Intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe e drejta historike e popullit të Kosovës

0
1368
Zymer Mehani - Fadil H. Curri

Prishtinë, më 31 tetor 2016

Instituti Albanologjik i Prishtinës

Promovimi i librit të shkrimtarit, z Fadil H. Curri “Intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe e drejta historike e popullit të Kosovës

Sot në lokalet e IAP u bë promovimi i librit të z. Fadil H. Curri, ku morën pjesë poetë, profesorë dhe dashamirës të fjalës artistike, musafirë nga të gjitha trevat shqiptare.
Takimin e hapi dhe e drejtoi moderatorja znj. Afrora Fusha.

Në këtë eveniment me shkrime për librin e z. Currit para auditorit u paraqitën: shkrimtari, Rudi Berisha, Mr. Ali Alidemaj, z. Izet Abdyli, z. Gazmend Islami,Prof. Hamdi Aliu, sekretari i SH SH “Fahri Fazliu” në Kastriot, z. Ismail Simnica.Prof. Zymer Mehani, shkrimtari z Fadil H. Curri.

Të gjithë të lartshënuarit elaboruan rreth librit në fjalë.
Fjala e Prof. Zymer Mehani për librin e z. Currit në këtë takim:
VËSHTRIM PËR LIBRIN “INTERVENIMI I NATO-S DHE E DREJTA HISTORIKE E POPULLIT TË KOSOVËS” TË SHKRIMTARIT, FADIL H. CURRI Shkruan Prof. Zymer Mehani Shkrimtari ynë i nderuar, z. Fadil H. Curri, këtyre ditëve nxori nga botimi librin e tij publicistiko-letrar, të titulluar:

“Intervenimi i NATO-s dhe e drejta historike e popullit të Kosovës”. Botues i këtij libri është Shtëpia Botuese “Rugova Art”, me drejtor z. Naim Kelmendi (shkrimtar)., Prishtinë, 2016.
Materien e këtij libri interesant, autori e ka konceptuar në tripjesë:
1. PERSONALITETE,
2. PËRKUSHTIME dhe
3. BALADË DHEMBJEJE.

Këtë libër, pra, autori Curri, e fillon me PERSONALITETE, ku ka portretizuar shumë figura të historisë dhe të kulturës sonë kombëtare, siç janë Enver Hadri, veprimtar shqiptar në Bruksel, me veprimtarë të tjerë, si: Gani Azemi, Enver Gashi, Luljeta Kurteshi, Behare Rexhepi, dhe të tjerë, që bënë shumë për Kosovën dhe njohjen e problemit të saj në arenën ndërkombëtare, pastaj Sadik Berisha, prof. i gjuhës dhe i letërsisë shqipe dhe shumë të tjerë.

Më pas, autori vazhdon me një artikull, në të cilin përshkruan një moment shumë të rëndësishëm për lirinë e Kosovës, siç është intervenimi i NATO-s mbi caqet e forcave të armatosura serbe, më 24 mars 1999, që u bë me qëllim, siç thotë edhe autori, për ta ndalur makinerinë vrastare të Millosheviqit dhe gjakderdhjen më të madhe në Kosovë e më gjerë. Autori, këtu do të shprehet se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte në shërbim të humanitetit, duke treguar qartë se shoqëritë demokratike anekënd globit do ta mbrojnë me çdo kusht rendin e ri demokratik botëror që u arrit me mund e sakrificë të madhe, duke u treguar qartë tiranëve, si Millosheviqit, Sheshelit, Sadamit, Gadafit dhe të tjerëve se këta janë të vegjël kundrejt botës perëndimore të civilizuar, civilizim, ky që mbrojti vlerat edhe në Kosovë.

Ushtarëve të NATO-s dhe dëshmorëve e martirëve të lirisë, autori Fadil Curri, do t’u kushtojë edhe ca vargje në poezinë “Vargje mbi gurë”:

“Qëndruat stoikë
Porsi Prometheu
Ndezët dritat maleve
Që të rrojë Mëmëdheu
Vargjet edhe këngët
S’do të shuhen kurrë
Do t’i shkruajmë ne
Në të mermertë gurë”

Më pastaj, autori në shkrimet e tjera të pjesës së parë do të vazhdojë të shpalos ca faqe të historisë sonë të dhimbshme, por edhe krenare të Kosovës, si në artikullin “Kosova e martirizuar”. Këtu z. Curri flet për padrejtësitë dhe dhunën sistematike, të cilën regjimi serbosllav e ushtroi ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. Në këtë artikull përmendet edhe figura emblematike e rezistencës sonë kombëtare, Adem Demaçi, të cilin regjimi ish-jugosllav e kishte burgosur disa herë, duke e mbyllur në burgjet famëkëqija për 28 vjet me radhë.

