Gjithçka që duhet të dini rreth Kancerit të Gjirit. Dallimi midis Kisteve dhe Tumorëve

0
5231
Kanceri i gjirit

WeSpeakScience.com, 1 nëntor 2016

Kush e di se sa femra bien në panik kur shikojnë një gungë në gji. Qindra pyetje të vijnë ndërmend në ato çaste, çfarë është kjo gungë? Pse ka dalë? Si është formuar? Vallë, a është e keqe?! Mos vallë është….?! Jo. Pse mund të shfaqet edhe në këtë moshë?! Mos, si do t’ia bëjë tani? T’iu tregojë familjes time, njerëzve të mi? Jo, pse ti alarmojë. Në fillim duhet të zbulojë se për çfarë bëhet fjalë. Po si t’ja bëjë ku të drejtohem? Çfarë analizash duhet të bëjë? Pikërisht këtyre pyetjeve do t’iu përgjigjemi ne nëpërmjet këtij artikulli.

Kanceri gjirit është një rritje e pakontrolluar e qelizave jonormale (që kanë pësuar mutacione) të indeve të gjirit. Këto qeliza në fillim grumbullohen në një vend dhe formojnë një tumor i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Nëse nuk trajtohet, këto qeliza të jo normale mund të përhapen dhe të dëmtojnë apo të shkatërrojnë indet normale që ndodhen përreth. Ato mund të përhapen gjithashtu, edhe në pjesët më të largëta të trupit nëpërmjet sistemit të qarkullimit të gjakut ose nëpërmjet sistemit limfatik.

Kanceri i gjirit është një rrezik i vazhdueshëm i femrave, ai zë vendin e parë në shkaqet e vdekjeve tek femrat në Shqipëri dhe vendin e dytë në botë. Sipas statistikave në botë prej kancerit të gjirit preken rreth 2 milion femra. Ndërsa në Shqipëri preken rreth 350-400 femra çdo vit.

Figura 1. Paraqet pacient me kancer gjiri

Paniku i përhapur nga njerzit në momentin që zbulojnë një gungë është shumë i madh saqë çdo gjë iu duket e keqe. Por duhet të dimë që në gji mund të krijohen shumë lloj formacionesh që mund të kenë rrezikshmëri ose jo. Një ndër këto formacione apo gunga që përhapen shpesh në gji janë kistet. Atëherë, si ta dallojmë në qoftë se kjo gungë e shfaqur në gji është thjeshtë një kist apo tumor? Si mund ta diagnostikojmë? Për këtë le të shpjegojmë më parë se çfarë është një kist dhe një tumor dhe se si ndryshojnë ata nga njëri tjetri.

Kistet janë lezione të mbushura me fluid, ajër apo material tjerë, shpesh duke i bërë ata disi të butë kur preken. Kistet mund të formohen kudo në trup, duke përfshirë kockat, organet dhe indet e buta. Kistet mund të shkaktohen nga shumë faktorë të tillë si: infeksionet, prodhimi i tepërt nga gjëndrat dhjamore, sëmundjet kronike inflamatore, hormonet, pengesa në rrjedhën e lëngjeve apo trupave të huaj. Më së shpeshti, gjenden në femrat mes moshave 35-50 vjeç.

Disa kiste janë zbuluar gjatë vetëkontrollit fizik, ndërsa të tjerët kërkojnë diagnostikim me anë të imazheve radiologjike. Kistet janë më së shpeshti beninj (dmth, jo kanceroz), por mund të jenë tregues të problemeve më serioze në vende të tjera dhe mund të paraqesin rrezik për shëndetin nëse ata çahen. Për këtë arsye, shumë mjekë rekomandojnë heqjen e tyre. Edhe pse nëse një kist ka një madhësi të kontrolluar dhe nuk përmban material të dëmshëm mjekët rekomandojnë mos heqjen e tyre

Ndërsa në ndryshim nga kistet, tumoret janë masa qelizore jo normale që mund të rriten në pothuajse çdo pjesë të trupit. Edhe pse qelizat tumorale zakonisht rriten më shpejt se qelizat normale, jo të gjithë tumoret janë të dëmshme. Tumoret beninj (apo zakonisht siç njihen nga njerëzit si tumoret “mashkull”) nuk janë të rrezikshëm. Rrezikshmëria e tyre rritet nëse ata nuk trajtohen, duke u kthyer në tumore malinje. Tumoret malinje (kancerat apo siç njihen zakonisht nga njerëzit tumoret “femra”) mund të paraqesin rrezikshmëri të lartë për shëndetin, duke pushtuar indet përreth tyre. Kanceri i gjirit ka tendencë të përhapet përmes enëve limfatike në mushkëri, kocka, dhe vezore. Ndonjëherë kanceri shfaqet në një vend të largët nga kanceri primar. Kjo është edhe arsyeja pse mjekët rekomandojnë kryerjen e biopsis për të përcaktuar natyrën e tumorit.

