Shteti serb të ka copëtuar si komb, si atdhe dhe të ka zvogëluar dhe defaktorizuar në Ballkan. Ai të ka dëbuar, të ka internuar, të ka vrarë, të ka dhunuar gra dhe bija dhe të ka zhbërë dinjitetin. Akoma pa harruar plagën e shkaktuar prej saj me eksodin drejt Turqisë, ai shtet, u hodh me tanke dhe ushtri barbare mbi ty.
E ti? Ti menjëherë pas luftës, nise të kontribuosh në ekonominë e atij shteti, duke blerë mallrat e tij dhe duke ndihmuar përdhunuesit tënd dhe ndoshta, duke i garantuar vendin e punës një ushtari të djeshëm apo djalit të tij. Ti ndihmon në standardin e tyre jetësor, rënien e papunësisë dhe forcimin e atij shteti, që ty të urren.
(Nuk është vlerë urrejtja e popullit serb, por mosshpërblimi i një shteti fashist, që të traumatizoi kolektivisht më shumë se një shekull dhe që sot akoma përpiqet të pushtojë krejt vendin apo pjesë të tij.)
Nuk është Perëndimi apo pro serbët në Europë, që trajtojnë Serbinë me respekt dhe pendesë, por ti ishe i pari, i cili i fali shtetit serb të gjitha krimet: Ti kurrë nuk kërkove llogari për mijëra të vrarë. Ti kurrë nuk kërkove llogari për njëzetmijë gra të dhunuara. Ti kurrë nuk kërkove llogari për njëqindmijë shtëpi të shkatërruara. Ti kurrë nuk kërkove llogari për gati gjysmën e popullit të dëbuar dhe kurrë as për fëmijët e masakruar! Ti nuk kërkove llogari për mijëra kufoma të sekuestruara dhe zhdukura nëpër Serbi! Ti nuk kërkove llogari dhe dëmshpërblim zyrtarisht, siç të çrrënjosi dhe sakatoi shteti serb me urdhër zyrtar, shtetëror.
Ti ke hequr dorë nga shteti i Kosovës, nga kombi, nga historia, nga gjuha, nga morali, nga dinjiteti, nga identiteti dhe gjoja pezmatohesh, kur të shajnë të kaluarën dhe kur të rrënojnë të tashmen, rrjedhimisht të ardhmen!
Ti je i trashë nga mendja dhe veprimi; i lehtë për mashtrim, naiv, babaxhan, që voton e rivoton hajna, kriminelë dhe makiavelistë, por je i bindur se je qendra e dijes dhe qytetërimit.
Ti je i korruptuar në shpirt! Ti nuk di as kush je, as ku dëshiron të jesh! Në vend se të shfrytëzosh lirinë për t’u ndrequr, e përdore për t’ u prishur, për t’u nënshtruar më shumë dhe për ta rrënuar shtetin! Për ta rehabilituar shtetin serb! Për t’u prishur me Perëndimin!
Ti nuk kupton fuqinë e votës dhe domosdoshmërinë e respektimit të ligjit, të interesit nacional.
Ti nuk i beson veprave të tradhtarëve, që i prodhojnë çdo ditë, por pret nga shërbimi sekret, që i ka rekrutuar, të të tregoj emrat e tyre, edhe kur ta luftojnë substancën kombëtare dhe vlerat nacionale!
Ti argëtohesh dhe pyet pse i lejojnë, pse i ftojnë, por idiotizmat e tyre, i shikon ose i shpërndan nëpër media, d.m.th. je propagandues, shpërndarës, ndihmues dhe shërbëtor i tyre!
Ty, nëse një tregtar shqiptar të shikon vëngër në treg, nuk blen gjësend prej tij, por ti je aq i pambamendje, sa financon tash e tetëmbëdhjetë vite, ekonominë e vendit, që mezi pret mundësinë për t’ u kthyer aty ku ishte!
Ti ke humbur karakterin, virtytin, vlerat morale dhe kombëtare!
Ti me shqiptarin rrahesh jashtë dhe në kuvend, por ushqehesh dhe mbahesh gjallë me mallrat e atij, që të ka dhunuar nënën, babain dhe motrën! Ti ke humbur dinjitetin! Ose, ti ke vetëm dhjetë për qind dinjitet.
Ti edhe ke ftyrë të buzëqeshësh, të mbushësh shportën me mallra e atij, i cili pret se ndryshon gjendja, për të dëbuar ty përsëri në Kukës e Bllacë, në Perëndim apo në Turqi. Ti ke humbur vetëdijen! Ti ke vetëm dhjetë për qind vetëdije! Nëntëdhjetë për qind je i vdekur! Kufomë psikike e pandikim, e paide, e pafuqi në argëtim e sipër!
Ti, për nder vret një shqiptar, por për nderin e nëpërkëmbur nga shteti serb, e shpërblen dhe i garanton mijëra vende të punës. Ti je dhjetë për qind i sinqertë! Nëntëdhjetë për qind je iluzioni, je rrena, je gjeni i vetëmashtrimit!
Ti çaravesh dhe tmerrohesh, pse Turqia investon pesë miliardë në Serbi. Ti, i rrjepur nga shteti serb, ke investuar gati pesë miliard në vendin, që në të gjitha mënyrat e mundshme, lufton shtetin tënd. Ti ke humbur sedrën! Ti nuk je objektiv. Nëntëdhjetë për qind je i padrejtë! Ti je rrena vet! Poshtërsia!
Ti ndjehesh trim dhe krekosesh, kërcënon shqiptarë, pse nuk mendojnë si ti, gjersa në veri valon flamuri serb, paguhet me monedhë serbe dhe ku ti apo vëllai jot, nuk mund të kthehesh!
