QËNDRESA SI LAJTMOTIV DHE SI IDEAL

0
188
Esad Mekuli - Drita që nuk shuhet

Me rastin e 105 Vjetorit të lindjes!

Esad Mekuli, „DRITA QË NUK SHUHET“, poezi, botoi Shtëpia Botuese „RILINDJA“, Prishtinë 1989, faqe 96.

Nga Shefqet DIBRANI

Esad MEKULI është doajen i letërsisë bashkëkohore shqiptare, njëra ndër figurat më të spikatura të letërsisë bashkëkohore, me theks të veçant i asaj të krijuar në Kosovë. Ishte dhe do të mbetet poeti, shkencëtari e veprimtari i mirënjohur, i respektuar nga të gjithë.

Meritat e tij si pionier i letërsisë sonë të re është e pakrahasueshme, ai ishte edhe përkthyes i zellshëm, ishte shkencëtar i mirë dhe popullarizues i devotshëm i letërsisë shqipe dhe, më në fund, si kryeredaktor i revistës së parë letrare „Jeta e re“, do të luaj rol me rëndsi në zhvillimet e mëtutjeshme të kulturës dhe letërsisë në Kosovë. Ai dhe vetëm ai, është dhe mbeti simboli që diti të përgatis gjenerata të tëra shkrimtarësh. Në këtë plan kontributet e tij janë të pakontestueshme, sepse ai i dha shumë kombit tonë, dhe bëri shumë për letërsinë bashkëkohore shqipe, veçmas siç theksuam më lartë të asaj që është krijuar në Kosovë.

Ky doajen i letërsisë sonë bashkëkohore me pietet është nderuar dhe madje është konsideruar edhe si „baba, edhe si pedagog i shquar i letërsisë sonë bashkëkohore“, por edhe si poeti më popullor te shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera jashtë Shqipërisë.

Ky nderim i takon, në radhë të parë, për meritat krijuese, kulturore dhe shoqërore si dhe për angazhimin e tij deri në çastet e fundit të jetës së tij. Ai është poeti shqiptar më i lexuar dhe më i dashur në Kosovë. Të gjitha potencialet dhe energjitë krijuese Esad Mekuli i shpenzoi për ta çuar më përpara letërsinë shqiptare në Kosovë.

Filloi të krijojë në gjuhën serbishte, duke bërë zikzake, nëpër labirinthet e jetës së tij të dhembshme, plot me vuajtje e sakrifica, duke ju shmangur me kujdes baticave e zbaticave, fryrjeve e shpërthimeve të erërave shoviniste, sidomos ndaj letërsisë dhe përgjithësisht ndaj kulturës sonë kombëtare. Esad Mekuli, me gjakftohtësi i tejkaloi të gjitha vështërsit, duke iu rezistuar me tër forcën krijuese akteve vandaliste të pseudoshkencëtarëve sllavë, që bënin në dëm të letërsisë e të kulturës sonë, ai me një kulturë të pashoqe i tejkaloi të gjitha vështërsit. Me këtë rast mund të konkludojm se Esad Mekuli qëndroi në ballë të rezistencës paqësore aktive dhe njëherit ndikoi shumë në vetëdijen e popullit tonë, për të mbajtur, zhvilluar dhe emancipuar letërsinë tonë deri në ditët e sotme.

Uni i tij ishte një unë kolektiv: nëpërmjet tij jehoi zëri i masës popullore. A shkroi, me angazhim dhe plot arsye për kulturën, të tashmen dhe të ardhmen, duke i theksuar në mënyrë shumë të qartë dhe besnike aspiratat dhe idealet e popullit të vet.

Poezia:

Esad Mekuli si poet, filloi me angazhimin social mes viteve 1930-1940. Poezia e tij padyshim afron tabllo të bukura të përshkrimit të ambientit fshatar shqiptar, njëherit ajo në fillimet e poezisë bashkëkohore në Jugosllavi, shërbeu më shumë si shembull, por edhe si tekst i drejtpërdrejt poetik. Në këtë mënyrë ndikimin e poezisë së Esad Mekulit në poezinë e viteve ’50 dhe ’60, e gjejmë në formë nuancash, po më shumë si shembull poetik krijues. Edhe pse në këtë kohë, Esad Mekuli drejtonte revistën më me ndikim në atë kohë, „Jetën e re“, ku shfaqeshin dhe afirmoheshin poetë të rinjë, ai nuk imponoi tematikën dhe shprehjen e tij poetike përmes formës institucionale. Përkundrazi, ai vet do të ndikohet nga poetët që përgatiste, kurse në poezitë e më vonshme do të lë shënimet sipas poetit a poetës X-Y, duke e zhvilluar atë mendim krijues edhe më tej. Ai gjithmonë tregoi interesim për shumëllojshmërinë tematike, motivore e poetike duke mos u përpjekur për uniformizmin dhe utilitarizmin e letërsisë.