Është e rëndësishme që ne të gjithë të jemi të familjarizuar me faktorët e rrezikut, të cilët ndikojnë në rritjen e probabilitetit për të zhvilluar kancer gjiri. Duke ditur se për çfarë faktorësh rrezikut bëhet fjalë, jemi më të ndërgjegjshëm të kryejmë ekzaminimet në kohën e duhur, duke filluar që nga vetë ekzaminimi i gjirit dhe më pas kryerja e mamografisë. Të gjithë këto masa kontribuojnë ndjeshëm në uljen e vdekjeve nga kanceri i gjirit. Më poshtë rendisim disa nga faktorët predispozues që rritin rrezikun për kancerin e gjiri:

Faktori më i madh predispozues është ai i të qënit femër. Krahasuar me numrin shumë të ulët të zhvillimit të kancerit te meshkujt.

78% e kancerit invaziv të gjirit zhvillohet në femrat me moshë mbi 50 vjeç ndërsa 17% të rasteve ndodhin në femrat me moshë 40 vjeç.

5-10% e kancerit të gjirit kanë një gjen mutant të njohur. Disa markera gjenetikë janë gjetur gjatë viteve; prej tyre gjenet e kancerit të gjirit BRCA1 dhe BRCA2 janë më të rëndësishme. Gjenet BRCA1 dhe BRCA2 janë gjene tumor supresor, dhe që gjenden të lokalizuar respektivisht BRCA1 në kromozomin 17 dhe BRCA2 në kromozomin 13. Këto gjene të mutuar janë nënndarë duke çuar rrezikun në popullatë të prekjes nga kanceri i gjirit nga 5-10%. Personat që trashëgojnë këto gjene mutante kanë një rrezik prej 80% për tu prekur nga kanceri i gjirit. Markera të tjerë gjenetikë janë gjeni ATM (ataxia-telangiectasia mutation), CHEK-2, dhe gjene tumor supresor p53; të gjitha këta janë të lidhur me rritjen e rrezikut të kancerit.

Histori familjare me të afërm të prekur nga ndonjë lloj kanceri, veçanërisht ata që mund të kenë qënë me kancer gji. Rreth 20-30% e rasteve të reja, kanë një të afërm me kancerin e gjirit. Rreziku i lidhur me të paturit e një të afërm me kancerin e gjirit paraqitet si më poshtë:

Rritet në qoftë se dy ose më shumë të afërm kanë pasur kancer gjiri ose kancer të vezoreve, ose të dy kancerat së bashku.
Rritet në qoftë se kanceri i gjirit i të afërmve (gjyshja, nëna, halla, apo motra) ka ndodhur para moshës 50 vjeç,
Rritet në qoftë se një i afërm mashkull ka pasur kancer gji, apo të afërm me ndonjë prej dy kancerave.
Rritet në qoftë se ju keni një histori familjare me Sindromën Li-Fraumeni ose Cowden.

Dyfishohet rreziku te një femër që ka të afërm të shkallës së parë me kanceri gji, p.sh. nëna, motra ose vajza.
Pesëfishohet në qoftë se ka dy të afërm të shkallës së parë (p.sh. nëna dhe një motër) me kancer gjiri.
Histori personal me kancer gji, p.sh. Zbulimi i kancerit të gjirit vetëm në një gji, rrit rrezikun për kancerin në gjirin tjerë. Prandaj, është e këshillueshme kontrolli i vazhdueshëm i gjirit tjetër siç përcaktohet nga mjeku. Zhvillim i një kancer gji të ri po në të njëjtin gji, është gjithashtu një mundësi rreziku e lartë.

Prania e lezioneve proliferative jo tipike ose tipike gjatë biopsisë. Si Adenoma, Fibroadenoma, Hiperplazi duktale, Papilloma ose Hiperplazi duktale atipike (ADH), Hiperplazi lobulare atipike (ALH).

Terapia me rrezatim në kraharor apo gji, sidomos në moshat e reja.
Fillimi i ciklit menstrual para moshës 12 vjeç, apo zgjatja e tij përtej moshës 55 vjeç.