Autori, këtu nuk lë pa na e rikujtuar edhe një figurë tjetër, e ky është veprimtari i çështjes kombëtare dhe krijuesi letrar, Ramadan Rexhepi, të cilin, ashtu si Demaçin, e kishin burgosur serbomëdhenjtë, me qëllim që ta ngulfasin lëvizjen e rezistencës kombëtare, por edhe kulturën shqiptare përgjithësisht.

Në vargun e figurave kombëtare, shkrimtari z Fadil Curri, do të rendisë edhe figurën e shquar të historisë së Kosovës dhe të rezistencës kombëtare, Fazli Greiçevcin, i cili nga torturat e rënda të regjimit, kishte përfundura me vdekje në qelitë e burgjeve ish-jugosllave.

Gjuetinë famëkeqe ndaj atdhetarëve dhe intelektualëve shqiptarë, regjimi serb nuk do ta ndalte për asnjë çast. Kështu UDB-ja dhe spiunët e tyre me atentat i shuan dhe jetërat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës dhe të shokut të tyre, Kadri Zeka.

Në burgjet serbosllave do të mbylleshin edhe një sërë figurash kombëtare, siç janë Xajë Nura, Kosovë-Rexhë Bala, Beqir Musliu e shumë të tjerë. Autori, saktësisht na e rikujton edhe ushtrimin e dhunës nga regjimi serb ndaj intelektualëve të shquar, siç ishin Ali Lajçi, Hydajet Hyseni, Ismet Beka, vëllezërit Avni e Shukri Klinaku etj.

Me pietet, shkrimtari z. Fadil Curri do të përmend edhe poetët Selman Konjuha, Latif Berisha, Ymer Elshani, prof. Fehmi Agani, të cilët i kishte vrarë dora gjakatare serbe në luftën e fundit çlirimtare.

Në faqet e këtij libri lexuesi do të gjejë dhe shumë shkrime të tjera, të cilat te ne ngjallin krenarinë e të qenurit shqiptar. I tillë është edhe artikulli: “Retë e turbullta mbi qiellin e Kosovës”, në të cilin përshkruhet rezistenca heroike e Nebih dhe Tahir Mehës , në fillim-pranverën e vitit 1981, në Prekazin liridashës, që ranë duke luftuar me policinë serbosllave, duke mbrojtur kullën dhe qenien shqiptare.

Po ashtu në këtë pjesë të librit do të gjejmë edhe shkrime të vlefshme, që flasin për ngjarjet e zhvilluara në Kosovë prej 11 marsit 1981, kur shpërthyen demostratat masive të shqiptarëve për Republikën e Kosovës e deri më 13 qershor 1999, kur Kosova u çlirua nga kulçedra qindvjeçare serbosllave.

Mjaft interesantë janë edhe artikujt “Ngjarjet realitet”, “Sytë e Perëndimit nga Kosova”, “Demostratat e Pavarësisë”,”Nëntoka e Kosovës” dhe shumë artikuj të tjerë, në të cilët autori z Fadil Curri me përpikëri i përmbahet së vërtetës, duke i përshkruar shumë ngjarje saktësisht, tamam ashtu siç ishin zhvilluar.

Në faqet e këtij libri do të gjejmë shkrime edhe për figura të tjera kombëtare, që bënë shumë për Kosovën, siç ishte presidenti historik i Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova-Kolosi i Pavarësisë. Më pas autori na i rikujton edhe bamirësit e kombit tonë, siç ishin Familja FONDA, Familja BEGOLLI, dhe shumë familje të tjera, që ndihmuan në mënyrat më të ndryshme. Këtij vargu bamirësish i shtohet edhe Familja e Sadik FEKËS, Familja PAKASHTICA, Familja e Mustafë AVZIUT etj.

Autori Curri, me një artikull do të na e rikojtojë edhe 23 marsin e vitit 1989, kur me pretekstin e ndryshimeve kushtetuese, pushteti serbosllav, i ndihmuar edhe nga vasalët Syrja PUPOVCI e Hazër SUSURI dhe disa të tjerë, dhunshëm e suprimuan Kushtetutën e vitit 1974, duke e rrënuar kështu autonominë e Kosovës.

Më tutje, autori shpalos edhe kujtimet e tij personale gjatë takimeve të shumta me shumë figura të shquara të politikës, kulturës, historisë etj, siç janë takimet me plakun e urtë, Prof, Anton Çetta, Don Lush Gjergji, Zekeria Cana, Adem Demaçi e shumë të tjerë.

E Bacës Anton Çetta, autori do t’i thurë këto vargje:

“Baca ynë, Anton, o baca im
Parathënie e librit tim
Përballë dhembjes
Zbute frikën”!

