Turqia duhet të jetë evropiane

0
1024

Dionis Xhafa

Së fundmi, disa politikanë me rëndësi në Turqi janë shprehur se nuk janë dakord me Bashkimin Evropian, duke shpërfillur vlerat e Evropës së Bashkuar. Ata kanë bërë komente edhe për kundërshtarët e tyre politikë, të cilët aktualisht gjenden në shumë shtete evropiane. Duket se pika e dobët e pushtetit aktual turk janë kurdët, të cilët vazhdojnë të sulmojnë stacionet e policisë në mbarë shtetin turk dhe duan edhe një shtet, të cilin ta quajnë Kurdistan. Shtetarët turq janë shprehur se shumica e vendeve të BE-së mbështesin PKK-në, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, parti kjo aspak e dëshiruar nga Ankaraja zyrtare. Madje, PKK konsiderohet edhe si “organizatë terroriste” prej shtetarëve të Turqisë.

Por, në fakt, a ia vlen të urrehen kaq shumë kurdët? A kanë bërë ata kaq shumë faj sa të meritojnë të urrehen? A janë kurdët njerëzit më të këqij në Turqi? Në fakt, vështirë se është kështu. PKK është në mbrojtje të kurdëve, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit të atij populli të shtypur në Turqi, që në pamundësi për të pasur të drejta, shkon deri në devijime të tilla, duke kryer sulme të herëpashershme, mbi policinë dhe mbi ushtrinë. Kjo, për shkak të mbytjes që ka, për shkak se askush nuk dëgjon në rajonin e Lindjes së Mesme, që kurdët të jenë të mëvetshëm.

Në fakt, kurdët janë ata që sot për sot janë duke luftuar përballë një prej organizatave më të egra terroriste që ka njohur bota sot dhe ndoshta edhe në historinë botërore: ISIS-in, të cilët janë ndoshta edhe më të rrezikshëm sesa oficerët e ushtarët nazistë. Kurdët pra janë ata që po luftojnë me ashpërsinë e duhur kundër furisë së ashpër të ISIS-it, duke qenë në anën e drejtë të historisë, ndoshta duhej me më pak agresivitet nga sa e kanë. Kjo është edhe arsyeja se përse Evropa, Bashkimi Evropian, mbështet kurdët. Kjo gjë ndodh pikërisht prej faktit se kurdët janë më pranë vlerave të Evropës dhe euro-atlantike. Ata e dinë se çfarë është liria dhe pikërisht liria është e shenjtë për çdo evropian.

Andaj, kurdët dhe Evropa janë aleatë, kurse shteti turk aktualisht, me atë qeveri që ka në pushtet, nuk është aleat i Evropës. Turqia nuk bën të thuhet se është “pjesë lindore e prapambetur”. Jo, aspak! Turqia është evropiane dhe mund të jetë e tillë, vetëm kur qeveria e saj të jetë me vlera të Evropës, të dijë të respektojë fuqinë e lirisë dhe të dinjitetit e jo çdo gjë ta bëjë më gjak, dhunë e përdhunë. Turqia është pjesë e Evropës dhe qeveria e saj duhet të jetë me parime evropiane.

D.Xh.

Shënim: Turqia është vend musliman, dhe vendet muslimane është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të sillen në mënyrë demokratike dhe me respekt për liritë dhe të drejtat e njeriut.