LIBËR QË PORTRETIZON NJË MËSUES TË PËRKUSHTUAR

0
1892

REFLEKSIONE RRETH LIBRIT “ZEF SHKORRETI – MËSUESI HERO I KOHËS SË TIJ”, I AUTORIT NIKOLLË LOKA

Nikollë Loka: “Zef Shkorreti – Mësuesi hero i kohës së tij, botoi EMAL, Tiranë 2015.

Shkruan: Mikel GOJANI

Nikollë Loka, studiues nga Tirana, i njohur si poet, studiues në fushën letrare, shkencore dhe publicistike. Deri me tash ka botuar dhjetëra libra me poezi, studime publicistikë etj.

Studiuesi Loka, autor i veprës monografike “Zef Shkorreti mësuesi hero i kohës së tij”, nëpërmjet të cilit libër ka krijuar një vlerë në fushën e arsimit dhe edukimit tonë kombëtar. Në të vërtetë, kjo vepër i është kushtuar punonjësit të arsimit Zef Shkorreti, i cili me punën e vet, me ritme të pandërprera, një jetë të tërë pune të palodhshme, ia kushtoi arsimit dhe edukimit në shumë shkolla në Mirditë, duke shpërndarë rrezet e dijes dhe të arsimit në atë kohë, duke mbetur shembull i punës, angazhimit dhe i sakrificës së pashembullt për idealin e arsimit dhe kulturës sonë kombëtare.

Autori Loka, e ka fokusuar figurën e mësuesit Zef Shkorreti” në koordinatat historike të kohës, duke portretizuar këtë njeri të dritës dhe të arsimit. Mësuesi Zef Shkorreti bëri diçka të vlefshme. Ai, me një vetëdije të pakufishme, në kohë të vështira, me gjithë qenien e tij u angazhua në shuarjen e analfabetizmit në krahinën e Mirditës. Edhe pse jetoi shkurt, mirëpo la vepra me vlera për arsimin në Mirditë. Ai e kuptoi se beteja kundër analfabetizmit dhe edukimit kulturor i popullit është detyrim kombëtar, duke e kuptuar mesazhin rilindësve të shquar se “pa shkollë nuk ka dituri, pa dituri s’ka jetë”.

Librit i paraprin një mirënjohje e autorit Loka, duke vazhduar me një shkrim të Bardhok Pulës, drejtor i Drejtorisë së Qarkut Arsimore të Qarkut Lezhë, i cili ndër të tjera shprehet se Zef Shkorreti i përket atij brezi mësuesish kur abetareve dhe fletoreve e u vinte era barot, e kur atdheu më shumë se për çdo gjë tjetër ishte i etur për dije. “Kaq shumë kishte nevojë për dije sa mësuesve të kohës u është dashur të shkëlqejnë me intensitetin e meteorëve. Kështu mund të themi për Migjenin, Ndrecë Ndue Gjokën e pse jo edhe për Zef Shkorretin. Jeta e shkurtër i dha shkëlqim përmasës së veprës, përmasës së dashurisë dhe pasionit për shkollën, për mësuesit, për zhdukjen e analfabetizmit dhe përhapjen e dritës së diturisë”, pohon ndër të tjera, prof. Pula.

Autori Loka, përmes këtij libri vlerëson figurën e mësuesit

Ndërkaq, në fjalën e tij hyrës, autori Loka, thekson se Zef Shkorreti i përket atij brezi që përjetoi një rini të shkurtër e të vrullshme, mbushur me ëndrra për një jetë më të mirë. “Në përgjithësi, nga koha në kohë, shoqëria njerëzore e një vendi ka nevojë për shtresën e idealistëve dhe romantikëve për të kapërcyer më lehtë periudha të vështira. Guxoj të them se Shqipërisë nuk i ka ardhur brezi më i talentuar, më punëtor, më idealist se brezi që përjetoi sakrificat e viteve të para të pasçlirimit… Zefi, mësuesi ynë hyri në jetë me vullnetin për t’u shërbyer njerëzve. Ai bashkoi pasionin e tij me ëndrrat e fëmijëve të zonës së Gjegjanit dhe të Fanit, duke përhapur dije dhe kulturë dhe duke lënë vepër pas vetes.

