STOP shitjes së pasurive tona Kombëtare!

0
1690

TË VENDOS POPULLI ME REFERENDUM PËR “SHITJEN” E PASURIVE TONA KOMBËTARE!

Shkruajnë: Abdullah Begolli dhe Xhafer Murseli

Qeveritë e Kosovës prej mbarimt të luftës e deri me sot thuase bëjnë gara se cila do t’i nxjerrë në pazar pasuritë kombëtare (xehen dhe thengjillin e Kosovës) në tregun ndërkombëtar. Pse qeveritë e shesin (falin ) pasurinë kombëtare, pasurinë e popullit, cilat janë arsyet, nevojat, apo çfarë i detyron ata që më kaq nguti të garojnë njera me tjetrën? Krijohet përshtypja se ato shtyhen mes veti se cila do të jetë më “efikase” në shitjen e sa më tepër (pasurive tona) nga ajo që mund të shitet. Popullit i thuhet se është fjala për “investime”, por e vërteta është krejt ndryshe. Ivestime po, por jo për shitësin.

Investimet do t’i bënë blerësi. Kjo do të jetë më se e sigurtë. Shitja dhe investimi janë dy kategori krejt të ndryshme: Investimi në rrethana të caktuara mund të jetë i dobishëm, shitja e pasurive kombëtare në asnjë rrethanë nuk është e dobishme për popullin, ndërkohë që e dobishme është për ata që e shesin dhe i marrin paratë (qeveritarët). Shitja e pasurive kombëtare prek interesin e secilit qytetar të Kosovës, andaj secili nga ne duhet ta kuptoj se: Nga këto shitje Kosova nuk do të këtë energji elektrike më tepër, sepse thëngjilli i shitur më nuk do t’i takojë Kosovës, por atij që e blenë thengjillin e saj. Pas shitjes, qytetarëve të Kosovës do tu mbetet vetëm hiri, CO2, pluhuri dhe ajri i ndotur…Shtrohet pyetja se përse Serbia si okupatore nuk i nxorri në shitje këto pasuri kapitale, dy gjigantet e medha “Trepçën” dhe Kombinatin e Obiliqit? Jo se s’gjente blerës, jo se ua ruante shqiptarëve, por mendonte për të ardhmen e shtetit serb.

Xehja dhe Thengjilli! Ç’paraqesin për kombin këto Rezerva?

Çdo popull, apo shtet, ka disa shtylla bazike në të cilat e mbështet sigurinë dhe ekzistencën. Pa këto shtylla ekzistenca e çdo populli vehet në rrezik primar, vetëm me ajër nuk mund te jetohet, sado që ai është i domosdoshëm. Për shqipetarët rezervat natyrore të thengjillit dhe xehes janë të rëndësisë jetike. Vlera e tyre është vlerë e Kosovës, vlerë e kombit dhe këtë vlerë e kanë vetëm kur i përkasin popullit, sepse janë pasuri e tij. Shitja e tyre do të thotë shitje e vendit, sepse pa to, Kosova, Shqipëria s’kanë asnjë rendësi. Fundja edhe okupimet e gjata dhe interesimi për vendin e shqiptarëve lidhet para se gjithash me këto pasuri. Shumica e luftërave qëllim kryesor kanë përvetësimin e pasurive të tilla.

Krizat dhe rreziqet më të medha që venë në pikëpyetje ekzistencën e njerëzimit sot vijnë pikërisht nga shterrja e burimeve (rezervave natyrore). Të gjitha këto rezerva, qoftë me bazë energjetike apo metalurgjike, janë të limituara (të shterrshme).. Ka analiza të përafërta nga institute prestigjioze të shteteve të mëdha, që kanë caktuar këto rezerva. Nëse nuk zbulohen rezerva të tjera, shifrat janë alarmante, nisur nga fakti që shpenzimet e këtyre burimeve janë enorme! Sipas analizave të ndryshme, në botë rezervat e qymyrgurit janë edhe 204 vite, të qymyrit të murrëm edhe 194 vite, të gazit nëntoksor 40 vite dhe të uranit 38 vite. Duke pasur parasysh këto argumente, sot të gjitha shtetet e botës që kanë strategji kombëtare, kanë krijuar institute dhe grupe të pavarura ekspertësh në vendet e tyre për ti shfrytezuar sa më racionalisht këto burime.
Ja një shembull konkret:

