Ismet Tahiraj – 20 tetor 2016
Edhe në Mitrovicë është shënuar aktiviteti ndërkombëtar “Java e njeriut me shkop të bardhë”. Organizua nga udhëheqësi i Njësisë për të drejtat e njeriut në komunën e Mitrovicës, Fitim Rama, në Koshtovë të Mitrovicës është mbajtur takimi për të shënuar me aktivitet këtë ditë të rëndësishme për persona me të parë të dobësuar.
Në takim kanë marrë pjesë Mexhit Foniqi, drejtor ekzekutiv i shoqatës së të verbërve të Kosovës, drejtorët e drejtorive komunale, Gani Rrushemi, Qazim Nimani dhe Tafil Peci, si dhe persona me të shikim të dobësuar dhe familjarë të tyre.
Udhëheqësi i Njësisë për të drejtat e njeriut në komunën e Mitrovicës, Fitim Rama, pasi përshëndeti pjesëmarrësit e takimit, tha se komuna e Mitrovicës, vazhdimisht po tregon kujdes të shtuar për këta persona, por edhe për kategori të tjera të qytetarëve me aftësi të kufizuara, duke i mbështetur edhe materialisht në realizmin e projekteve të tyre.
Kryetari Shoqatës rajonale të të verbërve të Mitrovicës, Skender Kerolli, tha se shoqata që ai e drejton zhvillon aktivitete ët ndryshme, me mbështetje të komunës, institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare, me qëllim që anëtarësia të takohet dhe të diskutoj për problemet e tyre dhe të propozoj aktivitete për tejkalimin e tyre.
Edhe drejtori i Drejtorisë së Administratës së komunës, Gani Rrustemi, tha se komuna dhe shoqëria në përgjithësi, duhet të bëjnë përpjekje akoma më të mëdha për mbështetjen e personave me të shikim të dobësuar, me qëllim që t’ua lehtësoj jetën. Ai premtoi se mbështetja e komunës nuk do të mungoj edhe në të ardhmen.
Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të verbërve të Kosovës, Mexhit Foniqi, u fokusua në përpjekjet që shoqata po bënë për përmirësimin e gjendjes të këtyre e personave dhe krijimin e kushteve për veprimtarinë e tyre. Po ashtu, ai tha se janë duke u bërë përpjekje maksimale për përmirësimin e kushteve të punës të shoqatave dhe anëtarësisë, si dhe realizmin e të drejtave të tyre ligjore të garantuara.
Sipas statistikave që i paraqiti Belkize Gashi, Shoqata rajonale e të verbërve të Mitrrovicës, numëron mbi 500 anëtarë që vijnë nga komunat Mitrovicë, Vushtrri, Skenderaj, Zubin Potok dhe Leposaviq.