DAFINË PËR FIQRIUN, SHKRIMTARIN TONË TË “PËRTEJ DETIT”

0
975

(Rreth librit të ri, “Derte shpirti”)

Nga: Prof. Dr. Hektor Veshi

Një vlerësim i plotë dhe i merituar nga autoritet kritik, si Bjelinski ose Dritëroi ynë, mbase, do të duhej t’i bëhej krijimtarisë letrare të shkrimtarit Fiqri Shahinllari. Kjo, nga se frymëzimet krijuese, brenda qenies së tij, janë rritur bashkë me të e shërbejnë si “livadh” frymëzues i krijimtarisë së parreshtur edhe atje, “përtej detit”, në Virgjinia të SHBA-së, ku jeton, edhe tani, kur i ka kaluar të shtatëdhjetë vitet e jetës.

Sot lexuesit, jo dhe aq të shumtë në numër, për shkak të tirazhit të kufizuar të botimeve, (me lekë pensioni!), por gjithësesi, mjaft e shumë të kënaqur, janë njohur me krijimtarinë e tij të begatë, përmes shtatë librave në tetë vite, 2008-2016:“Lis në shkëmb”, “Kushtrimi i gjakut”, “Seriozitet, me buzëqeshje”, “Gjaku i trëndafilit”, “Brezargjendta dhe dushklisi i shenjtë”, “Dhëmbi” e, së fundi, “Derte shpirti”. (I citova saktë titujt, si ndihmesë për Bibliotekën Kombëtare pasi, përgjithësisht, u mungon adresa zyrtare e kodifikimit dhe sistemimit nëpër skedarë?! Ndërkohë që, mendoj, nuk duhet t’i mungojnë kujtesës së Kombit, si pasuri krijuese e vyer).

Format e krijimtarisë, që ka përdorur Fiqiriu, gjithmonë me sukses, janë: përshkrimi e tregimi, ku ka fituar edhe çmim; përralla, novela, romani, memuari etj., si dhe “mënçuri nga jeta”, përmes vargjeve në vjersha, deri në poemth… Në linjën e “mençurive nga jeta” na vjen në dorë edhe libri i fundit, “Derte shpirti”(Tiranë, tetor 2016).

Nuk ka nevojë të qendrojmë për të shpjeguar (për disa që nuk e dinë mirë) fjalën “derte” ose “brengë”, të cilën do ta quanim, sipas nesh, plagë e/të thellë/a shpirti, me pasoja të pariparueshme! Pasoja të tilla, me shkak kryesor nxitimin ose mos durimin për t’u thelluar në veprime, provojnë (dhe vuajnë) jo vetëm njerëzit, por edhe vetë perënditë! Më e thella, e përbotshmja, e provuar pothuaj nga çdo qënie e ndërgjegjshme- njeriu, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit individual e klasa shoqërore, është dashuria. Tema trajtohet bukur në novelën “Laurus nobilis” (Dafina), ku personazhi kryesor, perëndia Apollon përfshihet në një vorbull ngjarjesh dashurie e brenge aq të thellë sa, po me fuqinë e perëndive të tjera, krijohet, mbin e rritet, bima mesdhetare, aq e butë e me gjelbërim të përhershëm, dafina.

Dafina aromashumë, ilaç shërimi për zërin, aq aromatike për sëndyqet e gushën e nuseve, e përdorur nga njeriu edhe si kurorë nderimi për njerëzit më të shquar, luftëtarë ose poetë e shkrimtarë! ( E kush nuk e ka parë portretin e Dante Aligerit, poetit të madh Rilindas Italian, ku koka bëhet “njësh” me kurorën e tij prej dafine, si mirënjohje e lëvdim nga tërë njerëzimi që, brez pas brezi, njeh e mahnitet me veprën “hyjnore” të tij!)

“Dert” i krijohet gruas zemërmirë që, nga dashuria për burrin aq shumë të dashur, po e pamundur të lindëte fëmijë me të (!), ia rekomandon dhe e marton me dikë tjetër, ndërkohë që vetë e rimartuar, po si ai, lind fëmijë! Në pleqëri, fshehtas nga fëmijët e vetë, ia tregon dikujt, të huaj, “dertin”, që nuk korrigjohet, por që e mundon edhe se nuk mund t’ia thotë askujt nga të gjakut ose fisit. I ruhet turpit, se vazhdon ta dojë ish-burrin, që vetë e la, ia “fali” tjetrës.

Derte të tjera përshkruhen bukur e realisht në libër. Vetëm njëra, e reja Katrinë “ia del”, me ndihmën e shoqërisë, për mbrojtje e shkollim, ta mundë “ dertin”, nga fejesa qysh fëmijë, me një burrë, “baba” nga mosha, për të.