Lindja e fëmijës së parë pas moshës 30 vjeç, apo ato femra që nuk kanë lindur fëmijë kanë rrezik në rritje për të zhvilluar kancer gjiri. Ndërsa është parë që ato femra që lindin fëmijë para moshës 30 vjeç; femra që lindin fëmijë binjak apo më shumë; femra që ushqejnë fëmijët me gji kanë një një rrezik më të ulët për të pasur kancer gjiri.

Ekspozimi terapeutik ndaj diethylstilbestrol (DES), gjatë shtatzënisë apo gjatë ngjizjes është faktorë predispozuar për tu zhvilluar kancer gji.

Përdorimi i kontraceptivëve oral rrit rrezikun për kancer gjiri.

Përdorimi i terapinë së zëvendësimit të hormoneve pas menopauzës (postmenopausal hormone replacement therapy -HRT). Studimet e kryera së fundmi nga OBSH-ja dhe studime të shumta të kryera në Britaninë e Madhe kanë treguar se ky trajtim hormonal gjatë menopauzës zvogëlon efektivitetin e mamografisë. Duke patur parasysh rëndësinë e mamografisë si mjet diagnostikues që identifikon lezione të vogla dhe indikon mjekun për ti diagnostikuar këto lezione me biopsi. Një rezultat i biopsisë së këtyre lezioneve së bashku me imazhin radiografike janë ato që sigurojnë një diagnozë definitive.

Në anën tjetër PHT (postmenopausal hormone therapy) kontribuon në një rritje të konsiderueshme të numrit të gjetjeve të pseudo-formave gjatë mamografisë. Pra duke çuar në një diagnozë jo të duhur, dhe duke shtyrë trajtimin në mënyrë të konsiderueshme. Studimet gjithashtu tregojnë se femrat që trajtohen me PHT kanë më shumë gjasa të vdesin nga kanceri i gjirit, kur ato kanë përdorur PHT brenda 5 viteve të zbulimit të kancerit të gjirit. Rritja e rrezikut për kancer gjiri për shkak të PHT zhduket brenda 5 viteve nga moment i mos përdorit të saj. Nga ana tjetër, ERT ka treguar se nuk paraqet një rritje të rrezikut për kanceri gji.

Konsumi i tepërt i alkoolit.

Mendohet se edhe obeziteti, sidomos pas menopauzës është një faktorë riskus për të zhvilluar kancer të gjirit. Ovaret prodhojnë sasinë më të madhe të estrogjenit, por edhe indi dhjamor prodhon një sasi të vogël të estrogjenit, kështu që balanci i nivelit të estrogjenit, me rritjen e peshës trupore pas menopauzës, rritet dhe kjo gjëndje çon në rritjen e rrezikut për kancer të gjirit.

Jeta jo aktive ndikon në rritjen e rrezikut për kancer gjiri. Studimet kanë treguar se femër që kryen një jetë aktive, qoftë edhe me ecje të shpejtë apo vrap, janë me pak të rrezikuara nga kanceri i gjirit.

Njohja me llojet e kancerit të gjirit është e rëndësishme për të kuptuar mundësitë e trajtimit. Kanceri i gjirit ndahet në dy grupe karcinoma duktale dhe karcinoma lobulare. Karcinoma duktale – Kanceri i gjirit i cili që fillon në duktet (kanalet) e qumështit të gjirit. Shtatë në çdo 10 gra me kancer të gjirit kanë karcinom duktale. Këto karcinoma duktale mund të jenë jo invaziv (kanceri nuk përhapet jashtë këtyre kanaleve) ose invaziv (i cili ka filluar në një kanal të qumështit, ka dëmtuar muret e kanalit dhe është përhapur në indet përreth. Ai mund të përhapet në nyjet limfatike ose jo, ose në pjesë të largëta të trupit.)

Karcinoma Lobulare – Kanceri i gjirit i cili fillon në gjendrën e gjirit. Një në çdo 10 gra me kancer të gjirit kanë karcinom lobulare. Këto karcinoma lobulare mund të jenë jo invaziv (kanceri nuk përhapet jashtë gjëndrave) ose invaziv (kanceri që ka filluar dhe është përhapur nga një gjëndër e gjirit në indet përreth. Ai mund të përhapet në nyjet limfatike ose jo, ose në pjesë të largëta të trupit.)

Figura 2 Paraqet një karcinom duktale

Figura 3 Paraqet një karcinom lobulare

Stadet që kalon kanceri gjirit janë të përshkruara në tabelën e mëposhtme:

STADI 0 – Kanceri nuk është përhapur përtej kanalit apo duktusit të gjirit.

Kemi Karcinomën tubulare/ duktale in situ (DCIS) ose jo të përhapur.

