NDERIM PËR MËSUESIN

0
1253
Ndue Lazri

Ndue Lazri

Mësuesit të njohur Pjetër Brozi, që u nda këto ditë nga jeta

Nuk e di, sa herë që bie fjala për figurën e mësuesit, për ata që na morën për dore në rrugën e dijes, më vijnë ndër mend ato vargjet lapidar të poetit Llazar Siliqi;

Edhe kur kryet të na e mbulojnë thinjat,
në mendje do sjellim një emër nderues,
emrin e dashur por si fëmijëria,
emrin e thjeshtë, por të madh; MËSUES!

Më tingëllojnë aq të dashura këto vargje këto ditë, kur pikërisht në kokë janë shfaqur thinjat, siç thotë poeti, mësova për ndarjen nga jeta të njërit prej mësuesve të mi më të dashur, të viteve të shkollës fillore në fshatin tim të lindjes, intelektualit të mirënjohur Pjetër Brozi.

Emrin e tij e kam të lidhur me hapat e parë në fushën e dijes, kur sapo kishim lënë mënjanë abetaren, ende me pasigurinë e shkrimit bukur të germave shqipe, për të shfletuar librat e tjerë që do na shoqëronin në hapat drejt rritjes. Ai ishte nga fshati ynë, Gëziq në Mirditë, por kur kishte mbaruar studimet kishte filluar më parë punën në një fshat tjetër. Pastaj e transferuan në fshatin e lindjes. Në fshat ishim të gjithë si një familje e madhe, shkonim e vinim në gëzime e në fatkeqësi, në të mira e në nevojë. Por figurën e mësuesit e kishim të shenjtë. Respekti dhe ndrojtja përpara tij na bënte të ndërronim rrugë, jo nga frika, por se e shikonim disi ndryshe nga njerëzit e tjerë të familjes së tij, madje edhe të vetë prindërve të tij. Sepse ai ishte simboli i dijes në fshat, ai që secili nga ne të ulurit në banka me fletore përpara ëndërronim të bëheshim një ditë.

Mësues Pjetri ishte jo vetëm shembull i pedagogjisë profesionale në mësimdhënie, por edhe edukatori i pashoq, që na mesonte si të silleshim me njëri – tjetrin e sidomos si të respektonim e ndihmonim vajzat, por edhe respektin ndaj më të moshuarve, dashurinë për librin e për mësimet, por edhe dashurinë për punën. Ai na përgatiste me dashuri të merrnim pjesë në olimpiadat e matematikës në rreth apo në konkursin e recituesve dhe skolla jonë, shkolla e një fshati të vogël, arrinte gjithnjë rezultate të mira në konkurimet në shkallë rrethi, madje edhe deri në konkurimet për pikturë në liceun artistik në Tiranë. Shkoja mirë me mësime e ai insistonte që unë të recitoja, ndonëse nuk ja kisha idenë recitimit e nuk e mësova kurrë atë art, ishin të tjerë më të aftë se unë për atë punë.

Por ai dinte të zgjidhte talentet e vërtetë dhe pas shkollës fillore i nxiste të vazhdonin arsimin 8-vjeçar në Rrëshen e më pas të mesmen e përgjithshme e profsionale e na ndiqte deri në vajtjen në shkollat e larta. Dhe sot mund të them me krenari se nga ajo shkollë e vogël dhe e vjetër me mure të nxira (një nga 50 shkollat që kishte hapur në Mirditë Mësuesi Hero Ndrecë Ndue Gjoka) kanë dalë me dhjetra e dhjetra kuadro me arsim të lartë, mësues e inxhinierë, gazetarë e piktorë, pëunonjës të kulturës e të artit, juristë etj.,që kanë shërbyer në tërë anët e atdheut e shumë prej tyre tani ndodhen në të katër anët e globit si emigrantë.

Më kujtohet që mësues Pjetri dhe kolegu tjetër i tij, Mark Kol Frroku, na mësonin edhe si të merreshim me punët bujqësore dhe me zbukurimin e ambientit në shkollë, duke mbjellë lule. Më duket sikur i shoh edhe tani zambakët e shumtë që krijonin nje kornizë të mrekullueshme rretheçark oborrit dhe mureve të shkollës. Njëherë na zgjodhi 4-5 nxënës që të mbillnim nga një pemë për të cilën do kujdeseshim derisa të mbaronim shkollën. Mua më rastisi të mbillja një qershi. Viheshim në garë për t’i ujitur pemët tona duke marrë ujë në një përrua aty pranë, punonim tokën rreth trungut etj. Ato pemë u rritën bashkë me ne, u harlisën e lëshuan trup, filluan të bënin fruta aq të dashura që nxënësit i hanin në pranverë. Ne u rritëm, ikëm shkollave të larta e rrugëve të atdheut.

Ato pemë rriteshin e ishin përherë aty, anës xhadesë, ku udhetarët që prisnin të ndalej ndonjë makinë për të zbritur në qytet lagnin gojën me frutat e tyre të ëmbla. Ishin aty edhe kur ndërtesa e vjetër e shkollës u shemb dhe u ndërtua një e re më larg. Ashtu siç ishte edhe vreshti që e kishim mbjellë me dy mësuesit tanë dhe prodhonte një rrush shumë të mirë që i bënte mushtin e verën si nektar. Ndjeja mall e ndalesha sa herë shkoja tek prindërit gjatë viteve që punoja në Shkodër. Tashmë edhe mësues Pjetri e plot të tjerë që kaluan aty në atë shkollë, mësues nga Shkodra, Korça e Vlora, kishin qarkulluar për në shkolla të tjera. Por ai ambient që kishim krijuar mbetej përherë i mrekullueshëm e shembull edhe për krijimin e ambienteve rreth shtëpive tona.

Mësues Pjetri, me shembullin e tij, na mësonte edhe se si të bëheshim përçues të së resë në mënyrën e jetesës në fshat. Ishin fshatra të prapambetura e me një jetë të vështirë, por ne nxënësit e asaj shkolle u bëmë dallëndyshet e para të sjelljes së mënyrës qytetare të jetesës, të lidhjes së fejesave e martesave, të futjes së teknologjive të reja edhe në jetën shtëpiake të malësorëve etj.

Mësues Pjetri tani nuk është më. Por tek ne dhe tek të gjithë ata që e njohën e punuan me të, mbetet kujtimi i bukur dhe nderimi që nuk dhuhet kurrë.