Nxënësit e tij, personalitete të shquara në disa fusha, në Mirditë, Kukës, Pukë e në të gjithë Shqipërinë, e kujtojnë me respekt të thellë. Në kujtimet e tyre ata e përmendin si njeriun që u ka hapur portat e dijes dhe ka ndihmuar të ecin përpara në jetë. Kjo nuk është pak. Njerëzit ikin, por vepra e tyre mbetet. Në historinë e arsimit në Mirditë, Pukë e Kukës, Zefi e ka vendin e vet të merituar. Jeta ecën shumë përpara dhe njerëzit që përjetojnë horizonte të reja, kanë dëshirë t’i kujtojnë agimet e diellit. Mësuesi Zef Shkorreti ndihmoi në lindjen e një dite të re në Mirditë, prandaj mbetet i gjallë në kujtesën e historisë së arsimi të kësaj treve. Edhe ky libër është një homazh për jetën e tij, model prej qytetari të devotshëm atdhetar dhe një ftesë për ta vlerësuar. Koha i jep secilit atë që meriton, nganjëherë me vonesë, por kush la vepër pas vetes, jeton gjatë. Vepra e Zef Shkorretit e ka hapur kohën dhe tani po pret vlerësimin e saj”, shprehet ndër të tjera autori Loka.

Në veprën e tij, Zef Shkorreti – Mësuesi heroi i kohës së tij, autori Loka, shpalos vlerat njerëzore dhe profesionale të mësuesit të viteve të para të pasçlirimit. Kjo monografi, është konceptuar në disa kapituj, të cilët në vete ngërthejnë një tërësi unikale përmbajtjesore.

Mirdita një krahinë e lashtë që prek thellësitë e shekujve

Në kapitullin, Rreth prejardhjes, Nga e kanë prejardhjen Mirditorët? – autori Loka jep disa fakte dhe dëshmi historike rreth prejardhjes së mirditorëve dhe vetë emrit Mirditë, ku sipas autorit Loka, rreth prejardhjes së mirditorëve dhe emrit Mirditë ka shumë gojëdhëna dhe dokumente historike. Me këtë rast autori Loka pohon se duke u mbështetur në gojëdhëna Dom Nikollë Kimza shkruan:” Mirditë (Orosh, Spaç Kuzhnen), e kanë gojëdhanën se eshte rrjedhë prej fisit Marin (o Morinë). Këta tre bajrakë emnohen gjithmonë bajrakët e fisit. Tre bajrakët e fisit që rrjedhin prej njaj fisi e këndej njani-tjetrin e gthërrasi vëlla”. (fq. 10). Ndërkaq autori Loka, duke cituar Pashko Vasën në librin e tij “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan se “mirditorët e kanë prejardhjen prej Pashtrikut”. (fq.10).

Në vijim autori Loka po ashtu jep edhe disa të dhëna të tjera që flasin për origjinën e mirditorëve dhe Mirditën përgjithësisht. Sipas Lokës Mirdita si mbiemër ndeshet për të parën herë në kadastrën venedikase të Shkodrës, në fillim të shekullit XV. Pastaj edhe në regjistrin kadastral osman në shekullin XVI, pastaj po ashtu edhe në regjistrat osmane të Sanxhakut të Dukagjinit të viteve 1533-1536, 1571 dhe 1591. (fq.11). Ndërkaq si qendër e rëndësishme urbane të kësaj krahine paraqitet Blinishti. Autori prezanton diskutime rreth prejardhjes së Blinishtit; familjes princërore Blinishti në vite, fiset e Blinishtit, si dhe të dhëna të jtera të rëndësishme rreth këtij vendbanimi të lashtë që prek thellësitë e shekujve.

Kapitulli, vijues, Në luftë për liri, kundër pushtuesve turq, autori prezanton të dhëna interesante për rezistencën e kësaj popullate në luftë kundër pushtuesve otomanë. Autori dëshmon që krahina e Mirditës për pesëqind vjet nuk iu është nënshtruar pushtimit turk dhe se për kaq kohë nuk kanë lejuar vendosjen e administrimit të këtij pushteti në këtë krahinë. Autori në këtë pjesë të këtij libri flet për rezistencën e mirditorëve në luftëra me pushtuesit osmanë, duke filluar prej rezistencës së tyre në kryengritjet çlirimtare prej viteve 1499-1501, pastaj edhe të një sërë kryengritjesh tjera kundër vendosjes së sistemit të timarit në vitet 1515, 1565 dhe në vitin 1566.

