Nga Isak Ahmeti
(Anton Nikë Berisha: Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar, roman, “Faik Konica”, Prishtinë 2002.
La sete pietrificata, përkthimi italisht nga Albana Alia, Pellegrini Editore, Kozencë, 2013.)
Të dy botimet, ai shqip dhe italisht, kanë zgjuar interesim të madh tek kritika letrare shqipe dhe italiane. Pa dyshim se botimi italisht (që do të promovohet, me 5 dhjetor 2016, në Bari të Italisë, paraqet një ngjarje të veçantë jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe për atë italiane, gjë që është vlerësuar edhe nga 22 shkrimtarë dhe studiues italianë e arbëresh. Ky roman, të cilin po e marrim në shqyrtim, si tekst letrar narrativ dhe si tekst i hapur (Umberto Ecco) ofron mundësi të shumta interpretimi dhe vlerësimi.
Si arritje e përkryer artistike (Eneida Topi), si roman i një bukurie të skajshme, ka zgjuar interesim të madh te kritika letrare shqipe dhe e huaj, veçanërisht ndër shkrimtarët dhe studiuesit italianë dhe arbëresh, 22 punimet e të cilëve janë përfshirë tek libri: Romanzo di estrema belleza a cura Alba Alia – Labinot Berisha, “Faik Konica”, Prishtinë 2016, që nxjerrin në pah dy çështje: nga njëra anë qasje, lexime dhe interpretime të ndryshme, veçantinë, pasurinë e tekstit dhe mundësinë e komunikimeve të ndryshme të tij dhe nga ana tjetër, aftësinë dhe dijen e autorëve të punimeve për t’u ballafaquar me një strukturë poetike të ndërliqshme, siç është ajo e romanit Etja e gurëzuar (Albana Alia & Labinot Berisha).
GJIN BARDHELA I ARBRESH & ETJA E GURËZUAR
(Shtresimet)
Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar i autorit të mirënjohur, Anton Nikë Berisha, është një roman vlerash të mëdha poetike, roman i përkryer artistikisht, i strukturuar në 16 kaputuj; çdo kapitull është edhe një gurrë e re idesh e përjetimesh, të cilat janë strukturuar harmonishëm në organizimin kompozicional. Së këndejmi, sipas vlerësimit të Prend Buzhakës, rrëfimet këtu dalin aq të shkurta, të copëzuara apo si rrëfejza të brejtura. Mungesa e një sinteze të gjerë epike zëvendësohet me copëza rrëfejzash (“copëza rrëfimesh, si shkulme shtjellash të largëta…”) me fragmente simbolike, me struktura të tëra lirike-figurative. Këto copëza rrëfimesh narratori i krahason me qindvjetshat.
Megjithatë, koherenca mbetet se mbetet e realizuar përmes një kodi specifik krijues: përmes Vetëdijes Ideale, Shpirtit të shtresuar arbëresh, të plazmuar te personazhi kryesor që është Gjin Bardhela (por ka edhe personazhe të tjerë si: Gjyshja Mri, Magdalena e bukur e Maqit, Zëri, Rrezarta, gruaja e vdekur e Gjin Bardhelës, Nëna Drane dhe babai i Gjin Bardhelës – bartës të ideve në roman – me të cilët, në shtegtimin e tij, ai, Gjin Bardhela, ringjallë takimet. Është me rëndësi të theksohet se të 16 kapitujt, me tekste paralele në kursiv, me përzgjedhje stilistike të veçanta, me tablo poetike të pazakonshme, me sintaksostilemat, tekstit në fjalën i japin cilësi të papërsëritshme. Kjo cilësi e papërsëritshme është pothuaj në të gjitha faqet e romanit, por në mënyrën më të theksuar dhe të veçantë te fillimi i kreut të parë dhe te fillimi i kreut të fundit, të cilët po i japim në vijim për të parë dhe për të shijuar bukurinë dhe veçantinë e shtjellimit poetik :
“Hijet e muzgut të lodhur luanin padjallëzisht me jehonën e gurgullimës së Lumit të Madh të Maqit; përngjanin në shtojzavalle të brishta, që ringjallen në ndërrime stinësh. Hidheshin herë me një anë e herë më anë tjetër të katundit si përfytyrime të turbullta e pastaj zbritnin lehtë-lehtë dhe puthnin valët, që dalëngadalë i mbulonte terri. Lumi rridhte si një ëndërrim i paftuar i harrimit. Pas pak reja e dendur dhe e zymtë, e krijuar thuaja nga pështyma hyjnore, zbriti dhe vuri plotësisht pushtetin e saj të mugët në kulmet e shtëpive dhe në rrugët e Maqit të heshtur: katundit iu zu fryma si mbrëmjeve të vona të dimrit mbytur në akull, kur nata, bashkë me cegmën, shtrihen pacenueshëm dhe njerëzit zënë e strukën në vetvete si të zënë në moh dhe i falen jermit të përgjumtë”
Romani në fjalë i Anton Nikë Berishës ka gjithçka ngrin dhe gurëzohet (gurëzimi si një dukuri që na ka ndjekur ndër shekuj – gurëzimi i ëndrrës dhe njëmendësisë, i mendimit dhe ndjenjës, qenies dhe shpirtit, i idealit dhe veprimit(Anton Çefa), është shtresuar në dy plane, në dy nyja kompozicionale në mes Idealit dhe Realitetit, mes Shpirtit dhe Shprishjes, në mes Etjes dhe Gurëzimit. Për këtë gjendje ballafaqimi e përplasjeje, është i vetëdijshëm edhe vetë Gjini-Antoni, kur thotë:
“Ti shkel nëpër ëndrrat tua, i tha zëri.
