Vizita e LAPSH-it në Konsullatën e përbashkët të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës në Mynih

0
66
LAPSH - takim në konsullatë Mynih

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Më 18.12.2021, kryesia e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari – LAPSH, së bashku me disa mësimdhënëse, e vizituan konsullatën e përbashkët; të Republikës së Shqipërisë dhe atë të Republikës së Kosovës. Takimin u zhvillua në ambientet e Konsullatës shqiptare në Mynih, për nder të festave të fundvitit dhe për t’i njoftuar përfaqësuesit diplomatikë për punën dhe aktivitetin e LAPSh-it, gjatë vitit 2020/21 si dhe për planin e vitit të ardhshëm të 2021/22.

Në këto takime, të ndara, kryesia dhe mësimdhënësit e LAPSh-it u mirëpriten ngrohtësisht nga konsulli i Përgjithshëm z. Artan Hanku dhe konsulli z. Dashnor Ibra i Republikës së Shqipërisë, si dhe nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Afrim Nura. Në fokus të diskutimit ishin problemet dhe sfidat, që u përball LAPSh-i gjatë kësaj kohe të pandemisë Covid 19. U diskutua edhe për një bashkëpunim të ngushtë e konsultativ, që ky bashkëpunim s’ka munguar, por që u theksua se në të ardhmet duhet të jetë sa më bashkëpunues dhe më institucional, në të mirën e shkollës shqipe, thanë përfaqësuesit e LAPSh-it.

Z. Hanku, pasi përshëndeti dhe i falënderoi kryesin dhe mësimdhënësit e LAPSh-it, ndër të tjera tha: “Ne si konsullatë, ju kemi shoqëruar në punën dhe angazhimin e juaj vullnetare, që ishte dhe po mbetet si sfidë e rëndësishme, rritja numrit të nxënësve dhe sensibilizimi i shkollës shqipe, në republikën e Bavarisë! Për këtë ju jemi mirënjohës për punën dhe angazhimin që keni bërë dhe po bëni në ruajtjen e gjuhës amtare dhe në përpjekje për ta vetëdijesuar bashkëkombësin, në raport me dërgimin e fëmijëve në shkollën shqipe. Ne si përfaqësues konsullor, kemi qenë dhe do të jemi në përkrahje tuaj, konkretisht të shkollës shqipe dhe për këtë nuk do të kursehemi, tha Hanku”.

Pas takimit që patën me konsullin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, kryesia dhe mësimdhënësit e LAPSh-it vizituan Konsullin e përgjithshëm të Republikës së Kosovë z. Afrim Nura. Z. Nura, përpos tjerash, u zotua se do të jetë në shërbim të shkollës shqipe, me të gjitha mundësit që i lejohen dhe që kanë në dispozicion. Përpos që i inkurajoj mësimdhënësit dhe kryesin e LAPSh-it, për punën e tyre fisnike, përshëndeti vullnetin dhe punën e palodhshme të mësueseve dhe kryesinë e LAPSh-it! Z. Nura u ndal edhe te organizimi i mëtutjeshëm, që duhet të jetë sa më i frytshëm dhe i përbashkët, për të pasur sukses në rritjen e numrit të nxënësve dhe hapjen e shkollave të reja. Ai foli edhe për sfida që i kishte komuniteti shqiptar, konkretisht për shqiptarët e ardhur nga Kosova, që u përballën me shumë probleme të ndryshme, po që me angazhimin tonë arritën disa prej tyre t’ua dokumentojmë vendasve se ishin jo të drejta, mbi të gjitha është edhe njohja e gjuhës shqipe, e cila dhe u fut në listën e gjuhëve të huaja, fal punës, vullnetit dhe angazhimit të pandërprerë të LAPSh-it.

Kryetari i LAPSh-it, Milazim Ukaj, në këto takim shpalosi qëllimin dhe vizionin e LAPSh-it, për punën dhe suksesin e LAPSh-it, gjatë këtij viti. Po ashtu përfaqësuesit diplomatikë, të dy konsullatave në Mynih, i njoftoi edhe për sfidat që po përballet LAPSh-i, konkretisht me vijimin e numrit të vogël të nxënësve në shkollën shqipe, në krahasim me numrin e atyre nxënësve, që duhet të vijojnë në mësimin plotësues në gjuhën amtare! Ukaj, kërkoj që në të ardhmen bashkëpunimi të jetë sa më i konsoliduar në sensibilizimin e shkollës shqipe- konkretisht në rritjen e numrit të nxënësve dhe hapjen e shkollave të reja në Bavar të Gjermanisë. Ai i njoftoi të pranishmit edhe për vizitën në Austri, që ishte një vizitë pune mes mësimdhënësve të shkollës shqipe “Naim Frashëri” në Austri dhe të mësimdhënëseve të shkollës shqipe në Bavari.

Si qëllim kryesor i këtij takimi ishte shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve, të dy shkollave, mes tyre. Aty u njoftoi edhe për Seminarin njëditor që u mbajt në Mynih, nën përkujdesjen e LAPSh-it, me dy ligjërues nga Zvicra. Në agjendën e këtij seminar ishte paraparë që të jenë të pranishëm edhe mësimdhënës-it/et e Austrisë, por për shkak të pandemisë nuk patën mundësi të jenë të pranishme. Në fund të takimit Kryesia e LAPSh-it së bashku me disa mësimdhënëse, uruan dy konsullatat për vendosjen në objektin e ri dhe për festat e fundvitit, si dhe morën një foto të përbashkët.