OPINIONE
Poeti, shkrimtari, publicisti Gjon Neçaj, ka trajtuar nji nga temat ma te nxeta, qe shqeteson sote jeten e perditshme te rinisë Shqiptare. Punesimi i te rijeve ne atdheun e vet. Qeveria duhet te prononcohet publikisht per kete shqetesim te dites.
/Gjin Musa, gazetar
Papunësia tek të rinjtë, problematika e një fenomeni që kërkon vëmendje
Gjon Neçaj
Problemet e papunësisë janë sa sociale, aq komplekse, sa të pazgjidhura, aq me pasoja, kryesisht tek të rinjët, por edhe për të ardhmen e vendit tone. Papunësia shkakton zhvlerësimin e kapitalit human. Një papunësi e zgjatur, ulë në mënyrë serioze vlerën e një investimi të kryer në kapitalin human. Rritja e papunësisë, sidomos te adoleshentët dhe të rinjtë, rritë kriminalitetin. Kostot sociale të papunësisë marrin edhe formën e uljes së autoritetit personal dhe keqësimin e shëndetit të papunëve.
Sipas të dhënave, papunësia rezulton më problematike tek të rinjtë. Shkalla e papunësisë te të rinjtë e moshës 15-34 vjeç është mbi 30 për qind, duke u rritur nga viti në vit.
Shkallës e papunësisë për personat me arsim të lartë rritet me rreth 2 për qind. Duke analizuar shkallën e papunësisë sipas nivelit arsimor, në tregun e punës në Shqipëri vihet re që shkalla e papunësisë është me e lartë për personat me arsim të lartë, se sa për personat me arsim bazë apo 8 dhe 9 vjeçar.
Një tjetër tipar dallues i tregut shqiptar të punës është pjesa relativisht e lartë e të papunëve të dekurajuar, të moshës 15-64 vjeç, të gjithë individë ekonomikisht joaktivë, qofshin këta meshkuj apo femra.
Të rinjët duan të kënaqen me rininë e tyre, ta jetojnë jetën, të argëtohen, e fenomene të tjera të jetës së tyre rinore. Si të rinj që janë,ata nuk kanë problem, mirëpo gjithçka duhet të ketë kufi, madje edhe argëtimi i tyre. Ajo që për një adoleshent duket si harxhim i kohës, në të ardhmen mund të jetë një pjesë shumë e rëndësishme e jetës së tij. Arsimimi çon drejt një të ardhmjeje më të mire, drejt një vendi pune, për të cilin do të rinjët do të jenë të kënaqur.
Papunësia në vendin tonë po bëhet një fenomen më i shprehur, duke pasë parasysh tranzicionin e zgjatur. Ne kemi shumë të rinj të diplomuar, por nuk mund t’u gjejmë një vend pune. Këta të diplomuar, pasi dalin nga bankat e univeritetit, përpiqen të gjejnë një vend pune, duke iu përshatur kualifimit të tyre. Por ata të dëshpëruar, sigurisht edhe të zhgënjyer, mallkojnë veten që nuk mundin t’ua shpërblejnë prindërve mundin ndaj tyre për vite të tëra, duke sakrifikuar financiarisht për t’i shkolluar. E si pasojë shumë të rinj që mbarojnë arsimin e mesëm, zgjedhin braktisjen e shkollës e tentative të emigrojnë apo të qendrojnë në Tiranë në kërkim të një pune të rëndomtë sa për të mbijetuar.
Mendojmë se shteti, organizmat përgjegjëse, shoqatat, duhet të marrin në considerate, madje duke marrë shembull nga vende të tjera të Europës lindore, që ia kanë dalë këtij problemi. Me hapjen e debateve për këtë temë delkate, shtohet interesi për zgjidhjen e punësimit të të rinjve. Oraganizatat e ndryshme shoqërore, që në Shqipëri ka me shumicë, shumë syresh,veprojnë vetëm në kuadër të marrjes së donacioneve për vete dhe të afërmit, apo pagujnë media të shkruara e elektronike për të pasqyruar aktivitetin e tyre pa asnjë lloj aktiviteti.
Si të gjejnë zgjidhje punësimi i të rinjve, është pyetja e duhur për këtë fenomen pa zgjidhje. E ndoshta përgjigja qendron në krijimin e një program, madje qeveria, subjektet politike gjatë fushatave elektorale, që efekti të jetë pozitiv, e njëkohësisht të përdoren politika punësimi të realizueshme,e jo fjalë fryrëse në fushata elektorale, me slogane, fjala vjen “do hapim mijëra vende pune për të rinjët”, etj., etj. Dhe e vërteta është krejt ndryshe kur marrin pushtetin. Kështu ndodhi në vitin 2013 kur mori pushtetin Partia Socialiste, ndërkohë që mijëra punonjës të administrates publike u hodhën rrugë të papunë.
Edhe disa muaj e Shqipëria do jetë nën ethet e zgjedhjeve të përgjithshme. Ky fenomen i huazuar prej kohësh dhe pazgjidhje, do ceket si here tjetër vetëm si slogan. Ndaj është koha e përshtatshme t’u kujtohet qeverisë, opozitës, politikanëve se rinia, si forcë shtytëse e proceseve demokratike, për të minimizuar largimin e uraganit rinor nepër udhët e botës, e të përcaktojnë në programet qeverisëse punësimin legal të rinisë në atdheun e vet.