TA NJOHIM MË MIRË POETIN HALIL PRENIQI…

1
3461
Halil Preniqi

Shkruan prof. Zymer Mehani

Plejadës së poetëve dhe krijuesve letrarë në Kosovë i takon edhe z. Halil Preniqi.

Poeti, Halil Preniqi është lindur në vitin 1964, në fshatin Hade të komunës së Kastriotit – Kosovë. Ka kryer arsimin e mesën në vendlindje. Mbas shkollimit, u punësua në MS të Bardhit, ku punoi deri në vitin 1990, kur pushtuesit serbë i larguan të gjithë punëtorët shqiptarë me dhunë nga puna, e kështu vepruan edhe me Halilin. Më vonë Halili u hodh në aklivitetet ilegale. Në vitin

1993 merr rrugën e emigrimit dhe kontribon për çështjen kombëtare. Qysh në vitin 1985 ai merret me shkrime të ndryshme. Në poezi ka marrë edhe çmime letrare, ku disa poezi i janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Bashkë me znj. Gundulla ChWarteze në Gjermani botoi një libër për çështjen shqiptare.

Poeti dhe studiuesi Mr. Milaim Berisha, njëherit edhe redaktor i vëllimit poetik “Baladë për atdheun” të poetit Halil Preniqi, për poezinë e tij, ndër të tjerash do të shkruajë: “Poezia e H. Preniqit , para së gjithash është art i gjuhës, art i fjalës së bukur, art i bukur që përherë do të mbetet i bukur”. Për të vazhduar më tutje: “Vargjet e Halil Preniqit sjellin freski, ndjesi dhe invencion të pasur, më çlirues të shpirtit të paepur dhe të shkathtësisë së mendjes së njeriut…”.

Ndërsa z. Xhevahir Cirongu për vëllimin e z. Preniqit do të shtojë:
“Vëllimi poetik i autorit Halil Preniqi, i titulluar “Baladë për atdheun“, është si një gur i çmuar që i bashkëngjitet plejadës së madhe të poetëve tanë që lëvrojnë me aq finesë poezinë, që të mbush shpirtin, por edhe të frymëzon për ta shkruar e lexuar letërsinë shqipe. Në gjithë gamën e këtij vëllimi, poezia e atdhedashurisë zë vendin kryesor. Aty gjen guximin, qëndresën, dhimbjen, sepse pushtuesit i kanë hapur plagë të thella në shekuj popullit shqiptar.

Autori është i pranishëm në këto ngjarje të dhimbjes, ai i ka përjetuar edhe vetë disa nga këto tragjedi, dhe duke qenë i tillë, Halil Preniqi sjell para lexuesve vëllimin e tij të tretë me poezi, ku ngjarjet historike dhe plagdhimbjet e kosovarëve i derdh bukur me anën e vargut të poezisë. Dramën e kosovarëve nëpër shekuj deri në çlirim e pavarësi të Kosovës, autori ka ditur të thuri varg me forcën e ngjyrimeve poetike të shkrira në një shtyllë të vetme:
qëndresën dhe historinë e kosovarëve, dramën e ekzistencës në shekuj”, për të përfunduar me konstatimin se intuita e poetit Halil Preniqi fragmenton me anën e fjalës poetike edhe figurat e shquara të popullit tonë që u sakrifikuan dhe e falën jetën e tyre për liri e pavarësi.

Deri më tani poeti, Halil Preniqi ka botuar këto libra me poezi:
Dashuria është parajsë“, “Shpirti i trazuar” dhe “Baladë për atdheun“.