Në vitin 1987 parlamenti gjerman formoi grupin mbipartiak nga ekspertë të kësaj fushe. Qëllimi i këtij grupi ishte që të hartojë strategjinë për shfrytëzimin e këtyre burimeve sa më racionalisht, strategjinë për mbrojtje të ambientit, si dhe të studjojë zëvendësimin e këtyre burimeve me energji alternative, aty ku është e mundur. Falë mos ndërhyrjes së politikës në këte drejtim, ky grup ia arriti që deri ne vitin 2009, energjia e gjithëmbarshme e shtetit gjerman , mbi 15% të jetë energji alternative. Parashihet që brenda 20 viteve në vendet e BE’s energjia alternative të ngritet fuqishëm në raport me energjitë konvencionale, arsyeja: ruajtja e rezervave energjetike, ruajtja e shendetit të popullatës nga ndotja dhe rrezatimet radioaktive që shkaktojnë materjet nukleare në centralet berthamore, dhe rreziqe të tjera shumë të mëdha nga ndonje avari e mundshme.

Shumica nga këto shtete e kanë bërë detyrim ligjor ngritjen e kapaciteteve për shfrytëzimin e energjisë alternative. Gjermania p.sh. iu ka dhënë detyrim ligjor institucioneve përkatëse të shtetit, që mesatarisht për çdo vit, ngritja e këtyre kapaciteteve të përfshijë minimumin 3000MW fuqi. Mbi këtë bazë mbështeten nga shteti investuesit, të mëdhenj apo te vegjël, me mbi dyfishin e çmimit të energjisë që paguan konsumatori, për çdo KWh energji elektrike që i jep rrjetit. Shprehur në shifra konsumatori paguan afro 20 centë /KWh, merr nga shteti kompenzim 43 centë /KWh energji elektrike, për energjinë që prodhon nga këto stabilimente dhe i shet shtetit. Qëllimi është stimulimi i prodhimit të energjisë se ardhmerisë.

Për t’i ruajtur burimet e veta energjetike dhe për ta ruajtur ambientin në shtetet e tyre, shtetet e ndryshme të botës, po bejnë investime kolosale në këtë drejtim. Është me interes për lexuesit që të njihen me vendimin e përbashkët të qeverive të shteteve kryesore të EU’s për projektin termosolar tanimë të filluar “Desertec” në Afrikën veriore me fuqi fillestare mijëra MW dhe investime 400 Miliard €. (“400 Milliarden für Desertec? – SFV fordert afrikanische Abnahmegarantie für Desertec-Strom “).

Vetëm sistemi transportues i energjisë së prodhuar nga ky central në Afrikë, për në Evropë do të ketë një rrugëgjatësi prej afro 4000 km. Gjithashtu është e rëndesishme të ceket së sipas disa informatave, sistemi transmetues i kësaj energjie do të kalojë edhe nëpër teritorin shqiptar, pikërisht kanalin e Otrantos, duke i shtuar kështu këtij kanali përveç komponentës strategjike edhe atë ekonomike. Mbetet heroik zbulimi i Prof.Kolonel Myslim Pashajt që i bëri tradhëtisë së qeverisë aktuale të Shqipërisë, që ia kishte shitur (dhuruar) Greqisë këtë pjesë strategjike të Shqipërisë. Po aq heroik dhe atedhetar është edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që kishte hedhur në shportë këtë veprim të ndyrë.

STOP RATIFIKIMIT TË MARRËVESHJES, QË CËNON SOVRANITETIN E SHQIPËRISË!