STADI I – Kanceri është 2 cm ose më pak por nuk gjendet në nyjet limfatike të sqetullës apo jashtë gjirit.

STADI IIA – Kanceri është 2 cm ose pak më pak dhe janë prekur 1 deri 3 nga nyjet limfatike të sqetullës dhe / ose në nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit, OSE kanceri është mes 2 dhe 5 cm dhe nuk është gjetur në nyjet limfatike.


STADI IIB – Kanceri është midis 2 dhe 5 cm dhe janë prekur 1 deri 3 nga nyjet limfatike të sqetullës dhe / ose nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit ,OSE tumori është 5 cm apo pak më shumë dhe nuk është gjetur në nyjet limfatike.


STADI IIIA – Kanceri është 5 cm ose pak më shumë dhe preken në 4 deri 9 nyje limfatike të sqetullës apo në nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit, apo kanceri është 5 cm ose më shumë dhe është gjetur në 1 deri 9 nyjet limfatike të sqetullës apo në nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit.

6STADI IIIB – Kanceri është rritur, ka prekur murin e gjoksit apo dhe lëkurën. Gjenden ose jo në nyjet limfatike të sqetullës ose në nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit.7
STADI IIIC – Kanceri mund të jetë i çdo madhësie dhe gjenden të prekura 10 apo më shumë nyje limfatike të sqetullës, apo preken si nyjet limfatike të sqetullës edhe nyjet limfatike të brendshme të gjendrave të qumështit, ose kanceri ka prekur edhe nyjet limfatike nën klavikulën ose mbi klavikulën.


STADI IV – Kanceri mund të jetë i çdo madhësie dhe gjendet përtej zonës së gjirit në shumë pjesë të largëta të trupit, të tilla si kockat, mushkritë ose truri.

Si mund të diagnostikojmë shpejtë kancerin e gjirit?

Mënyra më e mirë për të parandaluar kancerin e gjirit është diagnostikimi i hershëm i tij. Diagnostikimi mund të realizohet me disa si mënyra:

Vetëkontrolli i gjirit
Kontrolli klinik i gjirit tek mjeku
Mamografia
Biopsia
Ultratingujt
Rezonanca magnetike (MRI)
Tomografia kompjuterike (CT)

Vetëkontrolli i gjirit (Breast self examination) – Një kontroll i thjeshtë por me një rëndësi shumë të madhe për mbrojtjen e jetës tuaj. Vetëkontrolli i gjirit zgjat vetëm 10

I. minuta, mund ta bëni vetë në shtëpi duke shikuar me vëmendje gjinjtë tuaj dhe duke vërejtur shenjë klinike. Cilat janë hapat që duhet ndjekur për të vërejtur shenjat klinike? Janë 5 hapa shumë të thjeshtë si:

Hapi 1: Pozicionohuni para pasqyrës me shpatullat drejt dhe duart të vendosuara në ijet tuaja. Shikoni me vëmendje gjinjtë tuaj dhe vëreni për këto shenja klinke:

· Madhësia e tyre, forma dhe ngjyra
· Zmadhim apo forcim të gjirit, që nuk është normale për ju.
· Nëse gjinjtë janë në formë në mënyrë të barabartë pa shtrembërim të dukshëm ose ënjtje.
· Nëse gjendet ndonjë gropëz, rrudhë apo fryrje në gjirin tuaj.
· Shikoni nëse ndonjë thithë ka ndryshuar pozicioni ose nëse është përmbysur (tërhequr brenda në vend të ngritjes lartë).
· Skuqje, hidhërim, mahisje ose ënjtje.
· Nëse ka ndonjë rrjedhje lëngu që mund të vijë nga një ose nga të dyja thithat (ky mund të jetë ujë, qumësht ose lëng i verdhë apo gjak).

Figura 4 Tregon si kontrollohet gjoksi për gunga

Hapi 2: Tani ngrini duart lartë dhe kërkoni për të njëjtat shenja.

Hapi 3: Ndërsa jeni duke parë në pasqyrë me duart lartë, ktheni trupin tuaj majtas apo djathtas, dhe shikoni për ndonjë gjendje të pazakontë.

Hapi 4: Tjetër, shtrihuni dhe prekni gjinjtë tuaj, duke përdorur dorën e djathtë për të prekur gjirin e majtë dhe pastaj dorën tuaj të majtë për të për të prekur gjirin e djathtë. Përdorni një prekje të butë duke shkelur lehtë gjirin me gishtat e dorës tuaj. Gishtat duke të mbahen sheshtë dhe së bashku. Përdorni një lëvizje rrethore, në lidhje me madhësinë e një çereku. Ekzaminoni gjithë gjirin nga lart poshtë, nga njëra anë në tjetrën. Duke përdorur shtypje të lehtë për indet nën lëkurë; shtypje mesatare për indet në mesin e gjirit dhe një shtypje më të madhe indet që ndodhen në thellësi të gjirit.

