Marie Shllaku e meriton një shtatore

0
2104
Leonora Laçi

Ma. sc. Leonora Laçistudiuese

Shkodra ka dhënë shumë Marie…

Nëntor 2016

Nuk është hera e parë që shkruaj për heroinën shkodrane Marie Shllaku. Ku në një shkrim me titull “Marie Shllaku, përmendore në Prizren aty ku u pushkatua?” pata si qëllim të vija në dukje veprimtarinë e Marie Shllakut dhe vlerësimin që Shoqata “Trojet e Arbrit” ku unë jam sekretare i kemi dhënë, por jo vetëm ne, edhe Balli Kombëtar në Kosovë ka mbajtur aktivitete përkujtuese për të ndër vite.

Pak histori, kush ishte Marie Shllaku ?
Sokolesha sypatrembur lindi më 22 tetor të viti 1922 në Shkodër, mësimet e para i mori në qytetin e lindjes pranë Kuvendit të Motrave Stigmatine në Gjuhadol. Më pas studimet e larta i vijoi në Romë. Ishte njohëse e disa gjuhëve të huaja si; Italisht, frëngjisht, latinisht, greqisht, gjermanisht e deri diku dhe serbokroatisht.

Ajo u gjend kudo, ku e thirri zëri i atdheut dhe vuri gjithë kapacitetin e saj intelektual dhe fizikë, për të përmbushur detyrat e saj, pranë veprimtarëve të shquar kombëtarë, duke shërbyer si sekretare e patriotit dhe Ministrit të Punëve Botore Iliaz Agushi (1942). Kurse më pas ajo ishte sekretare personale e Ministrit të Brendshëm Inxh. Xhafer Devës (1943-1944).

Miqësitë me personalitete të ndryshme e ndihmuan Marien, që të përftojë dije gjithnjë e më shumë. Kjo miqësi e ndërthurur me respekt e mirëbesim, u bë ujdhesë e pjesëmarrjes së saj, në kuvende me rëndësi kombëtare, ku u morën vendimet për çlirimin e atdheut, që ra në kthetrat e sllavo-komunistëve.

Shkodranja e dashuruar patologjikisht me Kosovën, iu përkushtua me gjithë qenien e saj, bashkimit të trojeve etnike, duke luftuar me armë kundër forcave komuniste. Ajo mori pjesë në Kuvendin e Drenicës, që ishte thirrur me qëllimin final shpëtimin e Kosovës nga pushtimi kolonizatorëve komunistët serbo-malazezë-shqiptarë. Heroina, angazhohet për të organizuar një parti me emrin Lidhja Nacionale Kosova Etnike, duke u nisur nga iniciativa e fratit At Bernard Llupit OFM me 26 dhjetor 1944 e deri me 27 shkurt 1945, arrin të themelohet Komiteti Demokratik Shqiptarë, që synonte krijimin e një rezistencë aktive kundër armiqve shekullorë serb.

Madhështia e saj përveç në organizimin e rezistencës mbarëkombëtare nga Organizata NDSH dhe Besa Kombëtare, do luaj një rol të rëndësishëm edhe në Kuvendin e Doberdolit. Maria nuk u frikësua nga kërcënimet e komunistëve, për tu tërhequr nga aktiviteti atdhetar dhe mbi të gjitha nuk iu dridh qerpiku as para togës së pushkatimit.

Në luftën e Siçevës, ditën e tretë të festës së Bajramit ku mbetën në betejë mbi 30 burra të zgjedhur të atdheut, ajo mori disa plagë në trup i shpëtoi rrethimit. Për fat të keq, ajo më vonë në fshatin Acarevë, në vitin 1945 u zu rob nga bashkëpunëtorët e UDB-së.

