KUJTIME NGA MIRDITA (MË 29 MAJ 2016)

0
1211
Shefki Pervetica - Historia në korrnizë

Shkruan Shefki Përvetica

E diela e fundmajit e datës 29.05.2016 do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën time për një kohë të gjatë. Në këtë ditë u ndjeva krenar që jam shqiptar si kurrë më parë. Mirditorët më bënë të fluturoja me krahë shpat më shpat e breg më breg; të shëtisë me fantazinë time nëpër faqet e lavdishme të historisë, duke rikujtuar shumë figura të shquara, që këtë ditë m’u ngjallën si feniks në meloditë dhe këngët e Ansamblit Folklorik të Mirditës.

Këngët dhe vallet që u interpretuan në këtë ditë në Pallatin e Kulturës në Rrëshen prej artistëve mirditorë dëshmuan se kur puna merret me seriozitet dhe me përkushtim, do të japë edhe rezultate pa farë dyshimi. Kjo u dëshmua dhe u vërtetua edhe nga grupi i valltarëve të rinj. Të gjithë varg porsi shqipe mali si një në hapa dhe në lëvizje të linin pa frymë me emocionet e fuqishme që të dhuronin. Shihej qartë puna plot përkushtim që ishte bërë me këta engjuj të vegjël.

Ajo që të binte në sy, pa dyshim ishte kostumografia unikate e Mirditës dhe pamja mbresëlënëse e valltarëve të vegjël.
Thënë drejt, ekzekutimi i valles që u bë nga grupi i valltarëve të vegjël na nxori lotë gëzimi nga sytë. I etur për përjetime kësofare, nuk ia dola që të përmbahem assesi.

Shumëçka mësova nga ky manifestim, që bëhej për nder të 40-vjetorit të punës së një artisti të skenës mirditore, poetit popullor z. Kolë Beci, me ç’rast u bë edhe promovimi i përmbledhjes së tij “Zogj në qiellin e vendlindjes”. Aty e pash dhe e ndjeva mungesën e organizimeve të tilla te ne në Llap.

Po kush të organizojë?!!! Ku janë artistët tanë, që e quajnë veten njerëz të kulturës e të skenës?! Vallë ç’u bë me ta?!!!
Rastet e tilla kulturore, si ky i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Mirditës, të japin motiv dhe të vetëdijësojnë se vetëm me punë të mirëfilltë, me seriozitet dhe me njerëz tamam profesionistë mund të arrish rezultate të dëshiruara.

Kur jemi tek tema e interpretimit të këngës burimore mirditore, assesi s’mund të anashkalohet interpretimi i mrekullueshëm i mbretëreshës së Ansamblit të Mirditës, të madhes artiste-MRIKA TRUMSHI, e cila me zërin e saj bilbilor na i ngriti zemrat peshë.

Kënga e saj xhevahir “ Mirë se vjen dita e shqiptarit” vërtet na mbushi përplot emocione, duke na e shtuar krenarinë e të qenurit shqiptar. Kjo ikonë e këngës burimore shqiptare sikur më dha krahë për të fluturuar në qiellin arbëror porsi shqipe mali.

E postoi prof. Zymer Mehani