Hapi 5: Së fundi, prekni gjirin tuaj ndërsa jeni në këmbë ose ulur. Shumë gra iu duket më e lehtë kur lëkura e tyre është i lagësht dhe rrëshqitshëm, pra e bëjnë këtë hap në dush. Kontrolloni të gjithë gjirin tuaj, duke përdorur të njëjtat lëvizje të dorës të përshkruara në hapin 4.

Këshilla:

· Ju duhet të shkoni menjëherë tek mjeku nëse vini re një ndër këto shenja jo normale. Pasi vetëm mjeku mund të bëjë dallimin e saktë.
· Gjithashtu duhet të dini që shumë femra zakonisht, para ciklit menstrual kanë gji të fortë, të tendosur dhe të dhimbshëm, kështu që mos u alarmoni.
· Rekomandohet që vetëkontrolli i gjirit të bëhet çdo muaj.
· Femrat riprodhuese duhet ta bëjnë këtë kontroll 3-4 ditë mbas mbarimit të ciklit menstrual, kurse femrat shtatzanë dhe ato në menopauzë çdo muaj në të njëjtën ditë.

Kontrolli klinik i gjirit nga mjeku
Kontrolli klinik i gjirit bëhet nga mjeku specialist, çdo vit për femrat mbi 40 vjeç, dhe një herë në 3 vjet për femrat midis moshës 20-40 vjeç. Kurse për femrat me risk të lartë lartë për të zhvilluar një kancer gjiri duhet që ky kontroll të jetë më i shpeshtë. Kontrolli klinik i gjinjve nga mjeku përfshin anamnezën, ekzaminimin dhe palpacionin. Arsyet për kontrollin klinik nga mjeku mund të jenë: dhimbja në gjinj, sekrecioni prej gjirit, prania e një nodusi në gjinj, inflamacioni, rritja e gjëndrave limfatike në aksillë.

Mamografia
Mamografia është një metodë diagnostikuese radiologjike e cila përdor rrezet X mbi indet e gjirit. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë madje edhe nga një mamografi tek tjetra. Kështu që mamografia duhet të bëhet rregullisht një herë në çdo 1-2 vjet sidomos për moshat mbi 40 vjeç. Por çfarë të mira sjell mamografia ? Mamografia sjell disa të mirat si:

a) Mamografia e zbulohen kancerin e gjirit që në fazat e hershme, atëherë kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë.

b) Mamografia mund të përdoret për ekzaminimin e gjirit nën veprimin e rrezeve X te femrat që nuk kanë shenja klinike, e quajtur dhe mamografia “screening” por gjithashtu përdoret edhe te femrat që paraqesin shenja klinike dhe në këtë rast quhet mamografia diagnostikuese.

c) Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet para shfaqjes së shenjave klinike, duke shtuar shanset për tu trajtuar me sukses dhe mposhtur sëmundjen.

d) Gati gjysma e kancerave të gjirit që arrijnë të zbulohen nga mamografia janë akoma të vegjël dhe mund të hiqen lehtë, pa hequr gjithë gjirin dhe pa lënë shenjë.

e) Është raportuar se mamografia ka një ndjeshmëri (sensitivitet) prej 60-90% dhe specificitet nga 10-40% për shkak të ndjeshmërisë së saj të ulët në inde e dendura. Kur mamografia identifikon një plagë kanceroze shpesh nënvlerëson shkallën e sëmundjes. Duke përdorur të gjitha zbulimet e njohura dhe trajtimet në dispozicion mbijetesa mesatare afatgjatë me zbulimin e hershëm është rreth 84%; mbijetesa afatgjatë për tumor lokal është rreth 97%, dhe për tumorët e largët (metastazat)-27%.

Figura 5. Pamje nga mamografia

Këshilla:

· Mamografia është metodë diagnostikuese që duhet bërë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm herë.
· Përpara se të shkoni të kryeni mamografinë nuk duhet të jeni lyer me antidjersë, deodorant apo pudër sepse ndikon në rezultatet e saj.
· Shkoni disa ditë pas kalimit të ciklit menstrual.
· Tregojini mjekut tuaj nëse trajtoheni me PHT.

