Të mbrohesh dhe të kurohesh nga sëmundjet, duhet ta quash veten objekt i natyrës dhe natyrën “spitali” yt i mjekimit.
Ky studim, në fakt, nisë pothuajse me fillimet e jetës sime, pra që në fëmini. Kam lindur në një fshat në prehrin e Alpeve, në Mulaj të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Ai është si një arkitekturë e bërë nga vetë natyra, midis maleve e shkëmbenjve shumë të lartë, krejtësisht i izoluar e pa rrugë komunikimi, vetem me ato që njerëzit i kanë formuar vetë, me mënyrat e tyre të kalimit. Por gjithçka atje është e jashtëzakonshme dhe pothuajse nuk mund ta gjesh të tillë askund. Aty linda, në mes atyre bjeshkëve të bukura e krenare, në mes luleve e barit të njomë të livadheve alpine, pranë krojeve e lisave të lartë, lumenjëve e përrenjëve me gjelbërim të jashtëzakonshëm dhe të paparë në asnjë vend tjetër.
Por, pa u zgjatur në përshkimin e vendlindjes sime, po flas shkurt për këtë punim timin rreth 20-vjeçar. Pra, çfarë paraqet ky studim për bimësinë mjekësore dhe cilat janë karakteristikat e veçoritë e tij?
Qysh në vitin 1975, nisa punën për studimin e bimësisë mjekësore të Nikaj-Mërturit dhe me vonë të gjitha zonave të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe të Alpeve të Shqipërisë, në pëgjithësi, duke marrë si pikë referimi Alpet e Tropojës.
Kam kaluar disa herë nëpër çdo pëllëmbë të kësaj treve, për vetë kushtet e jetës sime. Për fat të mirë, në atë kohë unë punoja si farmacist e m’u dha mundësia e komunikimit nga afër me banorët dhe zonat e kesaj treve.
Kështu, u krijua një herbar i bimëve mjekësore, i cili në vitin 1990 u ekspozua në rrethin e Tropojës, me pjesëmarrje nga gjithë Shqipëria të specialistëve përkatës, mjekë farmacistë, botanistë etj. Eshte bërë kalsifikimi i tyre botanik, duke u mbështetur në të dhënat e studiuesve të ndryshëm shqiptarë dhe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kryesisht janë shfrytëzuar autorët, si Mustafa Demiri, për florën ekskursioniste të Shqipërisë dhe literturat e vendeve te ndryshme te botes.
Pastaj është bërë klasifikimi farmakologjik-mjekësor dhe përmbajtja në substanca aktive. Janë përcaktuar zonat e rritjes së tyre për çdo specie, deri në llogaritje statistikore në sipërfaqe. Po kështu, janë hedhur në hartën fito-gjeografike, sipas zonave te rritjes dhe fushave gjeografike.
Një nga karakteristikat e këtij studimi, që praktikohet për herë të parë në nivele te tilla, është se:
- Duke u përcaktuar zonat e rritjes së bimëve mjekësore me ekzaktësi dhe bërja e llogaritjes statistikore në numër dhe të grupuara sipas përmbajtjes në substanca aktive në zona, janë përcaktuar zonat fitokimike në natyrë, ku ato rriten dhe është paraqitur dendësia e tyre sipas zonave. Kështu, janë emëruar edhe zonat, të quajtura kimike, në natyrë, p.sh. zona me bimë alkaloide dhe në nivele të ndryshme, po ku janë më të përqendruara. Gjithashtu, janë analizuar edhe shkaqet e dukuritë e kësaj dendësie, sipase zonave e kështu me radhë.
Nje veçori tjetër dhe shumë e rendësishme është se është bërë studimi i ekologjisë së Alpeve në një mënyrë te tillë, ku kam nxjerrë përfundimin se bimët në ato zona janë shumë dhe të veçanta, deri dhe endemike. Ato kanë ruajtur gjenezën, pa bërë mutacione, si natyrore e nga njeriu.
Për këtë arsye, është arritur në përfundimin se Alpet e Shqipërisë së Veriut është vendi më i pasur me bimësi mjekësore, jo vetem në Evropë, por dhe më gjerë. Ato janë gjenetikisht më të pastra dhe natyralisht më të pastrat, qe jane njohur deri më sot. Gjithashu, tregohet se janë më të pasura në përmbajtje, në substanca aktive e mjekësore.
