Revista gjermane: ‘Piramida’ e Kadaresë, libër që të ndryshon jetën

0
1003
Ismail Kadare - books

Zëri.info, 25 Nëntor 2016

“Bento”, revista letrare e njohur në qarqet krijuese nëpër Evropë, sidomos në Gjermani, ka botuar kësisoj një listë të dhjetë librave që të ndryshojnë jetën.

Ekipi i revistës “Bento”, që botohet në gjuhën gjermane, ka radhitur dhjetë librat që kanë ndryshuar jetën e stafit të kësaj magazine, kësisoj për të rekomanduar këta libra edhe te të tjerët.

“Vjeshta është një stinë kur lexohet, prandaj po ju prezantojmë librat të cilët na lanë neve kujtime dhe na ndryshuan jetën” shkruhet në tekstin e revistës.

Në mesin e librave, është edhe libri “Piramida” i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare.

“Të shikosh në të kaluarën të ndihmon ta kuptosh të sotmen. Mund të jetë një klishe por atë e jetësoi Kadareja në këtë vepër. Ai shkruan për Piramidën e Madhe, të ndërtuar para 4500 vitesh. Vepra nuk tingëllon si Egjipti por si realiteti i sotëm. Marrë parasysh faktin se Kadare u rrit në një ambient si Shqipëria komuniste, Piramida është një parabolë për çdo lloj shtypje” shkruhet në rekomandimin e “Bento” për Kadarenë.

Romani nis me një bujë, e cila hedh dritë mbi strategjinë dhe patologjinë, mbi ironinë dhe melankolinë e këtij ndërtimi monumental.

Pak kohë pas ngritjes në fron, faraoni i ri kumton se nuk dëshiron që t’i ndërtohet një piramidë, e kjo gjë e vë në dëshpërim të thellë priftërinë më të lartë. Sepse, me këtë nuk vihet në pikëpyetje ngritja përfundimtare e mbretit tek yjet, por e rrezikon edhe arkitekturën e pushtetit të shtetit, mbi të cilën bazohet bindja pa kushte e popullit, shkruan Mapo.

Përveç Kadaresë, në këtë listë rekomandohet edhe libri “Persepolis” nga Marjane Satrapi, “Effi Briest” nga Theodor Fontane, “The Imperfect” nga Tom Rachman, “The Wave” nga Morton Rhue etj.