ÇFARË ËSHTË NJË KOMB (I)

0
1863
Ernest Renan

(Shkëputur nga “PËRPJEKJA” Viti XI, nr. 20 Tiranë, pranverë 2005)

Nga Ernest Renan

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Ernest Renan (1823-1892) ishte studiues që i përkiste shkollës racionaliste dhe ishte lektor i historisë së gjuhëve dhe të feve, i famshëm për librin e tij “Jeta e Jezusit” (1863). Renan ka qenë profesor i Sorbonës dhe leksioni i tij “Çfarë është një komb” është një shfaqje e përkufizimit voluntarist mbi kombin që doli pas Revolucionit Francez. Argumentat e tij janë një polemikë ndaj pikëpamjeve që mbanin gjakun dhe territorin si ndër elementët kombformues, pikëpamje këto të përhapura gjerësisht në Gjermani.

Qysh nga rënia e Perandorisë Romake, ose më mirë të themi, qysh prej shkatërrimit të perandorisë së Karlit të Madh, Evropa perëndimore të jep përshtypjen sikur është e ndarë në kombe, disa prej të cilëve, në periudha kohe të caktuara, kanë kërkuar të ushtrojnë hegjemoninë e tyre mbi të tjerët, pa arritur gjithsesi të korrin suksese afatgjata. Ato që nuk bënë dot Karli V i Spanjës, Luigji i XIV dhe Napoleoni I, me shumë gjasa nuk ka për t’ i bërë dot asnjeri në të ardhmen. Krijimi i një Perandorie të re Romake, ose të një Perandorie të re të tipit të Karlit të Madh, është bërë i pamundur.

Përpjekja për të vendosur një sundim universal mbi një Evropë tejet të përndarë do të shkaktonte me siguri krijimin e një koalicioni që do ta rizbythte në kufijtë e tij të natyrshëm kombin guximtar. Ndërkaq ka kaluar kohë që kur është vendosur një farë ekuilibri. Megjithë rreziqet që i kërcënojnë, Franca, Anglia, Gjermania dhe Rusia do të jenë ende aty ku janë edhe në shekujt që do të vijnë, si subjekte historike dhe si gurët më të rëndësishëm në një fushë dami, ku kuadratet ndryshojnë vazhdimisht në madhësi dhe në rëndësi, por që kurrë nuk shuhen plotësisht.

Parë në këtë prizëm, kombet janë diçka shumë e re në histori.
Ato ishin të panjohura në antikitet; as Egjypti, as Kina dhe as Kaldea nuk përbënin në asnjë kuptim kombe. Ato përbëheshin nga turma njerëzish të drejtuara nga një bir i Diellit ose i Qiellit:

po aq sa nuk ishin qytetarë egjyptianët, po aq nuk ishin edhe kinezët. Antikiteti klasik kishte republika dhe qytete- shtete, konfederata republikash lokale dhe perandori, por në asnjë mënyrë ato nuk ishin kombe të kuptimin që i japim ne sot kësaj fjale.

Athina, Sparta, Sidoni, Tiri ishin qendra të vogla, ku gëlonte një dëshirë e admirueshme për të mbrojtur territorin; por këto qytete shtriheshin në hapësira shumë të kufizuara.

Përpara se të përfshiheshin në Perandorinë Romake, galët, spanjollët dhe italianët ishin përmbledhje fisesh, shpesh herë të bashkuar mes tyre, por pa pasur institucione qendrore dhe dinasti. Edhe Perandoria Asiriane, ajo Perse dhe Perandoria e Aleksandrit të Madh nuk formonin kombe. Nuk ka pasur ndonjëherë patriotë asirianë, ndërkohë që Perandoria Perse ishte një sistem feudal me shtrirje të gjerë. Asnjë komb nuk e lidh origjinën e tij me aventurën kolosale të Aleksandrit të Madh, e cila ka sjellë shumë pasoja për historinë e përgjithshme të njerëzimit.

Çfarë u bë me popujt gjermanikë përgjatë kohës që shkon nga pushtimet e tyre të mëdha të shekullit V e deri në pushtimet e fundit normande të shekullit X? Ata nuk sollën ndonjë ndryshim të madh në përbërjen e racave, por ata vendosën dinastitë dhe aristokracitë e tyre ushtarake në një hapësirë pak a shumë të gjerë që mbulonte perandorinë e vjetër të perëndimit, që pastaj mori emrin e pushtuesve të saj. Nga ajo kohë e kanë zanafillën Franca, Burgundia dhe Lombardia; dhe më vonë edhe Normandia.