Autori pasqyron edhe rezistencën e armatosur të kësaj krahine edhe në vitet në vazhdim, kryengritjen e viteve 1609 dhe 1648 duke potencuar edhe shumë emra dhe figura të rëndësishme të këtyre ngjarjeve të këtyre rezistencave kombëtare, si emrin e Gegë Dodës të Kacinarit, Pepë Kol Lleshit të Kthellës, Pepë Kol Pepën e Selitës, Bibë Gjocin e Oroshit, Tuc Boçin e Fanit etj. Pra, në këtë kapitull autori flet për mbrojtjen e autonomisë, kryengritjen e viteve 1862 dhe 1876-1877, luftën kundër serbëve dhe austriakëve, po ashtu edhe qëndresën e kësaj popullate gjatë pushtimi fashist dhe nazist.

Në kapitullin vijues “Qendër politike, ekonomike dhe kulturore”, autori na ofron një pasqyrë lakonike të për shumë ngjarje të rëndësishme të zhvilluara në këtë krahinë, si Kuvendet e Blinishtit, më 1598, kuvendin e Shpalit, më 1774, etj., që paraqesin ngjarje tepër të rëndësishme për këtë krahinë dhe popullatën e saj përgjithësisht. Autorin po ashtu këtë krahinë e paraqet si një qendër tepër të rëndësishme administrative, që u krijua më 1921 në nënprefekturën Mirditë me qendër në Reps, me nënprefektin Mark kapedanin, i cili më shumë qëndronte në Orosh. Nënprefekt në këtë periudhë delikate ishte Ndue Paluca, babai i artistes së Popullit, Marije Paluca – Kraja. Autori në vijim flet edhe për shumë ngjarje dhe figura të rëndësishme që janë zhvilluar, përkatësisht që kanë vepruar gjatë kësaj periudhe. Autori po ashtu flet edhe për gjendjen ekonomike. Autori po ashtu flet edhe për dijen dhe arsimin shqip në këtë kohë.

Përpjekje të hershme për shpërndarjen e rrezeve të dijes dhe të arsimit në Mirditë

Autori Loka, në vijim në kapitullin, “Historia e arsimit në Mirditë”, na shpalos të dhëna të rëndësishme të zhvillimit dhe të arsimit në krahinën e Mirditës, duke u fokusuar në organizimin e shkollave nëpër manastiret e qendrave benediktine, duke i vlerësuar këto qendra si çerdhe të rëndësishme të arsimit dhe shkollës shqipe në këto vite të hershme. Pra, në kushte tepër specifike është mbështetur ideja që të hapeshin shkolla shqipe pranë ipeshkëvive. Dhe sipas të dhënave faktografike, shkollat e para u hapën në Kurbin, Velë, Pëdhanë dhe Blinisht. Autori jep faktin e themelimit të shkollës shqipe nga Propaganda Fide shqipe në Velë, më 1751, në rezidencën Ipeshkvore, ku rol kryesore për hapjen e kësaj shkolle ka luajtur ipeshkvi, Imzot Gjergj Vladanji.

Në vijim autori flet edhe për hapjen e shkollës shqipe në Orosh më 1889, ku mësues i parë ishte Dom Zef Marashi. Autori Loka, në vijim po ashtu flet edhe për hapjen e shkollave të tjera shqipe në këtë krahinë, si Kashnjet, Rubik, Gomsiqe, Fanë, Perlat, Bozhiq, Bushkash, Rrëshen, Kuzhnen, Simon etj. Autori, po ashtu flet për arsimin gjatë pushtimit fashist, po ashtu njëherësh edhe për zhvillimin dhe përparimin e arsimit të këtë krahinë në periudhën e pasçlirimit të vendit. Po ashtu autori Loka për këto periudha të zhvillimit të arsimit prezanton edhe shumë figura të arsimit dhe të edukimit, kontribuues të këtij zhvillimi, të cilët në rrugën e shkronjave dhe arsimit shqip kanë lënë gjurmë të thella dhe përjetshme.