Në ditën e ekspozitës së bimëve mjekësore: “B.Curri”, 1990. (I pari nga e majta, autori i librit)
880 BIMË MJEKËSORE NË ALPET E SHQIPËRISË
Shifra me 880 bimë mjekësore, e evidentuar dhe që rriten në Alpet e Shqipërisë së Veriut e kryesisht në ato të Tropojës, nuk përfundon me kaq. Por kete gje ua lë studiuesve të tjerë, në vazhdim, pasi besoj që kjo shifër do të arrijë deri në 1.000. Ndersa vetëm përmbledhjen shumë të shkurtër të këtij studimi, pothuajse 10% të tij, po e paraqes në këtë libër dhe po i vë titullin: “880 bimë mjekësore në Alpet e Shqipërisë”. Por besoj se shumë shpejt do të publikoj të tjera të dhëna të kësaj treve me shumë interes, studimor e praktik.
Në këtë libër janë përshkruar edhe një numër i madh metodash mjekimi dhe vlerat mjekësore të substancave, që përmbajnë, duke i grupuar për lexuesin dhe për ta patur më të lehtë kush don t’i përdorë ato, duke u orientuar në efektet e tyre. Por, kam vepruar në këtë mënyrë, duke iu ruajtur dhe ndonjë spekullimi të mundshem ose të mosnjohjes. Mendoj se është me interes që janë futur termat më të reja të shkencës së sotme për fito-terapinë dhe metodat e mjekimit, moderne e shkencore, deri edhe në trajtimet e sëmundjeve të rënda, si tumoret, sistemet imunitare te organizmit etj.
Duke e mbyllur, them me dhimbje se i gjithë herbari im i bimëve mjekësore, për të cilin djersita e u lodha në malet e vendlindjes sime, ku kam dhe poezinë time të shpirtit, mori udhët e botës dhe ato gjenden diku afër trupit tim, ku jetoj e punoj. Por kam shpresë se një ditë do t’i kthej në Shqipëri, mbasi të bëj dhe një ekspozim të dytë të tyre. Shënoj këtu se paraqitja e parë u bë në Universitetin e Camerinos-Itali dhe aty mbrojta e mora titullin “Doktor i shkencave farmaceutike”, në vitin 1998, me punimin e titulluar: “Le piante medicinali della regione di Tropoja-Albania”.
Po ju le të lexoni studimin tim dhe me kënaqesi pres vërejtje e mendime dhe jam i gatshëm që t’u jap edhe shumë gjëra më të reja të kësaj fushe. Këtu kam parasysh këtë studim dhe faktorët e ndryshem për shumëllojshmërinë e bimësisë mjekësore në ato treva të rralla, ekologjinë fito-kimike dhe pastërtinë mjedisore. Se te tillë nuk mund ta gjesh në ndonjë vend tjetër të Evropës e më gjerë. E njejta gje mund te thuhet per ekzistencën e bimëve mjekësore, që janë ruajtur aq mirë nga vetë faktorin natyror, por edhe njeri, per mundësitë e reja shkencore dhe ekonomike në këtë fushë.
Prandaj:
– Unë propozoj që zonat si: Piku i Currajve, Lumi i Plasë, Shtegu i Dashit (Roga e Deli Ahmetit mbi fshatin Mulaj, si e jashtëzakonshme në bimësi, të rralla e të pastudiuara endemike), Vashqefa, zona e Kakisë së Nikajve, Lugina e Thethit, Bjeshkët e Shalës, Lugina e Valbonës, Bjeshka e Kollatës, Rrogami i Shalës, Gryka e Motinës, Bjeshkët e Çeremit, Mollafci, Shkëlzeni i Gashit, Lkeni i Ponarëve (Velisht i Geghysenit), Qafa e Kolçit, Korja e Mërturit, Bjeshka e Bëtoshës, Goleshi me Vorrin e Fratit, Bradozhnica, Dobërdoli, Stoberda, Gryka e Dragobisë, duke filluar nga Ura e Shoshanit, të shpallen nga shteti shqiptar si zona të rralla, me bimësi spontane natyrore, të pastra dhe trashëgimtare natyrore, gjthnjë në zhvillim dhe jo në shkatërrim, duke u mbrojtur me ligje të posaçme.
Po kështu, ato t’u paraqiten organizmave ndërkombëtare që të njihen për vlerat e tyre natyrore, kaq të rralla për shkencën e kulturën dhe për ekonominë, pasi janë vende ende të pashkelura, që meritojnë në të ardhmen një përkushtim të jashtëzakonshëm. Jam i bindur se disa nga keto vende, të cilat i kam përmendur në këtë studim, do të jenë zona kurimi natyrore, pra siç i kam emertuar, “spitale natyrore”. Dhe kjo nënkupton konceptin kurativ dhe jo negativ. Sepse aty të trajton dhe të kuron vetë natyra-spital.
Këto, që shkrova në këtë libër, ua kushtoj me nderim e mall mërgimtari, vendit e popullit tim të dashur.
Itali, qershor 2008
Università di Camerino
Dr. Zef Mulaj