Përse nuk guxohet të shiten rezervat natyrore të xehes dhe thengjillit në Kosovë?
Kosova është territori me i pasur i Evropës me minerale edhe pse kjo e vërtetë shumë rrallë ose fare nuk zihet në gojë. Analizat e më herëshme kanë treguar, se Kosova ka afro 14 miliard tonelata tonelata thëngjill (afro 60% të të gjithë rezervave të ish’RSFJ’së). Krejt ngjajshëm është situata edhe me kompleksin ”Trepça” që është shtylla tjetër e kombit. Rezervat e plumbit dhe zinkut në kompleksin “Trepça” kapin shifrat mbi 59 milionë tonë, ose mbi 52% e gjithë rezervave të ish’RSFJ’së.Minerali i Trepçes përmban pos plumbit e zinkut, edhe ar, argjend, cadmium, bizmut (100 për qind e rezervave të ish’Jugosllavisë), gallium, germanium, talium, telur, selen.

Vendburimet janë në Trepçë (Në Stantërrg’Tregu i vjetër 6 km në lindje të qytetit të Mitrovicës) në Novabërdë dhe Ajvali (Periferi e Prishtinës). Në vitin 1985, Kosova jepte 75 për qind të prodhimit të plumb-zinkut, 60 për qind të argjendit dhe 15-20 për qind të arit të ish‘Jugosllavisë. Kosova ka edhe rezerva tjera si boksite hekurore me metale të rralla, hekur, bakër, zhivë, fluorit, mermer, germanium, silicium (sot për sot metali më i kërkuar në botë). Kosova ka edhe nikel (Feronikeli i Drenasit) por fatkeqësisht ato rezerva të këtij metali fisnik ju dhuruan njerëzve të huaj, apo më mirë të themi bandave mafioze, nga të cilët individë dhe grupe jo të ndërgjegjshëm, përfituan nga pasuria e popullit, ku i mbushën xhepat e tyre për të zhvilluar mëpastaj biznese të formave të pista, pa qarë kokën se çfarë humbje i shkaktuan popullit të vet.

Shitja e këtyre rezervave nuk arsyetohet as teknikisht e as ekonomikisht, as politikisht, as historikisht dhe as nga pikëpamja strategjike. Kosova është ndër vendet e rralla që ka fuqi instaluese të energjisë elektrike mbi nevojat e popullatës. Edhepse e ka këtë fuqi, asaj fatekeqësisht i mungon enrgjia… Nuk është problemi që sot Kosova ka mungesë të prodhimit të mjaftueshëm të energjisë elektrike për shkak të kapaciteteve, në një kohë kur vendi nuk ka indusri fare. Problemi qendron në udhëheqjen e keqe të prodhuesve aktualë.

Mandej dukuritë negative të shfaqura në shoqërinë kosovare si korrupsioni në KEK’un e Kosovës, allashvereshet e bandave, dilerëve dhe grupeve të nëntokës kriminale, ku kanë gisht edhe në shitblerjen e energjisë, mospagesa e energjisë nga ana e qytetarëve serb po edhe atyre shqiptarë që ndodhen në asistenca sociale, ata me të ardhura të ulëta etj.
Qeveritë e deritashme, apo klasa e sotme politike e Kosovës, në vend që t’i ndihmojnë popullit të përvuajtur, deri dje të shtypur e të robëruar, fatkeqësisht e kanë sjellë sërish gjendjen sociale të tij si në kohën e Migjenit dhe një pjesë e popullit jeton jetën si personazhet që i përshkruante poeti i përmendur në poemën “Lagja e varfër”.

Cilat janë kapacitetet instaluese të energjisë elektrike në Kosovë krahasuar me shtetet kryesore te BE?

Tabela Nr. 1

Në këtë tabelë mund të shihet prodhimi i përgjithshëm i e.el në Gjermani nga viti 2004 deri 2009 si dhe pjesëmarrja sipas burimeve primare (thëngjill, gaz, energji atomike, energji alternative, etj).

Njësia:

* * *

Në tabelën e më poshtme Nr.2 tregohen shifrat e prodhimit vjetor te energjisë elektrike për shtetet më të fuqishme të botës, Sh.B.A,Kina, Rusia,Kanadaja, Gjermania etj.