Në procesin gjyqësor i zhvilluar asokohe, të gjithë që kanë qenë në burg e kujtojnë si një vajzë sokoleshë, ku me një stoicizëm qëndroi e paepur, para torturave shtazarake që u bënë çdo ditë kundrejt saj. Po atë ditë, vendimi për dënimin me vdekje (me pushkatim), ju dha dhe tre bashkëidealistëve të saj: At Bernard Llupit OFM, arsimtarit Gjergj Martinit dhe Kolë Parubit, të cilët disa ditë më vonë do të ekzekutohen, me 24 nëntor 1946 në Prizren, ku edhe sot në Kosovën e lirë mjerisht ende nuk u dihen varret…

Procesi gjyqësor i Marie Shllakut…Gjykimi i grupit të madh të liridashësve të vërtetë shqiptarë zgjati 13 ditë. Ai u mbajt në ndërtesën ish Shtëpisë së Kulturës, duke filluar nga data 29 qershor 1946 e deri me datën 11 korrik të vitit 1946. Asokohe prokuror i përgjithshëm ishte Ali Shukriu.

Marie Shllaku, do mbahet mend për heroizmat e saj. Është krenari të thuhet sot se vlerësimi i figurës së saj po bëhet dita-ditës, si në Kosovë dhe Shqipëri, ku po vihen emra rrugësh me emrin e saj. Ka ardhur koha që sot më shumë se kurrë kur njihet figura e madhe e Marie Shllakut ti ngrihet një përmendore në Shkodrën e saj ku lindi dhe u rrit, dhe në Prizrenin historik ku u pushkatua në moshën e re 24-vjeçare.

Për Marie Shllakun, janë shkruar disa vepra, si: “Shqipëria e Marije Shllakut” nga Ramiz Kelmendi e Viktor Gashi (Prishtinë, 1995); “Marije Shllaku-Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë” Ibrahim Metaj, Tiranë 1995; “Marie Shllaku-Bijë e Shkodrës martire e Kosovës” nga Tomë Mrijaj, (Nju Jork, 2004); “Heroina Marije Shllaku” Shefqet Kelmendi (Tiranë, 2004) etj. Përveç librave monografikë, kujtimeve, janë mbajtur shumë kumtesa, në takime përkujtimore dhe simpoziume historike shkencore, janë shkruar artikuj publicistikë dhe mbajtur sipas rastit referate mbas viteve 1990…

Një rast i veçantë, është përkujtimi herëpashershëm, që revista “Jeta Katolike” (1966), organ i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, që botohej nën përkujdesin e Mons. Dr. Zef Oroshit, ka botuar disa herë artikuj përkujtimore, me përmbajtje të thellë historike për figurën e madhe të luftëtares së Shqipërisë Etnike, Marie Shllakun- shkruhet në trajta të përgjithshme në shkrimin tim të vitit 2014.

Por këtë herë, dy vite më pas, po shkruaj duke marr shkas nga një aktivitet përkujtimor, i cili u zhvillua me datë 24 nëntor në Muzeun Historik në Tiranë për 70- vjetorin e pushkatimit të Maries. Në këtë aktivitet, i cili ishte një nismë e Islam Spahiut në bashkëpunim me Shoqatën e Ish të Burgosurve Politik dhe të tjerë. Aktivitetin e drejtoi Tanush Mulleti, ndërsa Islam Spahiu u kthye pas në kohë duke folur si dëshmitar që e ka parë me sytë e tij gjyqin e Marie Shllakut.

Studiuesja Fatbardha Saraçi (Mulleti) foli për aktivitetin e Marie Shllakut dhe rëndësinë e saj. Në aktivitet e morën fjalën dhe z.Bilal Kola ku bëri apel për bashkimin e Shoqatave të të përsekutuarve për tu dëgjuar fjala e tyre dhe për tu plotësuar kërkesat e tyre, kurse Agron Tufa në qendër të fjalës së tij u shpreh për bashkëpunimin e hapur me çdo individ, dhe se askush nuk e ka monopol të shkruaj të vërtetën. Gjithçka që flitet ta kapërcej murin e sallave, por nëse nuk paragjykojmë, ne mund të arrijmë shumë.

