Mirëqenja e qytetarëve nuk arrihet me spektakle televizive!

0
113
Atifete Jahjaga me gratë islame

Shkruan: Florim Zeqa, 23.12.2021

Qytetarët e varfër dhe të nëpërkëmbur të Republikës së Kosovës, të abuzuar dhe të plaçkitur nga të gjitha qeveritë, të joshur dhe mashtruar për vota nga të gjitha partitë, më me dëshirë do ta prisnin fundin e botës sesa vazhdimin e jetës në Kosovë me këtë klasë kusarësh politikë në pushtet dhe opozitë.

Pas premtimeve të mëdha, nuk kanë të ndalur zhgënjimet e qytetarëve

Nga secila palë zgjedhje qytetarët po dalin më të dëshpruar shkaku i mashtrimeve të politikanëve. Secili pushtet i pas ri-shpalljes së pavarësisë në mënyrën e vet i ka vënitur shpresat e qytetarëve të Kosovës.

Megjithatë ata që erdhën të fundit në pushtet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, erdhën me premtimet e mëdha për ndryshime substanciale dhe përbajtësore, me premtime për ndryshimin e kursit qeverisës, me premtimet për ngritjen e mirëqenjes së qytetarëve, me premtimet për barazi ligjore dhe paqe sociale në vend, me premtimet për ngritjen e imazhit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, por, për këta 9 muaj të qeverisjes nuk e realizuan asnjërin prej këtyre premtimeve elektorale!

Si pasojë e mashtrimit epokal të klasës aktuale në pushtet dhe të atyre në opozitë, qytetarët e vendit, e në veçanti të rinjët duke mos e parë as një dritë të vogël në tunelin e gjatë të pritjes, i kanë humbur të gjitha shpresat për jetë në vendin e tyre.

Vazhdon zbrazja në heshtje e Kosovës

Një largim kaq i madh i qytetarëve Kosovës nuk ka ndodhur as në kohën e regjimit të Millosheviqit. E gjithë kjo po ndodhë si pasojë e mungesës së përspektivës zhvillimore, e mungesës së sigurimeve shëndetëore, pagave të ulëta dhe mungesës së mbrojtjes ligjore në vendet e punës në sektorin privat.

Si pasojë e mungesës së ligjit të mirëfilltë të punës, punëmarrësit i trajtojnë punëtorët si skllevër, pa kontrata pune, pa orar të caktuar të punës, pa sigurime, pa pushime vjetore, pa shtesa për fëmijë dhe pa asnjë të drejtë njerëzore.

Mungesa e ligjit të punës, përveqse e ka minimizuar rolin e Sindikatave në sektorin publik, ua ka pamundësuar atyre totalisht çasjen në sektorin privat. Duke qenë kështu, punëmarrësit në sektorin privat sillen si të donë me punëtorët e tyre!

Kur punëtorët e zellshëm punojnë pa hile me orar të stërgjatur dhe pa u ankuar dhe pa kërkuar asgjë, punëmarrësi ua rrahë krahët, por, në momentin që puntori e kërkon ngritjen e pagës ose kontratën e punës, të nesërmën lirohet nga puna!

Përderisa në sektorin publik, punëtorët janë me kontrata të përkohshme dhe të përhershme, në sektorin privat “kontratat” i kanë në baza ditore! Në momentin që punëtori e nuk e jepë maksimumin në orarin e stërgjatur të punës në mbrëmje i skadon “kontrata”, punëmarrësi i thotë punëtorit, nga nesër jeni i lirë!

Kësisoji punëtori mbetët pa punë, pa të ardhura personale dhe pa asnjë mbështetje sociale nga shteti!

Nivelizimi i pagave të sektorit publik me atë privat dhe hartimi i ligjit të ri të punës nga qeveria aktuale do duhej të ishte hapi i parë për kthimin e besimit të qytetarëve për jetë dinjitoze në atdheun e tyre-Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Por, për fatin e keq të qytetarëve, edhe qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti rrëshqiti në rrugën e pararëndësve të tij. Në vend të interesit të qytetarëve, e zgjodhi të kundërtën, forcimin e pushtetit përmes shkarkimeve politike të bordeve të ndërmarrjeve publike dhe emërimin politik të njerëzve të dëgjueshëm, familjarëve dhe militantëve partiakë nëpër çdo institucion publik dhe strategjik të vendit tonë, duke e betonizuar kështu kapjen e re të shtetit sipas modelit të sistemit komunist.