Forcimi i shpejtë i Perandorisë së Frankëve rikrijon përsëri unitetin e Perëndimit; por kjo perandori do të rrëzohet rreth mesit të shekullit IX; traktati i Verdunit (843) përcaktonte ato ndarje që në thelb kanë mbetur të pandryshueshme, dhe këtej e tutje do të kemi Francën, Gjermaninë, Anglinë, Italinë dhe Spanjën, që megjithatë, pas uljesh e ngritjesh dhe pas shumë peripecive, do të fillojnë të ecin drejt ekzistencës së plotë si kombe ashtu siç i shohim të lulëzojnë sot.

Çfarë është ajo gjë që vërtet i karakterizon këto vende të ndryshme? Është përzierja e popullsive të tyre. Në vendet e lartpërmendura, nuk ka asgjë të ngjashme me atë që ne gjejmë në Turqi, ku turku, sllavi, greku, armeni, arabi, siriani dhe kurdi janë po aq të dallueshëm sot sa ç’ kanë qenë edhe në ditët e pushtimit. Dy rrethana të rëndësishme çuan në këtë rezultat.

Së pari, fakti se popujt gjermanikë përqafuan krishtërimin sapo ata u vunë në kontakt me popujt latinë dhe grekë. Sistemi turk, që i ndan njerëzit sipas përkatësisë së tyre fetare, është shumë i ndryshëm nga ai i popujve gjermanikë, ku pushtuesi dhe të pushtuarit kanë të njëjtën fe, ose më mire të themi, kur pushtuesi përqafon fenë e të pushtuarit.

Rrethana e dytë është të harruarit nga ana e pushtuesit e gjuhës së tij. Nipërit e Klovis-it, Alarikus-it, Gondebaud-it, Albinus-it dhe Rollon-it kishin mësuar tashmë gjuhën romake. Ky fakt në vetvete ka qenë rrjedhojë e një tjetër faktori të rëndësishëm, i cili është ai që frankët, burgundët, gotët, lombardët dhe normandët kishin pak gra të racës së tyre me vete. Për gjenerata të tëra, krerët martoheshin me gra gjermane, ndërkohë që konkubinat dhe mëndeshat e tyre ishin latine.

Gjithë tribuja u martua me gra latine, që do të thoshte se, pasi frankët dhe gotët u vendosën në territore romane, lingua franca dhe lingua gothica e kishin fatin të shenjuar për të mos jetuar më. Nuk ndodhi e njëjta gjë në Angli, meqënëse pushtuesit anglo-saksonë sollën me vete gratë e tyre; popullsia bretone u detyra ta lerë vendin dhe përveç kësaj gjuha latine nuk ishte më gjuhë mbizotëruese në Britani. Harresa, madje do të thosha pikërisht harresa e gabimeve historike, është një faktor i rëndësishëm në krijimin e kombit dhe në fakt sa më shumë të reja historike dalin në dritë, aq më shumë kërcënuese duken ato për kombet.

Në fakt kërkimet historike nxjerrin në pah aktet e dhunës që kanë qenë në zanafillën e çdo formacioni politik, edhe të atyre që dhuna u ka sjellë përfitime të mëvonshme. Uniteti është krijuar gjithmonë nëpërmjet brutalitetit; bashkimi i Francës veriore me atë jugore ka qenë një rezultat i shfarosjeve dhe terrorit të vazhdueshëm, që kanë zgjatur thuajse një shekull. Mbreti i Francës, nëse do të lejohej ta them, ka qënë tipi ideal i unifikuesit shekullar, i cili krijoi kombësinë më të ngjizur që ka ekzistuar ndonjëherë.

Megjithatë, e parë më imtësisht, mbreti i Francës e humbi prestigjin e tij; kombi që ai formoi e mallkoi atë dhe sot vetëm njerëzit e lexuar e dinë se cila ishte vlera e tij dhe se çfarë bëri në të vërtetë ai.

Historia e vendeve të Evropës perëndimore u zhvillua sipas ligjeve që kishin për bazë dallimet midis popujve. Shumë vende dështuan në atë që arriti të bënte kaq mirë mbreti i Francës, pjesërisht nëpërmjet tiranisë dhe pjesërisht nëpërmjet drejtësisë.

