Laci vendos loto

0
2326

Dionis Xhafa

Ese

Aty ku kaloj një pjesë të konsiderueshme të kohës, në zonën e ish-Bllokut, ka edhe një loto. Jo aty, nuk është se ka vetëm një loto, por ka shumë. Loto nuk ka veç në bllok, por anembanë Shqipërisë. Duhet ta dini vetë se nga vjen fakti se përse ka kaq shumë pika lotoje anëekënd këtij vendi. Këtu ka shumë loto, për shkak të varfërisë ekstreme në disa raste e njerëzit shpresojnë që të fitojnë më shumë. E, sa loto ka Shqipëria mbarë dhe njëri më thoshte se lotot janë biznesi më fitimprurës në Shqipëri.

Pas kafeve, që kanë “mbirë” thuajse në çdo cep të lagjeve, ata që vijnë më pas si biznese, me siguri që janë lotot. Kështu është kur ekonomia ka shkuar jo pak mbrapsht! E në një nga lotot që e shoh shpesh aty, më rastisi të provoj njëherë në të rrallë, siç vendos unë, një 100 lekë, meqenëse luajnë ekipet e mëdha të tilla si Milan, Juventus, Real Madrid apo Atletiko Madrid. Duke vendosur loton time aq modeste, një tavolinë më andej, shoh një lac. Po, lac tamam i thonë tiransit e vjetër, dikujt që sillet si naçu, djalë i hedhur apo ta themi djalë rruge, por në kuptimin e mirë të fjalës. Laci ynë, kishte vendosur këmbët sipër njëri-tjetrit, barkun përpara, atë bark që kishte, një çantë mbi tavolinë dhe një dyzinë parash i kishte përpara vetes. Që aty, e lodhte atë punonjësin e shkretë, që vendoste lotot, duke e pyetur një e dy. “Sa e ka Totenhemi dysh, tre plus.

Ai që ia kthente: “1.7”. “Po dy gola në pjesë të parë?”, tha laci. Punonjësi sërish ia kthen: “1.8”. E pastaj e linte fare Totenhemin e kalonte te Vilareali. “Vilareali me Celta Vigon, që ka edhe dy gola në këtë ndeshje, sa e ka”, pyeste njeriu që kisha te tavolina ngjitur. Edhe punonjësi që i thotë: “2.2”. Ishte një dialog mirfilli interesi, pasi laci pyeste kaq shumë, por se në fund vendoste ndonjë shumë, që kompania kishte shumë interes. Për këtë arsye, punonjësi i shkretë veç përgjigjej, gati në një klithje. Ndërsa, laci ishte një pordhac, tamam pordhac, që ishte shtrirë në atë vend me lekët përpara dhe i dukej vetja si qendra e botës. Lotoja ishte gjithçka për të.

Ai madje arsyetonte tamam si ndonjë matematicien, fizikant e doktor shkencash në daç! Sepse mendonte pak me vete: “A ka shënuar gol Vilareali më herët? Po a mund të kundërpërgjigjet Celta Vigo? Mos janë shumë dy gola? Për koeficientin 2.2, a ja vlen të hedh 50 euro? Fitimi sa do më shkojë”. Që t’ju jepte përgjigje të plotë këtyre pyetjeve, laci mendonte thellë, thua se ishte duke zgjidhur ndonjë ekuacion. E, kjo pjesë ishte e mirë pasi ia zhvillonte logjikën, por se vetë ajo lojë të fut në një situatë, ku edhe e humb logjikën. Në një rast, më kanë treguar njërin, që edhe pse skuadrat kishin shënuar 3 gola, i shante lojtarët dhe iu thoshte: “Ecni more ecni, po bëje gol”. Sepse ky sa duket e kishte vënë me shumë, po shumë gola, aq i fiksuar. Kjo lojë është drogë e gjallë, drogë! Po laci nuk është vetëm.

Në të njëjtin vend, aty në vendin e lotove të mia modeste, kam parë edhe disa syresh, që vijnë ndoshta nga jashtë vendit, fitojnë paratë kushedi sesi dhe hedhin gjithçka në loto. E, sa është Shqipëria kështu. Djem adoleshentë që vendosin loto në fshehtësi të prindërve, kur ende nuk janë rritur siç duhet, kryefamiljarë që e shohin si shpresë atë vend makabër, e plot të tjerë, që kanë besim se mund të fitojnë para, aty ku në fakt fitohet më shumë se në çdo biznes tjetër, prej pronarëve!

D.Xh.