Biopsia
Biopsia është një procedure e cila lejon diferencimin e një tumori malinj nga ai benjin. Kur konstatohen rezultate të dyshimta në gji, për të diagnostikuar është e nevojshme kryerja e biopsisë me gjilpërë ose kryerja e çarjes së asaj zone me kirurgji. Biopsia mund të jetë disa lloje :

biopsi aspirimi me gjilpërë të hollë (FNAB) – Përdoret për pastrimin e gjirit nga cistet dhe për biopsinë e nyjet limfatike axilare. Po ashtu me këtë mënyrë, biopsia mund të bëhet për gunga me përmasa shumë të vogla apo gunga të lokalizuara thellë në gji.
Biopsia e Tru-cut (biopsi me gjilpërë prerëse)

Biopsia vakum – është një ndër metodat më të përparuara të biopsisë me gjilpërë. Kjo metodë zakonisht përdoret për diagnozën e masave të cilat mund të shihen vetëm në mamografi dhe janë të dyshimta nga pikëpamja e kancerit të gjirit.

Figura 6. Procedura e biopsise (lart) dhe ultratingujt (poshtë)

Ultratingujt
Qëllimi i metodave të ndryshme diagnostikuese është të përmirësojnë zbulimin e hershëm dhe me ndjeshmëritë lartë të kancerit të gjirit, pra duke ndikuar kështu në një mbijetesë më afatgjate. Metoda me ultratinguj është një metodë diagnostike, veçanërisht e rëndësishme në përcaktimin nëse një masë është një kist apo është një tumor solid. Metoda me ultratinguj, gjithashtu mund të përcaktojë praninë ose mungesën e mikrokalcifikimeve. Parimi i punës konsiston në aplikimin e sondave me frekuencë të lartë nga 7-15 MHz.

Pra, nuk përdor rrezatim jonizues dhe për këtë arsye mund përdoret për të kryer një numër më të madh kontrollesh, sesa me metodën e mamografisë ku numri i kontrolleve është më i kufizuar për shkak të ndikimit të dëmshëm të rrezeve X në indet e gjirit. Shpesh, gjetja e një kisti me mamografi, ndiqet më pas nga konfirmimi i tij me ultratinguj. Kistet mund të ndodhin gjatë ciklit menstrual dhe më shpesh në fund të ciklit. Në rreth 7-16% të grave nën moshën 30 vjeç kanë kiste të thjeshtë të quajtur fibroadenoma. Gjatë ultratingujve kistet duken me margo te qartë, anechogjen, forma vezake ose rrumbullake, perforcim akustik posterior, diametri transversal më i gjatë.

Cilat janë të mirat e përdorimit të metodës së ultratingujve? Të mirat e ultratingujve janë:

Ultratingujt përdoren si një metodë themelore diagnostike tek mosha e re nën moshës 30 vjeç për të vlerësuar një fibroadenomë ose abscess (kjo eliminon ekspozimin e rrezatimit të gjirit në gratë e reja me probabilitet të ulët për malinjitete).
Diferencon më qarte kistet nga masat solide.
Përdoret kur parenkima gjëndërore është e dendur.

Përdoret tek femrat që nuk kanë lindur; tek femrat shtatzënë; tek femrat në fazën e laktacionit, si dhe tek femrat që marrin terapi hormonale gjatë menopauzës (PHT).
Për masat e gjirit në meshkuj.
Për vlerësimin e protezëz së silikonit sepse dhe vetëm pak ind mumd të përfshihen në mamografi
Përdoren nga femra me moshë re të cilat janë më të riskuara për të pasur kancer të gjiri.
Po kufizimet e kësaj metode ku konsistojnë? Kufizimet e kësaj metode konsistojnë në:

Ultratingujt nuk mund të bëjë diferencimin e tumoreve beninje me ato malinje;
nuk mund të zbulojë masat nën 1 cm
nuk është i mjaftueshëm për depistim masiv, por i kombinuar me mamografinë vlen për depistim selektiv. Pra cka do të thotë se nëse në femrat nën 30 vjeç që shfaqin një gungë në gji mjafton vetëm diagnostikimi me ultratinguj në rastin e grave mbi 30 vjeç mund të mos jetë e mjaftueshme vetëm ultratingujt. Prania e një gunge të dukshëm në gji në femrat mbi moshën 30 vjeç, duhet të ekzaminohet me mamografi dhe me ultratinguj. Kjo është për shkak se diferenca diagnostike në grupmoshën mbi 30 vjeç përfshijnë: absces, fibroadenoma, kiste, lipoma, hematoma, tumore.