Këtë shkrim e bëra për paralelizëm me realitetin e sotëm. Është një reflektim, një revolt e brendshme e imja, një piskamë lëshuar ndaj heshtjes. Nuk i drejtohet vetëm institucioneve por aq më tepër shoqërisë shqiptare në tërësi, e Shkodres në veçanti, duke qenë se Kosova e ka bëre detyrën e saj. Shkodra dhe shkodranët duhet të krenohen me Marie Shllakun e ta nderojnë atë, sepse duke nderuar atë kanë nderuar vetveten.

Një shoqëri që dje u nepërkemb nga regjimi komunist dhe duroi ndërsa sot nepërkembet nga “demokracia” dhe vazhdon e hesht. Pse? Shkodra dha shumë martirë, dhe nuk është më pak martire Marie Shllaku se Marijet e tjera. E pra, ne nuk vuajmë për heronj, vuajmë për reagim qytetar. Megjithëse në një cep të humbur të qytetit të Shkodres kanë gjetur vend për të mos i vrarë ndërgjegjja, për ti venë emrin një rruge të Shkodres, Marie Shllaku, por a është e mjaftueshme kjo?

Një vajzë që i fali jetën kombit shqiptar, harrohet nga institucionet !! Dhe ne jemi fajtorë të gjithë për këtë. Maria simbolizon qëndresën, ishte stoike, ishte një vajzë në lule të rinisë e cila nuk pati frikë nga vdekja. Po ne a kemi frikë nga vdekja ? Po, i druhemi dhe hijes sonë, mos reagimi ndaj padrejtësive tregon që frikësohemi dhe i nënshtrohemi asaj… Shqipëria me heshtjen ndaj Maries, hesht ndaj krimeve të regjimit komunist, heshtja është miratim. Maria përçon mesazhe uniteti, duhet të jetë frymëzim ndaj rinisë, ashtu siç ishte Zhan D’Arka franceze… S’mjaftojnë emra rrugësh, sheshesh, shkolla, përmendore apo dekorata për të venë figurën e saj atje ku e ka vendin. Por duhet shume më tepër, duhet kërkuar falje për ato krime që ju bënë shqiptarëve.

Maria duhet të shërbej si pikë kthese, reflektimi të shoqërisë sonë… që të duam kombin, të duam veten, të çmojmë lirinë, të njohim të kaluarën, të ndryshojmë të tashmen, të jemi të përgjegjshëm. Kaluan 70 vjet nga 1946 kur ajo u pushkatua por mund të kalojnë dhe 70 të tjera nëse ne nuk reagojmë. Ne aktivitetin përkujtues, unë isha më e reja, u ndjeva e fyer nga brezi im, nga mungesa e të rinjve në sallë. Ku po shkojmë ? Një brez që nuk e njeh të kaluarën, që nuk i intereson ajo, një brez që jo vetëm që nuk e di të kaluarën, por as nuk di ku do të shkojnë, sepse ecin si somnambul drejt rrugëve të panjohura, por të pa vetëdijshëm.

Marie Shllaku dhe shumë Marie të tjera nuk u flijuan për këtë, por as nuk u flijuan për tu bërë heroina, u flijuan për ideale. Ku janë sot idealet dhe idealistët? Maria që u pushkatua në moshën 24 vjeçare (moshatare me mua) kishte shumë për ti dhënë këtij kombi. Por komunistët nuk kishin atdhe as njihnin komb, dhe i pushkatuan Marijet pa ju dridhur qerpiku. Ku parë në kontekstin e sotëm kemi tepër nevojë për shumë Marie që ti ndërgjegjësoj politikanët tanë që interesat kombëtare të jenë mbi interesat e ditës.

Pushkatimi i Marijes dhe bashkëpunëtorëve të saj ishte vetëm fillimi i një paralajmërimi për atë se çfarë do provonin shqiptarët në burgun e madh Shqipërinë komuniste. Sot, kemi nevojë të gjejmë frymëzim diku. Dhe Maria mund të na ndihmoj, vepra e saj, dhimbja e saj, mund të na bëj më të fortë për ti thënë jo përdhosjes, përshtyerjes, që provojmë në forma të sofistikuara. Mjaft me fjalë, duhen vepra.