11.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

Mimoza Hafizi: Pas ‘Elbasanit’ jam e rrezikuar (fjala e plotë)

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

voal.ch | 9 mars 2016

Deputetja e PS-së, Mimoza Hafizi ka qenë e ashpër në fjalën e saj sot në mbledhjen dyorëshe të Asamblesë së PS-së. Hafizi, e cila ka dalë hapur pro zgjedhjeve për kryetar në PS, ka folur pa rezerva në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Ajo vuri në dukje se statuti është shkelur me gati tre vjet, duke kundërshtuar Ramën për fjalimin e sotëm.

Deputetët Blushi, Arta por edhe kolegë të tjerë e kanë ngritur zërin prej kohësh, dhe më vjen keq që kryetari sot e mohoi këtë fakt në fjalën e tij”, tha Hafizi.

Ajo shtoi më tej se Rama me referendumin që kërkon të bëjë për garë ose jo për kreun e PS-së kundërshton argumentet e tij.

Gjithashtu, Hafizi tregon se pas incidentit në Elbasan, ajo ndihet në rrezik.

FJALA E PLOTË

Të nderuar antarë të AK,

Ka disa javë që bashkë me kolegë po investohemi për një kauzë të rëndësishme: respektimin e garës në PS, respektimin e normave statutore të partisë sonë. Çdo veprim tonin e kemi komunikuar me transparencë maksimale drejt secilit prej jush, përmes adresave elektronike që i keni patur të depozituara në zyrën e organizimit. Kemi dashur kështu të japim dhe një model të ri transparence dhe respekti.

Gjithkush e di tashmë që mandati i kryetarit të partisë socialiste është shkelur me gati tre vjet, ka shkuar nga katër në shtatë vjet. Deputetët Blushi, Arta por edhe kolegë të tjerë e kanë ngritur zërin prej kohësh, dhe më vjen keq që kryetari sot e mohoi këtë fakt në fjalën e tij. Unë vetë, në momentin e hyrjes së një sfidanti në garë, krahas kryetarit në detyrë, ndalimin e garës e kam quajtur njollë të padenjë mbi PS. Gara deri më tani është refuzuar të hapet. E kam quajtur shkarje drejt autoritarizmit. E kam konsideruar kthim mbrapa në histori. E kam konsideruar zhbërje të vlerave të PS, të kësaj force politike që me shumë mundim lindi si një krijesë demokratike në kaosin e përmbysjes së komunizmit.

Përse gara nuk u pranua që në ditën e parë? Z. Rama u përpoq të jepte sot përgjigje, por më pas me propozimin e tij për referendum ai hodhi poshtë argumentet e veta. Përse paska kohë të shkojë para socialistëve në referendum dhe s’paska kohë të respektojë statutin, pra të shkojë para socialistëve me një kandidat dinjitoz përballë e t’u kërkojë votën? Ne kërkojmë garë dhe që kjo garë të zhvillohet sipas normave të statutit ende në fuqi. Se ky është supozuar të na ketë ruajtur bashkëjetesën prej një dekade.

Futja e një norme të re, që kandidati të marrë 10% të firmave të delegatëve të Kongresit nuk ka pikë burrërie, siç i themi ne veriorët. Se kështu kërkoni ta detyroni Benin apo Artën apo këdo tjetër që mund të aspirojë për kryetar me datën 19 Mars, të marrë mbi 100 firma e të votohet nga më shumë se gjysma e delegatëve të atij Kongresi me socialistë që me të drejtë shpresojnë për një vend pune apo që nuk duan të humbin vendin e punës. Se mezi e kanë fituar. Dhe vendet e punës administrohen nga qeveria e kryeministrit.

Miq, deri dje kishim dy variante të zgjedhjes së kryetarit, statuti aktual që është arsyeja dhe statuti i ri, që është imponim i shumicës. Sot u fol për referendum, konfuzioni u rrit, mbase juristët e PS i japin pak dritë kësaj rrëmuje, unë nuk di më se ç’të them.

Gjithkush e ka marrë vesh që organet e Partisë socialiste nuk funksionojnë prej vitesh. Nuk ushtrohet kolegjialiteti i vendimmarrjes as në Kryesi dhe as në Asamble. Këto organe nuk mblidhen, Kryetari i Partisë nuk e ka ushtruar detyrën e vet statutore.

Përse nuk janë mbledhur? Përse është shkelur kolegjialiteti në Partinë Socialiste, normë e vendosur në nenet e para të statutit aktual? Edhe në projekt-statutin që propozohet, kolegjialiteti është norma bazë. A ka kuptim që t’i referohemi përsëri kësaj norme, nëse nuk kemi ndërmend ta respektojmë?

Të nderuar antarë të Asamblesë Kombëtare. Po ndjekim prej disa javësh dhe kemi shterruar të gjitha procedurat institucionale brenda partisë. Nga Asambleja, nga Kryetari i saj e deri te Komisioni i Garancive Statutore. Sinqerisht nuk e di se çfarë mund të bënim më tepër që ju të jeni të informuar e të ndjeshëm ndaj asaj që ka ndodhur dhe po ndodh në Partinë Socialiste. Po marrim me koshiencë të plotë të gjitha kostot politike. Çfarë ka anormale këtu? Përse duhej e kujt i duhej gjithë ky moskuptim ndaj nesh, ky reaksion negativ e hera-herës cinizëm? Përse kjo situatë duhej të degjeneronte në dhunë?

Unë miqtë e mi, dhunën nuk e pranoj. Nuk pranoj që një koleg i yni të lëshohet pre e njerëzve agresivë. Ndjehem keq nga heshtja mbytëse e kolegëve të grupit.

Unë miqtë e mi, pas incidentit të Elbasanit dhe skenave të ditës së hënë në Tiranë, ju them sinqerisht se ndjehem e rrezikuar, për veten apo kolegët e mi që po ndjekin këtë kauzë. Dhe kjo më trishton pa masë. Këtë nuk ia fal mikut im, kryetarit të Partisë Socialiste. Pas mbi një dekade që bashkëpunojmë, pas viteve të tëra që e kam ndjekur me shpresë se do sjellim bashkë në këtë vend më shumë begati, siguri e liri, nuk ia fal që erdhi dita të kem frikë se unë apo njeri nga kolegët e mi do të cënohet fizikisht për arsyen e thjeshtë se nuk jemi dakord me të. Unë prita prej tij ndjesë për skenat e dhunës së ditëve të fundit. Do vazhdoj të pres. Përndryshe, unë e kam të pamundur të jem pjesë e aktiviteteve të tija publike.

Unë nuk e pranoj më që ai të ndezë dritën informative për mesazhet e tija nëpër aktivitete partiake dhe të ndezë terrin informativ për kolegët që duan të flasin jashtë matricës së tij të preferuar. Nëse vazhdon kështu, unë s’mund të jem më pjesë e aktiviteteve të tija publike.

Miq të nderuar, a do kemi pas këtyre ditëve dhe javëve një Parti Socialiste më të mirë? Dua shumë ta besoj, por kjo varet nga secili prej jush, të nderuar antarë të Asamblesë. Ju ftoj të merrni në dorë fatin e kësaj partie, me guxim, kurajo e ndërgjegje qytetare. Jemi partia më e madhe në vend, populli pret nesh.

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit