjen që të pasurohen e të mbijetojnë për vete. Kjo i bën që të mos i kushtojnë asnjë vëmendje çështjes kombëtare në nivelin e duhur, me burimet e duhura dhe me vizionin e duhur. Së treti, interesat politike ndërkombëtare diktojnë që çmimin e përplasjes politike e paguan më i dobëti, dhe ne shqiptarët jemi kombi më numerik por politikisht edhe kombi më i dobët në Ballkan. Së katërti, mungesa e duhur e organizimit politik në nivelin e shoqërisë civile dhe të intelektualëve që duhet të jenë promotori i mbrojtjes së interesave kombëtare ka qenë e mbetet njëra ndër arsyet kryesore pse jemi këtu ku jemi. Më në fund, është edhe mungesa e një strategjie mbarëkombëtare shqiptare e cila i sheh qëllimet kombëtare me perspektiven, me mjetet dhe me metodat e duhura.

GeR: Republika e Kosovës tetë vite pas shpalljes së saj e pavarur dhe sovrane është po ashtu duke kaluar nëpër sfida të ndryshme. Pozita dhe opozita prej zgjedhjeve të fundit vazhdon të jetë e përplasur gati për çdo gjë. Pse po ndodh kjo, cili është mendimi juaj?

Rama: Përplasja është politike dhe mospajtimet janë të gjitha të lidhura me rolin e shtetit, me vendin që kanë shqiptarët në shtet, me interesat e grupimeve të ndryshme dhe me vizionin e zgjidhjes së problemit shqiptar. Pse Kosova është shpallur e pavarur, kjo nuk do të thotë se është e pavarur; dhe shteti nuk është vetëm pavarësia, por edhe ekonomia, edhe shoqëria, edhe kultura, edhe identiteti e mbi të gjitha edhe siguria. Ata që qeverisin duan thjesht që të jenë në qeverisje dhe të përfitojnë prej asaj kohe që janë në krye të shtetit, ata vetë por edhe mbështetësit e tyre.

E ky nuk mund të jetë gjithmonë objektivi i vetëm politik i tyre. Për shkak të nevojës për pushtetin këta nuk po lënë kompromis pa bërë dhe kompromiset janë të tilla që e dëmtojnë rëndë interesin jetik të shqiptarëve dhe të Kosovës. Sërish, nuk ka një strategji kombëtare, nuk ka vizion dhe nuk ka pajtueshmëri midis tyre. Sidomos në këto kohë që po kalojmë, e që do të jenë shumë të mundimshme e sprovuese për ne, duhet që gjithkush të provohet se është për kombin e shtetin.

GeR: Republika e Shqipërisë këtë 28. Nëntor i mbush 104 vite prej që u themelua si shtet i pavarur, mirëpo ende nuk po arrin të jetë faktor i vendosjes për stabilitetin e shqiptarëve në rajon, për të mos thënë edhe brenda hapësirës aktuale. Cili është problemi?

Rama: Problemet janë të shumta, por më kryesori është paria e Tiranës. Paria e Tiranës është një grupim klanor, familjar, shumetnik dhe interesash që nuk ka kurrfarë interesi që të bëhet faktori që duhet për çështjen shqiptare. Interesi i tyre është që të pasurohen me çdo kusht, dhe shqiptarët për ta janë skllevër. Nuk kanë pikë ndjenje kombëtare dhe e trajtojnë problemin shqiptar thjesht si një mënyrë me fitue pikë politike për vete e jo me zgjidhë problemet e shumta.

Këtu duhet shtuar korrupsioni i thellë, shkombëtarizimi i theksuar, humbja e ndjenjës së dinjitetit e të shqiptarizmit, shtyrja e njerëzve që të mendojnë për kuletën e për veten dhe mungesa e moralit të duhur shoqëror. Më në fund janë edhe interesat e huaja që i kanë shtyrë të gjithë në Tiranë e më gjerë që të merren me gjithçka përpos me shqiptarët.

