Ndre Mjedja – mjeshtër i vargut poetik

1
5934

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Krijimtarinë për fëmijë Ndre Mjeda (1866-1937) e nisi me vjershat që u përfshinë në librat shkollore duke dhënë ndihmesë të shquar për shkollën shqipe, si dhe duke pasuruar më tej letërsinë për fëmijë. Shkrimet e Mjedës për të vegjëlit, karakterizohen nga zgjerimi i tematikës dhe i problematikës shoqërore, thellimi i realizmit, pasurimi i figurave dhe i mjeteve shprehëse, gjë që solli forcimin e notave lirike në vjershat për fëmijë.

Një ndihmesë të veçantë Mjeda ka dhënë për alfabetin e gjuhës shqipe. Hulumtuesi pasionat Dr. Mentor Quku66, gjatë gjithë shtrirjes së veprës në fjalë i provon me dokumente bindëse punën këmbëngulëse njëzetvjecare të Mjedës për një alfabet shkencor dhe praktik për të gjithë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë rolin e tij të shquar në punimet e Kongresit të Manastirit.

Në vitin 1901, së bashku me të vëllanë, Lazer Mjedën, kryepeshkop i Shkodrës, krijuan shoqërine letrare Agimi. Ajo kishte alfabetin e vet, me të cilin u shtypën edhe disa tekste shkollore (Këndime për shkollat e para të Shqypnisë, 1904-1911) në kohën e pushtimit osman dhe që u ribotuan disa herë deri në vitin 1927. Në hartimin e tyre Mjeda bashkëpunoi me shkrimtarin Anton Xanoni.

Në vjershat e tij për të vegjël shpaloset një peizazh madhështor e i mrekullueshëm i Atdheut, por dhe dashuria e fëmijëve për të.

Vjershat e Mjedës kanë brendi edukative dhe formë të larmishme.

Nëpërmjet tyre autori përpiqet të fisnikërojë shpirtin e të vegjëlve, t’i aftësojë ata që të çmojnë të bukurën, të dobishmen dhe të moralshmen në jetën e njeriut. Megjithatë, mendimet, ndjenjat, idetë dhe mësimet morale jepen në mënyrë tërheqëse, me gjuhë të saktë, figura të thjeshta dhe detaje shprehëse.

Ndër krijimet më të arrira janë vjershat që u këndojnë bukurive të natyrës së vendit tonë dhe stinëve të motit. Ato përftojnë tek të vegjlit dëshirën për të admiruar hijeshitë e natyrës e për të shijuar nga afër bukuritë e saj mahnitëse.(Pranvera, Mbrrini vera, Filloi toka m’u përtri, Vera, Vjeshta, Dimni e plaku, Mbramja etj.). Poeti nuk përshkruan vetëm stinët, por i lidh me njerëzit, me mendimet e ndjenjat e tyre.

Përmendim vjershën Pranvera e cila mbyllet me këtë strofë kuptimplotë:

Ndeje bri votres njeri myket:
Vrapo, bulk, ku puna t’therret;
Tue vrue fushën kau bërlyket,
Lyp m’u vu për laver t’vet67.

Në këto si dhe në vjershat Puna, Një qortim, Guxo etj., që frymëzohen nga motivi i punës, poeti i thurr himn veprimtarisë njerëzore, si mirëqenies së njerëzve të thjeshtë dhe punëtorë, të cilët nuk e kalojnë kohën kot, por përpiqen që t’i rrëmbejnë natyrës, me mund e djersë, gjithçka të mirë e të dobishme për jetën e tyre. Puna është burimi i gjithë të mirave.

Në vjershën Guxo!, për shembull, puna ngrihet në lartësinë e heroizmit dhe të guximit, si burim i vetëm i lumturisë së njeriut në jetë:
66 Mentor Quku, “Mjeda- 3” libri i parë Alfabeti (1899-1912) 67 Ndre Mjeda, “Poezi”, Tiranë, 1978, f. 46 Tue u talle e tue pertue, Asnjë send nuk del në dritë!

Çfarëdo gjë që të fitosh,
Timni lypset e guxim!68

Çdo qënie e gjallë punon, thotë autori. Punojnë bletët, thneglat, dallëndyshet. Ai ka respekt të veçantë për punëtorin, detarin të cilët me punën e tyre sjellin begati. Edhe te vjersha Puna, duke përdorur paralelizmin figurativ, Mjeda tregon për punën e vështirë dhe shqetësimet e punëtorit të bujqësisë:

Bleta punon gjithë ditën,
Tue rrmue me thithm ndër lule,
E kësaj e asaj ia ngule
Me mbush fashojt e vet.
Djersit në diell punëtori,
Krrut mbi parmenë me qe,
E prish njat t’lumin dhe
Q‘i ditë gjallnin i qet.