Tabela Nr. 2

* * *

Në vazhdim Tabela Nr.3.
Ja si duket shpezimi i energjisë elektrike në shtetet e BE në KWh/për kokë banori të paraqitura në tabelën e më poshtme nga instituti: “VDWE” Shpenzimet këtu janë të gjithëmbarshme për industri dhe nevoja shtëpiake. Shpenzimet për nevoja shtëpiake të energjisë elektrike në Gjermani p.sh sillen prej afro (0,1-0,4)kwh/banor, d.m.th. shkojnë deri afër 50% nga shpenzimi i gjithëmbarshëm.

Tabela Nr. 3

I bëjmë disa krahasime nga tabelat e më sipërme:

Marrim për shembull Gjermaninë, njëri ndër shtetet më të fuqishme industriale të botës. Deri në këtë vit ishte eksportuesi nr.1 në botë. Tani prinë Kina. Fuqia instaluese e stabilimenteve termoenergjtike për prodhim të energjisë elektrike.

Gjermania: 102.300MWh / afro 82Mil.banor=1,24KWh/kokë banori.
Kosova: afro 2.500MWh/afr. 1,8mil.banor = 1,39KWh/koke banori
1,8 mil. banorë nga shkaku së minimumi 300-400 mijë janë në emigrim.

Kjo do të thotë që, sa i përket fuqisë instaluese për kokë banori, Kosova prinë me mbi 11% krahasuar me Gjermaninë. Vendi më i varfër i Evropës, prinë ndaj vendit më të fuqishëm industrial të botës, me fuqi instaluese për kokë banori, për prodhim të energjisë elektrike dhe atë me mbi 90% prodhim nga thengjilli me mbi 20% CO2. Dihet që TC e Kosovës nuk prodhojnë energji elektrike aq sa kanë fuqi instaluese, por prodhojnë shumë më tepër pluhur, gazëra dhe hi, në raport me fuqinë.
Nëse nisemi nga fakti së Gjermania për vitin 2009 ka prodhuar gjithësejt 596TWh = 596milrd. KWh energji elektrike – shih tabelën Nr. 2, del se kapacitetet e saja instaluese i ka shfrytëzuar afro 67% duke marrë parasysh fuqinë instaluese 102.300MWh. Se sa ka prodhuar Kosova për tërë vitin energji elektrike, nuk na është e njohur nga stabilimentet e saj. Megjithatë edhe sikur 20% t’i ketë shfrytëzuar kapacitetet e instaluara, do të ishte e mjaftueshme për t’i plotësuar nevojat e brendshme të një vendi fare pa industri.

Nga të dhënat në tab.Nr.3, shihet se vendet më të ftohëta, siç janë, Norvegjia, Suedia, Finlanda etj.kanë shpenzime më të mëdha të energjisë elektrike. Nëse bëjmë një krahasim në mes të Gjermanisë dhe Kosovës në planin e hargjimit të energjisë elektrike dhe të themi, se banori i Kosovës do të hargjoj aq sa banori i Gjermanisë, edhe pse standardet ndryshojnë shumë, në dobi të hargjimit të banorit Gjerman, Kosovës për një hargjim krejt të ngjajshëm do t’i nevojiteshin afro: 1.940MWh fuqi instaluese e gjithëmbarëshme me kushtin që Kosova të përfaqesohej nga i njejti nivel prodhimi industrial për banorë dhe i njejti shpenzim për nevoja shtëpiake, me të njejtin koeficient shfrytëzimi të stabilimenteve 67% si Gjermania.

