Më ka marrë malli
Për agimet e hershme të fëmijëve fytyrëqeshur
E të pleqve të krekosur, plot rrudha kohe e përjetime
Sinqeriteti i tyre kapërcen kufijtë e të sotmes
Ah! Sa dembel që jemi bërë
Në këtë kohë pa kohë
Ku interesi e lakmia na kapërdiu kohërat moderne.
Isha
Isha shekull
U bëra dekadë
Vit
Muaj
Javë
Por, më së tepërmi, po më merr malli
Për një çast.
Lot i shiut
Isha lot i shiut
Shiu u bë lumë
E lumi det
Po aty
Ku unë ruaj kujtimet.
Kostum kohe
Edhe atëherë kur t’i kem të gjitha
Njeri i harlisur në pasuri
Do të doja të vishja kostumin tënd kohë
A ka diçka më të shtrenjtë se ti?!