Federata Aeronautike e Shqipërisë edhe pas vdekjes e nderon kampion Hizdiri Gubetini

0
112
Paragliding

Edicioni i 10-të i Kampionatit kombëtar të fluturimeve në paragllajdizëm kësaj radhe është zhvilluar në Korçë të Shqipërisë.

Në këtë garë që nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më joshëse morën pjesë 45pilotë, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Federata Aeronautike e Shqipërisë në marrëveshje me atë të Republikës së Kosovës,kishin paraparë që garat e Kampionatit të sivjetmë kombëtar“Korça Open Air 2021“të mbahen dy ditë radhas.

Mirëpo,keqësimi i motit bëri që ky Kampionat të përfundoj brenda një dite. Fluturimet u zhvilluan kryesisht në relievin malor e kodrinor të malit Morava.

Gjatë stinës së dimrit në këtë zonë juglindore të Shqipërisë,nga maja më e lartë e Ostrovicës, me diku 2383 metra, fryjnë erëra të shpejta dhe të ftohta. Prandaj organizatorët vendosën që të mos shkohet në rrezikimin e jetës së pilotëve.

Të ftuar special të kësaj ngjarje të rëndësishme sportive ishin familjarët e kampionit të shumëfishtë Hizdri Gubetini, i cili ndërroi jetë më 5 dhjetor të këtij muaji, nga një infarkt në zemër.

Pjesëmarrësit e kësaj gare me mjaft emocion e kujtuan Hizdriun, i cili me akrobacionet e tij, në ajër gjatë dy dekadave na bëri krenar kudo.

Ai si garues i dalluar dhe instruktor profesionist me punën e tij të palodhshme ka lënë gjurmë të përhershme.

Si në garat rajonale ashtu edhe në ato ndërkombëtare Hizdriu ka shënuar rezultate të shkëlqyera.

Më 24 tetor të këtij viti në Turqi,në mesin e 55-vendeve të botës ai u shpall Kampion i Festivalit Ndërkombëtar “OLUDENIZ AIR GAMES FESTIVAL AIR 2021”duke lënë prapa vetes shumë emra të afirmuar të aeronautikës botërore.

Gubetinin që u nda nga ne në kulmin e karrierës së tij sportive me emocione të veçanta e kujtoi edhe ish-nxënësi i tij piloti shpresë jona Veton Sylaj.

Sylaj në këtë kampionat u kurorëzua me vendin e parë. Ai këtë arritje të tij e konsideron si sukses të përbashkët me pilotin dhe instruktorin shembullor Hizdri Gubetini.

Hizdriu në dukje i urtë në punë me nxënësit e tij ishte i pakompromis dhe kërkues i madh.
Ai nga ata kërkonte që pra se të fillonin me këtë sport të krijonin besimin në vetvete dhe ta largonin frikën,dhe mendimet ogurzeza se do të pësonin që në debutimin e tyre të parë.

Këto këshilla dhe ky inkurajim me dhënie zemër e vullnet bëri që të rinjtë tanë me dëshirën më të madhe ta preferojnë punën nën mbikëqyrjen e Hizdriut.

Me shumë mallëngjim dhe emocion para të pranishmëve familjen e Hizdriut, e ka prezantuar zoti Alket Islami, kryetar i Federatës Aeronautike të Shqipërisë.

Ai, Hizdriun përveç që e zyrtarizoi edhe pas vdekjes si kampion të Aeronautikës shqiptare, familjes së tij ia dhuroi edhe Kupën e këtij kampionati.

Pas këtij akti solemn në emër të familjes organizatorët e kësaj ngjarje me fjalë të përzgjedhura i ka falënderuar zonja Nafije Rexhepi Gubetini,bashkëshorte e Hizdriut.

Ajo me gjithë pikëllimin dhe dhembjen e madhe që e ndjen dhe do ta ndjejë edhe në të ardhmen për vdekjen e hershme dhe të papritur të Hizdriut, ngushëllimin e vetëm e gjen tek dy djemtë e saj Almiri dhe Ensari,që kanë trashëguar shumëçka nga gjenet e babait të tyre, si në punë ashtu edhe në mirësjellje.

Almiri 18 vjeç është student i dalluar i vitit të parë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të Universitetit të Kosovës.

Ndërkaq, Ensari 14 vjeç është nxënës i Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ando Zako Çajupi” në Bardhosh, si dhe futbollist mjaft perspektivë në grupmoshat e juniorëve në KF. ”Flamurtari”të Prishtinës.

Në mbyllje të këtij manifestimi sportiv kryetari i Federatës Aeronautike të Shqipërisë, z. Alket Islami, premtoi që Hizdri Gubetini edhe në të ardhmen do të kujtohet si mjeshtër unik i fluturimeve në lartësitë e qiellit.

Mendojmë që do të ishte mirë që në Federatën Aeronautike të Kosovës dhe në atë të Shqipërisë, të merret nisma që emrin e tij ta mbajë ndonjë nga klubet tona.

Vepër tjetër që do të na kujtonte kontributin e jashtëzakonshëm të Hizdriut në këtë sport relativisht të rinj, në trevat tona do të ishte edhe krijimi i ndonjë çmimi vjetor me emrin e tij.

Gubetini e meriton një nderim të tillë, sepse gjatë karrierës së tij të bujshme Aeronautikës shqiptare i solli trofe dhe mirënjohje të shumta, jo vetëm nga pistat e vendeve të rajonit por edhe nga ato ndërkombëtare.

ARIF EJUPI