Poezia e Esad Mekulit e përmbledhur në librin „DRITA QË NUK SHUHET“ kap një gamë prurëse ku janë zgjedhur e sigurisht edhe përpunuar (shumë krijime të hershme), bile disa të tjera i sjellë të paprekura për të rikujtuar ngjarje e zhvillime politike të kohërave edhe më të errëta. Libri ndahet në 4 cikle: „Nga përvoja“, „E djeshme, e sotme, e nesërme“, „Drita që nuk shuhet“ dhe cikli „Këngë pleqërisë“.

Pikpamjet e tij kishin për qëllim të nxisnin dhe forconin letërsinë e re që krijohej, çfarë më vonë u bë realitet. Ato pikëpamje ishin të matura dhe të qëlluara, sepse ishin rezultat i përvojës së tij letrare dhe i njohjës së letërsisë dhe teorisë së saj. Pra, përveç vetëdijës së përgjithshme historike mbi letërsinë, mbas luftës Esad Mekuli e zgjeron dhe e pasuron formimin e vet në mënyrë më të qëndrueshme dhe me vetëdijeni ndikoi mbi letërsinë kombëtare shqiptare. Kjo pikëpamje ndiqet edhe në librin më të ri, mbase Esad Mekuli i mbetet besnik konceptit të tij. Ky koncept vehet edhe në ballë të librit si poezi kredo:

Jam dëshmitarë,
unë-
që në vetmi
zërin e ngushëllimit
dëgjoj
në furtunë
(i sharë
dhe
përherë
mëkatar!)

Poeza: „Dëshmitar“ faqe 7.

Sigurisht nga përvoja e tij, qoftë intelektuale, politike apo krijuese ai do të shkruaj poezinë „Porosia“, në të cilën do ti lë amanetet për të gjithë:

Pra
shkruaj
e puno
që të mos turpërohesh…
lufto për të vërtetën
mos u mbështet në të paaftet,
lajkatarët –
në ata të pakurruzë.

Poezia e Esad Mekulit çdo herë është aktuale. Për konkretizim, këtu po rikujtojm katër vargje të poezisë „A asht fajtor Shqiptari“, të shkruar në vitin 1938, aktualiteti i së cilës ndihet edhe sot:

A asht fajtor Shqiptari pse, si të tjerët, po don
të jetojë si Njeri në të vetat sot e përjetë?
A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron
nën qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve të vet!

Populli ynë i talentuar me një durim dhe mirëkuptim ndër veti, ruajti breza dhe gjenerata të tëra, i shkolloi dhe arriti të qëndroj. Brutaliteti i shfrenuar i shovenstëve serbë nuk mund të jetë i pashterrshëm, ashtu siç nuk është e pashterrshme dashuria për liri. Shovenizmi serb së fundi, i thyer, do tërhiqet si ulurimë përbindshi të plagosur, duke lënë pas llahtarinë shkatrrimtare mbi kulturën tonë kombëtare, e cila pastaj do të ngritet si një fidan i ri në kopshtin e bukur pranveror! Pra tamam ashtu siç do të ringritet figura dhe personaliteti i Esad Mekulit, si poet dhe si njeri!

Prandaj themi se qëndresa dhe durimi i popullit tonë paralajmëron fundin e pashmangshëm të stuhisë së shfrenuar serbe. Kurse, qëndresa si lajtmotiv dhe si ideal e përshkon fund e krye të gjithë veprën poetike të poetit Esad Mekuli, ashtu siç e përshkoi ajo tërë jetën e Esad Mekulit si njeri.

SHËNIME PËR AUTORIN:

Esad Mekuli (1916-1993). Lindi në Plavë dhe vdiq në Prishtinë. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Pejë, Prizren e Sarajevë..Studimet i vazhdoi në Beograd, Zagreb e Itali. Kreu Fakultetin e Vetrinarisë në Beograd, specializoi në Zagreb dhe doktoroi në Beograd. Punoi në repartin parazitologjik në Institutin Veterinar në Prishtinë, të cilin e udhëhoqi deri në vitin 1960. Ka botuar dy libra shkencor në këtë fushë. Gjatë vitit 1945-46 udhëhoqi gazetën “Rilindja”, kurse nga viti 1949 e derisa u pensionua ishte kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” si dhe Kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Veprat letrare:

“Për ty” 1955,
“Dita e re” 1966,
“Avsha Ada” 1971,
“Vjersha” 1973,
“Brigje” 1981,
“Rini e kuqe” 1983,
“Drita që nuk shuhet” 1989.