Shkruan prof. Zymer Mehani
Një emër i ri në fushën e krijimtarisë letrare, në proza të shkurtra dhe në poezi, është edhe z. Shefki Përvetica. U lind më 1 shkurt 1966 në fshatin Popovë të Besianës, ku edhe e filloi shkollimin fillor, për ta vazhduar në Besianë, Aty e kreu edhe shkollën e mesme, drejtimi Teknik i bujqësisë. Më pas detyrohet që t’i përgjigjet thirrjes për shërbimin ushtarak. Pas kryerjes së këtij shërbimi, regjistrohet dhe i vazhdon studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën Gjuhë dhe letërsi shqipe te profesorët e njohur Rexhep Hoxha, Ahmet e Ramiz Kelmendi, Mazllum Hasimja etj.
Për shkaqe ekonomike, Shefkiu nuk e ushtroi profesionin e mësimdhënësit, për çka kish studiuar, meqë prej tij varej familja shumanëtarëshe, por u kyç në fushën e ndërtimtarisë, të cilën e kryen me përkushtim.
Me krijime letrare z. Shefki Përvetica filloi të merrej qysh si nxënës i shkollës së mesme. Sot ky krijues shkruan tregime të shkurtra dhe kryesisht poezi. Më tepër e kultivon poezinë atdhetare. Te lexuesit tanë është i njohur me tregimin “Nëna në karrocë”, në të cilin e përshkruan gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë të shumë familjeve, e posaçërisht të femrave, që nuk kanë meshkuj në shtëpi dhe për pasojë detyrohen për t’u marrë vetë me punë të rënda fizike për të mbajtur fëmijët e vegjël jetimë, pasi që ua rrëmbeu lufta e disa janë ende në listën e të pagjeturve, Këtë vit poeti Shefki Përvetica, me vetëfinancim nxori në dritë përmbledhjen e tij të parë me poezi, të titulluar “Eja, Pranverë”.
Në këtë përmbledhje, gjuha është e kuptueshme dhe rrjedhë si lumë. Ajo është e lehtë, pa ngarkesa fjalës a shprehjesh të paqarta. Herë-herë, për t’i dhënë ngjyrim krahinor vargut, poeti ka përdorur edhe fjalë dhe trajta dialektore, por pa teprime. Ndryshe, fjalori i përdorur në këtë vëllim poetik është i kuptueshëm, sepse fjalët poeti i ka përdorur me përpikëri në gjuhën standarde, pa shkarje të mëdha.
Vargu është kryesisht gjashtërrokësh, por edhe tetërrokësh e njëmbëdhjetërrokësh. Kryesisht në këto poezi dominon vargu i rimuar, me të gjitha llojet e rimave, që përmbledhjes ia shton vlerën edhe më shumë.
Prej figurave letrare, më dendur janë përdorur krahasimi, metafora, epiteti, e sidomos hiperbola.
Mendojmë se përmbledhja “Eja, Pranverë!” është një përmbledhje e arrirë, me vlera letrare, që do t’i josh lexuesit, dhe pse jo, edhe do t’i mahnitë me çiltërsinë e shprehjes nëpër vargjet që rrjedhin si lumë. Dominon motivi i atdhedashurisë.