5 nëntor 2016
Ish-kryetari e Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ka reaguar ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ky i fundit duke komentuar drogën që Policia sekuestroi në një magazinë në Rrëshen, shkruante në një status në rrjetet sociale se pronari është djali i motrës së Zef Brozit.
Por sot në një letër të hapur botuar te gazeta “Shqiptarja.com”, Brozi i përgjigjet akuzave dhe thekson se Berisha po mundohet ta përdorë rastin e Rrëshenit për motive politike, ndërkohë që kërkon që ish-kryeministri të mos i shmanget përgjegjësisë së tij për “krimet monstruoze që ka kryer si President, si Kryeministër dhe si opozitar”.
Letra e Zef Brozit:
Këto ditë kam mësuar se në Rrëshen policia ka zbuluar një aktivitet kriminal droge dhe janë ndaluar disa persona. Kam mësuar gjithashtu se nipi im kishte disa muaj që e kishte dhënë me qera ish-depon ku ka pasur mobileri nëse pse e ka zhvendosur mobilierinë e tij në rreth tjetër.
Biznesi që ka marrë me qera këtë objekt e paska përdorur edhe për grumbullimin e tharjen e kanabisit.
Në respekt të opinion publik dhe të çdo qytetari shqiptar, unë Zef Brozi e ndjej një detyrim moral të shfaq opinionin dhe qëndrimin tim për këtë rast.
Së pari, dua të deklaroj se si gjithmonë, unë mbështes fuqimisht dhe përgëzoj punën e madhe e të admirueshme të Qeverisë Rama, të ministrit Tahiri, të policisë dhe të çdo institucioni tjetër të angazhuar në betejën e vështirë kundër krimit e drogës në gjithë Shqipërinë, pra edhe në Mirditë. U bëj apel të gjithë politikanëve e qytetarëve të Shqipërisë që ta përkrahin edhe në këtë betejë të gjatë e të vështirë Qeverinë, policinë dhe institucionet e tjera si në parandalimin, ashtu edhe në zbulimin e ndëshkimin e aktiviteteve kriminale lidhur me drogën. I kërkoj nipit tim që të ndihmojë pa asnjë vonesë organet kompetente për zbulimin e së vërtetës.
Së dyti, e inkurajoj dhe mbështes fuqimisht policinë dhe prokurorinë që të vënë para përgjegjësisë ligjore autorët e këtij aktiviteti kriminal duke u bazuar në provat dhe ligjet, pa u ndikuar nga faktorë të tjerë dhe pa u penguar e ndikuar nga askush, cilitdo qofshin ata.
Së treti, unë nuk jam nga ata që mohojnë lidhjet e gjakut e miqësisë kur ka situate jo të pëlqyeshme a kriminale, sikurse ka vepruar a vepron ndonjë politikan e ish-pushtetar në Shqipëri.
Unë falenderoj Zotin që më ka bërë me shumë nipër, mbesa, stërnipër, stërmbesa e të afërm e miq të cilët i dua dhe me duan shumë dhe pres me mall t’i takoj. Pra edhe nipin tim në fjalë e kam dashur dhe e dua shume edhe se e kam nip, por edhe se është duarartë në prodhimet e mobilierisë.
Por kjo dashuri nuk më pengon aspak ta qortoj dhe dënoj aktin e tij pa asnjë mëdyshje nëse ai rezulton fajtor. Nëse ai është fajtor, ai e meriton plotësisht dënimin sipas ligjit e provave. Natyrisht që unë do ndjehem edhe i zhgënjyer prej tij, por dashuria e dajës për nipin nuk merr fund.
Askush nuk është i pagabueshëm dhe i pakorrigjueshëm. Te gjithë ne si prindër, si të afërm, si miq, dhe si qytetarë le të bëjmë gjithçka mundemi për t’i shpëtuar njerëzit nga përdorimi a tregtimi i drogës që po rrezikon rëndë shëndetin, jetën, lirinë dhe mirëqenien në gjithë botën, pra edhe në vendin tone të dashur.
Së katërti, unë kam me shume se 21 vite që jam thjesht qytetar pa asnjë post shtetëror e politik në Shqipëri dhe që nga 12 Nëntori 1995 unë jam imigrant politik në Amerikë. Unë dua të besoj se askush nuk pret që unë nga mijëra kilometra larg të kontrolloj a përgjigjem për veprat e të tjerëve në Shqipëri, qoftë ai edhe nipi im. Në një shtet ligjor çdo person madhor përgjigjet vetë për atë që bën.
Shqiptarët e njohin atë që ka 25 vjet që e ka përdorur dhe e po përdor postin e tij shtetëror e politik për të marrë në mbrojtje dhe shpëtuar nga dënimi veten dhe pjesëtarë e të afërm të familjes së tij.
Atij që po mundohet ta përdorë rastin e Rrëshenit për motive të mbrapshta politike dhe ka mbushur faqet e tij në Facebook edhe me një foto ku unë kam dalë me nipin tim dhe me mikun tim aq të dashur, i bëj apel të ndihmojë drejtësinë dhe Shqipërinë jo vetëm duke denoncuar sipas ligjit dyshimet dhe faktet për krimet dhe veprat e të tjerëve, por të mos i shmanget edhe më tej përgjegjësisë së tij për krimet monstruoze që ka kryer si President, si Kryeministër dhe si opozitar.
Pra të provojë se nuk ka frikë për t’u ballafaquar me drejtësinë, e cila shpresojmë të mos vonojë edhe për atë dhe askënd tjetër.
Së pesti, uroj që reforma në drejtësi të arrijë të bëjë realitet parimin e madh të shtetit të së drejtës që të gjithë pa asnjë dallim, pra pushtetarë, politikanë dhe të afërmit e tyre, qytetar të pasur a të varfër, të përgjigjen njësoj para ligjit për veprimet dhe aktet e tyre.
Duke përgëzuar deputetët që votuan ligjet e reformës në drejtësi, i bëj apel opozitës dhe gjyqësorit që të mos e pengojnë e sabotojnë zbatimin jetik të kësaj reforme dhe realizimin praktik të barazisë së të gjithëve para ligjit.
Kur kjo barazi në përgjegjësinë para drejtësisë të arrihet, atëherë edhe fjalët djali a vajza e filanit, nipi i filanit, a çdo lidhje tjetër nuk do të mund të përdoren as si mburojë mosndëshkimi, as si mjete përbaltimi. Dhe atëherë Shqipëria jonë e dashur do të ketë bërë një hap të madh progresi e dinjiteti. Secili nga ne shqiptarët kudo që jemi mund dhe duhet të kontribuojmë me aq sa mundemi për ta afruar atë ditë shprese.
Njerëz të mire të Shqipërisë sonë të dashur ju dua prandaj po ju lutem të më dëgjoni: Puna e ndershme dhe jo droga ju bën të lumtur, edhe në se nuk ju bën të pasur!
Dërgoi për publikim në Gazetën “Fjala e Lirë”, Gjin Musa, Gazetar