PSE KJO FUSHATË PIKËRISHT TANI KUNDËR FISHTËS?

1
1824
At Gjergj Fishta

Ilir Hashorva Ilir HASHORVA, Nga Gazeta Shqip18 Tetor 2016

Para pak ditësh, në disa gazeta, u botua një letër e Gjergj Fishtës, e zbuluar prej Nasho Jorgaqit, të cilën Fishta ia dërgonte një miku të tij, një oficeri fashist, këtu e më se 75 vjet më parë. Mjaftoi kjo letër që Fishta menjëherë të quhej fashist dhe të anatemohej nga komunistët ashtu siç dinë ata, kur i vënë tjetrit epitetin fashist, ndonëse Fishta nuk ka qenë asnjëherë as fashist me bindje dhe as fashist i organizuar se, po të kishte qenë, do të kishte bërë, së paku, një poemë a një vjershë për Beniton a fashizmin, ashtu siç bënë poetët tanë komunistë për Enverin dhe Partinë.

Por jo. Fishta nuk i këndoi kurrë fashizmit. Do të kishte qenë me shumë vlerë, po të ishte bërë ndonjë studim i paanshëm për të krahasuar fashizmin italian me komunizmin shqiptar, prej nga të dilte se cila prej këtyre dy diktaturave kishte qenë më totalitare, më shtypëse dhe më e dëmshme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe, rrjedhimisht, cilët do të duhej të kritikoheshin më shumë: komunistët apo fashistët.

Disa shkrime të tjera po në gazeta si dhe komente të lexuesve, krijuan atmosferën e viteve të para të pasluftës, kur Enver Hoxha u ngrit i pari për të denigruar dhe masakruar poetin e madh kombëtar Gjergj Fishtën, këtë poet që i këndoi vetëm Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe, pas Enverit, të gjithë larot, me demek shkrimtarë e poetë, pasuan me një sulm të përgjithshëm e të larmishëm kundër tij, ca nga smira, e ca nga dallkaukllëku.

Enver Hoxha e denigroi dhe e masakroi Gjergj Fishtën, për hir të jugosllavëve, sepse pa denigruar dhe pa masakruar atë, pa e bërë kurban atë, nuk mund të krijonte ato marrëdhënie me Jugosllavinë e Titos, të cilat mund të arrinin deri aty sa Shqipërinë t’ia bashkonte Jugosllavisë.

Pa dyshim, lind pyetja: ç’u kujtua shtypi shqiptar, që të rilindte një fushatë antifishtë pikërisht sot, kur kishte filluar një rehabilitim i ndrojtur i tij, kur kishin filluar t’i botoheshin veprat, kur kishte filluar vlerësimi i tyre, kur edhe Ismail Kadareja, dikur një nga kritikët më të mëdhenj të tij, tha se kritikën nuk ia kishte bërë për ta luftuar, por për ta mbrojtur!? Rastësisht doli letra e Nasho Jorgaqit sot kundër poetit më antisllav, letër për të cilën nuk thuhej as se kur dhe ku ishte zbuluar dhe as nuk jepej faksimilja e saj?

Në këtë botë ka shumë gjëra që duken si koincidenca apo rastësira. Në të vërtetë prej tyre koincidenca dhe rastësira janë fare pak dhe ato që konsiderohen rastësi, shpesh janë ligjësi. Në qoftë se do të shohim periudhën kur rilindi fushata antifishtë sot, do të vëmë re se ajo u zhvillua njëkohësisht me vizitën e kryeministrit tonë Edi Rama në Serbi, si dhe me botimin aty në serbisht të librit të tij “Kurban”. Edi Ramës i duhej një atmosferë e brendshme proserbe, që të bëhej më i besueshëm prej serbëve në bisedimet që do të zhvillonte me ta dhe për t’i larë borxhin atyre për botimin e kurbanit të tij. Kështu, në Shqipëri Fishta u bë kurban për herë të dytë, ashtu si shtatëdhjetë vjet më parë.

A mund të ishte Edi Rama orkestruesi i asaj fushate, apo për të kanë punuar qarqe të tjera okulte? Nuk mund të thuhet me siguri se cilët e orkestruan, por me siguri mund të thuhet se ajo fushatë i shërbeu Edi Ramës dhe, po qe se ishte e orkestruar prej tij, ishte si një dhuratë personale, që një mbret i çon një mbreti tjetër, kur kërkon favore prej tij.

18 tetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

1 KOMENT

  1. Nga Fritz RADOVANI:

    NDOTJE NGA “SEMANI”…

    1946

    A E DINI SE EDHE “SEMANI” KA DOSJE ?!

    KERKONI N’ARKIV TË MINISTRISË SË MBRENDSHME NË TIRANË…

    DOSJEN E “SEMANIT”…

    Emni i këtij lumi të pistë njihet nga viti 1946 – 47, kur permbyti qytetin e Shkodres!