GeR: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, përkatësisht Qeveritë e tyre kanë mbajtur disa takime. Si mendoni, çfarë mund të jetë e dobishme nga këto takime?

Rama: Po hiç. Asgjë. Kanë hangër qofte dhe kanë bërë fotografi. Cili ishte rezultati? Zero. Më shumë efikase janë takimet e qeverisë me serbët si në Nish se sa në Prizren. Nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm në asnjë fushë të jetës ekonomike, politike, shoqërore apo kulturore.

GeR: Vizita e Kryeministrit Rama në Serbi dhe fillimi i bashkëpunimit mes Serbisë dhe Shqipërisë në Kosovë u pa me dozë kritike. Cili është vlerësimi juaj? Ky bashkëpunim a mund të dëmtojë Kosovën në ndonjë segment?

Rama: Po kjo ishte një përpjekje për të mënjanuar shtetin e Kosovës dhe për ta trajtuar Kosovën si problem midis shteteve shqiptare dhe serbe. Dëmi është i madh dhe do të jetë edhe më i madh në se këto sjellje përsëriten në të ardhmen. Nuk i takon kujt me folë për Kosovën. Për ne shqiptarët, edhe pse Kosova është protektorat e jo shtet i mirëfilltë, prapë është një shtet ku jemi shumica, rreth 92%. Në shtetin shqiptar më pak se 70% e popullsisë janë shqiptarë etnikë. Shteti shqiptar është shtet i sunduar prej pakicave që nuk punojnë për shqiptarët dhe këta do të mundohen që me çdo kusht e me çdo mjet të tjetërsojnë identitetin shqiptar. E kanë shumë frikë kombëtarizimin shqiptar dhe punojnë me të gjithë mënyrat që të na dëmtojnë.

GeR: Republika e Shqipërisë e ka edhe obligim kushtetues kujdesin për shqiptarët në rajoni. Aktualisht sa mendoni se Shqipëria është duke u kujdesur për shqiptarët në rajon?

Rama: Përgjigjen e keni më lartë. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, edhe pse më shumë shqiptarë jetonin në Jugosllavi se në Shqipëri, Shqipëria ishte shteti amë. Mirëpo Shqipëria nuk ka bërë gjë për shqiptarët e nuk do të bëjë gjë as në të ardhmen. Ai obligim që thoni ju është në letër e jo de facto.

GeR: Dhe para se të ju urojmë 28 Nëntorin, si thoni, si po i gjen ky 28 nëntor shqiptarët?

Rama: Ka shumë që mendojnë se jemi mirë, por unë për vete them se jemi shumë keq. Jemi pa vizionin e duhur, pa udhëheqjen e duhur, pa mirëkuptimin për situatat e vështira politike, pa ekonomi, e të përçarë. Për më tepër nuk kemi shumë zgjidhje sepse të gjithë këta që na drejtojnë janë të vendosur që të mos ndalen në rrugën e tyre por fundi i tyre nuk duhet me kenë fundi i jonë. Kështu që duhet të punojmë shumë në mënyrë që të mund të arrijmë synimet politike që do të na bëjnë të jemi një komb normal midis kombeve të tjera të begata e sigurta të botës dhe të kohës në të cilën jetojmë.

I kemi të gjitha mundësitë që jemi më mirë se gjithkush tjetër, por kjo kërkon që të vëmë intereson kombëtar mbi gjithçka tjetër dhe të ndërgjegjësohemi se vetëm ne do të mund të zgjidhim problemet tona. Zgjidhja e vetme është rruga e ndërtimit të shtet-kombit dhe kjo po bëhet përditë e më e qartë edhe për ne, sepse për ata që i urrejnë shqiptarët me gjithë shpirt, kanë punuar e punojnë pa asnjë hezitim që ne të mos e kemi shtet-kombin tonë.