Autori i librit Nikoll Loka i kushton një vëmendje të veçantë vendlindjes se mësuesit Zef Shkorreti dhe njerëzve të dëgjuar të Shkorretit duke përfshirë në një kapitull të veçantë në vijim autori thekson :“Shkorreti është i vendosur në një shpat buzë lumit të Fanit përballë me qytezën e Repsit, mbi rrugën që shkon për Spaç. Shtëpitë janë të vendosura afër njëra-tjetrës sa të krijohet ideja se ke të bësh me një lagje qyteti. Çdo shtëpi ka vetëm një oborr dhe një kopsht, ndërsa pjesa tjetër e tokës është poshtë lagjes. Ndërmjet shtëpive ka rrugë të ngushta, diku me mure a me gardhe, ku kalojnë këmbësorët dhe tufat e bagëtive. Është një pamje krejt tjetër nga sa shihet përgjatë luginës në lagjet tjera, çka e bën të duket e veçantë, si një qytet në miniaturë. Gojëdhënat përcjellin akte trimërie të shkorretasve që lanë gjurmë në Blinisht e më gjerë”. (fq.62).

Kështu, shprehet autori Loka, duke përshkruar peizazhin magjeps të këtij fshati, Shkorretit, vendlindja e mësuesit Zef Shkorreti. Në vijim të këtij kapitulli autori paraqet rrugën historike qysh nga thellësitë e shekujve të këtij vendbanimi të lashtë, po ashtu paraqet edhe shumë ngjarje dhe figura të personaliteteve të shquara të këtij vendi të m beten të pashlyera në historiografinë tonë. Autori me këtë rast, flet për Shkorretin dhe banorët e tij, për kufijtë e Shkorretit, toponimet e këtij fshati; potencon emra dhe figura të personaliteteve të këtij fshati, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në fusha të ndryshme, si Tuka Jakova, Kolë Jakova, Fran Jakova, Filip Jakova, Prenkë Jakova, Stak Mark Shkorreti,me djemtë e nipat, Mark Përpali, Zef Ndrec Ndoj, Ndue Zef Gjini, i njohur si Ndue Shkorreti, Pjetër Nikoll Doda etj.

Mendoj që në këtë shkrim është më vlerë ashtu si trajtova më lart në kapitujt e këtij libri t’i referohem autorit Loka lidhur me personalitete në origjinë nga Shkorreti, që kanë lënë emër e vepër, por edhe jetën në aktivitetin e tyre për interesa kombëtare. Në vijim të kapitullit “Shkorretas të njohur”, autori Loka në librin e tij “Zef Shkorreti – Mësuesi Hero i kohës së Tij- f.71-shkruan: ‘’Personalitetet e vëllazërisë Shkorreti gjenden lehtë, sepse dikush ka ruajtur mbiemrin e vëllazërisë dhe të tjerët kanë ruajtur të gjallë kujtimin e prejardhjes. Kanë dale familjet e shquara Jakova dhe Shkorreti, e para e njohur në të gjithë Shqipërinë, dhe tjetra e njohur në të gjithë Kosovën.

I ati i Stakës, Marku, zbriti nga Shkorreti në Shkodër në fillim të shekullit XIX dhe ushtroi në atë qytet zejen e armëtarit. Stak Mirdita i përkiste sofrës së parisë shqiptare të Prishtinës dhefamilja e tij hynte në radhën e më të pasurave të Prishtinës. Familja e Stak Mirditës i dha kombit gjashtë dëshmorë. Renditja e tyre është bërë sipas periudhës së vrasjes: Rrok Mark Stak Mirditën, Stak Mark Mirditën, Mark Stak Mirditën, Mikel Stak Mirditën, Stak Mark Stak Mirditën dhe Luz Stak Mark Mirditën. Për këtë familje ka shkruar më gjatë profesor Muharrem Pirraku, libri “Martirët e Shqipërisë Etnike nga Dera Stakë Mirditës në Kujtesën Historike”.

Nisur hulumtimet që kam bërë në fund shkeullit XIX dhe fillimi shkeullit XX ishte periudha e lëvizjeve migruese si asnjëherë tjetër në Shqipëri, duke u quajtur periudha e shpërhtimit të emigrimit të shqiptarëve për nevoja ekonomike.Një dukuri e tillë ka prekur edhe Mirditen në këtë hark kohor ,ku një pjesë e popullsisë u vendosën në fushat bregdetare të Lezhes dhe Kurbinit,Mnele dhe një pjesë në Kosovë në Rrafshin e Dukagjinit ,e nga kjo situate u ndikua edhe popullsia e Shkorretit dhe e Blinishtit. Nga literatuara e hulumtuar për vëzhgimin e bërë në vënd të përbërjes së vëllazërive Bishtazhin, Smaq, Ujizi, Kushavec, Pjetrushan, Kusar, Marmulli etj., rezulton se në këto fshatra banonjë vëllazëri të tëra mirditore, të dyndura nga Mirdita, e kemi sot në Pjetrushan familjet Nikolla, Ndreca, Shkorreti, Simoni, Prendi; në Kusar familjet Shkorretaj, Përndrecaj; në Marmull, familjet Nikollaj, Prendaj, Demaj; në Ujëzi familjet Preci ,Vorfi. Gjithashtu ka edhe nga fshatra të tjerë si Kushneni , Spaçi, Oroshi, Fandi. Duke qënë se në këtë shkrim dua të paraqes refleksione rreth librit të autorit Nikoll Loka për Zef Shkorretin Mesuesi Hero i Kohës së tij, ngulmova të trajtoj më shumë për ato banorë qëkanë lidhje me Shkorretin dhe Blinishtin në Mirditë.

