PRANVERA GJONI, VJEN NGA BELGJIKA DHE PËRURON DY LIBRA POETIKË…

0
2622
Pranvera Gjoni - ballinat e librave

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Kisha shumë vite pa e vizituar ish-Kinostudion “Shqipëria e re”, ku tani ndodhet Ministria e Kulturës. Këtë mundësi ma krijoi jo ndonjë krijues nga kryeqyteti, por poetja e talentuar Pranvera Gjoni. Ajo erdhi nga Belgjika, bashkë me të bijën, Anën, për të bërë aty përurimin e dy librave të rinj poetikë, “Eklipsi i dhimbjes” e “Menstruacionet”.

Nuk është rasti i parë, që marr pjesë në veprimtari të tilla të gëzuara të kësaj mikeje dhe bashkëkrahinaseje time. Kështu, në tetor 2014, ajo përuroi në Tiranë librat me poezi, “Mendime të arnuara” dhe “Në hark të horizontit tim”. Më pas, rreth krijimtarisë poetike të saj, zhvilluam e publikuam një bisedë të përbashkët, me titullin: “Mbi emocionin, gjatë krijimit, është fjala e lexuesit” (Tiranë, 4 nëntor 2014).

Por edhe në vitin pasardhës Pranvera përsëri botoi një libër tjetër me poezi, me titullin “Hajmalitë mistike”. Prandaj, janë domethënës vargjet, që mbyllin librin e saj më të ri me poezi, ku shkuan, në “Epilog”: “I gjashti,/në kalendar të pagëzimit,/ngjyros qiejt veullngrysur,/ me dëshmitë e lirishpirtit…”.

Po kështu, duke hapur librin “Eklipsi i dhimbjes”, lexojmë edhe këto fjalë përmbyllëse, në Hyrjen, që e ka shkruar vetë autroja P.Gjoni: “Gjithmonë kam besuar te përzgjedhjet e shpirtit, pa paragjykim! Ndaj, audienca e këtij vëllimi, besoj se do të jetë e madhe. Në shpirtin tim poetik, ka gjendje e gjetje për të gjithë shpirtërat, që kanë shijuar kripësinë e dashurisë, sheqerosjen e dhimbjes…”.

2.
Dhe ja, përsëri Pranvera na tuboi për të marrë pjesë në gëzimin e natyrshëm, për botimin e dy librave të rinj me poezi. Kishin ardhur familjarë të saj, poetë e shkrimtarë dhe të ftuar të tjerë, nga Tirana,Lezha e Tropoja, por dhe një grup krijuesish nga Klina e Kosovës etj. Aty takova botuesit e njohur, Roland Lushi e Mark Simoni, poetet Eli Kanina, Eltona Lakuriqi etj.

Veprimtarinë e çeli vetë kjo autore, duke shprehur kënaqësinë që ndodhej në një mjedis të tillë, me kolegë, miq e dashamirë. Në vazhdim, për vëllim poetik, “Eklipsi i dhimbjes” foli Ndue Dragusha. Ai nënvizoi jo vetëm vlerat e vargjeve të frymëzuar të Pranverës, por dhe tematikën e zgjedhur e mënyrën e shprehjes së mendimeve. Rreth tyre u shpreh në diskutimin e tij edhe Ndue Malaj.

Me interes u dëgjua edhe leximi i “Hyrjes” së librit poetik “Menstruacionet”, shkruar nga Petrit Nika (nga Fieri), të cilën e lexoi Vilson Culaj, ardhur nga Klina. Gjithashtu, ky vetë u shpreh me nota pozitive për poezitë e bukura të kësaj autoreje.

Ndër të tjera, P.Nika ka bërë këtë vlerësim: “Në tërsinë e saj, këtë poezi e përshkon, nga faqja e parë dhe deri tek e fundit, një ndjenjë e çiltër, e cila formësohet me përshkrimin e burimit të saj, që janë: ëndrrat, zhgënjimet, gëzmet ose hidhërimet, që e karakterizojnë vetë jetën”.

Siç është praktikë e njohur, gjatë këtij përurimi u lexuan poezi të zgjadhura nga Agim Xheka, i cili edhe u shpreh: “Pranvera mblodhi me kujdes plajmin e luleve të bjeshkëve dhe me art i derdhi në poezitë e saj”. Gjithashtu, poezi të kësaj autoreje lexuan Rudina Niklekaj, Monika Qehaja etj.

Në mes të duartrokitjeve të të pranishmëve, kryetari i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, Azgan Haklaj i dorëzoi poetes Pranvera Gjoni një “Mirënjohje”. Aty nënvizohen vlerat e shumta të poezive të saj dhe ndihmesa e çmuar, që ajo jep në mjedisin e bashkësisë shqiptare, në vendin mik të Belgjikës.

Në mbyllje të kësaj veprimtarie, poetja e njohur Pranvera Gjoni iu drejtua me fjalë falënderuese: familjarëve të saj, gjithë të ftuarëve pjesëmarrës dhe për shtëpinë botuese “Ada”, me të cilën ka një bashkëpunim të frytshëm. Veçanërisht, shprehi mirënjohje për ndihmesën e dhënë nga fmijët e saj, Ana Gashi dhe Ergys Gashi. Gjatë këtij përurimi, ajo u dha me nënshkrimin e vetë dy librat e rinj, disa kolegëve e miqëve të pranishëm.

Pastaj, të pranishmit në këtë tubim përurues dhe që përjetuan plot emocione, morën pjesë në koktejin e shtuar nga autorja. Gjithashtu, aty u bënë mjaft fotografi të përbashkëta, të cilat do të jenë një kujtim i bukur dhe i paharruar, nga kjo veprimtari.

…Pas disa ditëve, e shoqëruar nga Ana, e bija, Pranvera Gjoni do të rikthehet në vendbanimin e saj, në një qytet të Belgjikës. Por, si gjithnjë, me mendime e zemër do të jetë në vendlindje e në Shqipëri, duke vazhduar të thurë poezi të tjera, të frymëzuara dhe optimiste, për jetën e për gjithçka njerëzore.

Tiranë, 15 tetor 2016