EPI I GILGAMESHIT – QENËSIA KUPTIMORE E TIJ

0
7981
Epi i Gilgameshit

(Epi i Gilgameshit, botimi i katërt, e përkthru nga gjermanishtja dhe e plotësoi me shënime Anton Nikë Berisha)

Isak Ahmeti

Në botën e përkthimeve letrare të Anton Nikë Berishës bën pjesë edhe Epi i Gilgameshit (1), që është vlerësuar nga studiuesit vepra më e vjetër e letërsisë, e njohur deri më sot, rreth 4000 vjet e lashtë. Kjo vepër e letërsisë së Mesopotamisë, të cilën nga gjermanishtja e përktheu, për herë të parë, në shqip, Anton Nikë Berisha, edhe sot e gjithë ditën ka vlerë dhe rëndësi të madhe dhe mahnit me aktualitetin e saj. Në Epin e Gilgameshit, te dymbëdhjetë këngët, shprehen e ballafaqohen tri botë:ajo hyjnore, njerëzore dhe shtazore, që dëshmojnë, sipas studiuesit dhe përkthyesit, Anton Nikë Berisha, për një stad të lashtë të jetës që në ep paraqiten të njëjtësuara; ato janë në marrëdhënie vepruese dhe kushtëzuese të ndërsjellë.

Prandaj si i këtillë, Epi i Gilgameshit, del, edhe në përkthimin e rrjedhshëm e të bukur, të Anton Nikë Berishës, si një vepër e pasur idesh e një sistem i ngritur kuptimor e shprehës, që përkundër faktit që vjen nga një periudhë e lashtë, komunikon gjallërisht edhe me botën tonë, me problemet qenësore dhe me mëdyshjet që e cilësojnë njeriun e sotëm në procesin e gjallimit dhe të veprimit, pra për shumë veçori vepra në fjalë na pushton me aktualitetin dhe modernitetin në kuptimin e mirëfilltë të fjalës(2). Mirëpo, siç konstaton studiuesi dhe pprkthyesi, Anton Nikë Berisha, vlera e saj qëndron edhe në faktin se shumë ide e mendime, forma të transponimit e të shqiptimit të botës së njeriut, të krijimit të tablove poetike e të përshkrimeve të natyrës, janë shfrytëzuar dhe bërë objekt trajtimi në shumë vepra letrare të mëvonshme(4).

Është me rëndësi të theksohet se gjithë ajo që shqiptohet, në Epin e Gilgameshit, dëshmon, siç shkruan Anton Nikë Berisha, për një botë sa të lashtë, po aq të pasur e të veçantë.Bota njerëzore shprehet nëpërmjet Gilgameshit, mbretit të Urukut, heroi tragjik i veprës, dhe njerëzve që jetojnë në të. Bota e Gilgameshit ngërthen në vetvete tema nga më të ndryshmet, si ajo e: kuptimit të jetës, e botës së nëntokës, dhe e botës së përtejme, e p a v d e k ë s i s ë, e vdekjes, e errësirës, dhe e shkëlqimit; bota e gjumit, e ëndrrës dhe zgjimit; e shtegtimit, e kaosit dhe e rregullit, bota e hyjnores, njerëzores dhe shtazores, e egërsisë, e fuqisë, e agresivitetit, e dobësisë njerëzore, bota e dashurisë dhe miqësisë, etj.

Gilgameshi është shembulli tipik ku ndeshen heronjtë, perënditë, gjysmëperënditë e mitet ; të fuqishmit dhe të dobëtit, të egrit dhe të butët si dhe kombinimet ndërmhet tyre.Enkiduji i “egër” bie ndesh me Harlotin e civilizuar. Por ai përfiton prej tij; ndonjëherë humanizmi i Enkidujit prej Harlotit mund të merret edhe si pjesë e procesit të civilizimit të një pjese të botës së egër dhe primitive.

Pavarësisht nga dëshira e tij, Gilgameshit i ishte thënë:

“Kurrë nuk do ta gjesh jetën e përtejme që po e kërkon,
Sepse kur zoti krijoi njeriun, ia dhuroi atij vdekjen…”.

Njëra ndër idetë bosht të Epit të Gilgameshit, mbi bazën e së cilës pastaj krijohet një sistem i tërë kuptimor, është lufta kundër së keqes. Të këqijat për njerëzit janë të shumta, por e keqja më e madhe, së cilës ata nuk mund t’i shpëtojnë në asnjë mënyrë, është vdekja. Kësaj nuk mund t’i shmanget as mbreti i Urukut, Gilgameshi. Përpjekja për t’i shpëtuar vdekjes, përkatësisht për ta gjetur jetën e amshuar dhe rininë, përbën qenësinë kuptomore të këtij epi.


1. Epi i Gilgameshit. Përkthimin nga gjermanishtja, parathënien dhe plotësmin me shënime nga A N.Berisha, Rilindja, Prishtinë 1984. Botimi i dytë “Naim Frashëri” Tiranë 1990; Botimi i tretë i rishikuar “Argeta-LMG”, Tiranë 2008; Botimi i katërt i plotësuar me shënime “Argeta-LMG”, Tiranë 2016.
2. Mendimet dhe konstatimet e A N. Berishës për Epin e Gilgameshit, të shprehura te ribotimi i fundit, te “Vepër që i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe qëndresës së njeriut, kanë të bëjnë me tekstin e plotësuar nga G.Burckhard-i, përkatësisht me tekstin e përkthyer në gjuhën shqipe, që po i paraqitet, lexuesit, me botimin e fundit, e jo me tekstet e tjera me zbrazësira.
3. Epi i Gilganeshit, Vepër që i kushtohet tmerrit të vdekjes dhe qëndresps së njeriut, fq.5
4. Për praninë e Epit të Gilgameshit në letërsinë botërore është me rëndësi, pos tjerash, edhe vepra: Das Gilgamesch-Epos in der Weltliteratur, Strassburg; 1906, e P.Jensen-it.