Mësuesi Zef Shkorreti u angazhua si mësues misionar për dhënien e dritës së dijes

Në kapitullin “Në pavdekësinë e veprës së vet” , autori Loka pasqyron rrugën jetësore të tij, qysh nga fëmijëria (i lindur më 1918), shkollimi i tij, në Orosh, që ishte shkolla më e avancuar në atë kohë në atë krahinë, duke u regjistruar në Konviktin e Oroshit, ndërsa studimet i kreu në vitin 1935. Sipas autorit nga bajraku i Kuzhnenit këtë shkollë e kanë përfunduar edhe Prengë Kolë Pjetri, Frrok Gjergj Sherri, Gjon Mark Leti, Gjin Ndrec Nikolli, Frrok Dedë Frroku, Mark Ndue Sumaj, Ndue Prengë Perbibaj, Preng Ndue Prenga, Ndue Zef Gjini, Pjetër Ndue Prenga e të tjerë.

Mësuesit të Internatit të Oroshit ishin nga më të kualifikuarit në vend, si Kolë Dema, mësues në Orosh dhe drejtor i parë i Internatit të Oroshit, i cili kishte përfunduar studimet në Vjenë, Engjëll Ndoca, kishte mbaruar gjimnazin klasik jezuit dhe njihet italishten dhe latinishten, Tefë Kuçana dhe Kolë Kosmaçi, të cilët kishin përfunduar Normalen e Elbasanit, Lazër Kakarriqi, pati përfunduar studimet në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, Palok Traboini, po ashtu Normalen, Lazër Sekuj po ashtu Normalen e Elbasanit, Ndoc Kujxhia kishte përfunduar Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, Zef Mark Araoi, Kolegjin Severian, njohës i latinishtes, italishtes dhe frëngjishtes, drejtor i Internatit të Oroshit, Zef Doda përfundoi degën Normale të Gjimnazit të Shtetit në Shkodër dhe njihte italishten dhe frëngjishten etj.

Kështu që është tepër e rëndësishme dhe me vlerë një fakt që lidhet edhe me emrin e mësuesit Zef Shkorreti, sepse ai pati fatin që në këtë shkollë të jetë bashkënxënës me figura dhe personalitete shumë të shquara të arsimit dhe të kulturës kombëtare, si Bardhok Biba, Ndrecë Ndue Gjoka, Ndue Gjin Tuçi, Lekë Margjini, Frrok Pjetër Gega, Prengë Ndue Prenga, Zef Vorf Neka, Prengë Pepa, Mark Dudi, Pal Nikollë Marku, Pashk Llusku, Zef Ndue Prenga, Pjetër Kadeli, Dodë Pjetër Ndoj, Frrok Margjoni, Ndrecë Preng Nikolli, Dodë Lleshi Doçi etj. Sipas autorit, vitet e shkollimit të Zef Shkorretit në shkollën e Oroshit kanë ndikuar thellësisht në edukimi dhe formimin e tij se personalitet, i cili gjatë tërë jetës së tij, edhe pse e shkurtër, por shumë e begatë, ruajti përkushtimin dhe respektin ndaj mësuesve të tij, duke i shërbyer më vonë, gjatë punës së tij, po ashtu si mësues, si model në punë dhe angazhimin e tij me nxënës, duke përcjellë tek nxënësit e tij një model të përkushtuar dhe të veçantë mësuesi dhe pedagogu për kohën.