Pa e thënë hapur, me keqardhje të thellë, shkruan ky njeri i letrave, në fillim gazetar e tani shkrimtar e poet, për fatin tragjik në dashuri të dikujt, i largët në kohë e vend, për poetin rus Esenin, i martuar pesë herë, që i dha fund jetës, kur ishte tridhjetë vjeç (1925) dhe, në minutat e fundit, shkroi me gjakun e vetë poezinë e pashoqe, drejtuar “mikut”, me titull “Lamtumirë!”…Veç përmbajtjes, Fiqriut i intereson shumë të gjejë, nga Amerika, autorin e përkthimit aq bukur, në shqip, të kësaj poezie tragjike, “brengë” për këdo, si qytetar ose krijues. Nuk mund të mos e citoj këtë poezi, përkthyer nga Jorgo Bllaci edhe sikur redaksia ta shkurtojë, “për shkak të vendit, në faqet e gazetes ose Internetit”:

“ Miku im i shtrenjtë, lamtumirë/ Ty këtu në shpirt të kam, ta dish;/
Fati po na ndan sot, pa mëshirë,/ Po diku do shihemi, sërish.
Lamtumirë, mik, pa fjalë e lotë,/ Vetullat t’i ngrysësh s’ke përse,
Vdekja s’është e re në këtë botë,/ As të rrosh, nuk është gjë e re!”

Duket sikur i bën thirrje, sidomos rinisë së sotme, kudo, për të mos u përfshirë në rrjedha jete, pa detyra e synime, që kërkojnë e marrin jetë, si limontia, gangsterizmi,droga… gati pa pushim.

I ngjashëm, gati britmë dashamirëse, qytetare e shoqërore, është reagimi “dert” i Fiqriut edhe për poetin e ri vllah, Ziko Kapurani, që vitet e fëmijërisë dhe të rinisë së vetë i ka kaluar në fshatin e Fiqriut, Floq, para se të largohej e të bëhej jashtë vendit një poet i spikatur dhe i dashur për të gjithë bashkatdhetarët. “Berihaj! Na iku Zikua, miq të dashur”, duket sikur qan me dhimbje të thellë Fiqriu, kur i shkruan nga Amerika, gazetës “Vëllazërimi” të vllehëve, që botohet në Tiranë, nga Jani Gusha.

Shumë dije, mençuri, frazeologji popullore dhe përvojë jetësore përmblidhen në librin “Brezargjendta dhe dushklisi i shenjtë”, ku… lisi edhe plaket, thahet, po mbetet i pavdekshëm njeriu, njeriu i thjeshtë – “lis në shkëmb” dhe poeti, fjalëmbëli i dhembshur, i mprehtë, i ditur, i dashur, si vetë drita…ku hyn, me meritë, edhe Fiqriu vetë.

Një enciklopedi mençurie, e denjë edhe për moshën e autorit, përmblidhet në krijimin poetik 32- pjesësh, me titullin “ Luadhi i jetës dhe gjylja e kohës”, të cilin ai, me modesti, e quan “poemth”. E, si njeri me kureshtje dhe etje të pashuar për më shumë dije (ndryshe nuk bëhesh dot shkrimtar!), rreth plot thënieve nga mënçuria popullore, si: “ E humbi si Xhaferi simiten” ose “Për inat të vjehrrës, shkon e fle me mullixhinë”, etj etj., u bën pyetje miqëve e shokëve dhe lypë përgjigje: “ Më ndihmoni ju, o miq, s’e shikoni që po plas? Janë të zorçme, ndaj u lutem, me përgjërim”- parashkruan, në hyrje modestisht.

Libri mbyllet me vlerësime dhe urime për krijimtarinë e pëlqyer, nga shumë miq e shokë të Fiqriut, si: Prof. Hamit Boriçi – Tiranë, Luan Çipi- Vlorë, Fatmir Terziu- “Fjala e lirë”, Londër, Illo Foto – Nju Jork etj., të cilëve iu bashkohet edhe autori i këtyre radhëve. Madje, do të shtoja se autorë, si Fiqri Shahinllari, meritojnë mbledhje pa asnjë mungesë të krijimtarisë letrare e publicistike, sistemim në bibliotekë dhe vlerësim (lastar dafine?!), si për cilësinë dhe për rritjen, në “vetminë” krijuese, ku burimet kryesore mbeten mbresat e kujtimet nga vendlindja dhe puna e gazetarit në “Bashkimi” etj., të pasuruara nga informacioni prej kompjuterit.

Është dëshirë e detyrë, për më shumë përkujdesje ndaj krijimtarisë së autorëve shqiptarë, kudo jashtë Shqipërisë. Me krijimtarinë e zgjedhur të tyre, mund të hartohen edhe përmbledhje konkurruese dinjitoze, në prozë e poezi, madje, edhe informative shkencore, për degë të ndryshme të shkencave. Ata janë kureshtarët, zbatuesit e akumuluesit e dijeve të shkruara dhe me shumë vlerë, nga bota më e përparuar se e jona, për të cilat vendi, në rrugën e vetë, ka shumë nevojë.

Tiranë, 31 tetor 2016