Krahas tyre, tematika e poezisë për fëmijë te Mjeda pasurohet e zgjerohet me motive të tilla për stinët dhe zogjtë, për shkollën dhe mësuesit, por edhe për dukuri të tilla që ngjallin humorin tek fëmijët, ndihma ndaj shokut, ndihma ndaj të moshuarve etj. Te vjersha Dashnia ndaj prindet ai shkruan:

Bab’ e nan’, sa keni derdhe
Mbi shteg tem hire e dritë.
Ah! Sa mirë m’keni gatitë
Për çdo koh’ e për çdo vend…

E më poshtë thekson se janë ata që i kanë ndezë në zemër flakën për punë të larta e për lumturi.

Në vjershën Ndera e fëmijëve për mjeshtra (mësues), poeti rreshton të gjitha meritat e edukatoreve. E nxënësit e tyre, me mirënjohje, do të ndjekin rrugën që u kanë treguar ata:
Te ju, qi lodheni me ne gjithë ditën

Kjo mëndje e vorfën, kjo zemër shkon:
E sa t’kem shpirtin, sa t’shofim dritën, Dashninë e nderen gja s’na i pakon.

Dashuria e fëmijëve për prindërit, si dhe dashuria e prindërve për fëmijët, është një ndjenjë e bukur, e thellë dhe e pastër. Gjithashtu duhet të theksojmë që autori ndjen keqardhje për njerëzit e varfër që përpiqen t’u bëjnë ballë vështirësive të jetës. Kjo gjë vihet re sidomos në vjershën Vera, ku flitet për një vajzë fatkeqe që korr grurin e vetmuar, sepse ka mbetur pa të dashurit e saj. Këtu kemi të bëjmë me një përshkrim realist të realitetit shqiptar të asaj kohe:
68 Ndre Mjeda, “Dimri dhe plaku”, Tiranë, 2002, f. 24 Veç n’atë arë, porsi nji e tretun, Zi ndër petka e në fëtyre terr, Korre nji cucë pa shoqe, vetun Me hije t’vet qi prapa e merr.

Tjera herë ti vete e treta
Korrshe, o bijë, me motra n’shend
Sivjet vetëm tue korre t’gjeta
Pa nji motër, pa gazmend69.
(Vera)

Mjaft e fuqishme tingëllon në këtë vështrim veçanërisht vjersha Dimni, ku përshkruhet me realizëm gjëndja e plakut, i cili ka rënë në hall të madh me të ftohtin dhe stuhinë.

Nëpër fushë e nëpër male
Fryn murlani me stuhi;
O murlan, at frymën ndale,
Ndalu,akull,mos më ngri;
Mos ma ngrini kët pik gjak.
Srtuku,struku i shkreti plak70.

Ndre Mjeda i kushtoi rëndësi të veçantë gjuhës shqipe. Kështu si Naimi, që i këndoi gjuhës amtare, u frymëzua nga idealet e kohës dhe shkroi vjershën Gjuha shqipe. Në këtë poezi, me mjeshtëri të veçantë, ka gërshetuar me forcë historinë e një kombi dhe fizionominë shpirtërore të një populli, me heroin (Mjedën), apo studiuesin e përkushtuar të gjuhës shqipe, dhe së fundmi shpirtin optimist të tij që ka shperthyer në përbetim, për të qenë një bir i denjë i atdheut:

Përmbi za që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë që jep zymbyli
Pa da zemrën ma ngushllon71.

Autori e krahason gjuhën tonë të dashur me zërin e bilbilit, por edhe me aromën dhe me bukurinë e zymbylit. Natyrshëm, ai e lartëson gjuhën shqipe, sepse tingulli dhe pa dyshim freskia e saj ia kalon bilbilit dhe zymbylit me mjetin letrar te krahasimit, që përdor autori, vlen për të bërë më tepër efekt. Por edhe lidhet shumë më mirë me ndjenjën e çdo shqiptari për gjuhën amtare (duke edukuar tek fëmijët) sepse logjikisht, për vetë rrethanat e kohës, gjuha shqipe, gjuha e nënës, për të cilën ishte sakrifikuar e derdhur gjak nga rilindësit, i duket shumë e bukur, më e bukur, se çdo gjuhë tjetër në botë.

Një vlerësim i tillë është real, sepse që në fëmini çdokush nga ne, është rritur, është përkedhelur me dashuri të veçantë nga nëna, është mëkuar me historinë e popullit, e 69 Ndre Mjeda, “Poezi”, Tiranë, 1978, f. 47 70 Po aty, f.49 71 Ndre Mjeda, “Poezi”, Tiranë, 1978, f. 18-19 në veçanti, me madhështinë e Shqipërisë, prandaj Mjeda i këndon gjuhës edhe në mënyrë të veçantë, në raport me fatin e vet, fatin e një të mërguari:

Ndër komb’tjera, ndër dhena tjera,
Ku shkoj jetën tash sa mot,
Veç për ty m’rreh zemra e mjera,
e prej mallit dredhi lot.