Përfundimi i shkollës në Orosh së bashku me shokë të tjerë që u bënë të dëgjuar në Mirditë dhe njohja nga afër me Bardhok Bibën dhe Ndrecë Ndue Gjokën; përfundimi i një kursi në Romë – Itali në vitet 1939 -1940 në shkollën e karabinierisë i dhanë mundësinë që Zefi të punësohej në Administratën e Shtetit në Shpal Mirditë. Autori Loka në vijim do të shprehej në librin e tij: “Puna e administratës kërkonte dhe besueshmëri të madhe dhe prandaj regjimi i ri nuk u mbështet tek elementët që shiheshin me dyshim. Vetë Bardhok Biba i kishte propozuar Zef Shkorretit që si njeri i shkolluar dhe me kurs të mbaruar në Itali të punonte si daktilografist në Administratën e Komitetit Ekzekutiv të Nënprefekturës.

Që në mbledhjen e parë të Këshillit të Gjanë nacional-çlirimtar të Nënprefekturës së Mirditës, Zef Shkorreti është bërë pjesë e stafit drejtues, duke kryer detyrën e daktilografistit, ku punoi deri në fund të prillit të vitit 1947. Zefi ishte mjaft komunikues me popullin dhe u zgjidhte hallet e tyre në përputhje me detyrën që kishte. “Gjatë kësaj periudhe Zefi u përfshi dhe në drejtimin e kurseve kundër analfabetizmit në fshatin e Blinishtit, si rezultat i arsimimit, i nevojës për mësues në atë kohë dhe këtij kontributi, në prill të vitit 1947 u përfshi në radhët e arsimtarëve të Mirditës”. (F. 92).

Pjesa më e rëndësishme dhe pothuaj objektivi kryesor i pasqyrimit të figurës së mësuesit Zef Shkorreti, ngërthen te kapitulli vijues i këtij libri i titulluar, “Misionari i arsimit”. Me këtë rast, autori Loka na pasqyron punën dhe angazhimin e mësuesit Zef Shkorreti si pishtar i arsimit, duke shpërndarë rreze të dijes dhe të diturisë në shumë shkolla të kësaj zone. Në vitin 1947 uemëruar nga Komiteti Ekzekutiv i Prefekturës së Shkodrës mësues në fshatin Shkozë, duke zevendësuar mësuesin Prengë Ndue Nikolli, i cili për shkaqe shëndetësore ishte i detyruar që të largohet nga ky mision. Mësuesi Zef në këtë shkollë mësonte klasën e dytë dhe të katërt dhe kishte një numër të konsiderueshëm të nxënësve të cilët vinin nga disa fshatra.

Ai në këtë shkollë la përshtypje të pashlyeshme tek nxënësit që ai i mësoi. Në atë kohë kushtet ishin të vështira, nxënësve u mungoni fletoret, lapsat dhe mjetet tjera të nevojshme për mësim. Frytet e punës së mësuesit Zef Shkorreti dhe të mësuesve të tjerë të cilët punuan në këtë shkollë bënë që nga ky fshat të dalin intelektualë dhe personalitete të shquara. Më vonë mësuesin Zef e gjejmë shpërndarës i rrezeve të dijes në fshatin Gjegjan. Shkolla atje ishte themeluar në mars të vitit 1945 dhe për tre vjet mësim kishte dhënë mësuesi Pjetër Frrok Zefi. Për shkak të numrit të madh të nxënësve u kërkua angazhimi edhe i dy mësuesve të tjerë.

Meqenëse mësuesi Pjetër u transferua në një shkollë tjetër, mësuesi Zef Shkorreti në këtë shkollë punoi së bashku me Llesh Gjin Frrokun. Shkolla kishte katër klasa me nga 30 nxënës. Mësuesi Zef mësonte klasën e parë dhe të tretë, ndërsa mësuesi Llesh klasën e dytë dhe të katërt. Në këtë shkollë mësimet i vijonin fëmijët e fshatrave Kuzhnen, Rras, Dom dhe Gojani Vogël. Mësuesi Zef në këtë shkollë punoi me zellin dhe përkushtimin më të madh, vetëm e vetëm që brezat e rinj të kësaj zone dhe më gjerë të marrin dije dhe dituri. Disa nga nxënësit që ka mësuar mësuesi Zef në këtë shkollë, janë si Frrok Haxia, Ndue Tafa, Gjon Zef Pera, Dedë Llesh Deda, Ndue Përdeda, Ndrekë Mhill Doda, Kolë Vorfi etj. Më pastaj mësuesin Zef e gjejmë mësues në shkollat e Fanit.

