CA FJALË PËR PËRMBLEDHJEN “PICIMULI” TË SHKRIMTARIT REXHEP HOXHA

0
6077
Rexhep Hoxha - Picimuli

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Sapo ta dëgjojmë emrin Picimul, pa dyshim, do t’na kujtohet shkrimtari i mirënjohur për fëmijë dhe të rinj, Rexhep Hoxha, i cili ka shkruar një varg veprash interesante. Pos të tjerash, ka botuar edhe disa vëllime poetike: “Gjethet e reja” (1953), “Picimuli” (1956), “Mbi krahët e fluturës”, “Vjersha” (1959), “Lulet e Frashnjetit” (1965), “Lulëzo, vendi im” (1973), “Pika vese” (1966), “Lulet le të dalin” (1975), “Micimiri” (1976), “Zëri i pyllit” (1976), “Fol dorë e martinës” (1980), “Krahë zjarresh mbi tokë martirësh” (1980), “Pipireku” (1980), “Zilja e shkollës” (1980) etj.

Rexhep Hoxha ka publikuar edhe krijime të tjera, që lexohen nga shumë e shumë lexues moshash të ndryshme.

Shumë nga dashamirët e librit do të kenë pasur rast ta lexojnë vëllimin poetik “Picimuli”. Në këtë libër të shkrimtarit, R. Hoxha do të keni mësuar se kush është Picimuli, pastaj do të keni parë se si poeti i këndon vendit të tij:

“Çdo luginë e sukë e kodër
Stoliset n’gjelbërim;
Me vasha e djem si lule
Rrofsh, o vendi im!”

Poeti me dashuri këndon edhe për qengjin e vogël, por ai i këndon edhe nënës që e ka mësuar:

“Prore të padrejtën
për ta luftuar.”

Preokupimet e Rexhep Hoxhës janë të larmishme dhe të shumta, prandaj ato i shpreh me vargje, kryesisht të rimuara dhe kështu arrin të krijojë atmosferë emocionale, varësisht nga tema që merr të trajtojë. Mirëpo, ky autor e ka preokupim të dorës së parë vendlindjen, që shihet edhe në mbarë krijimtarinë e tij. Edhe kur nuk i këndon drejtpërsëdrejti vendlindjes, tërthorazi rrjedhin ndjenjat e tij:

“Në ty kam gëzime,
oj vendlindja ime.”

Kështu poeti shpesh shpreh dashurinë për fushat, për malet, për kodrat e vendit të vet dhe mu aty gjen gëzimin, sepse ngado që shkon, kudo që ndodhet, ato i dalin para. Kënaqet poeti kur këndon për vjollcën e parë, për kallinjtë e grurit, për Frashnjetin e tij të dashur, për qershinë, për vjeshtën, për zilen, pastaj i intereson edhe oxhakpastruesi, i dhimbset harabeli që ka “shtëpizën me krënde”. Të gjitha këto i ndien edhe lexuesi, i përjeton dhe bashkëjeton me to. Fjalori i afërt poetik, komunikues i krijimeve të Rexhep Hoxhës dhe njohja e mirë e botës së fëmijëve, atij i kanë mundësuar që të thurë vargje tërheqëse që, në një mënyrë, janë interesante dhe për lexuesit më të rritur.

Edhe temat e thjeshta, që në dukje të parë “sikur” s’tërheqin vëmendjen, autori ia del t’i ngre artistikisht dhe të krijojë atmosferë poetike. Atij i bën përshtypje bora, gjelat, lulëkuqja, livadhi, kaçuba, lepurushi, lakuriqi dhe gjëra e fenomene të ndryshme, nga të cilat nxjerr mesazh të qartë. Mënyra e veçantë e konceptimit artistik të krijimeve poetike dhe numri bukur i madh i veprave të publikuara, këtë shkrimtar e bëjnë të dallohet nga të tjerët. Pa dyshim, veprat më të lexuara të tij janë “Picimuli”, “Lugjet e Verdha”, “Mbi krahët e fluturës” etj.

Këtë do ta thotë gati çdo bashkëbisedues kur flitet për shkrimtarin Rexhep Hoxha. Por, të dashur fëmijë, kur t’i lexoni edhe veprat e tjera të tij, do ta çmoni edhe më shumë këtë autor, kurse veprën e tij do ta doni edhe më tepër.