Ti nuk ke guxim, sepse po të kishe, nuk do të duroje një klasë kleptokratësh, por ti je mburravec i keq, i cili mendon se bëhet guximtar pse urren, pse shan dhe pse fryhet si gjel deti! Ti je nëntëdhjetë për qind pallavra! Nga Akademia, deri te Kopshti i Fëmijëve! Ti je dyfytyrësia!
Ti nuk je i poshtër pse harron, as pse fal edhe pa të kërkuar ndjesë, por je i ulët nga morali e nga karakteri, e zeza e vetvetes, pse ndihmon ish pushtuesin tënd, pa u penduar ai për tragjedinë që të ka shkaktuar dhe i cili edhe sot, përgatit të rejën!
Ti je i pakujtesë, i pamoralshëm, i padije! Ti je turpi dhe mjerimi. Ti je shëmbëlltyrë tipike e menefregistit dhe dudukut oportunist!
Ti për një metër tokë, vret një shqiptar, por nëse vendit tënd i shkëputen mijëra kilometra katrorë dhe nëse nga ajo të premtohen përfitime, e pranon si të drejtë!
Ti nuk ke karakter, d.m.th. nuk ke më tipare morale të vlefshme për shoqërinë, por nuk pushon duke sharë të tjerët si të pakarakterë.
Ti nuk ke virtyt, d.m.th. je pa cilësi morale, por te të tjerët i kërkon ato.
Ti nuk ke sedër, d.m.th. ti nuk ke respekt dhe dashuri ndaj vetes, por pret të tjerët të të duan më shumë se ti donë veten.
Ti ke vendin e fundit në Europë në të gjitha fushat, edhe në arsim, ku fundoset ardhmëria jote e mjerë. Megjithatë, ti dërgon fëmijën aty ku prishet, jo ku mësohet! Dhe ti lejon të paguhen ata! Dhe ti çuditesh vetëm!
Ti pret pezullimin e vizave, por je lodhur, je këputur dhe je bindur se më e lehtë është arratisja, se sa rrëzimi i maskarenjve.
Ti përpiqesh të gjesh thellë në histori personalitet me origjinë shqiptare, që kanë kontribuar për shtetet e huaja, por duron politikë nga shqiptarë, që punojnë për dobi të shteteve të huaja.
Si mund te flesh i qete, kur fëmija jot shkon në shkollë, ku nuk arsimohet?
Si mund te flesh i qete, kur shkon në spital për shërim dhe e braktis me një infektim?
Si mund të flesh, kur di se me ndërtimin e shteti, merren dudukët, të cekëtit, të paditurit, të pagdhendurit, kurse të mirët janë përjashtuar nga jeta publike?
Si mund të flesh, kur ke qeveri me njëqind veta dhe treqind këshilltarë?
A nuk kupton se ky është krim i organizuar?
Si mund të flesh i patrazuar të lutem, kur kryeministri jot, kur Kuvendi jot nuk di se çfarë do të flasë kryetari me kryetarin serb?
Miq të Serbisë nuk janë disa politikanë në Perëndim, por je ti mik më i madh i Serbisë, sepse gati në të gjitha vendet udhëheqëse në Kosovë, ke njerëz që i konvenojnë vetëm Serbisë. Edhe Qeveria mbahet vertikalisht me mëshirën e shtetit serb!
Gjersa Serbia lufton pavarësinë dhe shtetin, gjersa kërcënon me mobilizim të armatës dhe kërkon mbështetje për ta marrë krejt Kosovën dhe i qaset rezolutës 1244, gjersa ajo paguan agjentët shqiptarë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare, ti shpreson t’ia marrësh edhe një copë, Luginën, ose të krijosh një komb kosovar, siç i konvenon asaj. Sipas direktivave të saja! Ti je renegat!
Dhjetë për qind taksa tregojnë se ti ke dhjetë për qind dinjitet dhe sedër! Ndalimi i çdo produkti serb, është ruajtje e dinjitetit, sepse nuk duhet ndihmuar, atë që në çdo mënyrë të përbuzë dhe tallet, që të lufton brenda dhe jashtë. Bashkëpunimi ekonomik nis pas pajtimit politik, jo e kundërta!
Ti po shpërblen nxënësit e Millosheviqit, që po përpiqen të fitojnë nga ajo që ka humbur mësuesi i tyre fashist! Ne që jemi jashtë, nuk jemi pse deshëm, por pse na dëboi Serbia, ku dëshironi të vini edhe ju, tani të dëbuar nga idiokracia dhe kleptokracia kosovare, që ju e doni dhe votoni! Që ju nuk e rrëzoni! Ne që jemi jashtë dimë kush ishit, por sot, nuk ju kuptojmë kush jeni!
Me taksa dhjetë për qind, ti dëshmon se ke dhjetë për qind dije, dhjetë për qind kujtesë, dhjetë për qind dinjitet, dhjetë për qind mëvetësi dhe moral! Asnjë shtet në botë nuk lejon tregtinë me shtetin, që i përgatit rrënimin! Ti je mercenar!
Sidoqoftë, ty të falet poshtërsia, të falet mungesa e dinjitetit, të falet mungesa e moralit, të falet mungesa e sedrës, të falet mungesa e dashurisë ndaj kombit, të falet edhe ndihma që i jep Serbisë, mu ashtu siç duhet t’i falet fëmijës konsumimi i ushqimit, që prindi ka futur në frigorifer: produktet serbe t’i ka sjellë para turirit elita politike shqiptare! Edhe ata, që sot që shtiren se janë kundër!
Megjithatë, ti je bashkëfajtor i pafytyrë, që nuk skuqet dhe nuk zverdhet!