Në këtë shkrim është e rëndësishme të theksohet se në këtë fis kishte tre mësues: Zef Shkorreti, Ndue Shkorreti (Ndue Zef Gjni kushëri i tij), dhe në vitin 1952 edhe Fran Ndrecaj (Fran Ndue Gjeta ), shkorretas, i cili për 3 vite dha kontributin e tij në arsim, më vonë kaloi në detyra të tjera në rreth, po kështu ka kontribut në drejtim të kurseve kundër analfabetizmit edhe Llesh Marku, nipi i mësuesit Zef, i cili për një periudhë të shkurtër iu përkushtua kësaj detyre. Kjo tregon se kemi të bëjmë me njerëz të përkushtuar dhe kontribuues me rëndësi në ato vite tepër të vështira në përhapjen e rrezeve të dritës së diturisë për popullatën që ishte gati krejtësisht analfabet.

“Me ndarjen administrative në vitin 1949 Fani kaloi me Kuksin, ndërsa zona e Gjegjanit me Pukën. Në të vërtetë ndarja administrative ishte bërë pasi kishte filluar viti shkollor dhe mësuesit e Fanit kaluan në mes të vitit në varësi të Seksionit të Arsimit të Kukësit. Për sa kohë Fani ishte me Mirditën, transferimi i Zefit nga Gjugjani në Fanë duhet të jetë bërë në kuadrin e transferimeve të fillimit të vitit shkollor. Në atë periudhë, para fillimit të çdo viti shkollor, bëheshin qarkullime të shpeshta kuadri me arsye nga më të ndryshmet”. (fq 116). Mësuesi Zef u emërua mësues në Shëngjin. Edhe në këtë shkollë mësuesi Zef me nxënësit punoi me përkushtimin me të madh. Takti i tij prej një pedagogu të shquar ishte për t’u admiruar.

Nga mësimet që iu ka dhënë mësuesi Zef nxënësve të kësaj shkolle, shumë prej tyre kanë dalë kuadro të arrira në shumë fusha të jetës. Në vitin 1960, mësuesi Zef Shkorreti prej shkollës së Shëngjinit ishte transferuar në shkollën e Zall Xhuxhës. Edhe në këtë shkollë u shqua si një mësues i vyer dhe i përkushtuar. Gjatë kohës ndërsa jepte mësim nxënësve të fshatit Klos, gjendja e tij shëndetësore iu vështirësua, duke e përcjellë për një kohë bukur të gjatë, derisa u shua më 27 gusht 1963, duke mbetur i përjetësuar në historinë e arsimit në Mirditë e më gjerë.

Mësuesi Zef Shkorreti mbetet fanar i përjetësuar e arsimit dhe edukimit shqip

Në vazhdën e këtij libri, kapitull shumë i veçantë dhe i rëndësishëm paraqet një pjesë shtesë të titulluar, “Zef Shkorreti në kujtesën e mësuesve dhe të nxënësve”, me ç’rast ish-kolegë dhe ish-nxënës të tij veçojnë edhe shumë vlerësime të shumë njohësve të jetës dhe të veprës së mësuesit të cilët, të cilët me respektin dhe admirimin më të madh flasin për këtë shëmbëlltyrë të arsimit dhe kulturës sonë kombëtare. Janë emrat, si Pjetër Nikollë Doda, Fran Ndue Gjeta, Ndue Skana, Preng Mark Lleshi, Preç Hila, Mark Boçi, Frrok Haxhia, Mark Prendi, Gjergj Gjoni, Bardhok Përnoca, Zef Bushati, Dodë Përshqefa, Nikollë Ndreca, Llesh Marleka, Gjon Gjeçi, Prend Boçi, Pashk Vokrri, Gjon Mark Lazri, Preng Preçi, Zef Laloshi, Sadik Leka etj., të cilët evokojnë shumë kujtime nga jeta e përbashkët në shkollë dhe kudo tjetër me mësuesin Zef Shkorreti, duke e vlerësuar lartë shëmbëlltyrën e tij prej një mësuesi tepër unikat të arsimit dhe edukimit shqip.