Nëse bëhet një krahasim i ngjashëm me Poloninë, për t’i përmbushur nevojat krejt një soj si polakët, Kosovës i nevojiten tërësisht rrethë 850MWh fuqi, kjo me kushtin që stabilimentet prodhuese të punojnë me shfrytëzim 67% si në Gjermani p.sh. Kosova me fuqinë instaluese prej afro 2500Mwh ia kalon Gjermanisë me 35% dhe Polonisë 294% sikur kjo fuqi instaluese të shfrytëzohej në masën 67% si në Gjermani. Nuk e dimë sa shfrytezon dhe sa prodhon Kosova energji elektrike, nuk kemi shënime siç i kemi për shtetet e lartëpërmendura, por si do që të jetë, duhet që sado pak të shfrytezohen kapacitetet që ka. Edhepse ka teknologji të vjetëruar, prapeseprap Kosovën nëse e krahasojmë me Poloninë, do të mjaftohej edhe me 500Mwh fuqi instaluese për t’i mbuluar në shkallën 90% nevojat e gjithëmbareshme me Energji elektrike.

Kosova ka pak shpenzime të energjisë elektrike për nevoja industriale, prandaj mu nga ky shkak, ajo do t’i mbulonte nevojat e nxemjes gjatë stinës së dimrit. Duke u nisur nga fakti që shpenzohet pak, nga se nuk ka kapacitete prodhuese e as shpenzuese, dhe për t’i mbuluar shpenzimet në këte nivel, do të mjaftonte të punonte vetëm njëri bllok i TC Kosova B me fuqi instaluese 750MWh dhe atë me shkallë shfrytezimi 67% sa shfrytezohen në Gjermani. Shprehur në shifra do të thotë, që me 500MWh prodhim, Kosova do të kishte në disponim 2.433KWh për kokë banori në vit, apo 0,28KWh/ore për kokë banori. Blloku tjetër i TC Kosova B, do të mund të ishte gjithmonë në rezervë dhe i gatshëm pa patur nevojë fare për TC e stërvjetëruara të Kosoves A.

Dikush mund të thotë se këto shtete disponojnë me rrjetin e gazit natyror, gjë që i ulë ndjeshëm nevojat për energjinë elktrike, pasi që nxemja mund të bëhet me lëndë djegëse të gazërave. Pra, kështu, ky do të ishte një zëvendësim me nevojat më të vogëla për energji në sferën e industrisë që i mungon Kosovës. Në anën tjetër, askund nuk parashihet prodhimi i rrymës elektrike nga thëngjilli për nevoja të nxemjes, sepse teknikisht, ekonomikisht dhe shkencërisht është e paarsyeshme, kur dihet se transformimi i energjisë së thengjillit në energji elektrike, mund të bëhet në rastin më të mirë me koeficient shfrytezimi 34%, ndërsa te transformimi i energjisë së thengjillit në nxehtësi, arrihet koeficient i shfrytëzimit deri mbi 85%, por që varet nga lloji i thengjillit.

Në këtë rast alternativa shumë më e arsyeshme teknikisht dhe ekonomikisht, nëse do të kishte nevojë për shfrytezim thëngjilli, është shfrytëzimi i drejtpërsedrejt për nevoja të ngrohjes. Nga sa u cekë dhe shumë faktorë të tjerë të pacekur, Kosova hëpërhë ka nevojë që t’i shfrytëzojë sa më tepër TC Kosova B dhe disa HC që i ka. Këto do të mjaftonin sikur të shfrytëzoheshin sipas rregullave dhe me një mirembajtje të mirë profesionale. Kosovës, pra, qeverisë, apo ekspertëve do t’iu duhej, që urgjentisht ta benin përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, mbajtjen e parametrave teknikë në nivel nominal dhe krijimin e infrastrukturës ligjore, tekniko-ekonomike, në mënyrë që të mundësohen investime edhe për prodhim të energjisë alternative (ere, dielli, uji, biomase, energji nga riciklimi i mbeturinave dhe hulumtime për burime tjera).

Kështu do të krijoheshin kushte shumë të mira për prodhimin e energjisë elektrike, ruajtjen e ambientit, si dhe qarkullim i kapitalit nga mijëra në milon €, gjë që do krijoheshin mundësi që të prodhonin energji elektrike si, nga kulmi, kopshti, ara apo kodrinat.

A i duhet Kosovës edhe një TC i Ri?

