Vjollca Tiku Pasku
ZËRI I FOSHNJËS NGA PLACENTA
Ti më ke thënë që je nëna ime. Unë ndodhem brenda qenies tënde ujore. Ti më quan pëllumbin tënd. Shpesh ndjej dorën tënde të lëvizë duke më përkëdhelur dhe diçka e ngrohtë më pushton të gjithë trupin nga kënaqësia. Vetvetiu më zgjaten dy buzët e mia dhe formoj atë që ti quan puthje. Unë dua të dal jashtë të shoh gjithçka që më ke treguar. Por ti shpesh je e shqetësuar, nga ajo që ti quan luftë me lakuriqët e zinj të natës. Shpesh kam ndier ankthin tënd këtu brenda botës së mbyllur, zhurma e të cilave trembin brendinë tënde, duke dridhur edhe qenien time. Atë zjarr që ka ndezur ajo, që ti quan luftë, nuk vrull gjaku që ta shuajë këtu brenda. Ti nuk del më në natyrë dhe unë nuk ndjej më atë aromë kënaqësie që të sjellin lulet.
Mes luleve, më dukej sikur i prekja edhe unë me duar e petalet e tyre. Ti nuk del më, sikur të ishin lulet gjembaçë shkretëtirash që më ke lexuar. Ti me ke lexuar shumë libra dhe unë nuk kuptoj: përse njerëzit vrasin njeri- tjetrin… Më ke thënë që toka është e madhe, ka vend për të gjithë. Ti më ke lexuar se edhe ata të zinjtë, kanë qenë porsi unë të vegjël, dalin në jetë dhe kur rriten vrasin njerëz…Ti më ke treguar se njerëzit kur vriten, mbyllen nën tokë… Po përse vrasin?… Ata brenda tokës nuk mund ta marrin as qiellin e madh, as detin, asgjë. Edhe lulet më ke thënë që kalben brenda tokës… Ah, nënë, shumë gjëra nuk i kuptoj tani, por kur të përqafoj ty në jetë do i mësoj….
Nënë, çfarë po ndodh në këto çasre?… Nuk marr dot frymë… thua të goditi ndonjë lakuriq i zi….nëse edhe ti shkon brenda nën tokë, unë do vi me ty…. Nënë ti je shumë e bukur, nuk më kishe thënë që ne fluturojmë si zogjtë me krahë të mëdhenj. Përreth janë trëndafila drite që hapin këtë ndjesi të mrekullueshme… Po ti, pse qëndron dhe nuk fluturon?…. Më duket sikur diçka e rëndë më tërheq… Nënë ku jam këtu?… Eeeeeeee…. Nënë, ku jemi këtu?… mos vallë në jetë…zgjohu!…ti pse fle?… Nënë zgjati duart, Pse përsëri rri e ngrirë…Ti më ke lexuar se gjaku i nevojshëm për njeriun ka ngjyrë të kuqe… si yjet e natës… Mos vallë është shpuar ndonjë yll me gjembaç toke dhe lëngu i tij ka rrjedhur tek ty? …Përreth meje shoh njerëz që po më ndihmojnë të dal… Unë e kam pritur shumë këtë ditë… por ti nuk më sheh… Qaj e uluri fort …
– Uaaa!… Uaaa!… Dua nënën time… Ajo është më e mira në botë… Po nuk me mori ajo në duar, më lini të mbyllem në barkun e tokës bashkë me të… Unë ju shoh edhe juve që keni pika uji në sytë tuaj…ndërsa në zemër keni topa të vegjël që ndriçojnë…Por unë ndihem vetëm pa nënën time…Unë shoh fluturat që po qajnë mbi të. Ndjeva hijet e tërbuara që vrisnin me zhurmë. Ndjej atë gjënë e padukshme që quhet ajër të behet ujë… Në fillim unë isha në barkun e nënës, pastaj fluturova jashtë …dhe tani në tokë unë jam vetëm… Si do të ndihemi ne foshnjat që dalim në jetë, në atë që quajmë tokë pa nënë. Unë ndihem i mjerë!… – Nënë t’i hapi sytë!… Unë jam pranë teje. Nëna ime e ëmbël, rrezet e dritës gëzojnë bashkë me mua!… Jemi bashkë. Kjo që ndjej është njësoj sikur fluturoj si pëllumbat. Të dua shumë nënë…