II. Rezonanca magnetike (MRI)

Rezonanca magnetike është një opsion studimi shtesë në imazherinë e gjirit. Rezonanca magnetike rekomandohet si metodë “screening” te femrat me predispozita gjenetike. Rezonanca magnetike përdor valët radiofrekuencë në një mjedis fushe magnetike të fortë. Ajo jep merren rezultate shumë të suksesshme pa përfshirje të rrezatimit, veçanërisht në imazherinë e indeve të Rezonanca magnetike luan rol të rëndësishëm në rastet kur femrat i janë nënshtruar operacioneve kirurgjike estetike Është një metodë shumë e saktë në vlerësimin e përgjigjes së tumorit në kimioterapinë, si dhe në diferencimin mes tumorit të mbetur dhe fibrozës. Nuk ka studime që vërtetojnë efikasitetin e rezonancës magnetike si “metodë screening” në popullatën e përgjithshme. buta.

Tumorografia kompjuterike (CT)

Tumorografia kompjuterike është metodë diagnostike, e cila nuk përdoret rregullisht për të vlerësuar ndryshimet patologjike të gjirit. Herë pas here një ekzaminim me CT është kryer së bashku me një biopsi të murit të përparmë të kraharorit, ose të indeve të thella në shpatullë.Tumorografia kompjuterike është përdorur rregullisht për të vlerësuar nyjet limfatike, mushkëritë, mëlçinë, trurin, shpinë, apo zona të tjera në kërkim për sëmundjet tumorale (metastazat). Tumorografia kompjuterike mund të vlerësojë shkallën e sëmundjes para trajtimit kur është e pranishme metastaza. Ndonjëherë një kraharor apo bark tumorografia kompjuterike identifikon kancerin e gjirit primar.

Analizat laboratorike pë zbulimin e kancerit të gjirit

Për veç diagnostikimit të gjirit me metoda radiologjike përdoren edhe analiza laboratorike si markerat tumoral Ca 15-3, CEA dhe analiza të përgjithshme si SE, hemogrami, AST, ALT, GGT, bilirubina, fosfataza alkalike. Kurse kur dyshohet për tumor malinj, duhet të kryhen analiza si eko e mushkërive, ultrasound i abdomenit dhe shintigrafia e kockave.

Patologji të tjera të gjirit

Fibroadenoma – Termi “fibro” nënkupton ind fibroz dhe “adenoma” do të thotë ind gjëndror. Duke qenë ind fibroz, ato nuk janë të dhimbshme dhe zbulohen zakonisht në ekzaminimet e gjirit. Fibroadenomat karakterizohet nga këto karakteristika fizike si: janë të rrumbullakta, të ngurta, të shkrifta, dhe të luajtshme. Ato janë më të zakonshme në popullatat afrikano-amerikane; gratë në adoleshencë e tyre dhe në të njëzetat e hershme; dhe të zakonshme gjatë shtatzënisë dhe laktacionit. Ato janë masa të mira dhe nuk çojnë në tumore malinje.

Nekroza yndyrore – Një gungë e vështirë me dhimbje e shkaktuara nga nekroza e indi yndyror. Besohet se kjo patologji është shkaktuar nga një dëmtimi në gji që mund të ketë qënë delikat dhe nuk është vënë re. Ndonjëherë tregues i traumës së kaluar është vetëm një mavijosje në lëkurën e gungës. Kjo është një formë benjinje.

Mastiti – është një infeksion akut i gjirit, i shkaktuar zakonisht tek gratë që ushqejnë me gji. Etiologjia e gjendjes është bllokimi i një kanal gjatë laktacionit; kjo shkakton grumbullimin e qumështit dhe inflamacion lokal të gjirit. Progresi i infeksionit është për shkak të zhvillimit të baktereve të cilat çojnë në zhvillim e një abscesi. Gjiri duket i skuqur, mund të jetë i ngrohtë, i ndjeshëm dhe me kokrra (gunga).

Galaktocele – Kjo formë është një lloj kisti që ndodh gjatë laktacionit. Galactocele mund të ndodhë si një lesion i vetëm ose shumë kist (multiciste). Ndonjëherë një galaktocele mund të konvertohet në një formacion abscesi apo mastitë akute.

Ndryshimet fibrokistike – Ky është një term i komplikuar që është aplikuar në antologji të kushteve të gjirit nga beninj me ata që kanë rritje të rrezikut për karcinomë. Një faktor i përbashkët për shumë paraqitje morfologjike të kësaj sëmundjeje është se gungat shpesh janë gjetur në gji. Termi është aplikuar për lezione që përbëjnë kisten, apo rritje e jashtëzakonshme e stromës fibroze ose lezione që përmbajnë komponentë stromal dhe epitelial, e kështu me radhë. Klasifikimi i ndryshimeve Fibrokistike zakonisht nuk është klinikisht i rëndësishëm.