Ndre Mjeda, duke u mbështetur edhe në traditën e pasur folklorike shqiptare, për të përcjellë tek fëmijët urtësi dhe mençuri, ka thurur edhe disa fjalë të urta, si:

Ari me zjarrm provohet
Miku n’rrezik kuptohet.
Kush prej deke e kap ikën
Shi n’rrug’t’madhe shpesh gjen pikën.
Nieri i lehtë
Mba kryet përpjetë.

Këta distikë, të ndërtuar sipas strukturës popullore, përcjellin mendime që mbeten në mendjen e fëmijëve.

Mjeda përdor në poezinë e tij për fëmijë, lirikën edukative apo moralizuese, fabulën dhe enigmën. Ai shfrytëzon poezinë gojore dhe ka një gjuhë të qartë, të rrjedhshme e të pasur.

Kështu një vend të veçantë zënë dhe gjëegjëzat (kashelashat), të cilat kanë nxitur dhe do të nxitin ngahera kërshërinë e të vegjëlve. Gjëzat të tërheqin, sepse paraqesin një bote reale, konkrete dhe, në të njëjtën kohë, nxitin fantazinë, të vënë në lëvizje, të bëjnë të mendosh. Këto vjersha-gjëza janë shkruar shkurt, zakonisht me katër, gjashtë ose tetë vargje, dhe japin me figura të zgjedhura karakteristikat e sendit që duhet të njohë fëmija. Kështu, për qiriun, Mjeda shkruan:

Dhjamë kam trupin, pambuk shpirtin
Nji flak’ t’ vogël kam mbi krye
Gjithkujt dritën tue shkëlqye
I jap, emnin kush ma di?

Të gjitha krijimet e tij poetike nuk i kalojnë tri-katër strofat.
Dhe me kaq pak vargje ai ia arrin me sukses të japë përmbajtjen, të transmentojë emocione te lexuesit e vegjël, t’u zgjojë mendime.

Në krijimtarinë poetike të Mjedës për fëmijë duhet të përmendim edhe fabulat e tij. Numri i tyre është i vogël, rreth pesëmbedhjetë. Nismën ato e marrin nga gurra e La Fontenit, ajo e Ezopit, nga thesari ynë popullor etj., por ndryshojne shumë prej tyre72. Për shembull krahasojmë, fabula Mini ka ngjashmëri me atë të Ezopit apo të La Fontenit. Po atje miu i fushës shkon në qytet e anasjelltas, dhe asnjërit nuk i pëlqen

72 Veli Veliu,“Fabula shqiptare e periudhës së Rilindjes”, Shkup, 1993 jeta e tjetrit. Kurse te fabula e Mjedës miu i fushës nuk arrin të kthehet në vendin e vet, pasi në qytet bie në thonjtë e maces. Dhe porosia e Mjedës është:

Atë rrugë, ku mir’ jeton
N’ e ndrofsh pa arsye, gabon.

Fabulat e Mjedës janë të shkurtra, të pangarkuara me shumë detaje, zbukurime e dialogje. Në anën strukturore ato nuk ndryshojnë fort nga poezitë e tjera: ndahen në strofa, gjë që nuk është praktike e fabulistëve klasike dhe e atyre shqiptarë.

Porosia morale është gjithnjë koncize dhe jepet me një strofë dyvargëshe.

Disa nga krijimet që u shkruan posaçërisht për fëmijë, si dhe disa që Mjeda shkroi për të rritur por që u përfshin në leximet letrare për dhjetëra vjet (si: Gjuha shqipe, Vaji i Bylbylit etj), u përmblodhën nga Mark Gurakuqi në vëllimin Guxo (vjersha, 1953, ku disa vjersha i janë atribuar gabimisht Mjedës, pasi ato janë të Xanonit). Më tej me to u botuan edhe: Agimi (kallëzime, 1962, me bashkautor Xanonin), Vjersha për të vegjël (1967), Poezi të zgjedhura për fëmijë (1975), Zambakët (vjersha, gjëegjëza, fjalë ari, 2000) etj.

Në vjershat për fëmijë të Mjedës notat didaktike dhe moralizuese nuk ndihen aq të forta sa në krijimtarinë letrare të rilindasve të tjerë. Përpjekja për të paraqitur mendimet dhe ndjenjat e heroit lirik për jetën çoi në forcimin e lirizmit dhe në pasurimin e figuracionit shprehës.

Mjeda është mjeshtër i vargut; ai ka aftësinë që me pak vargje, të shkurtra, me gjuhë të pastër e me figura të zgjedhura, t’u ngjallë mendime dhe emocione lexuesve të vegjël, të gjallërojë fantazinë e tyre dhe t’i edukojë.

1 KOMENT

  1. Ju pergëzoi për punen tuaj te palodhshme miku im i nderuar poet dhe profesor Zymer Mehani! Puna juaj dhe angazhimi në shumë fusha është nje tregues i mrekullueshem, te një njeriu te perkushtuar, mendjendritur dhe i perkushtuar për ruejtjen kultivimin e vlerave kombëtare shqiptare! Respekt i nderuari, Zymer Mehani!

Komentet janë mbyllur.