Shkel, se ato kanë vërshuar udhën dhe s’ka kah t’ia mbaj.
Zoti nuk m’i ka dhënë krahët të fluturoj si shpend nëpër qiell.
Nëse ti shkel nëpër ëndrrat tua, atëherë shkel nëpër jetën tënde. “Ëndrrat” janë pjesa më e lirë e lirisë së shpirtit dhe e mendimit të gjakuar”.
Ç’është e vërteta, këto ballafaqime, siç e ka vënë re edhe P. Buzhala, janë kontrastuar në përmasa universale kohësh dhe hapësirash: etje/det si dhe në përmasa të mikrokosmosit personal: errësirë/dritë.
Romani: Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar, botimi i Prishtinës, është përcjellë me një shkrim, mjaft përmbajtësor, të shkrimtarit e përkthyesit Amik Kasoruho, të titulluar: Gjin Bardhela përmbyll tragjeditë e lashta dhe dyshimet e sotme, bukurinë e pamort dhe trishtimin e pashuar, ku, ndër të tjera, thuhet: “Thellimi i punës kërkimore bashkë me erudicionin si dhe përvoja e tij bashkë me shkrimin imagjinativ, i ka mundësuar Berishës që të krijojë njërën prej veprave më të rëndësishme të tij dhe të prozës shqipe në pëegjithësi, romanin Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar.
Personazhet, vendet ku shpaloset jeta e tyre, ambienti e edhe gjuha e romanit të Anton Nikë Berishës na çojnë në Arbëri. Por një kufizim kaq i ngushtuar i veprës do t’i hiqte asaj atë vlerë që e bart natyrshëm nga faqja në faqe…
…nuk gjejmë në të një ndodhi që përmbyll një fillim dhe një fund, sepse nuk trajton një copë jetë: është një pasqyrë jete. Shpesh, duke shfletuar faqet e prozës, na bëhet se jemi duke lexuar poezi të mirëfilltë”. Këto nendime dhe vlerësime të A. Kasoruhos, të cituara më lart, siç e ka vënë re edhe Ragip Sylaj, i përligj vetë teksti i romanit të A.N. Berishës. Madje vetë përmendja e disa titujve të kapitujve mundëson të hetohen dhe shijohen bukuritë dhe veçoritë e gjuhës poetike, ngarkesat semantike dhe ngjyrimet stilisike:
“Rrëfejza të brejtura, Gruaja me yje në sy, Këmisha e gjarprit, Shtjellë frymësh, Ura pa një krah, Rrëfimi i djegur, Vargjet në pergamenë të gurtë, Prushi i ëndrrave” etj.
Në agoninë e Gjin Bardhelës-shkruan Anton Çefa – fizikisht më shumë i vdekur se i gjallë, shpirtërisht më afër jetës se vdekjes-ravijëzohet historia e shpirtit të arbërit, pasqyra e identitetit tonë etnik, trashëgimia e psikës sonë kombëtare, një qenësi e mitit dhe realitetit, përvijëzimi i ëndrrës dhe zhgëndrrës.
Ai në të vërtetë eshtë personazhi i vetëm i veprës, që tërheq, nëpërmjet përfytyrimit, një mori personazhesh të tjerë (si p.sh. malësori nga Dheu i Arbërit, i shtrënguar nga varfëria dhe mungesa e bukës për fëmijë, detyrohet ta ndez pyllin pranë shtëpisë për ta shndërruar në tokë buke…), të gjallë e të vdekur, që gjallojnë në këtë botë dhe në të përtejmen, të gjithë të gurëzuar në etjen e Arbërit për jetë. Për më tepër, Gjin Bardhela, si kryepersonazh, është një arbëresh i gdhendur kohërave dhe hapësirave të Arbërit, që bart fatin tonë dhe prandaj na takon të gjithëve dhe çdo dukurie që lidhet me ne: historisë sonë, mitit, psikologjisë, mënyrës së jetesës, zakonit, kulturës, artit.
Ai mediton të haluaren historike, kujtohet duke rrëfyer mite iliro-shqiptare me gjarpërinj dhe shtojzavalle, rithekson disa vlera esenciale etnopsikologjike dhe etike të arbërorëve si mikpritja, besa, flijimi për të mirën e përbashkët, por nuk e kapërcen, si vërehet, superstitucionin pagan që ka mbijetuar pjesërisht, në forma të ndryshme, deri sot (A.Gojçaj).