Në vijim kemi një poezi përkushtimore për mësuesin Zef Shkorreti, të shkruar nga biri i tij, Mark Zef Marku, që titullohet: “Dedikim Babait tim”: Dua të flas për ty,/ fjalët nuk m’i nxjerr goja,/ dua të shkruaj për ty,/ gishtat më shikojnë me përçmim,/ e dinë që s’jam i aftë,/ të ngre në piedestalin tënd,/ po zoti, dëshira, vullneti/ E shokë tu më ndihmojnë,/ se e dinë sa punë/ duhet për ta përqafuar imazhin tënd!…/Më mungon veç trupi yt,/ i tretur na varr,/ ndërsa shpirtin ta ndej/ tek çdo yll që digjet,/ në një copë qiell,/ nga Gjegjani në Fanë,/ ti ua fal mëngjeseve dritën./Në çdo shtatë mars,/ e nis një kujtim,/ për të gjithë mësuesit/ që më nxorën në jetë,/por së pari ta dërgoj ty/ babai im,/ me mirënjohjen e fëmijës, për prindin e vet! (Poezia, Dedikim Babait tim, fq. 200).

Zef Shkorreti është njëri ndër mësuesit e parë të Mirditës. Mësuesit e parë nuk lanë që drita e ndezur prej Mësuesit të Popullit Ndrecë Ndue Gjokës, për zhvillimin e diturisë dhe arsimimin e nxënësve të popullit të shuhej, sepse e kuptuan, se vetëm me arsim mund të ecet përpara drejt zhvillimit të shoqërisë shqiptare; vetëm duke mësuar do të zhdukej errësira e paditurisë që kishte mbuluar vendin. Ndryshe nga të tjerë kolegë të brezit të vet që jetuan gjatë dhe patën mundësi ta kujtojnë punën e tyre të mbushur me ngjarje e arritje, ai vdiq kur ishte ende në detyrë. E ndërpreu rrugën në mes, duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, me fëmijë të vegjël, të mbetur jetimë, që prisnin të hynin në shkollë dhe kërkonin ndihmë, por fatkeqësisht do t’i ngjisnin rrugët e jetës pa u mbështetur te babai i tyre. Ai kujtohet si mësuesi që vdiq në krye të detyrës dhe pas Ndrecë Ndue Gjokës, është i pari në zonën e Fanit që i dha një dimension të ri profesionit të mësuesit, si njeri që sakrifikon për të ardhmen, sakrificë që shprehet në përkushtimin ndaj familjes, punës dhe shoqërisë.

Libri kushtuar mësuesit Zef Shkorreti sjell rastin të kërkohet pranë organeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal për vlerësimin e veprës së tij. “Nderimi për punën që ke bërë është vetë puna”, ka thënë filozofi Ralph Waldo Emerson. Pra, Zef Shkorreti e ka të gjithë mirënjohjen e mësuesve, prindërve, dhe nxënësve në shkollat ku ka punuar. Në Mirënjohje të figurës së veprës së tij, me Vendim, nr. 11, më datë 15.5.2015, Këshilli i Komunës Orosh i ka dhënë titullin – Nderi i Oroshit, Zef Frrok Marku (Shkorreti ) pas vdekjes “ Për kontribute dhe vlera në fushën arsimore e kulturore në Orosh Mirditë”.

Libri përmbyllet me një literaturë të pasur, po ashtu edhe një aneks-shtojce me faksimile dhe fotografi të ndryshme, mirëpo që pasqyrojnë shumëçka nga jeta dhe veprimtari e mësuesit Zef Shkorreti. .

Në vend të përfundimit: Monografia “Zef Shkorreti – Mësuesi hero i kohës së tij”, e botuar në këtë formë konceptimi, ngërthen një strukturë dhe metodë tepër të arrirë shkencore , që duhet t`i ketë një studim monografik me karakter publicistiko-shkencor, ku përfshihet veprimtaria jetësore e një iluministi të shquar, që simbolizon figurën e një pishtari të denjë të arsimit në Mirditë dhe Kukës.

Vepra monografike në shqyrtim është shkruar me një kulturë të përsosur shkrimore dhe mund të quhet një shëmbëllesë dhe model krijues monografik. Kjo vepër monografike, përfaqëson një monument kulturor të arsimit tonë kombëtar, e cila mban prush në zemër e në mendje dëshirat e idealet, synimet e qëllimet mbarëkombëtare, për të cilën kishte punuar dhe ishte angazhuar gjatë tërë jetës mësuesi Zef Shkorreti.

Mendoj se kjo monografi do të jetë me interes për shumë gjenerata, nxënës e studentë, lexues mësues dhe studiues të arsimit e të kulturës sonë kombëtare.