Çështja çame, nuk është çështje e Shqipërisë por e standardeve të BE-së

0
1079
Isuf B. Bajrami

Isuf B. Bajrami

Udhëheqësit e BE-së, si pasues të iluminizmit për të drejtat universale të njeriut, duhet ta këshillojnë mirë Greqinë për përparësitë që duhet t`i japë institucionalizimit dhe konsolidimit të proceseve dhe qëndrimeve demokratike, në mënyrë që një kuadër politik i stabilizuar të mund të eliminojë krizat. BE-ja duhet të artikulojë qartë, për sa kohë në këtë vend do të funksionojë një strukturë ligjore dhe një qeverisje që respekton të drejtat e njeriut, drejt qëllimeve të demokracisë.

Parë në këtë këndvështrim, toleranca e BE-së pa kushte për këtë vend anëtar të saj nuk të çon asgjëkund. Politika e të drejtave të njeriut, e cila po merr shtrirje globale, duhet të mbështetet në një bindje të fortë racionale, nëse duan që demokracia të mbijetojnë edhe në Greqi.

Në Greqi, kombësia dhe shtetësia vlerësohen në bazë të përkatësisë religjioze dhe jo nga karakteristikat kryesore të kombësisë, si gjuha dhe kultura.

Greqia edhe sot nuk njeh minoritete në territorin e saj dhe injoron në mënyrë absurde dhe të pandërprerë të drejtat legjitime të popullsisë autoktone çame. Mbi 300 mijë çamë të besimit ortodoksë jetojnë në rajonin e Thesprotisë, flasin shqip brenda shtëpive dhe ruajnë identitetin e tyre shqiptar, por askush nuk i njeh si grup etnik, nuk gëzojnë asnjë mbrojtje, nuk kanë asnjë status, asnjë shkollë në gjuhën shqipe.

Çështja çame është e njohur qysh me traktatet e vitit 1913, por grekët, me gjenocide dhe spastrime etnike, dëbuan çamët, duke kujtuar kështu se e mbyllën përfundimisht problemin me shqiptar.

Rreth 500 mijë çamë, nënshtetas grekë jetojnë në Shqipëri
z.Rama,Ju tregoni mohim për një pjesë të qytetarëve tuaj me origjinë çame, duke mos u dhënë atyre minimumin e respektit si persona të pavarur për të gëzuar të drejtat dhe pasuritë e tyre, i cili do të ishte një kusht qytetarie në një shoqëri me një minimum dinjiteti.

Çamët të cilët jetojnë në Shqipëri,janë nënshtetas grekë, pasi kështu figurojmë në regjistrat e gjendjes civile në Thesproti (Çamëri). Dekreti për heqjen e nënshtetësisë nga Qeveria shqiptare në vitin 1953 është në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare dhe konsiderohet si një veprim i paprecedent.

Trajtimi mohues dhe i vazhdueshëm, në të njëjtën linjë me qeveritë greke, trajtimi jodemokratik i kërkesave legjitime të kësaj popullsie është jo vetëm një politikë e keqe, por tregon edhe një mungesë themelore respekti për institucionet evropiane dhe institucionet ndërkombëtare të së drejtës.

Greqia duhet të zbatojë standardet e BE-së për çështjen çame dhe për çështjet e tjera të minoriteteve dhe t`i referojë ligjet e saj në përputhje me këto standarde.

A ka gjë më të natyrshme se kërkesat e çamëve?
Çamët janë qytetarë të civilizuar dhe komunikues, që e vlerësojnë të shprehurit e vetvetes, të formimit të opinioneve dhe të planeve për jetën nëpërmjet dialogut racional.

Çamët kërkojnë që në sistemin e rendit të lirisë edhe çamët të fitojnë statusin e të drejtave themelore, domethënë t`u akordohet një mbrojtje, siç është parashikuar në konventat më të njohura ndërkombëtare, që Greqia i ka firmosur me servilizëm.
Të shkelën të drejtat natyrore të një personi ose të një popullsie të tërë si në rastin çamë,do të thotë ta degradosh atë person dhe atë grup në një mënyrë mizore.

Greqia po e vazhdon edhe sot logjikën e mbrapshtë diskriminuese, gjersa nuk pranon në asnjë rrethanë të negociohet për problemin çam, duke deklaruar me nervozizëm se ky problem nuk ekziston! Qeveria greke, ka një besnikëri (monstruoze) morale ndaj së kaluarës aspak të lavdishme të dhunës e spastrimit etnik, përderisa krenohet në sheshet publike të kryeqytetit me përmendore të kriminelëve si Napoleon Zervas.

Çdo grup etnik apo krahinor ka të drejtën e ruajtjes jo vetëm të trashëgimisë kulturore, të identitetit historik dhe të krenarisë racore, por edhe të drejtën për të poseduar pronat e tij të trashëguara. Madje duhet të zotëron edhe të drejtën dhe detyrimin për të gjeneruar nga këto prona të ardhura e të mira materiale për vete.

Popullsia çame, duke u rikthyer në territoret e saj, synon brenda një etniteti politik jo vetëm të drejtën e posedimit të pronave, por edhe të vendimit për gjithçka që ka të bëjë me identitetin e tij (arsimin, artin, kultin e së kaluarës) gjithnjë duke mbetur besnik ndaj Atdheut të tyre autokton. Rajoni i Çamërisë, mjaft pjellor e i begatë, nga keq-qeverisja greke është vënë në gjendje “inkubacioni” disavjeçar, duke mbetur pothuajse i pazhvilluar, në varësi të politikave të ndjekura, që përkthehen në përbuzje shtetërore dhe nënvleftësim i territorit, edhe pse është një parajsë e vërtetë jo vetëm turistike, por edhe ekonomike. Ato do të sjellin vetëm përfitime në favor të së mirës së përgjithshme.

Çamët kërkojnë dhe janë të bindur se me hir apo me pahir, por gjithmonë në rrugë demokratike, do të kthehen në trojet e tyre autoktone shumë shpejt, pasi asnjëherë shteti grek nuk do të jetë i justifikuar duke vepruar në kundërshtim me të drejtën çame.

Vend i Lekës, 18.10.2016