Tumori filloid – Ky është një lloj fibroadenoma që rritet në përmasa të mëdha (mund të arrijnë 15-20 cm). Tumori filloid mund të jetë i mirë (beninj) ose i keq (malinj). Këto tumore shtrembërojnë gjirin duke prodhuar fryrje në lëkurë dhe mund të çojë në ulcer. Këto tumore filloid janë shumë më të rralë se fibroadenomat dhe mendohet që rrjedhin nga stroma periduktale dhe jo nga fibroadenomat para ekzistuese. Rritja e shpejtë është një shenjë për të qënë malinj; por megjithatë atipia citologjike përcakton nëse është malinj apo beninj.

Papiloma intraduktale – Kjo është një rritje papilare neoplazike që ndodh në një kanal. Ato mund të jenë si lezione të vetme dhe gjënden brënda sinuseve apo kanaleve laktiferoze kryesore. Pacienti paraqet shenja klinike si sekrecione seroz, rrjedhje me gjak nga thitha, pranisë të një tumori të vogël subareolar, apo retraksionit të thithës (një gjendje e rrallë). Në shumicën e rasteve ekzistenca e një Papillome intraduktale e kanaleve bën që kjo formë beninje të përsëritjet. Kur ndodhin shumë papiloma (multiple) tregon se ka një rritje të rrezikut të zhvillimit të karcinomës papilare.

Lajmi më i mire, në lidhje me kancerin e gjirit është se numri i vdekjeve që lidhen me kancerin e gjirit është në rënie. Kjo është për shkak të diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ,ku një një rol shumë të rëndësishëm zë mamografia “screening”, e cila bën të mundur zbulimin e hershëm dhe drejton në trajtimin e kancerit të gjirit në kohën e duhur. Sot, një grua që ndjek udhëzimet e screening-ut; kryen vetë-kontrollin e gjirit; dhe kryen në mënyrë të rregullt ekzaminimet klinike të tij mund të zbulojë kancerin e gjirit që në fazën e hershme të tij duke rritur deri në 100% mundësit e trajtimit me sukses.

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London).

Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Gjena Dura.

Referencat:

http://www.sheknows.com/health-and-wellness/articles/1102671/how-to-tell-the-difference-between-cysts-lumps-and-tumors
http://www.everydayhealth.com/womens-health/when-to-worry-about-breast-lumps.aspx
https://www.ceessentials.net/article40.html
http://trialexhibitsinc.com/gallery/exhibit/335/breast-diagnosis-cyst-vs-mult-cyst-vs-tumor
http://newsbeat.co.ke/self-breast-exam-do-self-breast-exam-guidelines-video/
Breast cancer Organization, The Five Steps of a Breast Self-Exam, February 18, 2016, http://www.breastcancer.org/symptoms/testing/types/self_exam/bse_steps
Jane C. Figueiredo, Leslie Bernstein, Marinela Capanu, Kathleen E. Malone, Charles F. Lynch, Hoda Anton-Culver, Marilyn Stovall, Lisbeth Bertelsen, Robert W. Haile, and Jonine L. Bernstein (2007): Oral Contraceptives, Postmenopausal Hormones, and Risk of Asynchronous Bilateral Breast Cancer: The Wecare Study Group, J. Clin. Oncol. 10.1200/JCO.14.3081.
Instituti i Shëndetit publik, Të jetosh me kancer gjiri.
http://www.webmd.com/breast-cancer/news/20161013/breast-cancer-deaths-continue-to-decline-in-us
Breast Cancer Screening and Detection http://www.webmd.com/breast-cancer/breast-cancer-screening-detection-overview
http://www.scielo.br/img/revistas/rb/v46n4//0100-3984-rb-46-04-234-gf02.jpg
http://ashevillegynecologywellness.com/wp-content/uploads/2016/05/MammoGram-Seriesshow.jpg
https://www.cancer.gov/types/breast/hp/breast-treatment-pdq
National Cancer Institute https://www.cancer.gov/images/cdr/live/CDR732258.jpg
https://www.cancer.gov/images/cdr/live/CDR732257-571.jpg
https://curemagazine.s3.amazonaws.com/npi/Media/CDR0000732260.jpg
https://curemagazine.s3.amazonaws.com/npi/Media/CDR0000732258.jpg
https://thumbs.dreamstime.com/z/breast-self-exam-vector-illustration-examination-71927128.jpg 3d rendered illustration of a transparent female brest with tumor