    Ujët i tij i flliqtë ka permbytë pak kohë perpara Beratin, e mandej, mori mbarë tokat e brigjet e Adriatikut, derisa u perplas per shkambin e Rozafës… Ai nuk njeh asgja perveç damtimit, vdekjeve dhe zhdukjes së kufomave pa ju dijtë as emni…

    Nga gjamët e tij 70 vjeçare, kudo ku ka kalue ka shkretnue e vorfnue shka i doli para!

    Pa lè njerzit rrezikzezë që mori në qafë, po deri edhe bagëti e shpend që i mbyti me atë ujë të turbulltë, që të shtin tmerrin kur e sheh tue u perplasë per brigje…

    Dallga e tij e ndytë vetem mjerim ka sjellë ku ka kalue…

    ■ Semani asht edhe vrasës e gropues i shumë objekteve që ka zhdukë si mos t’ ishin…

    E shihni foton naltë ? Kushedi sa viktima asht e zhdukun nen atë ranë e zallishta!..

    Shikojeni mirë dhe mendoni shka ban Semani kur del nga shtrati i tij… Mjer ata njerëz e mjer ajo Rini Shkodrane, që pat rrezik me u zhytë pa shpresë nen llomin e atij ujë!

    I mori e i plandosi nder ato qeli prej kah nuk e pane ma me sy driten e Diellit…

    T’uritun, të çveshun, t’etun per ujë dhe të masakruem e të gjakosun, të torturuem dhe tue ecë rrëshanë bashkë me ujin e Semanit… Ma në fund, mërrijten me na kujtue pak fletë të lavdishme të Historisë sonë të permbytun, po të shkrueme me Gjak Herojsh!

    * * *

    ■ Ishte bash ajo Rini Shkodrane që pa dallim Feje këndonte Hymnin e Shqipnisë së 1913:

    Porsi fleta e Ejllit të Zotit
    Po rreh Flamuri i Shqipnisë
    E thrret t’bijtë e Kastriotit
    Me u mbledhë tòk ndër çetë t’ushtrisë.
    Bini Toskë, ju bini Gegë,
    Si dy rrfé, që shkojnë tue djegë!
    A ngadhnjyes a t’gjithë Dëshmorë,
    Trima mbrendë! Me dorë, me dorë!….

    ■ E, në shenjë vllaznimi mes muslimanëve dhe katolikëve, Autori do të lidhte me një kordon dritash Kishen e Fretenve me minaren e Xhamisëe së Fushës së Çelës…
    ■ Ishte po, Frati i Zadrimës, bash i asaj shtëpije që sot po shembet, që i shkruen Mikut të vet At Palë Dodës, me 16 Shtator 1922 sa vijon: “Ndërkaq vizita eme në Washington pati për rezultat njohjen e Shqipnisë nga ana e Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Të gjitha përpjekjet e maparshme të qeverisë sonë dhe të “Vatrës” mbetën pa ndonji përfundim të mirë. Unë pata sukses. Kjo u ba me nji ndërhymje të Senatorve katolikë, të cilëve ua parashtrova çështjen, sidomos nga aspekti fetar, që qeveria amerikane u shty me e njoftë zyrtarisht Shqipninë.” (Telegram i derguem nga Parisi, në Kuvendin Françeskan 1922).

    * * *

    1946… SHKODRA E 26 BURGJEVE…

    ■ “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”. (Arkivi M.M.Tiranë).

    Me këto fjalë i drejtohet Ministrit të Mbrendshëm kryetari i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti.

    ■ E, pikrisht, me këta 100 bisha t’egra erdhi në Shkoder dhe agjenti i vjeter “SEMANI”.

    “SEMANI” asht pseudonomi i kriminelit të Sigurimit të Shtetit NASHO JORGAQI.

    U mbaruen të gjallët.., e SEMANI, po rikthehet me “Rilindjen” prap nga të vdekunit…

    * * *

    ■ Do ta mbylli këte shkrim me thanjen e Prof. Nderuem z. Aurel Plasari:

    “Mos t’i japim Fishtës vendin që i takon, por t’i kthejmë historisë së letersisë atë çka i mungon, do të thoja që tek Panteoni i patriotëve dhe intelektualëve tanë më të shquar, të cilin e përfytyroj me trajtën e një kurore të ngjizur nga dy krahë hiperbolash konvergjente asemtotike, ku gurët e vyer janë vendosur dy e nga dy deri sa arrijnë e bashkohen atje ku vetëm një vend kulmor është bosh, atje i takon të vendosët Margaritari Patër Fishtë !”

    Melbourne, Tetor 2016.

Komentet janë mbyllur.