I duhet apo s’i duhet Kosovës edhe një TC i Ri, nuk do shumë koment. Kësaj pyetjeje, sigurisht
se as ekspertët më eminentë nuk do t’i përgjigjeshin në rend të parë pa i bërë disa studime paraprake mbi bazën e nevojave që ka sot dhe do t’i ketë nesër Kosova.
Cilat janë nevojat e Kosoves për energji elektrike shtesë dhe sa janë ato?
Cilat janë mundësit e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë jashta sferës së Termocentraleve?
A ka investitorë të interesuar në kushtet e një infrastrukture të arsyeshme tekniko – ekonomike që të investojnë në burimet alternative të energjisë, sigurisht se do të ketë.

Pra, në rrethana të studijuara mirë, zytarët dhe ekspertët kosovarë, mund të mendojnë në një të ardhme për ndërtimin e një TC deri 500 MWh, por si kusht i vetëm do të ishte që të bëhet ndërprerja e punës në TC ekzistues Kosova A dhe më vonë edhe në TC Kosova B (pasi të ngritet TC i RI). Kjo do të bëhej pasi që realisht këta janë dy faktorët më ekstrem të ndotjes së ambientit, gjë që po paraqet rrezik për shëndetin e popullatës. Kosova patjetër këtë termocentral duhet ta ndërtojë me mjete të veta vetanake, e nëse nuk ka buxhet, atëherë, pse jo së bashku me Shqipërinë, dhe jo siç po synohet nga disa njerëz që për mes formash të mprapshta tenderësh kontraktojnë kontrata me kontrabandistë e dreqer, si me Fazlliqët, e të bijtë e dreqit-armiq!

Qeveria e Kosovës po edhe ajo e Shqipërisë, sinqerisht e kanë për detyrë që në rend të parë t’i mbrojnë interesat kombëtare. Andaj kurrsesi thengjilli mos t’ju shitet kompanive të huaja. Prioritare për Kosovën nuk janë TC e reja, por centralet për shfrytezimin e energjisë alternative, ku mirëfilli dihet se Kosova disponon një klimë solide për këto burime të pashterreshme. Termocentralet e reja qe eventualisht do të ndërtoheshin më vonë, më tepër do të duhej të ishin si garancion dhe krijim stabiliteti të rrjetit për prodhuesit vendorë të energjisë elektrike nga burimet alternative. Që të krijohet stabiliteti i nevojshëm i furnizimit të vazhdueshëm për konsumatorët, sistemi energjetik i Kosovës, duhet të integrohet me atë të shtetit amë, Shqiperisë, hap ky i ndërmarrë ditë më parë nga dy qeveritë, gjesti i mirë, gjë që sigurisht se do të gjejë përkrahjen e opinionit të gjërë. Gjesti i tillë përshendetet pra, edhe në këtë vështrim!

* * *

Nga e gjithë kjo qe u cekë më lartë, mund të nxirret përfundimi:
Shitja e thengjillit për ngritje Termocentralesh në tokën e Kosovës është hiç më pak se një çmenduri! Rezervat natyrore janë pasuri e popullit! Nëse dikujt iu ka tekë që t’i shesë këto pasuri, ai Dikushi duhet të kërkoj lejen e popullit dhe për këtë duhet të vendos vetë populli. Edhe po të vendoste ky sovran legjitim, assesi pa organizimin e një referendumi gjithëpopullor, nuk do t’i hyhej një rreziku kaq të madh që i dihet mirëfilli rezultati përfundimtar – pra është ky një hap që fatin e popullit e shpie drejt e në skëterrë. Para pak javësh zviceranët vendosen që të mbajnë referendum për caktimin e “Avoketëve” mbrojtës për shtazët, atëherë pse vallë nuk organizohet referendum për çështje kaq madhore ku do të vendoste vet populli, sigurisht se do te votonte për atë që ëshët interes yni kombëtar.

Pra, do të votonte KUNDËR shitjes së pasurisë sonë KOMBËTARE!

Autorët:
Abdullah Begolli Inxh. i Dipl. Termoenergjetikës ([email protected]);
Xhafer Murseli Inxh i Dipl. Elektroteknikës ([email protected]).