NDARJE EMOCONUESE E KOLEGËVE DHE MIQËVE, PËR T’U TAKUAR PËRSËRI…

0
1128
Hys Hasa me Murat Gecaj - maj 2018

(Me Hysë Hasën, veprimtar i njohur i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia-Amerikë)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

Nuk është hera e parë, që vjen në vendlindje Hysë Hasa, veprimtar i njohur i Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës dhe autor i disa librave, kryesisht kushtuar vendlindjes, krahinës së Kukësit. Edhe më tepër se një vit më parë, ai u kthye në Atdhe për t’u çmallur me familjarë, miq e dashamirë të tij, në disa rrethe të vendit. Por edhe përuroi dy libra, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytet.

Ndokush, mund të mendojë se, me kaq, ai e kishte kryer detyrën e tij. Por jo, sepse gjatë më shumë se një viti, përveç punëve tjera dhe pjesëmarrjes aktive në veprimtaritë e asaj Shoqate, sistemoi dorëshkrime e fotografi, kujtime e dokumente të ndryshme, me synimin që ato t’i shkruante dhe t’i botonte në libra të tjerë. Dhe qëllimit, të cilit ia kishte venë vetes, ia arriti plotësisht.

Para afër një muaji, Hysë Hasa u rikthye në Tiranë, tanimë bashkë me tre libra të rinj. Një lexues i vëmendshëm është informuar, përmes Internetit, se ata u përuruan para pak ditëve në Muzeun tonë Historik Kombëtar. Sigurisht, u thanë fjalë miratimi e dashamirëse, si nga folësit dhe pjesëmarrës të tjerë, në atë tubim mbresëlënës e të paharruar. Por edhe pas asaj veprimtarie përuruese, Hysa nuk e ndiente veten të qetë. Me një çantë plot me ata tre libra, në rreth 700 faqe, e kemi parë të shkojë sa në një familje në tjetrën dhe nëpër lokale të ndryshme.

Me shënime dashamirëse, ai ua ka dhuruar lexuesve të interesuar, librat e rinj: “Lavdi dhe përjetësi”(Kushtuar atyre, që kontribuan e dhanë jetën për Atdheun e lirë”, “Vlera intelektuale kuksiane-I” dhe “Gjurmë personalitetesh lumjane”(Nga Perandoria Osmane e deri në vitin 1944). Sigurisht, kudo ai u mirëprit dhe i shprehën mirënjohje për punën e dobishme, atdhetare e letrare, që ka bërë.

2.
Por ditë ikin si pa u kuptuar…Ja, në prag të rikthimit në vendbanimin e tij, pra në Filadelfia të Amerikës, Hysë Hasa mendoi që përsëri t’i thërriste për kafe, disa kolegë e miq të tij. Pikëtakimi ishte një local, në katin e parë të ndërtesave 6-katëshe të kryeqytetit, ku dhe herë tjetër ata kishin qenë, së bashku. Sigurisht, i pari aty mbërriti mikpritësi, Hysë Hasa. Me dashamirësi, ai i takoi njëri pas tjetrit, bashkëkrahinasit e tij: Isa Halilaj, Xhavit Biçaku, Beqir Shehu, Nezir Jata, Xhavit Lashi, Nuri Shehu e Shefqet Zela dhe Ymer Domi, Isuf Spahia e Fejzulla Gjabri. Meqenëse e kam edhe unë prejardhjen nga ai qark, pra Malësia e Gjakovës (Tropoja), më nderuan, që të isha bashkë me ata.

Është e kuptueshme se, në takime të tillë, bisedat janë të larmishme. U fol aty jo vetëm për vendlindjen, por dhe për Tiranën e Shqipërinë, në përgjithësi. Përsëri aty Hysë Hasa gjeti rastin t’ia dhuronte librat e tij ndonjërit, që nuk i kishte marrë dhe me shënim dashamirës. Kur unë i dhashë atij një flamur të vogël, me shqiponjën dykrenare në mes, biseda mori drejtim tjetër.

Hysa u tregoi të pranishmëve se si organizohen, aq bukur, festat kombëtare shqiptare edhe atje, në Filadelfian e largët. Me nismën e drejtuesve të Shoqatë “Bijtë e Shqipes”, e cila tani ka kryetar Tajar Domin e sekretar Vlashi Filin dhe më parë me kryetar Llazar Veron, Petrit Zanajn e Sadik Elshanin, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë, në sheshin kryesor të atij qyteti u ngrit Flamuri ynë Kombëtar. Pastaj, manifestimi u gjallërua nga djem e vajza, të cilët luajtën me shkathtësi këngë e valle popullore shqiptare, të veshur me rrobat tona kombëtare.

Por edhe në raste të tjerë, pra në ditëlindje a përkujtime të ndryshme, bashkësia shqiptare e Filadelfias e kthen lokalin e Shoqatës së saj emërmirë, “Bijtë e Shqipes”, në një mjedis të bukur festiv. Një punë shumë e dobishme, për të cilën na foli Hysa, është edhe funksionimi, tash disa vjet, i shkollës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, në Filadelfia”, me emrin domethënës “Gjuha jonë”.

3.
Sigurisht, në këtë takim të sotëm u treguan edhe ngjarje të veçanta nga jeta e secilit, u bënë shakara etj. Por, kryesorja, të gjithë shprehën falënderimin dhe mirënjohjen për kolegun e mikun Hysë Hasa, që përherë e dëshmon veten të palodhur e zemërbardhë dhe me ndjenja të forta atdhedashurie. Më mirë se kudo, ndoshta, ai këto cilësi e virtyte të çmuara të shqiptarit i ka pasqyruar në 9 librat e tij, që ka botuar deri tani.(Shih dhe skedarin e Bibliotekës Kombëtare-Tiranë).

Në ndarje, duke u përqafuar me emocione, të gjithë të pranishmit në këtë takim të bukur, emocionues e mbresëlënës, i uruan Hysë Hasës kthimin shëndosh e mirë në vendbanimin e tij, shëndet të plotë e mbarësi, gëzime e lumturi, vetjake e familjare. Po kështu, u shpreh besimi që, në vazhdimësi, ai do të ulet e do të shkruajë libra të tjerë, duke u rikthyer bashkë me ta në vendlindje, pranë gjithë të afërmve dhe dashamirëve të shumtë të tij.

Udhëtim të mbarë dhe mirupafshim përsëri në Atdhe, kolegu e miku ynë, Hysë Hasa!

Tiranë, 10 tetor 2016