SEKRETI I MOSHËS? HUMORI I SINQERTË

0
1353
Avni Mula

Gjon Neçaj, Gazetar dhe publicist i njohur.

( Nje interviste e munguar me Ali Mulen, “Mjeshter i Madh” )

Ali Mula, ”Mjeshtër i Madh”, pikërisht më 20 shkurt ishte ditëlindja e tij, 87 vjetori i lindjes, të malësorit tipik nga Tropoja me një profil kompleks dhe enciklopedik. Ai është bashkëthemelues i ansamblit “Valbona”, sot “Dardania”, i teatrit dhe estradës amatore, ekipeve sportive dhe krijues i shumë e shumë pjesëve orkestrale e këngëve të njohura. Studiuesit vendor e kanë quajtur Ali Mulën “Molieri shqiptar”, në portretin e të cilit bashkohet humori burimor me interpretuesin pasionant, të njeriut popullor dhe të famshëm në vendlindjen e tij,studiuesit dhe kërkuesit të vetmuar të melodive.

Në këto 87 vjet të jetës së tij, mbi 70 vite i kushtohen humorit dhe interpretimit, duke përcjellë me mjeshtëri të rrallë jo vetëm qindra personazhe të çuditshme, dialogje origjinale, situata komike që përfitojnë të qeshura të forta tek qindra e mijëra fansa të Ali Mulës në të gjitha hapësirat shqiptare, por edhe shumë dritë dhe shpresë për më mirë në këtë vend dhe për këtë komb.

Artisti popullor Ali Mula, “Mjeshtri i Madh ”, një artist që gjithë jetën e tij e lidhi me humorin brilant, është ai që me gazmoret e tij bën që mos të harrohet e qeshura, çka edhe jetëgjatësia e tij, flokët e zinj pa asnjë thinjë, trupi i drejtë si çetinë bjeshke, bëjnë transparencën e një jete të tillë, ndonëse në jetë u përplas me dallgë e furtuna…

Humori i Ali Mulës ndër vite ka fshikulluar përmes të qeshurës, dukuritë e papëlqyera të njerëzve, të pushtetarëve, të partiakëve, në luftën e klasave në shoqërinë tonë, etj.
Kjo ide përkon me atë që njerëzit të respektohen, pa u ofenduar në asnjë rast, në çdo shaka theksohet me forcë dashuria dhe respekti për njeriun.

87 vjeçari Ali Mula është ashtu siç është, një artist i madh, gojëembël, origjinal dhe shumë i pranueshëm për të gjithë. Shakatë e tij kanë edhe frena. Rrugëtimi i tij njerëzor gjatë mbi shtatë dekada, është origjinal dhe një shembull për gjithë krijuesit.

Ai shkruan, interpreton, aktivizohet në rrjetet sociale, facebook, komunikon me fansat e tij që janë të shumtë në numër dhe planifikon kohën të qëndrojë pranë familjes, kryesisht nipërve dhe mbesave. Ne i morëm një intervistë ( imagjinare ) në ditën e lindjes :

Pyetje – Gëzuar ditëlindjen mjeshtër ?
Përgjigje – Ooooo faleminderit ! Sot nuk jam në humor.
Pyejte – Pse, ju keni ditëlindjen, 87 vjetorin.
Përgjigje – Po mendoja sa shpejt ikin vitet, e ja po afrohen nëntëdhjetë, e shumë më kanë uruar “u bëfsh 100 vjeç!”. Po pse, edhe 10 vjet të jetoj unë ? Jo, jo, më gjatë, më gjatë, se vdekja më tutet, e nuk afrohet.
Pyetje – Cili është magneti tërheqës, që krijoni në publik ?
Përgjigje – Humori im ka një gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme, lakonike. Beteja ime përmes gërrithjeve mahitëse, krijon tablo nga jeta e përditshme me një vertetësi reale dhe shumë nga aforizmat e mendimet e mia tashmë kanë hyrë dhe përdoren me një vertetësi të pashoqe në jetën praktike në trevën tonë.
Pyetje – Po përse ka gjithë këtë shtrirje hapsinore dhe vërtetësi njerëzore arti i Ali Mulës?
Përgjigje – Po. Është art që mbështetet në folklorin tradicional, në krijimtarinë popullore, është një art që shquhet për urtësinë e shprehjes, është origjinal.
Pyetje – Ali Mula dallohet si improvizuesi më i veçantë në betejat intelektuale duke dialoguar me politikanë, intektualë, mjekë, mësues, kuadro të partisë dhe te pushtetit.Cila është e veçanta ?
Përgjigje – E veçanta është se gjithnjë fiton e drejta, gjithnjë triumfon etika morale e shtresave të ulta. Është shumë i madh ndikimi i artit tim te krijuesit tropojas në veçanti , e më gjerë në përgjithësi.

Profesioni im është dentist, por të interpretoj në shfaqjet e estradës, të luaj në orkestër, pjesëmarrës në spartakiada, në ekipe, në garë pas zagarit, si gjahtar, janë dhunti që m’I ka falë Zoti.
Pyetje – Jeni i lidhur shumë me vendlindjen, Bytyçin ku ju ka rënë koka, Tropoja, ku keni jetuar…
Përgjigje – Unë e dua shumë vendlindjen. Sa herë që shoh në ëndërr Bytyçin apo “Bajram Currin” msy vrap nga Tirana. Kështu më ka ndodhur edhe kur shkoj në Amerikë e Kanada te fëmijët. Shoh në ëndërr vendlindjen, e të nesërmen nisem për atdhe.

Më beso, se kam shumë mall per Tropojën time, se kam ngrënë bukë në çdo krahinë nga kam qënë. Do tregoj një rast të veçantë në Nikaj Mertur në lidhje me bujarinë e malësorëve të atyre anëve. Kishim vajtur në një shtëpi për drekë, por asaj familje nuk i ndodhi asnjë copë bukë në shtëpi. Misri i vjetër i kishte mbaruar, e korrjet e reja akoma nuk ishin bërë për t’u korrur. E zonja e shtëpisë na priti krahëhapur, na shtroj sofrën, me raki rrushi, meze, por pa bukë. Ndërkohë nusja e djalit e korrë misrin në një cep të arës, e çvesh, e bën gati dhe e bluan në mokën.

Mbas një gjysëm ore ka sjellë bukën në sofër, të sapo dalë nga çerepi. U habitem dhe pyetëm se nga erdhi buka, e pasi hëngrëm, e zonja e shtëpisë, (burrat nuk ishin në kullë), na tha se këtë bukë të nxehtë që e solli nusja e djalit tim, kur ju keni thirrë në derë, ka qënë misër në arë, e pasi zgjodhi ato që ishin pjekur, i blou në mokën, gatoi bukën dhe e solli në sofër. A ka bujari më të madhe se këtë, a mundet të harrohet një bujari si kjo në vendlindjen time ?
___________
Përgatitur nga poeti dhe publicisti i mirënjohur Gjon Necaj