SHTIGJEVE TË TRADITËS DHE KULTURËS SONË

0
1276
Isak Ahmeti

Isak Ahmeti

(Takimi im në Lezhë, më 21.10.2016, me gazetarin dhe studiuesin e pasionuar, Vlash Prendi, ishte shumë i këndshëm, mbresëlënës, i paharrueshëm. Studiuesi dhe gazetari në fjalë, gjatë takimit miqësor që patëm, më dhuroi disa vepra (për çka e falënderoj nga zemra), ndër to edhe librin me studime: Shtigjeve të traditës dhe kulturës sonë, Lezhë 2011), të cilin po ua paraqesim përmbledhtazi).

Pak biografi
U lind në Skuraj të rrethit të Kurbinit (13.02.1956). Pas shkollës 8-vjeçare, vijon në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, ndërsa diplomohet në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shodër, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Ka botuar shumë artikuj dhe studime në organet e shtypit periodik që nga viti 1975; është bashkëpunëtor aktiv i organeve të shtypit si “Albania”, “Mësuesi”, “Drita”, “Flaka e Vllaznimit”, “Ballkan”, “55”, “Sot”, “Telegraf”, etj.

Ka qenë kryeredaktor i gazetës “Kurbini” dhe bashkëpunëtor i revistave “Dardania Sacra”, “Spekter”, “Shkrimtari”, “Kuvendi” -Michigan. Ka qenë kryetar dhe është anëtar i jurisë së çmimit kombëtar-letrar “Serembe”.

Ka botuar, ndër të tjera, edhe këto vepra:
1. Kurbini, tradita-kultura, vol.I-1996,
2. Kurbini-tradita-kultura, vol.II-2003,
3. Don Shtjefën Kurti-Kronikë e një jete në amshim, vol.I-2003,
4. Don Shtjefën Kurti-Kronikë e një jete në amshim, vol.II-2004,
5. Kurbini-vendlindja ime, tekst mësimor, 2008,
6. Gjurmëve të melosit popullir, 2009,
7. Kullat e bardhe-Mëlyshajt në shekuj, Lezhë 2010, etj.

Vlen të theksohet se për monografinë “Don Shtjefën Kurti-Kronikë e një jete në amshim “ëshë vlerësuar me çmimin “Serembe” në vitin 2004.
SHTIGJEVE TË TRADITËS
DHE KULTURËS SONË

(Studime)

Është me rëndësi të theksohet që në fillim se vetë titulli i librit në fjalë tregon dhe sugjeron përmbajtjen, “shtegtimin” e studiuesit dhe gazetarit të pasionuar që, siç e ka vënë re Aleksandër Noka (fq.326-327), me penë në dorë nga Shqipëria në Romë, në Kosovë, në Maqedoni e gjetkë duke kërkuar dhe hulumtuar ato forca krijuese që i kanë dhënë atdheut me punën e tyre. I tillë është studimi për figurën e Papa Klementit të XI, Gjon Françesk Albanit. Përmes një studimi të thelluar, studiuesi Vlash Prendi ka vërtetuar se prejardhjen ky papë e kishte nga Kurbini.

Në këtë vazhdë historike, studiuesi na ka dhënë edhe portretin e plotë të Ipeshkvit të Delbnishtit Imzot Prend Bianki, bir i këtij fshati që, sipas këtij studiuesi, gabimisht disa studiues e identifikojnë si prift italian. Është pikërisht ky ipeshkëv që bashkë me Imzot Nikollë Kaçorrin dhe Gjin Pjetrin u vunë në krye të levizjes për pavarësi në Kurbin. Në vemendjen e tij janë vënë edhe dy vende të shenjta tepër të njohura në Shqipëri, Katedralja e Shën Mërisë në Zhejë dhe kisha e njohur e Pllanës.

E para u bë e njohur sepse vizitohej shpesh nga kryetrimi Gjergj Kastrioti bashkë me Donikën, ndërsa e dyta, sepse në vitin 1638 u hap shkollë shqipe dhe më vonë shkollë e mesne, ndër të parat në trojet shqiptare. Në këtë libër studimesh janë dhënë shumë figura e portrete të shquara si:Millan Shuflaj, Engjëll Sedaj, Ndue Bytyqi, Kin Dushi, Skënder Luarasi, Cezar Rica, Mark Krasniqi, Din Mehmeti, Anton Çetta, Fehmi Agani, etj. Kështu ky libër del tepër interesant dhe me shumë vlera, është libër me shumë referenca, sjell shumëçka të njohur e të panjohur, por të veçantë, ndriçon shumë aspekte të traditës sonë kulturore, letrare dhe historike.

Kështu, prandaj, libri në fjalë, siç e ka vënë re edhe Gjergj Shyti (fq.331), përvrç vlerave estetike e letrare, ngërthen në vete edhe një dimension human e njerëzor. Për më tepër librit në fjalë i jep një vlerë tejet të veçantë edhe stili i të shkruarit, bukur e rrjedhshëm, fjalori i qëmtuar e i t’holluar me shumë kujdes, fjalët dhe shprehjet tepër interesante.

Vlen të theksohet, krejt në fund, se gjatë leximit të këtij libri, njeriu ndjen një kënaqësi të veçantë e tepër pozitive për trojet tona, për kombin tonë, për figurat e shquara të dala nga gjiri i tij që kanë vepruar me shumë dëvotshmëri dhe guxim për atdheun (A. Noka, fq. 328).