ALI MURIQI VEPRIMTAR DHE HUMANIST I DEVOTSHËM

0
1148

Ali Muriqi – Në 12 vjetorin e vdekjes aksidentale

Shkruan: IDRIZ ZEQIRAJ

Qysh me ardhjen e tij në mërgim, Aliu u angazhua në aktivitetete të gjithanshme politike dhe humanitare. Më 1994 themeloi Aktivin e LDK-së në Baiertal të Baden Würtembergut, që numëronte 260 anëtarë. Krahas veprimeve partiake dhe obligimeve financiare ndaj Kosovës, e cila i kishte krjiuar institucionet paralele, anëtarësia e Aktivit në fjalë u angazhua edhe në veprimtaritë humanitare. Për djalin e veprimtarit të shquar, Dr. Xhavit Ahmeti, të rënë në krye të detyrës, ndau bursë srudentore, duke e vazhduar të ndihmojë edhe disa shkollarë të tjerë në nënvojë.

Për ta zgjeruar dhe lehtësuar aktivitetin humanitar, Ali Muriqi, me shokë, formoi Shoqatën Shqiptaro-Gjermane “Kosovo-Hilfe”, (Nihmë për Kosovën), në kuadër të Komunës së Dielheim-it. Tani, përveç anëtarësisë të Aktivit të LDK-së, të cilët ishin edhe anëtarë të Shoqatës, pjesë e ndihmave u bënë edhe shumë qytetarë gjermanë, firma me bisnese të ndryshme dhe institucioni komunal i Dielheim-it. Shtretërit e dërguar për Spitalin e Pejës dhe të Istogut, janë kontribut i komunës, por, edhe ndihma të tjera të shumëllojshme.

Numri i shtuar i emigracionit shqiptar, pavarësisht shtetësisë së tyre, lindi nevojën për hapjen e degëzimit të Shoqatës Humanitare “Nëna Tereze”, edhe në Dielheim, e cila vepronte anekënd Gjermanisë dhe, pothuaj se, në të gjithë Mërgatën Shqiptare. Edhepse Shoqata Shqiptaro-Gjermane “Ndihmë për Kosovën”, vepronte e pavarur, nën drejtimin e veprimtarit të devotshëm Ali Muriqi, Shoqara Humanitare “Nëna Tereze”, nuk i bënte “hije”. Përkundrazi, kishin të njëjtin drejtues dhe kryesinë, me pak ndryshime. Qëllimi ishte që askush nga shqiptarët e aziluar, të mos mbetet pa u inkuadruar në dhënien sistematike të ndihmave për Kosovën dhe Shqipërinë, njëherësh. Sidomos, përgjatë viteve 1996-99, Shoqata Humanitare “Nëna Tereze”, pati një fluks të bujshëm ndihmash gjithëfarëshe.

Ali Muriqi me shokë ishte pjesë e Emergjencës të Luftës, që nga marsi i vitit 1998 e deri në fund të vitit 1999. Tashmë, ndihmat duhej përshtatur nevojave të luftës. Ndihma në të holla (marka gjermane), përveç 3%-it obligativ, kontribuan edhe me ndihma shtesë për Drenicën,; për armatim; për huanë, të garantuar me bona me vlerë, hua, të cilën Qeveria e Kosovës ende nuk e ka shlyer karshi mërgimtarëve. Dhe, nëse kjo hua nuk u kthehet donatorëve atdhetarë të devotshëm, kjo do të konsiderohet si – vjedhje zyrtare-. Sasia e madhe e medikamenteve të dërguara, nga Ali Muriqi me shokë, gjatë kësaj kohe, ka qenë e mirëpritur si në Shqipëri edhe në Kosovë. Ushqimet e përzgjedhura për luftëtarët si dhe ushqimet e veshëmbathjet për refugjatët, zënë një vend meritor për kohën e luftës.

Ali Muriqi me shokë, edhepse anëtarë të LDK-së, kontribues të rregulltë në Fondin Shtetëror (3 %-i i mirënjohur), dhanë ndihma të konsiderueshme edhe për Fondin “Vendlindja thërret”, një fond kusarësh e matrapazësh horrakë, të bandës të LPK-së, krahu kundërshtar i Jusuf Gërvallës, i cili kurrë nuk u shfrytëzua për nevoja të luftës. Një pjesë e këtij Fondi u përdor për sabotimin e luftës në Kosovë dhe vrasjen e oficërve dhe të veprimtarëve të Ibrahim Rugovës. Pjesa tjetër u nda për shefat e bandave në Shqipëri dhe Kosovë.

E veçanta e angazhimit të Ali Muriqit, në veprimtarinë humanitare, është përfshirja në këtë proces edhe të komunitetit rom e musliman të trevave shqiptare dhe të Sanxhakut. Ata kanë ndihmuar shumë edhe në transportimin e mallrave. Aliu u thoshte atyre se “Atdheu juaj është Kosova, prandaj, për të qenë ballëhapur, faqebardhë dhe të lirë në Kosovë, duhet të jipni prova me kontributin tuaj, së bashku me ne, shqiptarët”.

Ali Muriqi u lind më 14 maj 1948 dhe vdiq në një aksident komunikacioni më 26 tetor 2004. Në ditën fatale ishte në rrugëtim e sipër, me një makinë me ndihma humanitare, kur nga lodhja enorme, si rrjedhojë e udhëtimit të gjatë, në një lakore, në Malësinë e Kukësit, nuk arriti ta manevrojë automjetin dhe ra në humnerë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Për veprimtarinë e tij të suksesshme dhe përkushtuese humanitare, Ali Muriqi ka marrë mirënjohje e dekorata nga LDK-ja në Gjermani, nga LDK-ja në Kosovë, nga Zyra e Kosovës në Tiranë, nga Shoqata “Ulpiana” në Tiranë si dhe organizata të tjera në Kosovë dhe Shqipëri.