(Material i huazuar nga z. Zef Dodaj)
E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Baki Ymeri është i njohur si poet, përkthyes, eseist dhe publicist.
U lind në Shipkovicë të Tetovës (1 gusht 1949), nga një baba shqiptar (Ajvaz Voka), dhe nga një mama rumune (Aurelia Graur). Kreu gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kosovës në Prishtinë (1969-73). Duke qenë i ndjekur nga pushteti komunist i ish-Jugosllavisë, arratiset në Rumani (1973). Vazhdon studimet e specializimit në Vjenë (1974) dhe në Bukuresht (1975).
Ndërkohë shkruan, përkthen dhe boton artikuj e studime mbi lidhjet farefisnore rumuno-shqiptare, përhap literaturë shqipe në relacionin Bukuresht-Shipkovicë-Prishtinë, shpifet, ndiqet, arrestohet (1975) dhe dënohet nga Gjykata komuniste e Qarkut të Shkupit me gjashtë vjet burg të rëndë (1976).
Arsyetimi i procesit të montuar politik ishte: “Bashkim për veprimtari armiqësore kundër bashkësisë sonë socialiste”.
Që nga viti 1971 përkthen letërsinë shqipe në gjuhën rumune dhe anasjelltas. Jep provimet e doktoratës në Universitetin e Bukureshtit. Polemizon, afirmon dhe mbron çështjen shqiptare të Kosovës në shtypin rumun dhe atë shqiptar. Merr pjesë në simpoziume ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Afirmon diasporën shqiptare. Bashkëpunon me një varg revistash e gazetash në veri dhe jug të Danubit. Vepron në kuadrin e Këshillit Udhëheqës të Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë.
Themelon Shoqatën e Miqësisë Rumuno-Shqiptare. Afirmon dhe përkrah bijtë dhe bijat e rilindësve tanë. Të gjitha aktivitetet i kryen vullnetarisht, pa kurrfarë të ardhurash.
Gjatë viteve të fundit ka përkthyer dhe botuar mbi 35 poetë nga Kosova në gjuhën rumune (Sali Bashota, Miradije Ramiqi, Ibrahim Kadriu, Sabile Keçmezi-Basha, Nexhat Rexha, Sabit Rrustemi, Halil Haxhosaj, Engjëll Koliqi, Albina Idrizi, Burhanedin Xhemaili, Drita Nikoliqi Binaj, Brahim Avdyli, Sadije Aliti, Jeton Kelmendi, Ramadan Mehmeti, Sarë Gjergji etj.).
Baki Ymeri është autor i qindra artikujve për diasporën shqiptare dhe bashkautor i dy monografive mbi sivëllezërit tanë në veri të
Danubit: “Shqiptarët e Rumanisë” (Tetovë, 1994), “Emigracioni nga Maqedonia Perëndimore në Rumani” (Shkup, 2004). Ai është njëherësh njohës i një numri të konsideruar gjuhësh të huaja, autor i qindra artikujve mbi diasporën shqiptare, zbulues thesaresh të shoqërisë “Drita”, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë, prezent në disa antologji poetike, laureat mirënjohjesh të ndryshme, i nominalizuar nga Instituti Biografik Amerikan (ABI):
Njeriu i Vitit 2001. Jeton dhe krijon në Bukuresht, ku jep kontribut për afirmimin e vlerave letrare të Kosovës në gjuhën rumune, boton, udhëheq dhe shpërndan revistën Shqiptari/Albanezul.
Sipas dr. Luan Topçiut, Baki Ymeri është njeriu që shkriu jetën për historinë e shqiptarëve të Rumanisë dhe, mbi të gjitha, për poezinë, këtë dhuratë hyjnore, që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë të frytshme.
Bibliografi lirike:
– Kaltrina (botim dygjuhësh shqip-rumanisht, Bukuresht, 1994); -Dardania (botim dygjuhësh, Bukuresht, 1999; -Zjarr i Shenjtë (Tetovë, 2001; -Lumina Dardaniei / Drita e Dardanisë (Muzeu i Letërisës Rumune, Bukuresht, 2004):
– Drumul Iadului spre Rai/Rruga e Ferrit për në Parajsë (Bukuresht, 2005), etj.
Është nderuar dhe lauruar me:
– Mirënjohje nga Kombet e Bashkuara (Qendra për të Drejtat e Njeriut), e nënshkruara nga Ibrahima Fall (Bukuresht, 21 tetor 1994),
– Laureat i Urdhërit Kavalier i Mioricës në Fokshan të Rumanisë (2006), -Laureat i çmimit të Mirënjohjes për Kritikë letrare nga ana e Klubit të Shkrimtarëve “Drita” dhe Drejtoria e Revistës letrare “Pelegrin” në Athinë (2006).
– Mirënjohje (për donacion dhe bashkëveprim) nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës (2007), etj.