Spektaklet televizive, mbulesë e kontrabandës dhe informalitetit financiar

Edhe përkundër gjendjes katastrofale në sektorin privat, të diskriminimit të punëtorvëe në baza ditore nga punëmarrësit, asnjëherë deri më sot nuk e kemi dëgjuar kryaministrin dhe asnjë nga ministrat e kabinetit qeveritarë që të ngrisin si çështje shkeljen e të drejtave të punëtorëve në këtë sektor vital të shtetit tonë të ri.

Sikurse qeveritë paraprake, edhe ‘Qeveria Kurti’ po vazhdon me spektakle televizive për kinse luftimin e korrupsionit, mbrojtjen e pasurisë dhe pronave publike, kontrabandës dhe pengimit të veprimtarive antiligjore siq ishte aksioni i para disa ditëve i policisë në fshatin Karaçevë, aksionet brenda ditës në komunën e Shterpcës dhe në Brezovicë.

Qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë për spektakle televizive, por për lajme të mira të hapjes së vendeve të reja të punës, parandalimit të hyrjes së përditshme të mallrave nga Serbia e Maqedonia në rrugë legale dhe ilegale në Kosovë.

Qeveritarët e sotëm janë të njëjtit njerëz, që kur ishin në opozitë rrotullonin kamionët me mallra serbe me të hyrë legalisht në vendin tonë, kurse sot, kur janë në pushtet kamionet me targa të shtetit serb pa “stikera” vërshojnë rrugët dhe furnizojnë tregun me produkte serbe, por e njëjta gjë nuk ndodhë në anën e kundërt me hyrjen e produkteve kosovare në Serbi!

Prodhuesit vendor pa përkujdesje shtetërore

Invazioni i produkteve serbe në Kosovë dhe mosmbrojtja e produkteve vendore nga shteti, ka bërë që të bie rendimenti i prodhimeve vendore. Si pasojë e kësaj kemi rënje drastike të prodhimeve bujqësore dhe atyre blegtoriale.

Hyrja enorme e produkteve të jashtme dhe me çmime të ulëta, i ka dëmtuar rëndë prodhuesit vendor, të cilëve u prishën prodhimet e tyre shkaku i konkurencës jolojale të tregut vendor dhe mundësive të kufizuara për eksportim jashtë vendit.

Edhe përkundër takimeve të dy qeverive shqiptare (Kosovës dhe Shqipërisë) prodhuesit kosovarë nuk e kanë të siguruar transportin e lirë të produkteve në tregun shqiptarë, ku për çdo vit shkaku i barrierave artificiale tarifore në pikat kufitare, me mijëra tonelata patate dhe produkte tjera të prodhuesve kosovarë shndërrohen në plehra, për të cilat zyrtarët shtetërorë të Kosovës jo vetëm që nuk i kompensojë me asgjë, nuk e flasin asnjë fjalë të vetme dhe nuk i bëjnë publike në media siq i bëjnë spektaklet televizive për kinse luftimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve!

Klasa politike është në shërbim të mafio-oligarkisë

Jo vetëm që nuk ndryshoi asgjë për të mirën e qytetarëve për këta 9 muaj të ‘Qeverisë Kurti’, ende nuk e kemi asnjë nismë serioze që shkon në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve, përkundrazi, kemi humbje të vendeve të punës, ikje masive të qytetarëve nga Kosova, rritje të krimit (vrasje çdo të tretën ditë), thyerje dhe demolim të shtëpive të mërgimtarëve, vjedhje dhe plaçkitje të pasurive të qytetarëve!

Qytetarëve të Kosovës nuk u ka mbetur asnjë shpresë e vetme për një jetë më të mirë e të dinjitetshme në këtë shtet të tejkriminalizuar, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal – nëpër komunat e Kosovës.

Kështu pra, Kosova po (keq)qeveriset, apo më mirë të themi po sundohet në të dyja nivelet, si në qeverinë qendrore ashtu edhe në atë komunale, nga të njëjtit njerëz, përkatësisht nga nëntoka kriminale, ku e tërë klasa politike është në shërbim të mafio-oligarkisë, ndërkaq qytetarët po kërkojnë shpëtim duke gjetur rrugë legale dhe ilegale për të ikur sa më larg Kosovës.

Qytetarët e lodhur nga varfëria dhe denigrimi social e pritën gjatë liberalizimin e vizave, i cili megjithatë nuk i gëzoi as në fund të vitit 2021, siç u kishin premtuar pushtetarët paraprakë dhe këta aktual.