Ëndrra dhe filozofia e Gjin Bardhelës për jetën, për njeriun dhe për njerëzimin në përgjithësi dhe, në mënyrë të veçantë për arbëreshin, është shpalosur artistikisht nëpërmjet dialogëve të tij me një zë që flet së brendshmi, i cili nuk jetëson vetëm një alter ego, por kryen disa funksione artistike: kujton, argumenton, kundërshton dhe mbi të gjitha, përsiat, filozofon.
Në romanin në fjalë janë gërshetuar me mjeshtëri, në mënyrë brilante, historia kombëtare dhe kulturore e kombit, gjeografia fizike dhe shpirtërore e tij, ku lehtas kanë hyrë edhe personazhe të tjera, kulturore e historike, si De Rada e Gjergj Kadtrioti, figura shumë domëthënëse në jetën shqiptare.
Është me shumë rëndësi të theksohet se romani në fjalë shquhet për përshkrime të bukura, mahnitëse, duke marrë dukshëm një konfiguracion etno-psikik, deri në përshkrime të detajshme të jetës zakonore, madje deri në veshjen e personazheve legjendarë. Është poetik, i përkryer, përshkrimi që autori i bën të dukurit të Frangut, tatës së Bardhelës:
“…Pranë një shkëmbi të madh dalloi babë Frangun. Dukej i qetë dhe i heshtur. Në trup mbante një fustanellë ngjyrë tambli, brezin prej stofi të qëndisur me ar, që ia nxirrte qartazi shtatin e hedhur; xhamadanin prej shijaku me përqinjtë, që kryqëzoheshin me mëngë të zbukuruara me një vistër fijesh gajtani; në këmbë opinga lëkure të qëndisura sipër me penj pambuku, të derdhur me krife rruzash ngjyrë gështënje; në brez i varej palloska e verës, ndërsa në dorë i shkëlqente unaza e argjendë. Nga larg iu bë se ai kishte vënë përmbi strukën e zbukuruar ose klashën e punuar me lesh dhije dhe delje të përzier, po, sa iu afrua, vërejti se këto të dyjat nuk i kishte të veshura”.
Përshkrim të bukur, sa real aq edhe ekzotik, autori i bën Maqit, aty ku endet hieja e De Radës, hije e të vdekurve, e së kaluares. Mjafton përshkrimi i Maqit në fillim të romanit që të kuptojmë shestimin e shkrimrarit për ta parë Maqin real pas satenit të bardhë mjegullor të përfytyrimit deraduan:
“Katundi ishte i heshtur, thuaja kishte rënë në gjumë. Mbi gurët e udhëve, në kulmet e shtëpive, në mure, në ndërtesën e Kishës, po qëndronte, si ta kishte futur dikush me dhunë, e kaluara. Nga të gjitha anët rridhnin e kjasonin copa ngjarjesh, veprimesh, lutjesh, dashurish, përmallimesh, dhimbjesh, lot”. Ky përshkrim, siç e ka vënë re Bardhyl Matraxhiu, na bind se Maqi nuk është ajo ç’ka shohim, por ajo çka ndjejmë. Dhe rrugëtimi jermor nuk do ishte i plotë në qoftë se ai nuk do shkonte andej nga shkojnë mendimet “përtej detit”, ku është dheu amë. Kështu,prandaj, përmes telepatisë së personazhit, romani ngërthen epizode nga jeta reale e Shqipërisë e Kosovës (B.Matraxhiu).
Prandaj le të ritheksojmë edhe njëherë, me këtë rast se rrugëtimi i Bardhelës shkon kështu në Tri Botë, që për të janë Një. Kalabria, Shqipëria e Kosova janë Trinia e shenjtë e tërë kulturës arbëreshe dhe kjo trini e shenjtë është një dhe e pandashme, gjë që ndjehet përmes Milosaut; përmes përvajit të këngëve arbëreshe me vështrim kah “dejti” dhe së fundmi kemi fatin ta ndjejmë përmes Bardhelës…
Një vlerë e veçantë e këtij romani, ku gjithçka ngrin e gurëzohet (E.Topi), si dukuri mbi-letrare, si arritje e përkryer artistike, është gjuha poetike që synon kah poezia, gjë që është vënë në dukje nga kritika dhe studiuesit, sa nga Kosova aq edhe nga arbëreshët dhe italianët. Gjuha poetike, lumi i metaforave, ka ardhur rrjedhshëm si “përroi” i ndërgjegjes së Gjin Bardhelës. Asnjë fjalë, asnjë togfjalësh, edhe kur shpreh ndonjë mendim o veprim krejt të zakonshëm e normal, nuk është shkruar pa u zbukuruar e pa u bërë poetik. Gjuha petike e këtij autori, siç e ka vënë re edhe B.Matraxhiu, ka kapërcyer në mënyrë të shkëlqyeshme atë kufirin e padukshëm e të pakanonizuar që ndan prozën nga poezia. Dhe kjo gjuhë i është përshtatur patosit të gjithë veprës që është e një bukurie të skajshme.