Nën të njëjtën kurorë të Shën Stefanit, hungarezët dhe sllavët kanë qëndruar të ndarë për 800 vjet me radhë. Duke mos u munduar t’ i bashkonte elementët e ndryshëm nën sundimin e saj, dinastia habsburgase i ka mbajtur popujt e saj të veçuar dhe shpeshherë në kontradikta me njëri-tjetrin. Në Bohemi, elementi gjerman dhe ai çek janë po aq të përzier me njëri-tjetrin sa ç’ mund të jenë vaji me ujin në një gotë.

Politika turke e ndarjes së kombësive në përputhje me fenë ka pasur një rrjedhojë shumë serioze: ajo ka shkaktuar rrënimin e Orientit. Marrim për shembull qytetin e Selanikut ose të Izmirit, dhe do të gjeni atje 5 ose 6 komunitete secila me traditat e saj dhe me asgjë të përbashkët midis tyre. Prandaj thelbi i një kombi është që individët duhet të kenë shumë gjëra të përbashkëta, por ata duhet të kenë harruar edhe shumë gjëra të tjera. Asnjë qytetar francez nuk e di se ai është burgundian, alani, taifali apo vizigot; çdo qytetar francez duhet ta ketë të fshirë nga kujtesa Ditën e Shën Bartolomeut, masakrën që u krye në shekullin XIII në jug të vendit. Nuk mund të arrish të gjesh dot as edhe dhjetë familje sot në Francë që të jenë në gjendje të japin prova të origjinës së tyre franke, dhe kjo provë do të ishte patjetër e paplotë, si pasojë e mijëra rasteve të panjohura të kryqëzimit midis njerëzve gjë që do t’ i trondiste tezat e gjenealogëve. Kombi modern është pra një rezultat historik i arrirë në sajë të një vargu dukurish që konvergjojnë në të njëjtin drejtim.

Ndonjëherë ka ndodhur që uniteti ka ardhur për shkak të veprimit të një dinastie, siç është rasti i Francës; ndonjëherë nëpërmjet vullnetit të drejpërdrejtë të krahinave, siç ka qënë rasti i Hollandës, Zvicrës dhe Belgjikës; ka pasur raste edhe kur ka ekzistuar një synim i përgjithshëm, që me kohë ka mposhtur tekat feudale, siç kemi rastin e Italisë dhe të Gjermanisë. Këto formacione kanë në themelet e tyre një raison d être shumë të thellë. Parimet e bashkimit dalin në pah në formën e surprizave të paparashikushme. Në ditët e sotme, kemi parë një Itali që të bashkohet si pasojë e disfatave të saj dhe një Turqi që të shpërbëhet si pasojë e fitoreve të saj. Çdo disfatë i çonte problemet italiane përpara, ndërkohë që çdo fitore e fundoste Turqinë; kjo sepse Italia është një komb, dhe Turqia, në territoret e saj jashtë Azisë së Vogël, nuk është e tillë. Eshtë në lavdinë e Francës që të ketë proklamuar nëpërmjet Revolucionit Francez se një komb është vetë Sovran.

Nuk duhet të na vijë keq që të tjerët po na imitojnë. Parimi i kombësisë është yni. Atëhere çfarë është një komb? Përse Holanda është një komb, ndërsa Hanoveri ose Dukata e Madhe e Parmës nuk është? Si ka mundësi që Franca vazhdon të ekzistojë si komb, ndërkohë që parimi që ajo krijoi është zhdukur? Si ndodh që Zvicra, e cila ka tre gjuhë, dy fe dhe tre ose katër raca, të jetë një komb, ndërkohë që Toskana, për shembull, e cila është kaq homogjene nuk është e tillë? Përse Austria është vetëm shtet dhe jo komb?

Nga çfarë ndryshon parimi i kombësisë nga ai i racës?

Nëse do t’ i vinim veshin disa teoricienëve politikë, një komb është parasëgjithash një dinasti, që përfaqëson një pushtim të vjetër që në fillesat e tij u pranua dhe më vonë u harrua nga masa e njerëzve. Sipas teoricienëve politikë për të cilët flas, bashkimi i provincave që kryhet nëpërmjet dinastisë, me anën e luftrave, martesave dhe traktateve të saj, mbaron me dinastinë që e kryen atë. Është e vërtetë se shumica e kombeve moderne janë krijuar nga familje me prejardhje feudale që zotëronin toka dhe në njëfarë mënyre është bërë bërthama e centralizimit.