Ndërsa Bacë Adem Demaçit, Poeti Fadil H. Curri do t’i drejtohet përmes vargjeve:

“Qëndrove si lis
Stoik, asnjëherë s’u përkule”

Autori do të përmend në këto faqe të librit të tij edhe grevën e famshme të 3 shtatorit 1990, pas së cilës pushteti okupues i dëboi nga vendet e tyre të punës mijëra punëtorë shqiptarë.

Në artikullin “Afrimi i orës së madhe” autori Curri, edhe njëherë do të na e rikujtojë datën 2 korrik 1990, kur delegatët e zgjedhur nga populli, edhe pse dyert e Kuvendit i kish mbyllur Serbia, para këtyre dyerve, vendosën dhe e shpallën Deklaratën Kushtetuese për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran, vullnet ky i përkrahur edhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.

Këtë deklaratë, siç e thekson këtu edhe z Fadil Curri, e nënshkruan 114 delegatë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.
Deklarata qe lexuar nga delegati Muharrem Shabani.

Më tutje autori Curri do të na përshkruajë me vërtetësi dhe fakte edhe dhunën që mbi universitetin e Prishtinës, mbi profesorë dhe studentë po e ushtronte pushteti serb. Largimin e mbi 35.000 studentëve nga fakultetet, largimin nga konviktet dhe hapësirat tjera universitare, largimin e mbi 2.200 profesorëve nga katedrat e Universitetit etj. etj. duke shkatërruar kështu çdo gjë shqiptare.

Autori rrëfen edhe për mbylljen e RTV Prishtina, Pallatit të Shtypit, ndalimin e gazetës “Rilindja” me traditë 50-vjeçare, të gjitha këto, më 5 korrik 1990.

Në këtë pjesë të librit autori do të shkruaj edhe shumë artikuj të tjerë interesantë, siç janë: “Varrosja e dhunës”, “Njohja e parë me zotëri Adem Demaçi”, “Shokët që u angazhuan në SH H B ”Nënë Tereza”, “Në shtëpinë e z. Sadik Nukës”, “Segregacioni edhe në sporte”, “Lindja dhe zhvillimi i UÇK-së etj Në pjesën e dytë të librit, të titulluar PËRKUSHTIME, shkrimtari, z. Fadil Curri do të rendisë poezitë e tij, kushtuar figurave emblematike kombëtare, si Shaban Jasharit, Komandantit legjendar, Adem Jashari, Fehmiut e Xhevë Lladrovcit, Vëllezërve Haradinaj, Avni e Shukri Klinakut, Ilir Konushevcit, pastaj shkrimi publicistik, kushtuar prindërve të Ilirit etj.

Dhe pjesa e tretë e këtij libri të z. Curri është e titulluar “BALADË DHEMBJEJE”, në të cilën autori ka paraqitur shkrime për të pagjeturit tanë nga lufta e fundit, të cilët i përjetëson me vargjet e tij, për të vazhduar me poezitë “Drenicë”, “Nënave të martirëve”, “Agim Ramadanit”, “Njeriu i Kosovës”, të cilën ia kushton Prof. Fehmi Aganit, për të vazhduar me poezi kushtuar dëshmorëve, Ferid Curri, Abedin Sogojeva, etj. për ta përmbyllur krejt librin me një shkrim, në të cilin autori, do të shkruajë për lashtësinë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tjera të popullit shqiptar dhe një shkrim tjetër për ndihmën e miqve ndërkombëtarë, dhënë kulturës sonë.

Shumë nga prej artikujve, autori i ka në këtë libër edhe në gjuhën angleze, me qëllim që edhe ndërkombëtarët të kuptojnë këto shkrime me vlerë.

Libri përmban edhe shumë foto, që flasin shumë për të kaluarën tonë jo të largët, pastaj faksimile dokumentesh të rëndësishme etj. Në fund të librit, autori Fadil Curri për ne lexuesit me modesti e ka përgatitur edhe një jetëshkrim të tij, nëpërmjet të të cilit mund ta njohim më mirë.

Po e përmbyll këtë vështrim timin me konstatimin se vlera e këtij libri është e madhe për faktin se na e hap edhe një dritare informacioni për ngjarjet që kanë ndodhur gjatë viteve ’80 e ’90 të shek. të kaluar në Kosovë. Prandaj, këto shkrime në prozë dhe në poezi neve do të na ndihmojnë për ta njohur më mirë këtë periudhë të historisë së Kosovës dhe sigurisht se do të na e ngrisin edhe më tej ndjenjën e atdhedashurisë.

Autorit Curri, ne nga zemra i urojmë shëndet dhe shkrime të tjera të radhës, po kaq të vlefshme, si ky libër, i cili po promovohet sot.

E lexuesve të nderuar ju uroj lexim të këndshëm !