WeSpeakScience.com, 26 nëntor 2015
Kanceri kolorektal renditet i treti në kanceret më shpesh të diagnostikuar në SHBA, me një mbijetesë mbi 5 vjet më të ulët se 10 % tek pacientet, të cilët kane dhe metastaza.
Fatkeqësisht kanceri kolorektal zhvillohet në mënyrë të heshtur dhe për pasojë të kalojë shumë kohë pa u dalluar e pa pasur shenja e simptoma specifike. Kanceret e kolonit të anës së djathtë kanë si shenjë karakteristike lodhjen dhe këputjen pasi këta paciente zhvillojnë anemi ferro-deficitare (anemi nga mungesa e hekurit). Adenokarcinomat kolorektale të anës së majte mund të japin gjak okult (të fshehtë) ne fece ose krampe (ngërçe të shoqëruara nga shumë dhimbje) në kuadrantin e majtë të poshtëm.
Studime të shumta që i janë bërë karcinogjenezës kolorektale kane dalluar heterogjenitet molekular dhe mutacione të ndryshme tek qelizat tumorale. Kaskada e sinjalizimit të receptori të faktorit të rritjes epidermale është zakonisht më e shprehur në kancerin kolorektal. Dy nga shume molekulat sinjalizuese të kesaj rruge janë një proteinë G, KRAS, dhe BRAF, një proteinë kinase. Me shume se 50% e tumoreve malinje kolorektale i kanë këto mutacione, e për pasoje janë shume rezistente ndaj terapive kemio apo radioterapeutike.
Në një studim të ri një grup kërkuesish vërtetoi që doza të larta të vitaminës C (sasi ekuivalente me ato që do gjendeshin në 300 portokallë) çrregullonte rritjen e qelizave tumorale, që kishin mutacionet KRAS apo BRAF te minjtë.
Fakt i njohur nga të gjithë deri më sot mbi vitaminën C është se ajo ka efekte antioksidante e për pasojë parandalon ose vonon dëmtimet qelizore, si pasoje e stresit oksidativ. Bazuar ne të dhënat e fundit ky grup vërtetoi që në doza të larta, vitamina C kishte efekt të kundërt me atë që normalisht ndodh.
Në një ambient të pasur me oksigjen (siç është gjaku arterial), një porcion i vitaminës C, thënë ndryshe acidi askorbik, oksidohet dhe transformohet ne një molekule që quhet acidi dehidroaskorbik.
Transportuesi i glukozës GLUT1, një proteine membranore, arrin që këtë molekula ta fusë brenda në qelizë, në ndryshim me acidin askorbik, i cili nuk lejohet të kalojë në brendësi të qelizës nëpërmjet kësaj proteine transportuese. Pasi arrin të futet në qelizë, antioksidantët normalë, që ndodhen në qelizën tumorale përpiqen që të shndërrojnë acidin dehidroaskorbik ne acid askorbik.
Si pasojë e këtij veprimi të vazhdueshëm konsumohen depot me antioksidantë të qelizës tumorale e për pasoje ajo shkatërrohet nga stresi oksidativ. Për më tepër, qelizat tumorale që përmbajnë mutacionet KRAS dhe BRAF prodhojnë me shume se normalisht specie reaktive (radikale), e për pasojë ato kanë më shumë nevojë për antioksidantë që të mbijetojnë, dozat e mëdha të vitaminës C ua ulin këto sasi të nevojshme antioksidantesh.
Vitamina C është një molekule natyrale dhe jo e kushtueshme, e cila mund të përdoret si zgjidhje përfundimtare ose të paktën mund t’i shtohet terapive antitumorale.
Pavarësisht rezultateve pozitive janë të nevojshme studime më të thella e të gjera tek njerëzit për të parë më në detaje efektet e dozave të larta të vitaminës C. Lajmi i mirë qëndron tek fakti që tashmë është kuptuar mekanizmi i veprimit e për pasoje mund të përdoret si mjet për të arritur rezultatet e nevojshme.
Referencat:
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC3070595/
http://www.sciencemag.org/content/early/2015/11/04/science.aaa5004.abstract
http://weill.cornell.edu/news/news/2015/11/vitamin-c-halts-growth-of-aggressive-forms-of-colorectal-cancer-in-preclinical-study.html
http://chemistry.oregonstate.edu/courses/ch130/old/VITCTEXT.htm
https://www.qiagen.com/geneglobe/static/images/Pathways/Developmental%20Phases%20of%20Colorectal%20Cancer.jpg