Dashuri, lot dhe dhimbje

0
91
Ilir Muharremi - Ti - roman

“E kujtuam takimin tonë të parë, puthjet, shtrëngimet, ecjet nën dritën e hënës. Pastaj prapë u kapluam nga valët e dhimbjes që na përshkuan nëpër të gjithë trupin. E qara dhe dënesa nuk pushonin te Maria. Gjymtyrët i shungullonin nga spazma e të qarit, sikur të përshkoheshin nga rryma elektrike, pastaj dukej sikur rrëqethje të ftohta i rridhnin nëpër trupin e torturuar. Ajo dukej sikur kishte humbur çdo ndjenjë. Ia preka duart e ftohta, vëreja venat, që i rrihnin nën tëmtha si me çekan. U ul në gjunjë…” Fragment nga romani “Ti” i Ilir Muharremit.


Dashuri dhe luftë

“Breshëri plumbash dëgjohen në të gjitha anët. Qielli është ngjyrë gri. Flaka dhe tymi i bashkohen qiellit, duke e gërryer kaltërsinë. Fasadat e shtëpive janë me vrima të plumbave. Sikur po e dëgjoj ulërimën e njerëzve dhe vajin e foshnjeve. Çdo sekondë po ma shqyen zemrën. Kjo urrejtje ndaj çetnikëve rritet çdo çast. Vetura u kthye me vështirësi në rrugën me baltë. Fenerët e saj u këmbyen papritur në terrin tokësor, nga njëra anë e rrugës, pastaj nga tjetra, duke ndriçuar dy baraka druri të mbuluara me llamarinë. Aty pranë barakës së dytë, në anën e djathtë, në tisnajën mjegullore shquhej një kullë e ndërtuar me gurë të gdhendur në mënyrë trashanike. Si duket gëzhojat e plumbave më kot janë përplasur, sepse kanë përfunduar gjithandej në tokë. Nga maja e kësaj kulle niste një kabëll metalik, i dallueshëm me nyjë lidhëse, por që shkëndijonte në dritën e makinës sa më shumë që zbriste, gjersa dukej pas shpatit që priste rrugën. Vetura ngadalësoi dhe qëndroi disa metra larg barakave…” Fragment nga romani “Ti” i Ilir Muharremit.