Kufijtë e Francës në vitin 1789 nuk ishin as natyralë dhe as ata të nevojshmit. Hapësira e gjerë që iu shtua nga dinastia e Kapetëve rripit të ngushtë që la traktati i Verdunit ishte në të vërtetë një blerje personale që kishte bërë kjo dinasti. Në një kohë aneksimesh të shumta, nuk kishte as kufij natyrorë dhe as nuk ekzistonte ndonjë ide e tyre; nuk kishte as të drejta kombesh dhe as vullnete provincash.

Bashkimi i Anglisë, Skocisë dhe Irlandës ishte po ashtu një akt dinastik. Italia u vonua në rrugën e saj drejt shndërrimit në një komb, sepse, midis asaj morie shtëpish sunduese, asnjëra prej tyre nuk u bë qëndra e bashkimit. Gjëja e çuditshme ishte se titulli mbretëror erdhi pikërisht nga ishulli i humbur i Sardenjës që ishte thjesht një tokë italiane. Holanda, që u krijua nëpërmjet një akti heroik ndarjeje, megjithatë ka nënshkruar një akt lidhje me Shtëpinë e Oranzhëve dhe do të ketë rreziqe serioze nëse një ditë ky bashkim do të komprometohej.

Por, a është kaq absolute kjo ligjshmëri? Pa dyshim që jo. Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat u formuan nga konglomerate prurjesh të njëpasnjëshme, nuk kanë baza dinastike. Nuk do të ndalem këtu te rasti i Francës. Për ta bërë këtë do të na duhej të hynim në sekretet e së ardhmes. Le të themi se nëse mbretëria franceze do të ishte vërtet një çështje e lidhur ngushtë me kombin, atëhere si shpjegohet që pas rënies së saj kombi ishte në gjendje të vazhdonte edhe pa të? Shekullit XVIII ndryshoi çdo gjë.

Pas shekujsh degradimi, njeriu u kthye përsëri te shpirti i antikitetit, te respektimi i vetvetes dhe te ideja e të drejtave të tij. Fjalët atdhe dhe qytetar rifituan kuptimin e tyre. Kishte ndodhur kështu një nga veprimet më guximtare në histori, një veprim që do të mund të krahasohej, në terma fiziologjike, me përpjekjen për t’ i dhënë jetë një trupi, të cilit i qe hequr më parë truri dhe zemra.

Prandaj duhet theksuar se një komb mund të ekzistojë edhe pa parimin e dinastisë, ndërkohë që edhe ato kombe që janë formuar nga dinastitë mund të ndahen nga këto dinasti dhe të vazhdojnë të jetojnë edhe pa to. Parimi i vjetër, që bazohet vetëm mbi parimet e princave, nuk mund të ekzistojë më; përveç të drejtave dinastike janë edhe të drejtat kombëtare. Mbi çfarë kriteri bazohet kjo e drejtë kombëtare? Ngase mund të dallohet? Prej ç’fakti konkret rrjedh?

I. Nga raca, mund të thonë disa. Ndarjet artificiale që vijnë nga periudha e feudalizmit, martesat princërore dhe kongreset diplomatike janë tashmë të vjetëruara. Ajo që mbetet e vendosur dhe përgjithmonë është raca e popullsisë. Kjo është ajo që përbën një të drejtë, një legjitimitet. Për shembull, nëse ndjek këtë teori që po shtjelloj, i bie që familja gjermanike të ketë të drejtën të rimbledhë anëtarët e shpërndarë të gjermanizmit, edhe në rast se këta anëtarë mund të mos duan të ribashkohen. E drejta e gjermanizmit mbi një province na del më e forte edhe se të drejtat e vetë banorëve të kësaj province.

Në këtë mënyrë ne krijojmë një lloj të drejte primordiale (parake) të ngjashme me të drejtën hyjnore të mbretërve; një parim etnik që zëvëndëson atë të kombit. Ky është një gabim shumë i madh, i cili nëse do të mbizotërojë do ta shkatërrojë qytetërimin europian. Parimi i kombit është aq i drejtë sa është i ngushtë parimi i së drejtës primordiale të racës, që është i mbarsur me rreziqe për progresin e vërtetë.

Vlerësimet etnografike nuk kanë të bëjnë fare me formimin e kombeve moderne. Franca është kelte, iberike dhe gjermanike.

