Edicioni III i Manifestimit Letrar “VJESHTA DHE VARGJET”

0
1208
Fadil Curri

Drenas, më 23 tetor 2016

Asociacioni i letrarëve dhe artistëve ART CLUB “RIFAT KUKAJ”
Edicioni III i Manifestimit Letrar “VJESHTA DHE VARGJET”

Shkruan z. Fadil Curri

Manifestimi letrar “VJESHTA DHE VARGJET” organizohet në shenjë kujtimi për jetën dhe veprën e shkrimtarit të mirënjohur për fëmijë, të ndjerit Rifat Kukaj. Këtë manifestim e organizoi, Asociacioni i letrarëve dhe artistëve ART CLUB “Rifat Kukaj” në Drenas.

Manifestimi letrar i Edicionit III “Vjeshta dhe Vargjet” kësaj here u mbajt në Shkollën e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas. Në fillim manifestimi u hap me hymnin e manifestimit-këngën “Baresha”,tekstin e së cilës e kishte shkruar shkrimtari ynë, Rifat Kukaj, e interpretuar nga këngëtarja e shquar, Nexhmije Pagarusha.

Në këtë program letrar u lexuan edhe vështrime kritiko-letrare për jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit, Avdi Shala, nga Halil Xani, Jonuz Fetahaj, Zeqir Bekolli e Xheladin Mjeku. Ndërkaq në orën poetike “Rifat Kukaj”, lexuan mbi 40 poetë. Sipas konkursit të shpallur, me shifër kishin arritur 38 poezi dhe vërtet juria në përbërje: Prof. dr. Sali Bashota, Prof.dr. Rifat Ismajli e Nexhat Rexha nuk e kishte aspak të lehtë për t’i ndarë çmimet letrare.

Vendin I e fitoi poezia “Shuritje” me shifrën “Proga” të autorit Nezir Prokshi; vendi II i takoi poezisë “Homazh për poetin” me shifrën “Dhembja për poetin”, me autor Gani Bytyçi dhe vendi III i takoi poezisë “Të kërkova”, me shifrën “Liberatori”, ku autor ishte Afrim Berisha. Ndërsa çmimin motivues për të rinj “Iljaz Prokshi” e fitoi poeti i ri, Arlind Krasniqi, me poezinë “Kosovës” shifra ALIEN 124233418”, e Çmimi për Vepër Jetësore në Krijimtari iu nda Dr. Mehmet Rukiqit.

Me poezitë e tyre para artëdashësve deklamuan afër 40 poetë e krijues. Në këtë manifestim u bë edhe prezantimi i librave të anëtarëve të Art Club ,,Rifat Kukaj”, të botuara në mes dy edicioneve si: z. Bedri Tahiri, z. Xheladin Mjeku, z. Izet Abdyli. Një fjalim rasti dhe falënderim për jurinç profesionale e mbajti fituesi i çmimit, Dr. Mehmet Rukiqi.

Manifestimi “Vjeshta dhe Vargjet” u permbyll me ekspozitën e bukur të nivelit të lartë të skulptores së nderuar znj. Aferdita Curri, ku ligjëroi dhe foli edhe profesori i nderuar dhe shumë i respektuar z. Aziz Islamaj.

E dërgoi për postim Prof. Zymer Mehani