Gjermania është gjermanike, kelte dhe sllave. Italia është vendi që i hap më tepër telashe etnografisë: galët, etruskët, pellazgët, grekët, pa përmendur këtu shumë elementë të tjerë që janë ndërthurur aty, duke formuar një përzierje të padeshifrueshme. Ishujt britanikë, të marrë sëbashku, paraqesin një përzierje gjaku kelt dhe gjerman, përpjesëtimet e të cilave është vështirë të përcaktohen.

E vërteta është se nuk ka raca të pastërta dhe të bazuarit e politikës mbi analiza etnografike është si të bësh një kala mbi rërë. Vendet më të përparuara, si Franca, Anglia, Italia, janë ato që e kanë gjakun më të përzier. A është Gjermania ndonjë përjashtim në këtë drejtim? A është ajo një vend gjermanik i pastër? Çfarë iluzioni. I gjithë jugu ishte i galëve. Lindja pas lumit Elba ishte plotësisht sllave. A mos janë vallë ato toka që ata kërkojnë të pastërta, të pastërta vërtet? Këtu mbërrijmë te një nga problemet më të rëndësishme, ku është e rëndësishme që të sqarohen idetë dhe të parandalohen keqkuptimet.

Diskutimet mbi racën janë të pafundme, sepse historianët filologë dhe antropologët e psikologjisë i kanë dhënë këtij termi kuptime shumë të ndryshme. Për antropologët, në fillim vjen origjina e njerëzimit nga kafshët dhe pastaj mund të flasim për origjinën e kulturës, qytetërimit dhe gjuhëve. Popullsitë primitive ariane, semite dhe turaniane nuk ishin të tëra të ngjashme nga pikëpamja fiziologjike.

Këto grupe janë ngjarje historike që ndodhën në një erë të caktuar, le të themi pesëmbëdhjetë ose njëzetmijë vjet përpara, ndërsa origjina e njeriut nga kafshët zhduket pikëpamja filologjike dhe historike, e quajmë si raca gjermanike është sigurisht një familje më vete e species njerëzore. A mund të flasim vallë për një familje më vete në kuptimin antropologjik të fjalës? Në asnjë mënyrë.

Dalja e gjermanikëve si individualitet në histori u bë vetëm pak shekuj para Jezu Krishtit. Në atë kohë nuk mund të flitej për gjermanë. Para se të vijmë te kjo pike, të përzier siç ishin ata me sllavët në masën e padallueshme të skithëve, ata nuk kishin ende një individualitet të veçantë. Anglezi i sotëm sigurisht që dallohet si tip më vete në komunitetin njerëzor. Ajo që ne quajmë sot pa të drejtë si raca anglo-saksone, nuk është as bretoni i kohës së Çezarit, as anglo-saksoni i kohës së Hengist-it, as danezi i kohës së Knutit dhe as normandi i Uilliam Pushtuesit, por në të kundërt një përzierje e të gjithë këtyre.

Francezi i sotëm nuk është as gal, as frank dhe as burgund. Ai është ajo çfarë doli nga gjithë ajo përzierje që ndodhi gjatë sundimit të mbretit të Francës, kur elementë të ndryshëm u shkartisën mes veti. Origjina e një banori të Jersey ose Guernsey nuk ndryshon në asnjë mënyrë nga ajo e popullsisë normande anën tjetër të detit. Në shekullin XI, edhe syri më i stërvitur nuk do të kishte dalluar dot edhe ndryshimin më të vogël midis banorëve të të dyja anëve të Kanalit (të La Manshit-shën përkth.).

Vetëm disa rrethana të rastit nuk bënë të mundur që Filip-Augusti të mos i merrte këta ishuj bashkë me pjesën tjetër të Normandisë. Të ndarë nga njëri-tjetri për më shumë se 700 vjet, këto dy popullsi jo vetëm që u bënë të huaja për njëra-tjetrën, por as nuk ngjasojnë më mes tyre. Raca, ashtu siç e kuptojmë ne historianët këtë term, është diçka që bëhet dhe zhbëhet. Studimi i racave është i rëndësishëm për atë studjues që merret me historinë e njerëzimit. Ajo nuk mund të zbatohet në politikë. Ndërgjegjja instiktive që përcaktoi hartën e Europës nuk mori parasysh racat, ndërkohë që kombet e para europiane janë kombe me gjak të përzier.